Jusuf Gërvalla: BASHKIMI” BËN FUQINË
“Fronti Nacional Çlirimtar ishte Fronti unik i të gjithë popullit kundër armikut të jashtëm, që na kishte pushtuar vendin. Vija e Partisë në Front ishte për bashkim pa dallim klase, bindjeje politike, feje dhe krahine e të gjithë shqiptarëve të vërtetë, e të gjitha forcave patriotike e demokratike të vendit, e të gjithë atyre që ishin gati të luftonin kundër pushtuesve fashistë e tradhtarëve për një Shqipëri të lirë, të pavarur, demokratike e të popullit.” (Enver Hoxha)
Liria nuk fitohet me vota. Dhe kurrë nuk ka ndodhur që pushtuesi të bëhet aq zemërgjerë sa t’ia kthejë një populli lirinë të cilën ia ka rrëmbyer njëherë. Vetëm lufta e vendosur dhe pa kursim e popullit të robëruar e heq qafe zgjedhën e huaj dhe botën e detyron t’ia njohë atij lirinë.
Në luftë kundër pushtuesit jugosllav dhe tradhtarëve shqiptarë, vasalë të qeverisë së Beogradit, ne nuk duhet të ushqejmë iluzione dhe t’i lejojmë vetes asi komoditeti që të ngelim jashtë rrymës së drejtpërdrejtë të stuhisë, qoftë në kuptimin e frazës reaksionare: ” Ha përshesh, se ka kush i kqyr punët e fisit”, qoftë në kuptimin e shmangies tonë për një kohë më të gjatë a më të shkurtër nga lufta, duke ndjekur vijën e rezistencës së ulët.
Dhe lufta jonë përballë një armiku të rrezikshëm, i cili gëzon edhe përkrahjen e forcave të shumta me afinitet të ngjashëm, do të jetë gjithsesi një luftë e vështirë. Faktori teknik, në kuadër të jetës nën një shfytëzim të egër kolonial, është i pakët e edhe ai që është, është momentalisht në duart e armikut. Punonjësit dhe mbarë populli shqiptar në tokat tona të pushtuara jeton në skamje dhe mjerim dhe i ekspozohen jo vetëm shtypjes e grabitjes, por edhe një demagogjie e propagande të fuqishme revizioniste, e cila ka për qëllim ta përjetësojë pushtetin e huaj mbi popullin tonë.
Mirëpo, ne, po vepruam me përkushtim dhe energji patriotike e revolucionare, do të kemi në dorë një faktor tjetër vendimtar: faktorin POPULL. Kur të ketë hyrë i vendosur e i bashkuar në shërbim të luftës së drejtë çlirimtare, populli përbën një fuqi të jashtëzakonshme, e cila thyen çdo potencial teknik dhe numerik të armikut pushtues. Këtë e dëshmojnë luftrat çlirimtare dhe revolucionare në historinë e njerëzimit.
“Bashkimi” – gazetë e popullit
Organizata jonë masive, FRONTI I KUQ POPULLOR, dhe organi i saj “Bashkimi” kanë marrë përsipër detyrën e vështirë po të ndershme e të domosdoshme: grumbullimin dhe përgatitjen e forcave tona patriotike e revolucionare për luftën nacionalçlirimtare dhe bashkimin e tokave dhe të popullit shqiptar të viseve të robëruara me Atdheun e përbashkët, Shqipërinë socialiste.
Nuk ka kurrfarë leverdie dhe nuk është revolucionare të fryhen në mënyrë joobjektive rezultatet e arritura nga puna jonë. Do pranuar se këto rezultate, në kushte të vështira të ilegalitetit, kur për një fjalë goje dergjesh në burg, janë rezultate modeste. Mirëpo, nuk mund të mohohet as ndikimi i organizatës dhe gazetës sonë dhe depërtimi ynë gjithnjë më i madh në radhët e punonjësve dhe të masave popullore. Dhe, ç’është poashtu me rëndësi, tërbimi i armikut, si rrjedhim i punës sonë. Le të guxojë klika titiste ta lejoj shpërndarjen e lirë vetëm të një numri të “Bashkimit”! Le të dalë ai vetëm njëherë botërisht në fshatra e qytete, shkolla e fabrika – në trojet tona të robëruara! Natyrisht, ëndrra të tilla nuk shohim. Por, duke marrë me mend eventualitetin e tillë (absurd), do të shohim njëherazi efektin e fuqishëm të punës sonë, frikën e armikut për ekzistencën e vet dhe tërbimin e tij kundër së vërtetës, që ka për detyrë të sheshoj dhe që po e sheshon “Bashkimi”. Kjo frikë nuk do të ekzistonte, tërbim nuk do të kishte, nuk do të burgoseshin njerëzit vetëm e vetëm pse i është gjetur “Bashkimi” sikur armiku t’i kishte sendërtuar ëndrrat e veta të liga për degjenerimin dhe asimilimin e popullit shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi. Prandaj, në qoftë se ndonjëherë do të ligemi, të dëshpërohemi apo të bëhemi skeptikë, është një metodë e sigurtë për t’i njohur mundësitë dhe efektet tona: duke shikuar pasqyrimin e punës sonë në sy të armikut. Natyrisht, kjo u rekomandohet atyre individëve të vaktë, që vullnetin nuk ua cilëson çelnikosja dhe rezultatet nuk ua jep puna sistematike dhe me gjithë qenien. Për pjesën e vetëdijshme të popullsisë sonë është e qartë njëherë e përgjithmonë se te ne kurrë nuk do të pinë ujë gënjeshtërat dhe demagogjitë që kanë për qëllim t’ia zgjatin jetën robërisë sonë. Prandaj, në këso kushtesh, leja për shpërndarje të lirë të një numri të gazetës sonë, do të kish qenë vetëvrasje për qeverinë revizioniste të Beogradit.
