Portreti/intervista

Prof. Ago Nezha: Një personalitet si Todo Bojdani

Një personalitet si Todo Bojdani
Nga Prof. Ago Nezha
Jeta dhe veprimtaria e Todo Bojdanit, po ta ndjekësh në dinamik, që nga fëmijëria, adoleshenca e deri në fund të jetës së tij, është një enciklopedi shumëngjyrëshe, që të befason për rolet e tij aktive duke qenë gjithmonë i pranishëm në ngjarjet më madhore për kombin dhe në momentet më delikate e kyçe të historisë tonë kombëtare. Nuk është rastësi, që Todo, që në rininë e tij, u përfshi në grupin komunist të Korçës, në 200 komunistët e parë aktiv, që u krijua në vitin 1936, kur veprimtarinë patriotike e kishte nisur më herët, në vitin 1934, në grupet komuniste që ishin organizuar në Institutin Teknik të Tiranës. Ky akumulim bëri që u anëtarësua në Partinë Komuniste qysh në themelimin e saj në 8 Nëntor të vitit 1941.Këto fakte flasin qartë për vizionin dhe sensibilitetin e tij shoqëror dhe politik. Ai u ngjiz me ide përparimtare nga mjedisi familjar, pasi shtëpia e Bojdanëve ishte bazë kryesore e Luftës Nacional Çlirimtare. Gjeneza e familjes Bojdani, tregon se është një familje e arsimuar, kulturuar, edukuar dhe konsoliduar me tradita atdhetare. Origjina, prejardhja dhe fisnikëria e familjes së Todos, si nga rrënja, i ati në Drenovë dhe nga e ëma në Boboshticë, kanë një gjenezë patriotike. Këtë refleksion e ndesh te një pasazh që pasqyrohet në libër, ku Todo me një krenari të ligjshme shkruan: “ Kam pasur një edukatë familjare të shëndoshë, që më ka vënë kurdoherë përpara punën, librin, mirësinë, solidaritetin me njerëzit në nevojë”… Shqipëria në ato vite jetonte në varfëri, skamje, e injorancë totale, ku popullsia mbi 80 përqind ishte analfabete dhe kjo situatë tragjike e trishtonte Todon. Edhe pse ishte i arsimuar, i kulturuar dhe i pasur ekonomikisht, ajo që e lartëson më shumë në veprimtarinë e tij politike dhe shoqërore është se Ai u shkëput nga klasa e tij dhe u ngrit mbi interesat e veta meskine.
Figura dhe personaliteti i Todo Bojdanit siç del nga arkivat që i është referuar Sulejman Basha, flasin për një të ri që është edukuar, frymëzuar dhe formuar me ideale kombëtare për një Shqipëri të lirë. Kur mbaron librin së lexuari vëren se Todoja ka qenë protagonist kryesor në çdo veprimtari si gjatë luftës ashtu dhe në vitet e rimëkëmbjes së Shqipërisë. Gjatë periudhës së luftës, është gjendur në krye të çdo aksioni, duke e parë vdekjen në sy, pa ju trembur syri, sepse të gjithë ata të rinj që dolën maleve e kishin marrë vdekjen me vete. Edhe në demonstratën e parë që u zhvillua në Korçë kundër pushtuesve italian, që u quajt demonstrata e bukës, ku dëshmori i parë është Koci Bako, Todoja ka qënë në krye të radhëve të demonstruesve. Shembulli i Todos frymëzoi dhe mobilizoi shumë të rinj dhe të reja, për t’u përfshirë në radhët e formacioneve partizane në Luftën Nacional Çlirimtare. Në çdo veprimtari që kryenin forcat partizane, Todoja do ishte në pararojë, në krye të aksioneve, siç është dhe rasti i rrëmbimit të radiostacionit të Korçës nga pronësia e pushtuesve. Me njohuritë dhe aftësitë e tija teknike Ai realizoi ndërlidhjen telefonike me radio-telefonike, të njësive partizane me Shtabin e Përgjithshëm. Ishte zëri dhe sinjali triumfues i Todos, që bëri publike nëpërmjet Radio-Tiranës, çlirimin e Shqipërisë në Nëntor të vitit 1944. Shërbesa shembullore e Todos, ishte shfaqur jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas çlirimit, në vitet e rimëkëmbjes dhe transformimeve që ndodhën më vonë në ekonominë shqiptare. Ai ka udhëtuar krenar në rrugëtimin e gjatë jetësor duke përmbushur detyra delikate, që fillojnë nga Radio-Korça, e deri te Radio- Tirana, që u thirr si specialist i aftë për të transmetuar lajmet për publikun e gjerë. Kur flitet për historikun e jetës të Todo Bojdanit të kujtohet menjëherë Radio-Tirana, që e bashkëshoqëroi si binjake tërë jetën, që kishin të njëjtën “ditëlindje”.