Fjalimi historik i Enver Hoxhës më 29 nëntor 1984 për popullin shqiptar
Armiq të shumtë kanë shkelur mbi tokën tonë amtare, romakët e Cezarit e të Mark Antonit, osmanët, hordhitë serbe që nga Stefan Dushani e gjer te Karagjorgjeviçët, grekët e Venizellosit e të Zografos, italianët e Luftës së Parë Botërore dhe ata të Musolinit, austrohungarezët e Franc Jozefit, gjermanët e Hitlerit. Por ti, popull shqiptar, u bëre ballë tërë këtyre invadorëve, duke dalë pas çdo pushtimi më i bashkuar, më i përtërirë, më i vendosur për të mos e ulur kokën para kurrkujt.
Enver Hoxha
29/11/2022 – 15:22
ENVER HOXHA,
PERSHENDETJE ME RASTIN E 40-VJETORIT
TË ÇLIRIMIT TË SHQIPËRISË
29 Nëntor 1984
Gëzuar festat e nëntorit.
Shqipëri e shtrenjtë!
Gëzuar, populli ynë i mrekullueshëm!
Atdheu im i dashur! U mbushën 72 vjet që kur shpalle pavarësinë. U bënë 40 vjet që rron e përparon në socializëm, i çliruar përgjithmonë nga shtypja e shfrytëzimi, nga intrigat e poshtërsitë e pushtuesve të jashtëm dhe të armiqve të brendshëm. Vuajtje e mjerime pa fund ke hequr Shqipëria ime gjatë gjithë shekujve. Jeta jote ishte e mbushur plot me luftëra të përgjakshme, që janë zhvilluar cep më cep të truallit tënd, në male e në fusha, në kështjella e në kasollet me baltë. Gjaku yt, o popull, u derdh që ti të jetoshi lirë dhe i pavarur si shqiponja e maleve, ashtu siç ishe ti vetë, me shpirt të lirë e karakter të papërkulur, me mendje të urtë e të kthjellët, me zemër të madhe, të guximshme e bujare, me dëshira dhe aspirata të flakta. Ty s’të trembi kurrë robëria, as shpata e armikut, as dredhitë e tij, as djegiet, as vrasjet; ti kurrë s’e ule kokën përpara të huajve e përpara tradhtisë, por kurdoherë qëndrove shtatlartë, ballëhapët. Në brez mbaje koburet me serm, në sup dogratë dhe maliherët, në dorë shpatën zhveshur dhe luftoje me tërbim. Tëωgodisnin nga të gjitha anët, shumë herë edhe të thyenin, por kurrë nuk të mposhtnin, Shqipëria ime, populli im!
Vështirë të gjendet në botë një vend i vogël si Shqipëria jonë, me një popull të tillë si popullivshqiptar, që të ketë luftuar kaq shumë, që të ketë guxuar kaq shumë, që të ketë treguar kaq shumë trimëri e mençuri, që t’i ketë thyer të gjithë armiqtë dhe të ketë dalë kryelartë përpara historisë, të ketë dalë i lirë e sovran, ta ketë rrëmbyer fuqinë me armët e tij, pa pasur e pa kërkuar ndihmën e kurrkujt. Armiq nga më të egrit janë sulur e kanë kërkuar ta zhduknin këtë popull trim nga faqja e dheut, ta fshinin Shqipërinë nga harta e botës, ta copëtonin e ta ndanin në mes fqinjëve të saj, sundimtarët e të cilëve ishin agjentura të Puqive të mëdha. Por më kot. Shqipëria e shqiptarët luftuan e fituan, ata ishin, janë e do të jenë të pavdekshëm.
Për këto merita të mëdha, Shqipëria ime, populli im, flet historia. Flet historia me të madhe tash, por ajo ka folur edhe më përpara, megjithëse armiqtë e huaj kanë bërë çmos që zëri yt të mos dëgjohej askund. Megjithatë, ky zë s’mund të mbytej, sepse jehona e luftërave të shqiptarëve ka çarë male, ka kapërcyer hapësira e i kavtreguar botës se si një popull i paepur, me Skënderbeun në krye, u bë tmerri i osmanëve. Ndërsa Evropa dridhej nga hordhitë e sulltanëve turq, në malet e Shqipërisë luftonte e rezistonte njëvpopull, i udhëhequr nga një hero, që mbronte atdheun dhe Evropën nga invadimi. Gjakun e derdhe lumë, por askush s’ta diti për të mirë, o popull trim, megjithatë ti s’u dekurajove, sepse jeta të kishte mësuar që fatin tënd duhej ta kishe vetë në dorë e atdheun vetë ta çliroje e ta mbroje.
