I dashur lexues i Gazeta LËVIZJA ! Sot, në Kryeditën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, 28 Nëntorin tonë, po nisim botimin e një gazete në internet (online) me emrin e rrallë, tërheqës e kuptimplotë: Gazeta LËVIZJA. Është kjo një nismë e njerëzve që erdhën në shoqërinë shqiptare me LËVIZJEN dhe për LËVIZJEN e gjërave në të mirë të shqiptarëve të pushtuar nga shtetet shoviniste fqinje. LËVIZJA erdhi në skenën e popullit shqiptar dhe të Shqipërisë si pasojë e pushtimit dhe copëtimit të Shqipërisë. Bota ka njohur edhe shumë lëvizje regresive, obskurantiste, shoviniste e deri fashiste. Për fatin dhe emrin tonë të mirë, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, përgjithësisht, dhe Lëvizja Popullore e Kosovës, posaçërisht, ishte LËVIZJE përparimtare e qytetëruese, çlirimtare e liridashëse, demokratike dhe pluraliste, që e radhiti kombin shqiptar dhe Shqipërinë (jo vetëm Republikën e Shqipërisë!) në anën e duhur të historisë dhe përkrah popujve e vendeve të përparuara e të emancipuara. LËVIZJA për popullin shqiptar, pa dallim, dhe për Shqipërinë e 90 000 km katrore, të Shpallur të Pavarur në Kuvendin e Vlorës nga Plaku i Urtë, Ismail Qemali, ishte përpjekje për më shumë liri, për më shumë dritë, për më shumë dituri, shkencë e zhvillim dhe për më shumë barazi ekonomike e sociale, demokraci, emancipim… LËVIZJA, edhe sot, këto synime ka. Populli ynë dhe Shqipëria jonë janë në LËVIZJE për arritjen e këtyre objektivave të kombit. LËVIZJA është jetë për ne. Edhe Gazeta LËVIZJA është themeluar dhe do të jetojë për këto objektiva, duke dhënë kontributin e saj modest përkrah Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, këtu në Shqipëri dhe kudo ku ka shqiptarë në botë. I dashur lexues! Në Atdheun tonë të përbashkët, në Shqipëri, sot kemi dy shtete: Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës (rreth 40 000 km katrore) dhe një gjysmë shteti tonin: Republikën e Maqedonisë. Pjesa tjetër e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar mbetet e pushtuar dhe aneksuar me dhunë, terror e gjenocid të kryer nga shtetet dhe popujt fqinj… Ky pushtim dhe copëtim i tokave të Shqipërisë u miratua dhe legalizua edhe me marreveshjet e Fuqive të Mëdha!! Për pozitën e kombit tonë dhe të Shqipërisë nuk jemi pa gabime e pa faje edhe vetë ne shqiptarët!! Pa ne (“parinë” tonë!) vështirë, shumë vështirë do ta kishin fqinjët tanë t’i gllabronin e t’i mbanin tokat tona! Prandaj, na duhet LËVIZJA e na duhet Gazeta LËVIZJA. Në Atdheun tonë dhe në botë, sot, më shumë se kurrë, falë edhe teknologjisë informative, kemi qindra gazeta online (portale), faqe e rrjete tjera sociale, televizione e media të formateve e natyrave tjera, por nuk e kishim gazetën e Lëvizjes, LËVIZJA. Gazeta LËVIZJA do të jetë e hapur për të gjithë ata që me mendjen, idetë dhe shkrimet e tyre do t’i shërbejnë kohezionit dhe unitetit kombëtar, pa dallim krahine, partie, ideje e feje. Janë bërë shumë mendje, që po mbjellin e po përhapin përçarjen kombëtare në emër të (kuazi)pluralizmit të ideve, në emër të partive politike, OJQ-ve “ndërkombëtare” e të feve (religjioneve) të mbajtura e të financuara me fonde tepër të dyshimta! Nuk janë pak “intelektualë” dhe “akademikë” që po angazhohen për të nxirë, shtrembëruar e mohuar të arriturat dhe vlerat e kombit tonë me shumë përpjekje, mund, flijime e gjak! Kanë marrë zemër e janë hedhur në sulm, me të gjitha “armët” e tyre arkaike e të ndryshkura nga kolaborimi i gjatë me armiqtë dhe kundërshtarët e lirisë sonë, edhe kalemxhinj, analistë, politikanë, klerikë, artistë, tregtarë e media të tyre, që hanë bukën e huaj, kundër Luftës Antipushtuese-Çlirimtare të UÇK-së dhe konceptit e vlerave të saj, me theks të veçantë kundër LËVIZJES! Pak e çuditshme, kur shohim dhe dëgjojmë që edhe sot, ky “multikomunitet” ka mbetur në anën e gabuar të historisë, por jo e pashpjegueshme! Gazeta LËVIZJA me shkrimet e saj do të angazhohet dhe do të shoh përpara, pa i harruar ata që i kishim dhe mbetën prapa LËVIZJES, në anën e gabuar… Moto jona dhe e çdo shqiptari është: Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar. Gëzuar Kryedatën dhe Kryefestën e kombit shqiptar, 28 Nëntorin ! Gjithmonë punë, zhvillim, përparim e gëzime për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo që janë! GËZUAR!
Këshilli redaksional
1 Comment
Comments are closed.
Bashkudhëtoftë bashkimin e kombit tonë dhe bërjen e Shqipërisë!