“Bashkimi” po fiton përditë e më shumë autoritetin e një gazete të popullit për popullin. Ne nuk do të gjunjëzohemi para torturave dhe terrorit që po ushtron armiku barbar mbi forcat tona patriotiko-revolucionare. Le të na burgosin, le të na torturojnë. Kjo është puna e tyre. Puna e mizorit që i ka të numëruara ditët. Puna jonë është të qëndrojmë ballëlartë e të paepur, ashtu si do t’ia shtiem edhe më shumë tmerrin pushtuesit. Dhe punës nuk do t´ia ndajmë deri në fitoren e plotë. Prandaj edhe ju mblidhni forcat, mos u bëni “amin” burgosjeve, ndjekjeve, frikësimeve e shantazheve. Kjo le të jetë përgjigja e popullit për terrorin e armikut. Ne, po na e dhatë të drejtën dhe mundësinë, jemi të gatshëm të vdesim në ballë të radhëve tuaja.
Përvetësimi i literaturës revolucionare
“Po deshëm që lufta jonë, nga një rezistencë spontane, të kalojë në luftë të organizuar për clirimin kombëtar dhe klasor, atëherë para nesh shtrohet si domosdoshmëri studimi dhe përvetësimi i historisë kombëtare dhe i literaturës revolucionare marksiste-leniniste. Zotërimi i kësaj literature nga avangarda jonë dhe popullarizimi i saj në masa ka qenë dhe mbetet detyrë primare për zgjimin e vetëdijes kombëtare e klasore të masave popullore dhe të punonjësve.
Nën kujdesin e Partisë së Punës të Shqipërisë, sot në Atdheun tonë socialist lulëzon një literaturë e begatshme revolucionare. Nga literatura e tillë, që duhet të përvetësohet në mënyrë të domosdoshme dhe të ngutshme, sidomos nga pararoja jonë revolucionare, donë vecuar këto pikëmbështetje kryesore: veprat e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit e ato të marksist-leninistit dhe prijësit të madh shqiptar, shokut Enver Hoxha; historia kombëtare shqiptare, ajo e PPSH-së dhe dokumentat e PPSH-së; shtypi shqiptar, sidomos publikimet shkencore nga lëmi i historisë dhe ai i ndërtimit teorik dhe praktik të socializmit në Atdheun tonë.
Vetëm pasi të kemi përvetësuar këtë literaturë ne do të jemi të pajisur me një vetëdije të lartë kombëtare e klasore, e cila do ta bëjë më të sigurtë hapin tonë dhe depërtimin tonë në gji të popullit; me këtë vetëdije, forca jonë goditëse mbi armikun tonë shekullor, do të shumëfishohet.
Për një Shqipëri socialiste të të gjithë shqiptarëve
Lëvizja jonë, lufta jonë nacionalclirimtare, revolucioni ynë, na shpien pikërisht te qëllimi ynë kryesor: te një Shqipëri socialiste e të gjithë shqiptarëve. Kjo aspiratë është vënë edhe në ballë të organit tonë “Bashkimi” në trajtë parulle.
Nëse lufta jonë nacionalclirimtare synon clirimin kombëtar të të gjitha trojeve tona të pushtuara nga Jugosllavia, atëherë jemi duke luftuar për një Shqipëri. Nëse pos clirimit kombëtar synojmë edhe clirimin klasor, atëherë jemi duke luftuar për një Shqipëri socialiste, e cila pas bashkimit të tokave që iu shkëputën padrejtësisht trungut shqiptar, do të jetë Shqipëria socialiste e të gjithë shqiptarëve.
Ai që bënë zhurmë duke na e mohuar një të drejtë të tillë, në thelb është reaksionar, sepse pikëpamjet e tilla janë kryekëput pikëpamje imperialiste, kolonialiste e revizioniste. T´i mohosh popullit tonë të drejtën e luftës nacionalclirimtare, do të thotë të pajtohesh me robërimin e popujve, dhe kjo është antimarksiste e antileniniste.
Bashkëpunimi internacionalist i forcave tona çlirimtare
Sa i përket bashkëpunimit internacionalist me forcat përparimtare në botë, Fronti i ka vënë vetes detyrë të përhershme afirmimin e luftës sonë të drejtë dhe ndihmën reciproke ndërmjet elementeve revolucionare. Më në fund, konsiderojmë se ngadhnjimi i luftës dhe i revolucionit tonë do të jetë njëherazi kontribut për fitoren e revolucionit socialist në botë.në këtë drejtim rezultatet tash për tash janë modeste, por ato inkurajojnë për suksese të mira në të ardhmen.
Po kur është fjala për bashkëpunim me fqinjët e parë, çështje që parimisht duhet të ketë edhe vendin e parë, në këtë drejtim dalin pengesa të shumta. Në gjithë të kaluarën tonë fqinjësore, siç tregon përvoja shekullore, ”Bashkimi i armëve(shqiptare) me fqinjët e Ballkanit ka qenë( për ne) vetëvrasje”. Edhe më keq ka dalë puna në luftën e fundit. Në emër të internacionalizmit proletar dhe të frontit të përbashkët antifashist e nacionalçlirimtar shqiptari i pati bashkuar armët me serbin, malazezin dhe maqedonasin. Mirëpo udhëheqja e PKJ-së, pa mbaruar mirë lufta, e hodhi maskën dhe e tregoi qëllimin e vërtetë; ajo kishte bërë me shqiptarin marrëveshjen që mund të bëjë xhelati me viktimën me urdhrin e saj në Kosovë erdhën brigada e divizione partizane, që likuiduan mbi 40 000 shqiptarë të pafajshëm në emër të lëvizjes balliste. Pas lufte ishte e natyrshme që popull ynë, për gjakun ederdhur në Srem e Slloveni, të gëzonte një simpati sado të vogël së paku nga ana e popujve fqinjë sllavë, atë që nuk e gëzonin nga qeveria revizioniste. Po gjithë argumentet që mund të mblidhen nga fërkimet e popullsisë sonë me serbët, malazezët e maqedonasit bien më shumë erë shovinizmi të papërmirësueshëm nga ana e tyre, sado që ata kanë hyrë në borxh te ne e jo ne te ata.
Kështu çështja e bashkëpunimit në baza të internacionalizmit proletar me serbët, malazezët dhe maqedonasit për ne është gjë shumë e vështirë, ndoshta edhe e pamundshme. Megjithate, kur te këto popuj të kemi hetuar disponim të mirë për bashkëpunim mbi bazat e përmendura, ne nuk do ta refuzojmë.