Armiq të shumtë kanë shkelur mbi tokën tonë amtare, romakët e Cezarit e të Mark Antonit, osmanët, hordhitë serbe që nga Stefan Dushani e gjer te Karagjorgjeviçët, grekët e Venizellosit e të Zografos, italianët e Luftës së Parë Botërore dhe ata të Musolinit, austrohungarezët e Franc Jozefit, gjermanët e Hitlerit. Por ti, popull shqiptar, u bëre ballë tërë këtyre invadorëve, duke dalë pas çdo pushtimi më i bashkuar, më i përtërirë, më i vendosur për të mos e ulur kokën para kurrkujt.
Arkivat e kancelarive të shteteve të Evropës janë mbushur me dokumente që vërtetojnë luftën tënde, trimëritë e aspiratat e tua të zjarrta për liri. Por këto arkiva nuk hapen, akoma edhe tash e kësaj dite ato qëndrojnë të mbyllura. Të mbyllura mbeten arkivat e Stambollit, të Beogradit, të Athinës, të Italisë, të Austrisë, të Francës. Por më mirë e më qartë sesa në shkresat e kancelarive të huaja, historia jote e madhërishme, o popull heroik, është shkruar me gjak e me djersë dhe është kënduar brez pas brezi nga ti vetë. Këngët e tua përshkruajnë me besnikëri historinë tënde të madhe, ato u thurin himn trimërisë, qëndresës, besës e bujarisë, jetës në zhvillimin e saj të harmonishëm, zakoneve, dokeve, kostumeve. Kështu ti i këndoje vetes tënde, gjakut tënd, përjetësisë tënde. Këto këngë frymëzonin brezat njëri pas tjetrit, i armatosnin ata me dashurinë për atdheun, për lirinë. u tregonin për guximin, vendosmërinë, palëkundshmërinë e gjyshërve të tyre, u tregonin se vetëm me gjak e me djersë mund të mbroheshin liria, nderi, gjuha, zakonet. kultura.
Në këngët e tua evokohet ndihma që ti, popull shqiptar, u ke dhënë popujve të tjerë gjatë historisë. Ato janë këngë për Skënderbeun e trimat e tij shqiptarë që ndihmuan Huniadin, që ndihmuan mbretërinë e Napolit të çlirohej; janë këngë për bijtë e tu që shkuan e luftuan edhe në Francë me mareshalin Dë Kersii; janë këngë për trimat e kësaj toke që ndihmuan revolucionin për pavarësinë e Greqisë.
(1. Mareshal francez në gjysmën e dytë të shekullit të nën të cilin luftuan edhe disa arbëreshë për bashkimin e Frances ne nje shtet te vetem•)
E ku nuk ka luftuar për lirinë shqiptari, ku nuk ka treguar trimëri, ku nuk ka treguar vitalitet e mençuri. Njerëz të mëdhenj ke nxjerrë nga gjiri yt ti, populli im, njerëz të pushkës e të penës, që kanë frymëzuar brezat dhe i kanë mbrujtur me atdhedashurinë, me ndjenjën e lirisë. Këta njerëz kanë ëndërruar, kanë punuar e janë përpjekur që mëmëdheu të rronte i lirë, që shqiptarët të mësonin, të përvetësonin diturinë dhe të ndërtonin një Shqipëri të lirë, pa zinxhirë, pa të huaj, ku të merrte zhvillim të mbarë gjuha shqipe, «gjuha jonë kaq e bukur e kaq e dëlirë», aq tingëlluese në këngët e malësorëve e të fusharakëve, të grave, vajzave e djemve si azganë. Sa shumë e kanë dashur dhe e kanë çmuar atë patriotët e shquar të çdo kohe, veçanërisht të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilët me mendjen e tyre të mprehtë dëshironin që kjo gjuhë të fiksohej e të mësohej në shkollat shqipe dhe që këto shkolla të zhduknin në popull errësirën, influencën e gjuhëve të vendeve që na kishin shtypur, të zhduknin errësirën e mesjetës e të feve, që helmonin shpirtin e popullit shqiptar. Këta pionierë të gjuhës shqipe u sakrifikuan në altarin e atdheut, gjaku i tyre u bë pishtar, vepra e tyre hodhi rrënjë, u rrit e u zhvillua në mes furtunave, në mes mjerimit, në mes varfërisë. Nga shkollat shqipe, që u hapën me përpjekjet e këtyre patriotëve të shquar, dolën njerëz që qëmtuan këngët e historisë sonë e zakonet e popullit, që forcuan vendosmërinë eshqiptarit për t’u çliruar, që na dhanë neve dritë, forcë e dituri, gjersa më së fundi ti, popull i dashur, i kapërceve tërë këto mjerime.
