Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLII) – GJAKOVA – QYTETI I ZEJTARISË E TREGTISË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLII)
GJAKOVA – QYTETI I ZEJTARISË E TREGTISË, QË LINDI NGA NJË XHAMI
Qyteti i Gjakovës, me rreth 40 mijë banorë, ndodhet nga mesi i Rrafshit të Dukagjinit, pranë kodrës së Çabratit dhe në rrjedhën e lumenjve Erenik e Krenë. Është qendër e komunës e 84 fshatrave dhe qendër e rajonit e katër komunave; Gjakovës, Deçanit, Rahovecit e Malishevës. Shtrihet në bregun e majtë të lumit Erenik, në një kryqëzim rrugësh të rëndësishme, siç ishte dikur rruga Lezhë – Nish dhe Via de Zenta, sot rruga Prizeren – Pejë, por edhe lidhjet e mira rrugore me Prishtinën dhe Malësinë e Gjakovës. Dikur Gjakova lidhej edhe me Shkodrën, me të cilën mbante bashkëpunim të ngushtë, veçanërisht duke bërë tregti, kurse sot lidhja më e shkurtër me Shkodrën bëhet me traget nëpër liqenin e Komanit.
Gojëdhëna thotë që në vendin ku sot ekziston Gjakova, nga fundi i shek. XVI, kishte ekzistuar një vendbanim me shtatë shtëpi të familjes Vula. Një pasanik, i quajtur Hadum Sylejman Efendia, që njihej si Hadum Aga, kishte kërkuar nga Jak Vula, i besimit katolik, një copë tokë sa bëjnë dy lëkurë bualli për ta ndërtuar një xhami. Pasi lëkurat ishin bërë në formë të litarit, me të ishte rrethuar një truall i mjaftueshëm për ndërtimin e xhamisë. E kur xhamia ishte ndërtuar, rreth saj kishin mbirë, njëra pas tjetrës, hane dhe lokale zejtare, si dhe shtëpi banimi me popullsi të ardhur nga fshatrat. Xhamia e Hadumit është ndërtuar në vitin 1554 e pas saj janë ndërtuar edhe mejtepi, biblioteka, hamami, sahat-kulla, medreseja, Teqeja e Madhe, urat mbi Krenë etj. Kështu, xhamia mori emrin Xhamia e Hadumit (Haddimit), kurse vendi mori emrin Jakovë (vend i Jakut), që më vonë u përdor në formën Gjakovë. Megjithatë, këtë shpjegim të gojëdhënës duhet marrë me rezervë. Disa të dhëna historike flasin se Gjakova, si fshat, njihet shumë më herët, kur i takonte nahijes Altin-Allia, me qendër në Junik. Një fakt tjetër është se vendbanime me emrin Gjakovë ka edhe gjetiu, nëpër vendet sllave.
Për herë të parë Gjakova përmendet në dokumente në vitin 1574, kur ishte fshat me treg. Që nga themelimi ishte qendër e rëndësishme tregtare dhe zejtare për 150 fshatrat e afërme, duke përfshirë edhe zonën e Junikut dhe Malësinë e Gjakovës. Nga gjysma e dytë e shek. XVII Gjakova paraqitet si një qytet me zejtari e tregti të zhvilluar. Udhëpërshkruesi turk, Evlia Çelebi, duke kaluar nëpër Gjakovë në vitin 1663, ka shkruar se ky qytet kishte 2000 shtëpi, 300 dyqane, dy xhami, mesxhide, hane, hamam. Edhe Sami Frashëri ka shkruar për Gjakovën si qendër të kazasë në kuadër të Sanxhakut të Pejës që kishte mbi 25 mijë banorë, 1000 dyqane, shkollë, bibliotekë, hane, hamame.
Gjakova dhe rrethina ishte një qendër e rëndësishme e kryengritjeve kundër pushtimit osman. Veçanërisht, ishte një vatër kryengritëse gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Në Gjakovë forcat vullnetare të Lidhjes kanë vrarë Maxhar Pashën, gjeneralin osman që i printe ekspeditës ndëshkuese osmane për shkatërrimin e Lidhjes Shqiptare.
Pushtimi serb i Gjakovës, më 6 nëntor 1912, solli krime dhe krijoi probleme të mëdha për popullsinë vendore, me ç’rast shumë familje u detyruan të shpërngulen në Kukës, Shkodër, Tiranë etj. E veçanta është se gjakovarët nuk shpërnguleshin në Turqi, por shkonin në Shqipëri, sepse nga Shqipëria mund të organizoheshin dhe të vepronin për çlirimin e Kosovës. Shumë djem të Gjakovës ishin shkolluar në shtetin shqiptar dhe ishin kthyer gjatë pushtimit italian për ta organizuar luftën antifashiste nacionalçlirimtare.
Gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, Gjakova ishte ndër qytetet më të organizuara, njëkohësisht edhe ndër më të dëmtuarat. Ishte qyteti i vetëm që formoi brigadën 137 të UÇK-së “Gjakova”. Forcat serbe kanë djegur e shkatërruar pothuaj tërë qytetin; Çarshinë e Madhe, Xhaminë e Hadumit me bibliotekën unike të shek. XVI, Teqen e Bektashinjve, Medresenë, 168 shtëpi, 423 dyqane, etj. (Të gjitha këto objekte, të djegura e të shkatërruara gjatë luftës, janë rindërtuar pas luftës, ashtu siç kanë qenë më parë). Gjatë luftës çlirimtare komuna e Gjakovës ka dhënë 180 dëshmorë, 609 persona të pagjetur, 645 persona civilë dhe 324 persona janë burgosur. Në mesnatën mes 1 e 2 prillit 1999 forcat serbe kanë zhvilluar në Gjakovë një masakër, kur janë vrarë e djegur mbi 60 burra, gra e fëmijë. Edhe më 27 prill 1999 forcat serbe kanë kryer një masakër tjetër në fshatin Meje, afër Gjakovës, kur për një ditë kanë vrarë 376 shqiptarë të moshave nga 15 deri 60-vjeçare. Kompleksi Përkujtimor i Mejes përfshinë një fushë të tërë me varreza të viktimave të pafajshme e të pambrojtura civile.
Qyteti ka shumë monumente të trashëgimisë kulturore. Ka Muzeun Etnografik, që është i vendosur në një shtëpi tradicionale 200-vjeçare, pastaj muzeun historik dhe disa muze të tjera që paraqesin trashëgiminë kulturore e historike të Gjakovës. Lagjja më e vjetër është Mëhalla e Hadumit, ku ndodhet Xhamia e Hadumit, monument i rëndësishëm që lidhet me themelimin e Gjakovës. E pamundur të shkohet në Gjakovë dhe të mos vizitohet Çarshia e Madhe, një kompleks zejtar me shumë interes arkitektonik, kulturor dhe ekonomik. Ura e shek. XVI me tetë harqe mbi lumin Erenik, 120 metra e gjatë, që lidhte dikur Pejën me Prizerenin, është edhe më e vjetër se vet qyteti i Gjakovës. Pastaj kemi Ura e Tabakëve dhe Urën e Fshajt, një urë që lidhet me një legjendë të famshme.
Në pozitë të mirë gjeografike dhe në kushte të favorshme natyrore, Gjakova deri në vitin 1990 është zhvilluar si një qytet industrial me rreth 45 ndërmarrje ekonomike dhe me rreth 20 mijë punëtorë. Në ekonominë gjakovare vepronin shumë fabrika e ndërmarrje të rëndësishme të industrisë metalike, të tekstilit, të materialit ndërtimor, ushqimore, të drurit, të bujqësisë, ndërmarrje tregtare etj. Këto fabrika e ndërmarrje kanë pësuar, për fat të keq, viteve të 90-ta me zbatimin e masave të dhunshme nga regjimi serb, me shkatërrimet e luftës dhe, sidomos, pas luftës çlirimtare gjatë procesit të privatizimit.
Qyteti i Gjakovës ka traditë të gjatë në arsim e kulturë. I pari, Gjon Nikollë Kazazi, qysh në shek. XVIII ka hapur shkollë shqipe në shtëpinë e tij në Gjakovë. Si njëri ndër shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës, në vitin 1967 është hapur Shkolla e Lartë Pedagogjike dhe, në vitin 2013, Gjakova bëhet qytet universitar.
Gjakova njihet si qendër e madhe e kulturës. Ka Pallat të Kulturës, Institut për Mbrojtjen e Monumenteve, Teatër Kombëtar, muze historik dhe etnografik. Ky është qyteti ku nuk është folur e nuk është mësuar asnjëherë gjuha turke. Posaçërisht, gjakovarët janë të dhënë pas muzikës e humorit. Gjakova ka poetë, këngëtarë, artistë, piktorë të njohur në përmasa kombëtare. Në sport ka klube të të gjitha disiplinave, ndërsa klubi i futbollit “Vllaznimi”, i themeluar në vitin 1927, është ndër klubet më të vjetra dhe më të suksesshme në futbollin kosovar.
Gjakova krenohet me Çarshinë e Madhe, që ka rreth 700 dyqane dhe është e gjatë 1 km. Pastaj është Çarshia e Jaupajve, një kënd i mrekullueshëm, ku vizitori mund të gjejë pushim të këndshëm, i shoqëruar me ushqim cilësor. Janë me interes të veçantë për t’i vizituar edhe Kulla e Abdullah Pashë Drenit, tash muze, Teqeja e Bektashinjve, Hani i Haraqisë e shumë monumente tjera.
Në Gjakovë ndërthuren, më mirë se kudo tjetër, e kaluara me të sotmen, ndërtimet e vjetra me objektet moderne. Dhe, Gjakova është qytet me pasuri të mëdha natyrore, ekonomike, turistike, historike, kulturore…