Kolonët serb, malazez e maqedonas, që janë sjellë nga kralët e hershëm dhe të sotëm me qëllim që të popullzojnë tokat e pushtuara shqiptare dhe t’ua ndërrojnë atyre fizionominë etnike, me pretendim që të fitojnë të drejta “historike” mbi tokat tona, duhet të vendosin me kohë për qëndrimin që do të mbajnë karshi luftës sonë nacional-çlirimtare. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se, duke qenë të ngulitur këtu nga kralët, apo duke ardhur pas lufte në tokat shqiptare, ndërkohë që pjesa më vitale e shqiptarëve është e detyruar të emigrojë – për shkak të politikës diskriminuese të pushtetit beogradas ndaj shqiptarëve, janë duke u bërë vegël e verbër në dorën e aspiratave shoviniste beogradase. Ne, shqiptarët, s’kemi si ta kuptojmë politikën e maqedonasve me diasporën e tyre të Egjeut, të cilën po e vendosin me favore të shumta në viset shqiptare, dhe të ashtuquajturit “egejci” po i bëjnë pykë për shtyrjen e shqiptarëve nga vatrat e veta.
Detyra të ngutshme
Jugosllavia është duke përjetuar krizën më të madhe në historinë e saj. Si bishë e plagosur për vdekje, ajo po e kompenzon agoninë e vet me diktaturë e terrorr mbi popujt që ka mbërthyer ne kthetrat e veta të përgjakshme. Si gjithmonë, egërsia e saj po shprehet më së shumti mbi popullin e robëruar shqiptar. Kohëve të fundit po dalin gjithnjë më haptazi edhe aksione çetnike, të nxitura e të përgatitura nga pushteti. Këto, se dhe tejmbushja e kupës së quajtur robëri, na detyrojnë të marrim qëndrim përkatës e të prerë për t’iu ndavënë sa më me sukses veprimeve të armikut dhe për t’i shërbyer sa më mirë çështjes sonë të shenjtë: çlirimit dhe bashkimit të trojeve dhe të popullit shqiptar në një shtet kombëtar me pushtet popullor.
“Detyrat e njerëzve revolucionarë, përparimtarë, patriotë në vendet me zhvillim të ulët ekonomiko-shoqëror dhe të varura prej fuqive imperialiste e socialimperialiste, është t’i bëjnë të ndërgjegjshëm popujt për këtë shtypje e shfrytëzim, t’i edukojnë, t’i mobilizojnë, t’i organizojnë, t’i hedhin në luftë çlirimtare, duke mbajtur parasysh kurdoherë se revolucionin e bëjnë masat e gjëra, popujt.” (Enver Hoxha, Imperializmi dhe revolucioni).
Dhe pakënaqësia ekzistuese e popullit si dhe situata e përgjithshme na bëjnë optimistë kur e do puna të hymë në radhët e popullit për t’i çuar në vend detyrat tona. Klika në pushtet nuk është më në gjendje t’i shtyp popujtë si më parë, me mashtrime e demagogji, dhe mbase as me diktaturë. Përditë po bëhet më e qartë se mbarësia a prapësia e Jugosllavisë nuk varet nga mbarësia a prapësia e ndonjë individi (a grupi) në krye të saj. Puna është te rendi i kalbëzuar antipopullor, i cili s’ka shërim. Sa më shpejtë që të fillojë përfundimtare, aq më shpejtë do t’u kthehet liria dhe lumturia e grabitur popujve të kësaj pjese të Ballkanit.
Mirëpo kjo pakënqësi, që vetvetiu përbën një nga forcat kryesore të luftës së ardhme, implikon para së gjithash edhe nevojën e përdorimit të saj me kohë e me vend. Sepse, si forcë goditëse, ajo ka një cilësi të atillë, që nuk i shfaqet kujtdo. Ajo do t’i shfaqet vetëm atij që është i denjë për luftën e vendosur dhe serioze, deri në fitore, pa marrë parasysh vështirësitë dhe sakrificat. Prandaj, si bij revolucionarë të popullit tonë, ne, në radhë të parë, duhet ta kemi parasysh pakënaqësinë e madhe të popullit dhe të hyjmë në esencën e saj e t’i përgatisim asaj terren të vërtetë për grushtin e saj të fuqishëm. Skënderbeu s´bëri gjë tjetër, vecse e mblodhi atë, rebelimin e shpërndarë dhe e sistemoi.” (Ismail Kadare, Ura me tri harqe).
Një nga detyrat e ngutshme të patriotëve dhe të revolicionarëve shqiptarë në kushtet aktuale, është që t´u bashkangjiten radhëve tona të organizuara, Frontit të Kuq Popullor dhe organizatave e grupeve të tjera revolucionare. Ne nuk e nënçmojmë as legale e gjysmëlegale të disa njerëzve të ndershëm. Por s’ka asnjë dyshim se revolucionari, sado i pregatitur dhe i gatshëm që të jetë deri sa të mos u bashkohet radhëve të organizuara, do të jetë një ishull i vetmuar dhe i brishtë.
Ndërkaq për organizatat dhe grupet revolucionare, sot më shumë se kurrë shtrohet nevoja e njohjes reciproke dhe e bashkimit të shpejt. Siç mund ta dimë, në viset shqiptare nën Jugosllavi ekzistojnë një numër i konsiderueshëm grupesh e organizatash patriotiko-revolucionare, me karakter regjional e mbiregjional. Kjo është e natyrshme për një periudhë të caktuar në përgatitjen e luftës çlirimtare dhe revolucionit, sepse e kushtëzojnë rrethanat e vështira të punës në ilegalitet të thellë – për shkak të presioneve të mëdha të armikut për shuarjen e çdo shkëndijëze revolucionare. Por duke u nisur nga kushtet konkrete, nga kriza që po pëson sidomos kohëve të fundit armiku ynë, nga zhvillimi i këtillë i ngjarjeve që flet për procesin e shembjes gjithnjë më të shpejtuar të tij, si dhe nga qëllimet, strategjia e taktika e njejtë e grupeve dhe organizatave tona revolucionare, sot ekzistojnë shumë mundësi për bashkimin e tyre në një organizatë të vetme e të fortë. Dikur, kur ngjarjet të kenë marrë përmasa të tjera, do të mund të bëhet vonë për bashkim të suksesshëm. Sepse si thoshte Lenini, në “çastet e shpërthimeve e plasjeve, është vonë për krijimin e organizatës; ajo duhet të jetë e gatshme që të mund të zhvillojë menjëherë veprimtarinë e vet.”
