Komenti

Xh. Gjini: Franca e madhe po koritet me Kosovën e vogël dhe me shqiptarët

FRANCA E MADHE PO KORITET ME KOSOVËN E VOGËL DHE ME SHQIPTARËT
111 vite pas krijimit të shtetit shqiptar, pas shumë ftesash (lutjesh) mori mundin e mori rrugën të vij në Tiranë, për herë të parë, një Kryetar i Francës! Megjithatë erdhi dhe, bëri mirë që erdhi Kryetari Emanuel Makroni.
Vizita e tij u prit me të gjitha nderet që i bëhen një miku të rangut të tij, madje pak më shumë se ndere protokollare.
Mikpritësi i tij, Kryeministri Edi Rama, në krah të tij nuk u tregua dhe nuk u shpërfaq në nivelin që ka mbajtur zakonisht në takime me kryetarë e kryeministra tjerë: pak “arrogant”, shpotitës deri dhe cinik. Me Makronin sikur reflektonte inferioritet! Kjo nuk më pëlqeu… Kryeministrin shqiptar, pavarësisht partisë a emrit që ka, e duam në lartësinë e detyrës, të përgjegjësive dhe të seriozitetit që i kërkon funksioni shtetëror e kombëtar…
Kurse Makroni me një ceremoni të nivelit dekoroi edhe një herë shkrimtarin tonē botëror me urdhërin Oficer i Lartë i Legjionit. Kjo të krijonte përshtypjen e një dashamirësie për shqiptarët dhe për letërsinë e tyre… U tha që janë firmosur edhe disa marrëveshje të rëndësishme midis dy vendeve.
Mirëpo, në konferencën e përbashkët, Kryetari i Francës, sipas meje, u korit me Kosovën e vogël shqiptare… Paralajmërimi i tij për “pezullimin e heqjes së vizave” për Kosovën ishte në kundërshtim me kodin e mikpritjes që iu bë dhe në kundërshtim me rregullat e vendosura nga BE – ja për pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të caktuar…
Makroni, të paktën kësaj here, do të duhej të paralajmëronte masa dhe sanksione për Serbinë shoviniste e luftënxitëse, kryetari i së cilës edhe nga Pekini, i ulur në prehrin e Putinit, po vringëllon armët dhe po kërcënon Kosovēn dhe BE – në… U korit vet dhe e koriti pak edhe mikpritësin!
Vendi i Makronit, siç dihet, ishte pjesë dhe aktor me peshë në vendimet që u morën në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX për copëtimin dhe ricopëtimin e tokave të Shqipërisë, duke persekutuar, terrorizuar, masakruar e shfarosur popullin shqiptar në më shumë se gjysmën e Shqipërisë. Makroni pati një rast historik për t’ia bërë të qartë Serbisë shoviniste që Kosova dhe trojet tjera shqiptare nuk ishin kurrë të Serbisë por, ishin pushtuar prej saj dhe ishin “vulosur” me vendimet kriminale të Fuqive të asaj kohe… Kurse, Kryeministri ynë kishte rastin t’ia kujtonte mikut të tij faktin që populli shqiptar në Kosovën Lindore (akoma e pushtuar) duhet t’i gëzojë dhe t’i ketë të garantuara të paktën të drejtat që gëzon pakica serbe në Republikën e Kosovës… Ta njoftonte mikun edhe me pozitën e shqiptarëve në Sanxhak, në Plavë e Guci, etj. e jo të “recitonte” për të drejtat e mëdha (të paimagjinueshme) që paskan fituar shqiptarët në Maqedoninë e tyre. Kryeministri ynë kishte rastin e mirë t’i tregonte Makronit dhe gjithë atyre evropianëve se midis Tiranës e Athinës është çështja e Çamërisë e jo “çështja Beleri”… Sepse është koha që Franca dhe fuqitë tjera evropiane të angazhohen sinqerisht dhe të kontribuojnë për zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme që do të prodhonin siguri, paqe e stabilitet për rajonin dhe Europën e jo ta shantazhojnë Kosovën dhe kombin e copëtuar shqiptar…
Prandaj, them që qëndrimi i kryeministrit Rama m’u duk i qullët. Deklarata e tij para Makronit se “Kosova e ka futur veten në kurth” ishte absurde! Edhe ai “tregimi” i tij për arritjet e shqiptarëve në Maqedoni (përdorimi i lirë i flamurit,etj.) ishte naiv dhe krejt i panevojshëm! Sikur donte t’ia mbushte mendjen Makronit se shqiptarët nuk janë të vetëdijshëm sa kanë fituar!? I binte që kombi i copëtuar në 6 shtete duhet të jetë i lumtur që “nuk po e vrasin”!! Më erdhi keq për pozitën e tij të pa denjë! E kuptoj sa të vështirë e kanë shtetet dhe popujt e vegjël “ballafaqimin” me presionet dhe shantazhet e fuqive të mëdha, por ka ca gjëra dhe ca situata që na obligojnë të qëndrojmë vertikalisht dhe pa u luhatur herë në një kēmbë dhe herë në tjetrën këmbë…
Vetëm një gjë e tha mirë dhe shkoqur Kryeministri Rama: “Kosova duhet të sillet dhe të veprojë krejtësisht e pavarur nga Serbia”, të mos mbetet peng i saj… Por, edhe këtë dhe të gjitha çështjet substanciale për Kosovën dhe për trojet tjera të Shqipërisë duhet të bisedohen e peshohen kokë më kokë midis krerëve politikë dhe institucionalë e jo duke i dërguar njëri-tjetrit “të fala të koduara” përmes mediave, rrjeteve sociale e konferencave për media! Sepse po jetojmë në një botë jo vetëm të trazuar por, mund të thuhet të egërsuar e të çmendur si pak herë më parë!