Historia të kishte mësuar se ata popuj që nuk luftojnë, zhduken, ndaj ti, populli im, luftove për lirinë, për gjuhën, për zakonet, për truallin tënd të shenjtë dhe nuk u zhduke, por fitove. Shekuj kaluan në luftëra të pareshtura, u dogje, u vrave, por s’u përkule e s’u shove gjersa në 29 Nëntorin e 1944-ës bashkë me lirinë fitove edhe pushtetin, u bëre zot i fateve të tua, dole në dritë përgjithmonë, sepse në ballë të luftës tënde kishe Partinë heroike Komuniste, që ti, popull, e nxore nga gjiri yt, e mbrojte dhe e ushqeve me gjakun e bijve të tu më të mirë, që ajo të rritej e fortë siç e donin momentet, e ardhmja jote dhe e atdheut tonë. Kjo ishte një fitore e merituar.
Rrallë popull tjetër i ka merituar këto fitore siç i meriton ti, populli im, pse ke qenë i fortë, i guximshëm, optimist e gjithmonë e ke dashur jetën. Nga gjiri yt nxore bij e bija kreshnikë, zemërzjarrtë, syshqiponjë e të fortë si shkëmbinjtë e alpeve, që sulmonin mbi armikun si rrufe e vetëtima. Të tillë ishin bijtë dhe bijat e tua, që të prinë në beteja, që këngëve ua thanë tok me britmat e luftës e që ti, popull trim e me shpirt të madh, u këndove historinë, u këndove përpjekjet, u këndove sakrificat.
Jo një e dy, as disa mijëra njerëz, por një popull i tërë u frymëzua në çdo çast, në çdo kohnë gjithë momentet e turbullta të historisë, nga e kaluara jote e lavdishme, atdheu im. Kurrë koka e shqiptarit nuk u turbullua në tufane e suferina, kurrë populli shqiptar s’u përkul, por ai çau furtunat dhe i mposhti armiqtë, sado të mëdhenj, të egër e të armatosur që ishin.
Ti, popull i dashur, nuk ishe barbar, të tjerët u sollën si barbarë ndaj teje; ti, populli im, nuk ishe pa kulturë, të tjerët donin të të impononin kulturën e tyre skllavëruese. Ti nuk kishe vetëm muskuj të fortë, por edhe një mendje të mprehtë e zemër të madhe, ndaj edhe invadorët as të asimiluan dot, as të zhdukën. Armiqtë s’kanë lënë gjë pa thënë kundër teje, por jeta, lufta, historia kanë provuar të kundërtën. Ti ke qenë superior në çdo pikëpamje mbi armiqtë e tu.
E tërë jeta jote, o populli im, ka qenë revolucion, edhe kur ishe me barkun bosh, zhveshur apo veshur me zhele, me trupin të gjakosur nga plagët, por me shpirtin e zjarrtë dhe të papërkulur. Jeta jote nuk ka qenë asnjë çast pa kuptim, përkundrazi, çdo vit, çdo ditë e jetës tënde është e mbushur me luftëra e me përpjekje për liri, për drejtësi, për zhvillim e përparim ekonomik e shoqëror. Kjo mënyrë të jetuari na ka mbajtur e na mban gjallë dhe këtë Partia jonë e Punës e ka pasur dhe e ka vazhdimisht në rend të ditës.
Traditat revolucionare të popullit tonë Partia i ka bërë pjesë të pandarë të jetës sonë: datat, ngjarjet e shënuara e figurat e shquara të popuIlit festohen, për to këndohet e shkruhet. Kudo është krijuar një situatë e mrekullueshme, ngritja politike, patriotizmi i shquar i popullit s’kanë mortje kurrë. Kjo gjendje e shëndoshë e bën Shqipërinë të përparojë e të ndërtojë socializmin me sukses, i bën njerëzit të ndërgjegjshëm në punë e në veprim, luftëtarë të çështjes së madhe të socializmit e të komunizmit, e bën të madh e të vogël ta duan me gjithë shpirt Partinë tonë heroike.
Të gjitha të mirat që krijuam e gëzojmë gjatë viteve të socializmit, i solli Lufta Nacionalçlirimtare e popullit, e udhëhequr nga Partia Komuniste, që është ndriçuar kurdoherë nga busulla e saj e pagabueshme, marksizëm-leninizmi. E udhëhequr nga kjo ideologji qysh në krijimin e saj, Partia diti ta brumosë dhe ta kalitë njeriun e ri të Shqipërisë socialiste me patriotizmin e shekujve, diti ta bashkojë e ta mobilizojë mbarë popullin në luftën e shenjtë për liri, diti ta udhëhiqte në atë rrugë që bashkë me lirinë populli të merrte në duart e tij edhe fuqinë, të vendoste pushtetin popullor dhe t’i hynte punës për ta bërë Shqipërinë tonë të dashur kopsht të lulëzuar, vendin e lirë të njerëzve të lirë.