Çështje organizative – strategjia dhe taktika
Vetëdija për procesin e shthurjes dhe të shembjes së shpejtë të socialshovinizmit jugosllav në krye me hegjemonizmin serb, nuk na jep të drejtë të nënçmojmë forcën armike. Përkundrazi, Jugosllavia, duke qenë e mbështetur fort në forcat e errëta reaksionare dhe antipopullore nga brenda dhe jashtë, përkundër plagës së rëndë që ka marrë nga kriza ku është katandisur me të katër këmbët, mund të zvarritet edhe për një kohë të gjatë, po s’ia dhanë të shtyrën forcat përparimtare nga gjiri i popullit tonë dhe i popujve të tjerë që vuajnë nën klikën e Beogradit. Prandaj, është e qartë se për t’ia arritur qëllimit, duhet një organizim i fuqishëm e serioz, që do të jetë në gjendje ta godasë atë për vdekje.
Para nesh tani shtrohet një çështje e rëndësishme, ajo e raportit dhe programit revolucionar dhe veprimit revolucionar. “Çdo gjë që bënë lëvizja e vërtetë, – shkruante Marksi, – ka më tepër rëndësi se një duzinë programesh.” Kurse Lenini shton se “pa teori revolucionare nuk ka revolucion.” Prandaj, pasi ne nuk kemi pse të frikësohemi për “teorizime”, do të thoshim se na duhet një program i denjë për një lëvizje të denjë. Me këtë rast duhet të vëmë në dukje se ne ende nuk kemi qenë në gjendje ta formojmë partinë tonë komuniste marksiste-leniniste, pa të cilën gati do të jetë e pamundshme hyrja konkrete në luftën e ardhshme nacionalclirimtare dhe në revolucionin tonë. Kjo na nxjerr te një cështje tjetër që kërkon sqarim. Ishte Partia Komuniste Shqiptare (sot Partia e Punës e Shqipërisë) ajo që e pat themeluar Frontin Nacional Clirimtar (sot Fronti Demokratik). Dhe kjo ishte rruga e drejtë. Te ne ka ngjarë e kundërta. Fronti i Kuq Popullor, i themeluar prej forcash patriotike, pret themelimin e partisë sonë komuniste marksiste-leniniste e cila do të vihet në ballë të luftës dhe të revolucionit. Sipas vlerësimeve të Frontit, arsyeja për këtë inverzion qëndron në kushtet konkrete, të cilat kanë ndikuar që forcat patriotike të masave të gjëra të ecin një hap përpara organizimit të komunistëve tanë. Në kësi konteksti e shohim aktivitetin e Lëvizjes Nacional Clirimtare të Kosovës dhe të Viseve të tjera Shqiptare nën Jugosllavi – një organizatë e hershme, që ka mbledhur dhe mban rreth vetes njerëz me eksperiencë patriotike e revolucionare dhe me të cilën jemi duke bërë përpjekje për njohje reciproke dhe për bashkim. Në kësi konteksti jemi duke përcjellë gjithashtu edhe aktivitetin e Marksist-leninistëve të Kosovës, që po shfaqen këto kohët e fundit me organin e tyre “Liria”. Duke u nisur nga kryartikulli në numrin e parë të këtij organi, si dhe nga përmbajtja e tij përgjithësisht e nga trajtimi marksist-leninist i problemeve nga ana e krijuesve të “Lirisë”, ne e vlerësojmë shumë të drejtë punën e Marksist-leninistëve kosovarë. Kjo na jep shpresë që së shpejti, ndoshta pikërisht nga radhët e tyre, do të realizohet edhe kërkesa e domosdoshme për themelimin e vetë partisë komuniste marksiste-leniniste.
Për sa i përketë strategjisë së ndjekur gjer më tash në luftë kundër socialshovinizmit jugosllav, ne kemi vlerësuar se pjesa më e madhe e grupeve dhe organizatave patriotiko-revolucionare shqiptare janë puqur në një pikë: në etapën e deritashme të luftës e të revolucionit tonë, ato i kanë dhënë armikut një grusht nga aspekti politik, duke bërë me veprimtarinë e tyre të ngritet vetëdija kombëtare e masave tona popullore. Vitet e fundit bashkë me vetëdijen kombëtare janë arritur rezultate të shënueshme edhe në ngritjen e vetëdijes klasore, që është një hap i madh cilësor drejt revolucionit. Këtë ua dimë për nder patriotëve e revolucionarëve tanë, që ditën ta përqafojnë e ta përhapin në masa literaturën revolucionare marksiste-leniniste, sidomos atë që po botohet në Tiranë dhe është bërë fener ndricues edhe për forcat revolucionare në të gjithë botën.
Mirëpo, vlerësojmë ne gjithashtu, tani ka ardhur koha që të kalohet në një etap tjetër të luftës: në aksione të sinkronizuara për dëmtimin e armikut edhe në pikëpamje ekonomike e luftarake. Kështu sikurse strategjia, edhe taktika e deritashme, në rast të tillë, duhet t´ia lëshoj vendin taktikës së re. Në këso kushtesh bëhet edhe më i nevojshëm bashkimi i shpejt i organizatave tona patriotiko-revolucionare, të cilat, deri më tash, megjithë strategjinë e njejtë apo të ngjashme, kanë aplikuar taktika të ndryshme.”
Qëndrimi ndaj burgosjeve politike
“Do të ketë gjithmonë koka që ngrihen, sepse, s´do të ishte as fjala kryengritje, që, në fund të fundit s´do të thotë gjë tjetër, vecse “kokëngritje”. Pra do të ketë gjithmonë koka që do të ngrihen e pastaj, si rrjedhim, do të priten, dhe ata që do t´i shikojnë ato… do të thonë me vete: jo, unë s´do ta bëjë kurrë një gjë të tillë. Kështu do të thonë, mirëpo sikur t´i ketë shtyrë djalli, fill pas kësaj s´do mendojnë vecse të bëjnë pikërisht atë që s´duhet të bëjnë.”
