Komenti

Xh. Gjini: Modeli i “dy gjermanive” nuk mund të aplikohet për Kosovën e Shqipërisë dhe Serbinë ekspansioniste

MODELI I DY GJERMANIVE NUK MUND TË APLIKOHET PËR KOSOVËN E SHQIPËRISË DHE SERBINË EKSPANSIONISTE

Thonë që çdo krahasim çalon, por ky krahasimi i dy gjermanive me Kosovën dhe Serbinë nuk mund të bëhet fare… Dy gjermanitë i takonin të njëjtës gjeografi – tokë gjermane (të njëjtës Gjermani) dhe të njëjtit komb, që ishte ndarë në dysh pasi kishte humbur luftën që kishte shkaktuar vet. Kurse Kosova i takon gjeografisë – tokës shqiptare (Shqipërisë), kurse populli i saj i takon kombit shqiptar… Asgjë të përbashkët me serbët dhe Serbinë. E kaluara e ndanë dhe largon edhe më shumë Kosovën shqiptare nga Serbia. Marrëdhënia e Kosovës dhe e popullit të saj shqiptar me Serbinë ishte i pushtuar dhe pushtues. Kosova (jo vetëm kjo që kemi, por Kosova me mbi 30 000 km katrore) ishte pushtuar me zjarr e hekur nga forcat serbe të mbështetura me oficerë, armë dhe para nga Rusia cariste… Dy të tretat e popullit të saj u masakruan, u ekzekutuan dhe u dëbuan, kurse toka e tyre (du të tretat e Kosovës) u kolonizua dhe sllavizua… Prandaj, populli shqiptar i Kosovës, Prishtina zyrtare (sidomos), Tirana zyrtare dhe mbarë kombi shqiptar duhet ta refuzojë cilindo plan që asocon në modelin e dy gjermanive si plan antishqiptar. Nëse kombi gjerman dhe Gjermania ishte ndarë në dysh (në dy gjermani), kombi shqiptar dhe Shqipëria është copëtuar në gjashtë shtete: Republika e Shqipërisë, Republika Shqiptare e Kosovës, Republika Shqiptaro – Maqedone e Maqedonisë, Republika e Greqisë (pushtuese e tokave të Shqipërisë), Republika e Malit të Zi (pushtuese e tokave të Shqipërisë) dhe Republika e Serbisë (pushtuese e tokave të Shqipërisë)! Prandaj, presioni që po i bëhet Kosovës së Shqipërisë që të rilidhet me Serbinë (vrastaren e saj) është i padrejtë, antinjerëzor, anticivilizues, antidemokratik dhe antihistorik!

Modelet dhe planet që po tentohet t’i imponohen dhunshëm popullit shqiptar të Kosovës janë dhe do të mbeten të papranueshme e të pazbatueshme. Planet dhe modelet që nuk marrin parasysh vullnetin plebishitar të Kosovës shqiptare për pavarësi – shkëputje të plotë nga Serbia dhe prania e saj  do të bëhen burim dhe shkaktare të tensioneve dhe konflikteve të reja në rajon. Institucionet e Kosovaës dhe klasa e saj politike nuk është dashur dhe nuk duhet të pranojnë “asociacion” ose çfarëdo forme të vetëqeverisjes për pakicën serbe që nuk e ka populli shqiptar në Kosovēn Lindore. Republika e Kosovës (edhe Tirana zyrtare) duhet të jetë e pakompromis në kërkesë e saj që populli shqiptar në Kosovën Lindore të ketë pērfaqësim, të liri dhe të drejta politike, kombëtare e demokratike dhe shkallë të njëjtë të (vet)qeverisjes me pakicën serbe në Kosovën shqiptare. Fuqitë e Mëdha dhe qendrat e vendosjes duhet ta marrin vesh se nuk mund të veprojmë me fy kute: një kuti për pakicën serbe në Kosovë e një kuti tjetër për popullin shqiptar në Kosovēn Lindore…

Kombi shqiptar, me institucionet e tij politike e shtetërore, me elitat intelektuale e kulturore dhe me mediat e pakapura, duhet të jetë unik dhe në kēmbë për mbrojtjen e pavarësisë së plotë të Kosovës nga Serbia, sovranitetit e integritetit të pacenuar territorial dhe rregullimit të brendshëm – rendit kushtetues, juridik e politik të Republikës së Kosovës. Ata që ia mohuan me forcë të drejtën e bashkimit më shtetin e saj tash po i ofrojnë Kosovës modele e plane që cenojnë pavarësinë e plotë nga Serbia, duke tentuar ta rilidhin me të!! Plane dhe modele të këtilla nuk i zgjidhin dhe nuk i mbyllin “hesapet” shqiptaro – serbe dhe nuk janë zgjidhje afatgjata e të qëndrueshme paqeje, sigurie dhe qëndrueshmërie në rajonin e trazuar të Ilirisë… Serbia nuk është prej atyre “specieve” që ulen duke i lëmuar e përkdhelur. Vetëm një Kosovë shqiptare plotësisht e pavarur nga Serbia, e koordinuar me shtetin e saj dhe e armatosur me armët e nevojshme mbrojtëse e frenon ekspansionizmin dhe agresivitetin serb dhe e ulë Serbinë. Ky është “modeli” që garanton zgjidhje të qëndrueshme dhe perspektivë paqeje e sigurie në rajon (jo vetëm në Kosovē).