Luftuam dhe fituam. E tërë Shqipëria u ngrit në këmbë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Të gjitha fshatrat tona u bënë çerdhe të partizanëve. Populli i tërë arriti të bëhej një grusht i fortë rreth Partisë, shporri një herë e përgjithmonë nga trualli i tij shkelësit e huaj barbarë, përmbysi nga pushteti feudalët, bejlerët, kapitalistët dhe u dha dënimin e merituar tradhtarëve. Shumë bij nga më të mirët e këtij populli ranë në fushën e nderit, por ata u bënë pishtarë dhe sot anekënd Shqipërisë prehen eshtrat e tyre në varrezat monumentale, ku populli vazhdimisht shkon e përulet me nderimin më të madh, pse gjaku i tyre çimentoi themelet e Shqipërisë së re. Të gjithë të huajt që vizitojnë vendin tonë, përulen me respekt përpara varrezave të heronjve tanë dhe me bindje e admirim thonë se ky popull ka luftuar, ka derdhur gjak e se në këtë vend në çdo pëllëmbë tokë është bërë luftë.
Pas Çlirimit ti, populli im, e vazhdove luftën me heroizëm. Partia të udhëhoqi në beteja akoma më të mëdha, akoma më të vështira, në betejat për socializmin, që duhej t’i fitoje me punë e djersë, me dituri e vendosmëri. Ti përditë punon, fiton dhe ecën përpara pa e hequr pushkën nga dora e pa e ulur kokën para armiqvebtë vjetër e të rinj me maska shumëngjyrëshe.
Partia, populli dhe socializmi e mbushën Shqipërinë me fabrika, kombinate e hidrocentrale të mëdha, lulëzuan fushat, qëndisën kodra e male me brezare, i ngjitën pyjet deri në alpe, zhvilluan bagëtinë e bujqësinë që me aq pasion u ka kënduar Naimi, e mbushën vendin me shkolla, institucione kulturore e shkencore, zhdukën analfabetizmin, errësirën e prapambetjen e së kaluarës dhe bënë që kudo të vërshojë drita e diturisë, e zhvillimit dhe e përparimit shkencor. Shqipëria socialiste është sot i vetmi vend që e ndërton socializmin krejtësisht me forcat e veta, pa marrë kredi nga askush dhe pa i pasur borxhe askujt, vend pa taksa, pa inflacion e papunësi, vend me arsim e shërbim shëndetësor falas. U transfprmua nga themelet çdo cep i Shqipërisë, jeta e popullit tonë të shumëvuajtur ndryshoi rrënjësisht, u bë e sigurt, e ndritur dhe e begatë. Mbi të gjitha, në tërë këtë proces Partia bashkoi më fort gjithëvpopullin dhe e bëri të ndërgjegjshëm për rolin e tij të madh e vendimtar në histori.
Kjo Shqipëri e bukur, që e ndërtove ti, Partia ime, përmes kaq furtunash, luftërash e intrigash kjo jetë e lumtur që gëzojmë sot, ky njeri i ri që farkëtove, janë vepra jote e lavdishme, që e realizove me forcat e popullit tënd, me vendosmërinë e pjekurinë tënde, me mendjen e ndritur nga marksizëm-leninizmi, pa ua shtrirë dorën të huajve. Ndihmat e të huajve kanë qenë kurdoherë jo vetëm shumë të kufizuara, por, siç e provoi jeta, ndonëse jepeshin nën maskën e internacionalizmit proletar, në thelb kishin karakter imperialist skllavërues. Populli shqiptar dhe Partia e Punës e Shqipërisë i morën këto ndihma për të mëkëmbur vend.in me bindjen se ato nuk kishin karakter skllavërues. Por, kur pamë se, qoftë titistët, qoftë revizionistët sovjetikë apo ata të vendeve të Lindjes, qoftë Kina e Mao Ce Dunit, me ndihmat që jepnin kishin qëllime të tjera. armiqësore, robëruese ose synonin ta kthenin Shqipërinë në një bisht të tyre. të varur nga ata, që ajo të humbiste lirinë dhe pavarësinë, ne ua çorëm maskën dhe u thamë hapur e qartë se Shqipëria socialiste, Partia e Punës e Shqipërisë dhe populli shqiptar nuk shiten për tri lecka, as për tri rubla, as për dinarë dhe as për juanë, ashtu siç nuk u shitën për tri lecka-lëmoshë të imperialistëve anglo-amerikanë, për stërlinat e dollarët e tyre.