Shtimi gjithnjë më i madh, dhe jo zvogëlimi i aktivitetit të organeve ndjekëse jugosllave ndaj forcave patriotike, e dëshmon në mënyrë të gjallë këtë mendim të Kadaresë. Klika titiste, me bajraktar hegjemonizmin serbomadh dhe përcjellës të parë shovinizmin maqedonas dhe malazez, “me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre”. Po bëhen katër dekada (vetëm nga Lufta e këtej) që ata nuk po zgjedhin mjete për ushtrimin e genocidit mbi popullin shqiptar. Një nga këto mjete, shumë e preferuar ishte dhe mbeti burgosja e çdo filize shqiptare, posa ta ketë dhënë shenjën e parë se nuk do ta pranojë verbërisht robërinë. Populli ynë është në dijeni për bijtë e tij të zgjedhur, që dergjen në burgjet e Jugosllavisë. Ai po i përcjell e dhembje edhe burgosjet e paradokohshme, që edhe sot po rëmbejnë valë-valë shumë patriotë shqiptarë. E di mirë populli pse Klika titiste nuk po ka guxim të na denjësojë as me të drejtën tonë elementare: që të informohemi publikisht se kush janë të burgosurit, sa u dënuan dhe pse. Prandaj, më shumë se kurrë po e çjerrë marimangën e harresës, me të cilën ka qëllim ta mbulojë e ta hedhë në harresë UDB-ja fashiste.
Karshi këtyre akteve të egra, ne duhet të kemi qëndrimin tonë përkatës. Edhe ky qëndrim, vlerëson Fronti i Kuq, duhet të ndërroj nga i deritashmi. Mendojmë se duhet t’i kthehemi pak historisë. Xhandarët e Stojadinoviqit, ta zëmë,e vranë komunistin Zef Lush Marku, në fillim të këtij shekulli; por ata s’patën si t’i përballojnë kërkesës së opinionit që kërkonte informim të hollësishëm për vrasjen e tij mizore. Ata nuk ia dolën ta ndalin as shoqërinë e ngushtë dhe fmiljen e tij që kufomën e komunistit e nxorri nga varri dhe e varrosi atje ku përkiste. Në Jugosllavinë e sotme, UDB-ja e PKJ-ja e vrasin mizorisht Fazli Grajqevcin në burg (më 1964) dhe djaloshin Murat Mehmeti (në demonstratat e vitit 1968); dhe as na informojnë pse e si i vranë dhe nuk na lejojnë t’ua bëjmë gjëmën si ka hija as t’i varrosim ku duhet e si duhet! Prandaj, në qoftë se terrori i sotëm ia kalon terrorit të kralëve të vjetër jugosllavë, të cilit Kamer Loshi, Shotë e Azem Galica iu përgjigjën me zjarr, pse atëherë ne të mos i lejojmë vetes t’ia kthejmë njëherë e mirë dhe me të njejtën masë armikut tonë të tërbuar.
Lidhur me atë që do të duhej të ndryshonte te ne në këtë qëndrim, ne propozojmë sa vijon:
1. Ata po na burgosin pa të drejtë. Dhe ne, me të drejtë, të mos u dorëzohemi. Kur ta rrethojnë shtëpinë, nga e cila s’ke ku shkon më tej, nëse je i përgatitur shtjer mbi ta dhe ua mbush barkun barot! “Udbashi” është një terrorist, që e çon në vend terrorin e planifikuar shtetëror jugosllav. Po s’pate kushte për mbrojtje me armë, ruaje gjakftohtësinë, mblidhe urrejtjen, në qëndrimin tënd të palëkundshëm, jepi grusht armikut gjatë hetimeve dhe në burg. Mos jeto në iluzione për dobinë nga qëndrimi më i butë. Ti je dënuar në Beograd, dënimin tënd e përtyp gjyqtari në Prishtinë si shiriti i manjetofonit fjalët e inçizuara kushedi se kur.
2. Ta kanë arrestuar djalin, vajzën, vëllaun, motrën, burrin, babanë apo shokun. Më së miri do t’ia nxjerrësh hakun nëse menjëherë i kërkon radhët e organizuara dhe hidhesh në luftë të organizuar revolucionare.
3. Ta kanë arrestuar kushëririn, fqinjin apo mikun e shtëpisë, bashkëqytetarin a bashkëfshatarin. Ata do të bëjnë mbi ty presione të ndryshme që të mos mbash kontakte me familjen e të burgosurit. A do ta dëgjosh armikun dhe t’ia kshesh shpinën njeirut tënd në çastet më të nevojshme?! “Miku i mirë në ditë të vështirë!” Sa herë e ke përdorur vetë këtë frazë?! Zbatoje, pra, në jetë! Kështu, edhe s’ia çon armikut amanetin në vend edhe solidarizohesh me tëndin dhe i jep krah atij. Sepse, mos harro, qysh nesër mund të të burgosin edhe ty, apo të të burgosin djalin e dëshirit, vajzën, vëllaun. Ç’do të ngjajë atëherë me familjen tënde, nëse rrethi e izolon fare?!
4. Burgosjet masive që po i bënë armiku në viset shqiptare, kurrsesi, nuk duhet të na ligin. Mos u dëshpëro dhe, mbi të gjitha, mos u frikëso. Ti je duke përcjellë në burg një pjesë të djalërisë shqiptare, por nesër do ta shoqërosh, në luftën çlirimtare, të cilën po e përgatisin bashkëluftëtarët. A s’ke dëgjuar kurrë se burgosjet, kur bëhen kaq masive, janë shenjë e dobësimit të armikut dhe përparimit të shpejtë të lëvizjes çlirimtare. Kështu burgoseshin para disa vjetësh edhe revolucionarët e Nikaraguas, por, e fituan lirinë. Dhe, liria s´ka çmim.
