Komenti

Xh. Gjini: Ruaju nga thellimi i gabimeve me Kryeqendrën e kombit tonë Albin Kryeministri

RUAJU NGA THELLIMI I GABIMEVE ME KRYEQENDRËN E KOMBIT TONË ALBIN KRYEMINISTRI!
Partia e parë legale pas LDB në Kosovën shqiptare (e regjistruar pranë organeve kompetente federative në Beograd…) ishte LDK – ja. Kryetari i saj i parë kishte “shpikur”, promovonte dhe propagandonte “platformën” politike: “Kosova e hapur ndaj Serbisë dhe ndaj Shqipërisë”, që i bie se për Kosovën (për LDK – në dhe për kryetarin e saj…) Shqipëria dhe Serbia ishin njësoj, prandaj edhe marrëdhëniet me to do të ishin të njëjta!!?? Harronte (me dashje) ky farë politikani i “zorit” se Kosova dhe populli i saj shqiptar ishin pjesë e pandashme e Shqipërisë (si çdo pëllëmbë e tokës shqiptare), se Shqipëria ishte dielli dhe drita e trojeve të pushtuara shqiptare, kurse Serbia ishte pushtuesja vrastare dhe shkatërrimtare e Kosovës dhe e popullit të saj!
Për ta bërë dallimin nga LDK – ja dhe kryetari i saj Albini dhe LVV – ja po e thonë dhe po e bëjnë të kundërtën: “Kosova e mbyllur ndaj Serbisë dhe ndaj Shqipërisë”!!?? Nëse mbyllja ndaj Serbisë pushtuese të tokave shqiptare dhe pretendimeve të saj është plotësisht e drejtë mbyllja ndaj Shqipërisë (shtetit tonë) dhe “karshillëku” donkishotesk ndaj saj është plotësisht e gabuar dhe e dënueshme nga çdo shqiptar me gjuhë, gjak, kulturë e mendësi shqiptare…
Karshillëkun donkishotesk ndaj Kryeqendrës shqiptare e aprovojnë vetëm mendje dhe shpirtëra të jugosllavizuar dhe të frymëzuar nga “bashkim – vëllazërimi dhe patriotizmi jugosllav titoist”… Prandaj, anëtarët dhe votuesit besnikë të LVV – së, që e nisën “lojën” dhe e fituan me flamurin kuqezi dhe për bashkimin e kombit në një shtet do të duhejë ta kundërshtonin mbylljen ndaj shtetit tonë AMË dhe “kosovocentrizmin” që për qëllim të fundit ka “mbylljen” e çështjes shqiptare dhe “legjitimimin” e copëtimit të kombit e të Shqipërisë në 6 shtete…
Për situatën tragjikomike që është krijuar midis dy pjesëve të kombit dhe midis Shqipërisë andej dhe këndej Drinit nuk është pa përgjegjësi e faje edhe Tirana zyrtare… Turp i madh për këta politikanë e për këto qeveri që marrëdhëniet e tyre tê përkeqësuara e të “degraduara” për faqe të zezë i kanë kthyer në luftë rrjetesh sociale e mediash!! U bënë horë para miqve dhe armiqve!…