Për 40 vjet me radhë ti, Shqipëria trime, mban lart me nder flamurin e marksizëm-leninizmit, ashtu siç ke mbajtur lart shekuj me radhë flamurin e lirisë, flamurin e kuq me shkabën dykrenore, të cilit i shtove një yll pesëcepësh, yllin e lirisë, yllin e socializmit e të komunizmit.
Ti, populli im, me Partinë e Punës në krye, për asnjë çast gjatë 40 vjetëve të jetës në socializëm nuk i le armiqtë e rinj, të pabesë e të fuqishërn të të mposhtnin. Ti zhveshe përsëri shpatën që tash ishte më e mprehtë, e kalitur në zjarrin e sa e sa betejave, e rrahur në kudhrën e historisë. Me këtë shpatë ti, Partia ime, godite pa mëshirë imperialistët e reaksionarët, godite revizionistët modernë të të gjitha ngjyrave dhe i detyrove të hiqnin maskat ata revizionistë të fshehtë që, për qëllimet e tyre hegjemoniste, dukeshin e hera-herës hiqeshin sikur ishin marksistë-leninistë dhe miqtë tanë. Ti, Partia ime, me këto qëndrime e me shembullin tënd të lartë bëje detyrën tënde internacionaliste dhe njëkohësisht u thoshe të tjerëve se nuk duhet pushuar lufta kundër korrenteve revizioniste, se nuk mund të ketë ujdi me ta, nuk mund të ketë kompromise me ta, se ata ishin renegatë e tradhtarë. Fjala ePartisë sonë, mendimi i saj i qartë, kuraja dhe vendosmëria e saj shkëlqyen, u bënë pishtarë për popujt dhe për revolucionarët kudo në botë.
Këtë luftë heroike, ti, atdheu im socialist, i udhëhequr nga Partia e Punës, e bëre me një brio’ të çuditshme dhe zëri yt i fuqishëm u dëgjua, pse ti u ngrite me vendosmëri kundër titizmit, i cili u demaskua në sytë e të gjithë botës sibnjë agjenturë ideologjike e politike e imperializmit amerikan dhe e reaksionit botëror. Lufta jote dhe zëri yt, ashtu siç qenë dëgjuar prej kohësh e kurdoherë kundër imperializmit amerikan dhe gjithë borgjezisë reaksionare botërore, që kërkon të mbajë nën thundrën e vet popujt dhe proletariatin e gjithë botës, u dëgjuan edhe kundër socialimperialistëve sovjetikë, të cilët luftojnë për hegjemoninë botërore, për të shtypur popujt, duke i kërcënuar ata me forcën e armëve e me bombat atomike. Më pas zëri yt i fuqishëm u ngrit në qiellin e kësaj bote të turbullt kundër teorisë dhe praktikës së Mao Ce Dunit e të krejt udhëheqjes kineze, e cila tradhtoi marksizëm-leninizmin dhe u fut në rrugën revizioniste për ta bërë Kinën një superfuqi imperialiste botërore.
Të tërbuar nga qëndrimet e drejta, nga vendosmëria dhe nga guximi i një populli të vogël e i një Partie trimëreshë, armiqtë imperialistë e revizionistë s’Iënë gjë pa thënë kundër nesh. Ata flasin e shkruajnë me zemërim e ligësi: «Ç’ështëky popull, ç’është kjo Parti që po bëjnë kaq zhurmë, ç’janë këta kokëfortë që u kundërvihen shteteve të fuqishme e që s’kanë frikë?! Këta duhen shtypur, duhen likuiduar, këta duhen përkulur me bllokada, që të vdesin urie…». Mirëpo ata gabohen rëndë, siç janë gabuar kurdoherë, sepse nuk e kanë njohur e nuk kanë dashur ta njohin historinë e popullit shqiptar, karakterin burrëror të shqiptarit, nuk kanë dashur të njohin ç’kuptim të lartë kanë pasur dhe kanë për shqiptarin liria, pavarësia dhe sovraniteti i atdheut. Ata kanë menduar e mendojnë si kapitalistë, si imperialistë ,e si reaksionarë që janë, se asgjë nuk mund t’i rezistoië forcës ekonomike ushtarake dhe ideologjisë së tyre. Por ja që popujt, të mëdhenj ose të vegjël qofshin, kanë forca t’u rezistojnë armiqve.