Ngritja e forcave organizative që do të zëvendësojnë organizatorët e arrestuar
Me burgosjet masive, që bëri me valë gjithnjë më të mëdha për më se një vit e gjysmë, UDB-ja nuk e realizoi dot qëllimin e vet. Ajo kishte ndier praninë e fuqishme të një dore të organizuar patriotiko-revolucionare, që ushtronte ndikim thuaja në të gjitha viset shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia. Por, megjithë rrjetin e fortë të spiunëve dhe provokatorëve të regjur, ajo nuk ia doli të siguroj kurrfarë të dhënash konkrete për bazën e aktiviteteve revolucionare. Dhe, meqenëse aktiviteti po shtohej dita më ditë, duke shtrirë një ndikim gjithnjë më efektiv në masat popullore dhe në punonjësit shqiptarë, UDB-ja u detyrua të ndërmerrte më në fund diçka konkrete për të penguar zhvillimin e hovshëm të luftës dhe të revolucionit tonë. E vetmja mundësi, që i kish mbetur asaj në këtë drejtim, ishte asgjë tjetër përveç se një gjah nëpër mjegull.
Kështu, në kulmin e dëshpërimit, të mospërfilljes së ligjeve kushtetuese e ndërkombëtare, dhe në kulmin e papërgjegjësisë ndaj popullit dhe masave punonjëse, UDB-ja burgosi në mënyrë energjike disa qindra e mijëra djelmosha e vajza shqiptare, pa siguruar as argumentet më elementare kundër tyre (pos nëse merret si argument një libër, vetëm pse është botuar në Tiranë, një shkrim me përmbajtje revolucionare, eventualisht një gazetë ilegale, siç është ta zëmë “Bashkimi”). Nga ky numër jashtëzakonisht i madh të arrestuarish, UDB-ja shpresonte se do t’i bjerë në fije lëmshit: qoftë duke gjetur në mesin e të arrestuarve pahiri ndonjë revolucionar të organizuar, qoftë duke nxjerrë me terror prej tyre ndonjë emër të rëndësishëm organizatorësh.
U arrestuan, u torturuan njerëzit tanë nëpër burgje, disa edhe dolën para gjyqit, të tjerë u lëshuan të shkonin në shtëpi, por nën përcjelljen e kujdesshme të agjentëve të fëlliqur. U çua një pluhur i madh në shtyp, Mahmut Bakalli iu kercënua edhe një herë popullit të vet, e për hir të armikut shekullor, dhe mbi të gjitha u kujdes të fshihte sa më me kujdes përmasat e aktivitetit policor të sforcuar deri në shkallë fashiste në tokat shqiptare të robëruara. Por grupet dhe organizatat tona revolucionare mbetën thuaja të paprekura. UDB-ja nuk ia doli të shtjerë në dorë asnjë organ udhëheqës të këtyre grupeve dhe organizatave.
Dhe gjithë ky proces i tmerrshëm u përsërit disa herë dhe po vazhdon edhe sot. Më në fund, edhe nëse pohimi ynë është i gabueshëm, d.m.th. edhe nëse UDB-ja e ka zënë pikërisht zemrën e forcave tona të organizuara, kjo s’i bënë asaj kurrfarë dobie. Përkundrazi, pozita e saj bëhet edhe më e pashpresë. Sepse, është fakt se që nga fillimi i arrestimeve të nëntorit 1979, aktiviteti revolucionar në trojet shqiptare jo vetëm që nuk u rrudh as u shua, por vazhdoi me ritëm më të shpejtë dhe me përmasa më të mëdha. Pra, edhe nëse gjendja faktike flet për zënien e forcave tona të organizuara, ajo flet njëherazi edhe për lindjen dhe aktivitetin e sforcuar të forcave të reja, që vazhduan aty ku e kanë lënë të tjerët.
Me këtë kapitull për UDB-në dhe revolucionarët tanë, kësaj radhe patëm për qëllim të dalim te një kërkesë e rëndësishme që shtrohet para luftën dhe revolucionit tonë: te ngritja e forcave organizative, të cilat do të zëvendësojnë në mënyrë sa më të plotë e më energjike radhët e organizatorëve të dëmtuar nga armiku. Në situatën konkrete, ne vlerësojmë se është bërë një punë e shëndoshë, për aq sa është fryt i punës së forcave të organizuara aktivizimi i forcave të reja për dëmtimin e radhëve të armikut. Por, në qoftë se e vërteta qëndron ndryshe, atëherë, kjo gjë duhet të bëhet preokupim për punën revolucionare në të ardhmen. Sepse, pa rezervat e revolucionit, vihet në dyshim edhe vetë ngadhnjimi i revolucionit.
Një nga mënyrat e përshtatshme në përgatitjen e forcave të reja organizative, thotë Lenini, është ndarja e drejtë e punës revolucionare, e cila nuk guxon të koncentrohet në duar individësh apo grupesh të kufizuara. Gjithë puna revolucionare, sidomos ana e saj organizative, duhet të përvetësohet në shkallë sa më të gjerë dhe në të gjitha punktet ku ushtron ndikim grupi apo organizata e caktuar revolucionare. Po s’u veprua kështu, do të krijohen patjetër marrëdhënie personale e lokaliste brenda organizatave. Do të lihen pas dore anëtarët “periferikë” të tyre. Ata nuk do të mund të ushtrohen dhe përvetësojnë aftësinë e organizimit, sidomos në kushte të ndryshuara objektive; ata nuk do ta përvetësojnë e lëre më ta përsosin, as teknikën e konspiracionit, e do të mbesin të mangët edhe në zotërimin e literaturës revolucionare, duke e përhapur atë, e jo edhe duke e studiuar për vete. E keqja më e vogël që mund të dalë nga një qëndrim i tillë, është paaftësia e anëtarëve “periferikë” për propagandë e agjitacion të shëndoshë në mesin ku veprojnë ata. Kur punës revolucionare t’ia marrësh edhe momentin e propagandës dhe të agjitacionit të vërtetë, atëherë ia ke marrë edhe dimensionin e saj primar dhe e ke shndërruar në punë antirevolucionare.
Më në fund, marrëdhëniet demokratike revolucionare, që janë synim i parë dhe i përhershëm i revolucionit tonë, patjetër shprehen qysh në hapat e parë të organizimit të forcave revolucionare.