Popujt që luftojnë, kurdoherë fitojnë; partitë marksiste-leniniste që qëndrojnë të patundura në parimet, armiku nuk mund t’i shkatërrojë dot. Marksizëm-leninizmi, që udhëheq proletariatin, partitë e vërteta komuniste dhe popujt që kërkojnë çlirim e të drejtat e tyre, është i pamposhtur.
Lufta kundër revizionizmit sovjetik dhe gjithë revizionizmit modern është një nga epopetë e tua më të shkëlqyera, Partia ime. Kjo luftë heroike është nder e krenari për ty, klasë punëtore Shqipërisë, për ty, popull shqiptar, për ty, Shqipëria jonë socialiste! Të gjitha shtetet e botës, të çfarëdo regjimi qofshin, të gjithë popujt, të gjitha rrymat politike, miq dhe armiq, nuk mund të mos pranojnë, që ti je krejtësisht e pavarur dhe qëndron si shkëmb graniti.
Shqipëria jonë socialiste, ti u qëndrove valëve të tërbuara të armiqve e nuk përkulesh. Qëndrimet e tua të drejta, burrërore, marksiste-leniniste, revolucionare bënë që rreth teje të grumbullohen miq të shumtë, dashamirë nga të gjitha vendet; edhe pse ti ishe e vogël, proletariatibbotëror të shikonte e të sheh me shpresë e besim, sepse te rruga dhe vendosmëria jote ai sheh të realizuar e të pamposhtur idenë e madhe të tij marksizëm-leninizmin, luftën për revolucionin, luftën për përrnbysjen e forcave reaksionare që i shtypin e i shfrytëzojnë. Ti u ke thënë e u thua proletariatit e popujve të vërtetën dhe e vërteta ka rëndësi të jashtëzakonshme. E vërteta të gjallëron. nuk të lë të thyesh qafën në humnerë, të ndrit rrugën, të hap shtigje të reja, shpërthen nga gjiri i popullit forca madhështore për të mposhtur të gjithë armiqtë, të gjitha vështirësitë, të gjitha intrigat.
Shqipëria socialiste dhe Partia e Punës e Shqipërisë, me qëndrimet e me mendimet e veta u kanë dhënë e u japin të gjithëve zemër e besim dhe u kanë thënë e u thonë proletariatit e popujve: qëndroni siç qëndrojmë ne, luftoni siç luftojmë ne, se do të fitoni siç kemi fituar dhe po fitojmë ne. Fitorja jonë është e sigurt, fitorja jonë është e përbashkët, prandaj duhet të shtrëngojmë radhët në zjarrin e luftës kunder armiqve. Zjarr kundër revizionistëve, tradhtarëve të klasës punëtore dhe të popujve, zjarr kundër planeve imperialiste të kapitalit të madh botëror, pse vetëm kështu fitohet liria, pavarësia dhe sovraniteti i atdheut, zhvillohet e triumfon revolucioni. Janë përralla ato që thuhen për marrjen e pushtetit nëpërmjet reformave. Borgjezia dhe kapitalizmi kurrë nuk mund të bien dakord që ta marrë fuqinë klasa punëtore, klasa më e përparuar në botë, së cilës i përket e ardhmja. Përkundrazi, çdo ditë armiqtë e popujve e të proletariatit përgatitin sheqerka me helm, farkëtojnë zinxhirë të rinj skllavërimi, prandaj vetërn duke luftuar kundër sistemit të vjetër të pushtetit të kapitalit popujt dhe proletariati mund të fitojnë hap pas hapi e të marrin fuqinë në duart e tyre. Këtë rrugë ndoqi Partia e Punës, kështu u çlirua populli shqiptar, kështu u ndërtua dhe ecën përpara Shqipëria socialiste.
Në të gjitha veprimet e tua, ti, Parti heroike, ke pasur një qëllim të lartë dhe ke ecur kurdoherë me kujdes e jo me frikë. Kurrë nuk ke mbajtur qëndrim prej zvarraniku, kurrë s’ke qenë oportuniste, por as sektare s’ke qenë. Ti ke ecur kurdoherë drejt, në rrugën marksiste-leniniste. Popujve u ke dashur dhe u do kurdoherë vetëm të mirën. Marksistë-leninistët e vërtetë i ke dashur sinqerisht, i ke mbrojtur deri në fund dhe kurdoherë kështu do t’i mbrosh. Fjalën tënde kurdoherë e ke thënë hapur, butë kur duhej, por kur e ka dashur puna ke ngritur tonin.
Ata që kanë gabuar je përpjekur t’i korrigjosh me durim, i ke këshilluar me urtësi dhe njëkohësisht çdo këshillë me vlerë e ke dëgjuar me kujdes dhe e ke bërë mësim. Veprimet e tyre të drejta i ke përkrahur, por kur ato kanë qenë të gabuara, i ke kritikuar. Këtë rrugë ke ndjekur kurdoherë, por kur është mbushur kupa dhe ti je bindur plotësisht se s’ka rrugë tjetër veç asaj të luftës, nuk u trembe, por u shpalle luftë armiqve dhe kurrë nuk e ke pushuar këtë luftë.
Ne nuk jemi tërhequr e nuk u kemi bërë asnjë lëshim armiqve. Këtë na e ka mësuar historia, na e kanë mësuar vuajtjet dhe mjerimet jo vetëm tonat, por të të gjithë popujve të botës, luftërat e tyre të panumërta gjatë shekujve. Marksizëm-leninizmi na ka hapur sytë me konkluzionet e nxjerra nga analiza që i ka bërë zhvillimit të shoqërisë për luftën e klasave. Ai na mëson se lufta e klasave është motori i shoqërisë, ajo të mban gjallë, të jep forca, të jep kurajë, të jep fitoren. Po e shove këtë luftë borgjezia dhe kapitalizmi të mbytin, të skllavërojnë dhe skllavërinë s’e ka dashur kurrë populli ynë, përkundrazi, kurdoherë ka luftuar kundër kthetrave të saj, prandaj luftën e klasave, si brenda ashtu dhe në arenën ndërkombëtare, Partia jonë s’e ka pushuar dhe nuk do ta pushojë për asnjë moment.
Për 40 vjet me radhë populli dhe Partia jonë iu kundërvunë dhe luftuan me vendosmëri gjithçka të vjetër e konservatore, oportuniste e liberale, të gjithë ata që përpiqeshin hapur apo në fshehtësi të na devijonin nga rruga jonë e drejtë, luftuam çdo forcë e ideologji që ka synuar të molepsë ndërgjegjen e njerëzve tanë, të pengojë marshimin tonë drejt ditëve më të mira, drejt të sotmes e të ardhmes më të sigurt. Luftën klasore e mbajtëm dhe e mbajmë kurdoherë ndezur dhe pikërisht kjo forcë e madhe lëvizëse e revolucionarizuese e ka bërë atdheun tonë të vogël të patundur «as nga topi, as nga kumbaraja», siç thotë një këngë e popullit, pra as nga revizionizmi, as nga kapitalizmi, as nga reaksioni.
Ne kemi në botë shumë miq e dashamirë, kemi miq gjithë popujt e botës, që kanë një dashuri dhe një respekt të madh për Shqipërinë, flasin me admirim për vendin tonë, për realitetin tonë socialist dhe duan të dinë ku e gjejmë ne këtë forcë, sepse akoma nuk e kuptojnë si është arritur ky realitet. Prandaj, detyra jonë është që fitoret e Partisë së Punës, të popullit shqiptar e të Shqipërisë socialiste t’i bëjmë të njohura në të gjitha aspektet e tyre, t’i shpjegojmë jo vetëm me të tashmen, por me gjithë të kaluarën e lavdishme të popullit tonë. Këto fitore janë si një zinxhir i çeliktë, hallkat e të cilit janë ngjarje revolucionare të pashkëputura nga njëra-tjetra, që përfaqësojnë, në etapa të ndryshme, idealet e përhershme të lirisë, të pavarësisë, të demokracisë, të unitetit të kombit tonë, të mirëqenies, të kulturës, të përparimit tonë të pandërprerë. T’u shpjegojmë vëllezërve dhe miqve dashamirës që ky zinxhir i jetës së popullit shqiptar në ditët e sotme ka arritur një kalitje të paparë në sajë të marksizëm-leninizmit, të cilin ne bëjmë përpjekje ta kuptojmë thellë në të gjitha aspektet dhe të zbatojmë me besnikëri parimet e tij në kushtet e vendit tonë dhe të gjendjes ndërkombëtare.
Parimet e politikës sonë të jashtme nuk kemi lejuar të merren nëpër këmbë nga koniunkturat e rastit. Koniunkturat politiko-ekonomike ndërkombëtare ne i kemi pasur e i kemi parasysh, por kurdoherë në marrëdhëniet tona me shtete të tjera, në qëndrimet tona jemi udhëhequr nga parimet marksiste-leniniste, pse ato janë kyçi i kuptimit dhe i vlerësimit të drejtë të ngjarjeve botërore, të koniunkturave që krijohen, të intrigave dhe të synimeve të imperializmit ndaj aspiratave të forcave revolucionare të popujve e të proletariatit të çdo vendi dhe të mbarë botës.