Rinia përparimtare – rezervë e pashterrshme
22-vjeçari i sotëm ende nuk ka qenë i lindur, kur UDB-ja e pat burgosur herën e parë për veprimtari patriotike shokun Adem Demaçi, në vitin 1958. Sot këtë 22-vjeçar e kemi burrë të rritur e të pajisur me vetëdije të lartë kombëtare e klasore dhe me një gatishmëri e guxim të pashoq për t’u futur si e kërkon nevoja në zjarrin e luftës e të revolucionit. Në qoftë se ai është aftësuar edhe në pikëpamje organizative, atëherë, për kauzën tonë kanë ardhur kohë të mbara.
Si ka mundur ai të aftësohet në pikëpamje organizative, pasi me moshë është shumë i ri dhe është rritur në kushte të atilla, në të cilat njeriu e ka vështirë të shtjerë në dorë literaturë përkatëse; pastaj kushtet e ilegalitetit dhe të rrezikut të madh nga agjentët e regjur, kanë qenë në fuqi edhe për të, madje veçanërisht për të, si njeri i ri dhe pa përvojë.
As historinë e mirëfilltë kombëtare, as teorinë marksiste-leniniste të mirëfilltë, ai nuk ka pasur mundësi t’i mësoj në shkollë dhe as në kushte të hapëta publike. Cilat paskan qenë, pra, burimet e frymëzimit të tij dhe si u stërvit ai në punë organizative?
Natyrisht, momentet që ndikojnë në edukimin e përgjithshëm të njeriut dhe në formimin e plotë të personalitetit të tij, pra edhe të personalitetit të tij revolucionar – janë të shumëta dhe të pallogaritshme. Kështu ka ngjarë edhe me 22-vjeçarin tonë në shqyrtim. Por, këtu e do puna që, pa hyrë në ndonjë analizë tjetër, ta veçojmë ndikimin që ka mundur ta ushtrojë ndonjë grup apo organizatë revolucionare e llojit të atillë që kanë vepruar ndër ne, duke u hapur edhe ndaj të rinjve, që do të thotë, duke analizuar edhe këtë premisë të propagandës së shëndoshë revolucionare.
Po e ndoqëm edhe më tutje këtë fill, do të dalim te një dimenzion i domosdoshëm i revolucionit – te çështja e vazhdimësisë së tij.
Rinia është rezervë e pashterrshme e revolucionit. Konkretisht, rinia jonë, si për shkallën e arsimit, të vetëdijes kombëtare e klasore, ashtu edhe për vitalitetin e saj, paraqet një kërcim të madh përpara, në pikëpamje të sasisë dhe të cilësisë. Gjasët e armikut tonë, revizionistëve jugosllavë dhe renegatëve shqiptarë, për shtrirjen e ndikimit në rininë tonë po bëhen përditë më të vogla. Rinia jonë i shmanget si lisë së zezë këtij armiku të egër. Kështu, heshturazi dhe haptazi, ajo po tregohet e gatshme të pranojë një ndikim tjetër – ndikimin e forcave tona përparimtare patriotike e revolucionare. Prandaj, në këto kushte, edhe ne e kemi detyrë t’i kushtojmë vëmendjen e duhur punës organizative me rininë tonë përparimtare, shkollore e studenteske, fshatare e punëtore etj., duke e aftësuar atë për propagandimin e idesë revolucionare në mesin e vet e në popull, por edhe për t’u organizuar në shkallën më të lartë.
Këtë detyrë duhet ta kuptojmë aq më seriozisht, sa më seriozisht të kemi kuptuar se revolucioni nuk është problem që zgjidhet për një ditë, por një proces i gjatë e i mundimshëm, me sakrifica të mëdha.
Dy fjalë për konspiracionin
Shtrohet çështja: si mund të zhvillohet aktiviteti i hapur organizativ në kushtet e sotme, kur armiku ka stërvitur agjentë të regjur, të ngarkuar për zbulimin e radhëve tona dhe për shkatërrimin definitiv të idesë e të akcionit luftarak e revolucionarë? Pastaj: ç’qenka, pra, gjithë ai theksim i domosdoshmërisë për zotërimin e teknikës së konspåiracionit më të thellë?!
Konspiracioni, ose teknika e ruajtjes rigoroze të fshehtësisë, është një nga faktorët kryesorë të veprimtarisë revolucionare të organizuar. Konspiracioni i jep revolucionarit mundësi për punë sa më të fuqishme ilegale, kurse armikut të popullit dhe të klasës aspak mundësi për ta zbuluar atë punë revolucionare të organizuar. Proporcionalisht, çdo dobësim i konspiracionit, aq sa merr nga mbarësia e punës revolucionare, aq i shton gjasët për prapësinë e punës së armikut në zbulimin e veprimtarisë revolucionare, e kështu edhe në dëmtimin e revolucionit përgjithësisht.
Në një shkallë të caktuar të organizimit revolucionar, ka ngjarë edhe të keqkuptohet e të simulohet konspiracioni: si rrudhje e tepërt, mendimi i tillë ekziston në radhë të parë tek ato forca, që në fakt janë pozitive dhe të pastra, por jo edhe të stërvitura për luftë të gjatë, te ato forca që janë të orientuara kah efektet e rrëmbyeshme të luftës, pa durim për të pritur aksionet me ndikim afatgjatë. Konspiracioni, siç vë në dukje Lenini, udhëheqësi i madh i revolucionit socialist, është i domosdoshëm për punën revolucionare, pasi ajo zhvilloht në kushte të vështira të ilegalitetit më të thellë. Bile, pa përsosjen e konspiracionit, shton Lenini, nuk ka as aktivitet të mirëfilltë revolucionar.
Kësaj radhe, sa për udhëzimet praktike se çka duhet ruajtur sekret e çka duhet shpallur me daulle, po ndalemi në pika të shkurta. Konspiracioni më i thellë, që nuk guxon të cënohet në asnjë mënyrë, përbëhet nga ruajtje e fshehtësisë lidhur me dokumentet interne të organizatës revolucionare. Këtu bëjnë pjesë statuti i organizatës, bazat e organeve udhëheqëse, shtypshkronja, depoja e armëve. Po kështu, kurrë nuk duhet të përmendet asnjë emër konkret i cilitdo person të inkuadruar në radhët e organizatës revolucionare. Këto gjëra e kanë peshën e sekreteve ushtarake dhe zbulimi i tyre, te organizatat me përvojë, konsiderohet tradhti e dorës së parë dhe dënohet rëndë.
Nuk duhet të ruhet në fshehtësi, po, përkundrazi, të shpallen, masivisht pikëpamjet e organizatës lidhur me situatën në botë e në vend sidomos për strategjinë dhe taktikën e armikut dhe mjetet me të cilat ka mundësi të dëmtohen ajo strategji e ajo taktikë. Me këtë rast, gjithmonë duket të kesh parasysh se nuk të lejohet në asnjë mënyrë të tregosh se di diçka për ekzistimin e ndonjë organizate patriotiko-revolucionare.
Statuskuoja, ngrirje e të drejtave të popujve e të punonjësve
Për të mbrojtur pozitat e veta: sundimin mbi popujt e shtypur, mbi pasuritë e veta e të huaja, mbi rezultatet e punës së punonjësve në botë, kapitalizmi, socailshovinizmi dhe revizionizmi kanë siguruar edhe mekanizma përkatëse në shkallë shtetërore e ndërshtetërore. Kryerojë e “trashëgimisë” imperialiste e revizioniste janë ushtritë dhe policitë e tyre antipopullore, që ruajnë shtypjen dhe shfrytëzimin e përligjur me dhunën ndërkombëtare. Po një nga armët më dinake të gjakpirësve të popujve e të punonjësve në botë, është përpjekja që te masa të krijohet e të forcohet ideja dhe ndjenja e përjetësisë së kësaj gjendjeje, dhe të avullohet çdo iniciativë për ndryshimin e saj.
Një nga mjetet kryesore, që i shërbejnë në shkallë ndërkombëtare këtij qëllimi, është edhe popullarizimi me çdo kusht i idesë imperialisto-revizioniste për mbajtjen e të ashtuquajturës statuskuo, qoftë kur është fjala për “pandryshueshmërinë” e kufijve të tashëm shtetërorë në botë, qoftë për raportin në mes klasave ekzistuese në vendet e ndryshme, e në kurriz të klasës punëtore dhe të fshatarësisë.
Viktimë e dorës së parë të statuskuosë kemi qenë dhe kemi mbetur kurdoherë, ne shqiptarët. Për të kënaqur apetitet pansllave dhe apetite të tjera ekspansioniste, fuqitë e mëdha i kanë shkëputur trungut të përbashkët shqiptar më se gjysmën e tokave dhe gati gjysmën e popullsisë, duke i lënë ato në mëshirën e shteteve të huaja me regjime të egra antipopullore, hegjemoniste e shoviniste. Kështu ngjau para dhe pas Luftës I Botërore, kështu edhe pas Luftës II.
Me daljen në dritë të përpjekjeve tona të mundimshme për luftë nacionalclirimtare, për vetëvendosje dhe shkëputje nga Jugosllavia, e bashkim me vendin amë, RPS të Shqipërisë, është e natyrshme që dalin forca të errëta – te ne dhe në botë – të cilat përpiqen të na frikësojnë e të bëjnë presione të ndryshme, pikërisht duke pasur parasysh statukuonë e përmendur. Dhe kjo gjë ne s´na habit aspak, sepse propaganda dhe agjitacioni imperialisto-revizionist nuk mund të kalojnë pa bërë ndonjë efekt. Mirëpo na habit qëndrimi i pacipë i disa forcave, të cilat ndjekin rrugën revolucionare, sic janë ta zëmë disa parti marksiste-leniniste. Pa informata të sakta mbi historinë e popullit shqiptar dhe mbi gjendjen e mjeruar të shqiptarëve me banim në Jugosllavi, ato sikur duan të na e mohojnë gjithashtu të drejtën për luftë nacionalclirimtare. Duke përdorur disa klishe prej arrivistësh të revolucionit, ata pëshpërisin: Ju duhet të veproni vetëm për ngadhnjimin e revolucionit proletar në Jugosllavi, jo ju duhet patjetër të zhvilloni një bashkëpunim internacionalist me serbët e malazezët, jo duhet të hiqni dorë nga vetëvendosja gjer në shkëputje dhe bashkimi me vendin amë, sepse vendi amë nuk e potencon kështu si ju cështjen tuaj, ju nuk keni të drejtë, e të tjera, e të tjera. Nga ana tjetër, kudo që u shfaqet rasti, ata nuk lënë pa propaganduar përkrahjen e tyre ndaj luftrave nacionalclirimatre dhe revolucioneve. Dhe ne, duke pasur megjithatë konsiderata për punën e tyre përgjithësisht revolucionare, në vend që t’u hidhërohemi atyre, kemi parapëlqyer që t’i njoftojmë me çështjen tonë ashtu siç është ajo në të vërtetë.
Sa për zëdhënësit e imperializmit e të revizionizmit, që në emër të statuskuosë së tyre “shpëtimtare” na e mohojnë të drejtën elementare të ekzistencës kombëtare dhe të luftës klasore, ne, siç ua kemi vënë grushtin përpjekjeve të armikut jugosllav për të na shfarosur ose për të na mbajtur nën thundrën e egër, do t’ua vëmë edhe atyre. Sepse, sikur me statuskuonë të pajtoheshim në cilëndo shkallë, atëherë as që do të flitnim për luftë e revolucion. Në instancën e fundit, revolucion do të thotë më së shumti mospajtim me gjendjen ekzistuese dhe luftë për ndërrimin e saj cilësor.
***
Bazuar në memorien time, unë kam bërë një shkrim diletant prej 6 faqësh (rreth 12 mijë karaktere), e kam lut Jusufin t’i bënte korrekturën. Pasi e ka lexuar, ka thënë që do ta zgjeronte e thellonte. E ka finalizuar, siç e kemi publikuar në “Bashkimi” (janar 1981).
Meqë Xhafer Durmishi dhe Faridin Tafallari e kanë publikuar si shkrim autorial vetëm të Jusufit, nuk kam reaguar, sepse ishte në modë për të gënjyer: “atëherë isha anti komunist”; unë dëshiroja me qenë, por nuk i plotësoja dot kriterët, prandaj nuk po pretendojë as tani të kem pas hise në bashkë-autorësi të kësaj platforme ideopolitike.
(ibrahim Kelmendi)
add a comment