Për të gjitha këto, kur afrohen datat e shënuara të 28 dhe 29 Nëntorit Shqipëria socialiste është me tërë kuptimin e fjalës në festë. Kudo ka gëzime për punën, për arritjet, për jetën e re e të bukur. Mbarë populli u këndon e u gëzohet fitoreve të mëdha që ka arritur në të tëra fushat, jetës së re socialiste, sigurisë dhe perspektivave të qarta e të mëdha të së ardhmes.
Ndiej një kënaqësi të pakufishme kur shikoj në televizor, dëgjoj në radio e lexoj në shtyp për punën e madhe ndërtimtare që zhvillohet anembanë atdheut, për fitoret e sukseset e njëpasnjëshme që po arrihen në të gjitha fushat. Më bëhet zemra mal e behar kur shoh punëtorët e specialistët tanë të palodhur e duarartë tek ngrenë diga, ndërtojnë makineri e vënë në lëvizje me kompetencë e shkathtësi uzina e kombinate moderne; kur shoh kooperativistët në fusha, në bregore e male tek u rrinë bimëve te koka dhe marrin rendimente të nivelit botëror; kur shoh armatën e madhe të inteligjencies sonë të re socialiste, nxënësit e studentët të përkulur mbi libra e në laboratorë, mbi skica e projekte; kur shoh kudo, krahas burrave, vajzat e gratë shqiptare që Partia i nxori në dritë, që punojnë e këndojnë, që prodhojnë e drejtojnë, që rritin fëmijë të shëndetshëm e të lumtur, të ardhmen e atdheut. E tërë Shqipëria është në lëvizje, në zhvillim, në përparim të pandalshëm. Çdo pëllëmbë e saj është sot edhe kantier ndërtimi e krijimi, edhe shkollë, edhe barrikadë e pakapërcyeshme për armiqtë, edhe podium ku njerëzit tanë, krijuesit e gjithçkaje, këndojnë për Partinë, për popullin, për lirinë dhe socializmin.
Një situatë të tillë e ka krijuar vetë populli me Partinë e tij në krye, prandaj populli ynë, që punon e gëzon, sidomos kur vijnë festat, shpreh me një forcë të mahnitshme ndjenjat e tij të pastra e të bukura që e frymëzojnë për vepra akoma më të mëdha.
Për ne, ushtarët e Partisë, nuk mund të ketë kënaqësi më të madhe se kjo, kur të shohim ty, o popull, zot të fateve të tua, të gëzuar, të lumtur, të lirë, në një Shqipëri sovrane dhe të pavarur, në një Shqipëri të kthyer në kështjellë të pamposhtur e me zhvillim të pandërprerë socialist. Kënaqësia e krenaria që ndiejmë është fryt i fitoreve të mëdha që kemi arritur, i përpjekjeve tona të pandërprera, i preokupimit tonë të përhershëm për ta pasur Partinë tonë si kurdoherë në krye, udhërrëfyese të sprovuar.
Dyzet vjetët që kaluan i jetuan ashtu siç dinë të jetojnë, të ndërtojnë e të mbrojnë revolucionarët. Shqipëria jonë e shtrenjtë, në këto vite të. epokës së Partisë, u transformua nga themelet, njohu atë rritje, atë rinim, atë zhvillim të gjithanshëm që s’i kishte provuar për shekuj të tërë.
Gjithçka tek ajo është e re dhe e shëndetshme, pamja dhe përmbajtja e saj, jeta që lulëzon e fiton përmasa të reja, njeriu i ri i pajisur me virtytet e larta të ideologjisë komuniste, i lumtur e krenar për ato që janë arritur, i bindur e i ndërgjegjshëm për vazhdimësinë e rrugës sonë, të përpjekjeve tona, të nderit e të prestigjit tonë.
Në vitet e dekadat që vijnë, popull e Parti, si kurdoherë të bashkuar grusht, akoma më tepër do të bëjnë për këtë truall të shtrenjtë, për këtë vend shqiponjash. Ta ruajmë, pra, si sytë e ballit gjithçka kemi arritur, ta zhvillojmë me konsekuencë më tej, t’u lëmë brezave të ardhshëm një Shqipëri kurdoherë e më të fortë, kurdoherë të kuqe, si flaka e pashuar e zemrave dhe e idealeve komuniste e partizane, një Shqipëri që të rrojë e të përparojë në shekuj. Jam i bindur se populli e Partia lart e më lart do ta mbajnë flamurin tonë fitimtar, lart e më lart do ta ngrenë nderin, prestigjin dhe emrin e Shqipërisë socialiste në botë.
Gëzuar festat e Nëntorit, Shqipëri e shtrenjtë socialiste!
Gëzuar festat, populli ynë hero, populli ynë i mrekullueshem!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse