Lëvizja\UÇK

Mustafë Xhemaili: Kumtesë në 40 – vjetorin e themelimit të LPK – së

PËRVJETOR:
– NË 40-VJETORIN E THEMELIMIT TË LPK-së
***
Viti 2022 është vit i themelimit të LPK-së, 40-Vjetori i saj (1982-2022). Gjatë tërë këtij viti nga Shoqëria LËVIZJA, janë organizuar dhe mbajtur dhjetëra manifestime nëpër shumë qytete shqiptare, në formatin AKADEMI MIRËNJOHJEJE.
Në shumë vende janë vendosur edhe pllaka shënjëzuese, ku kanë ndodhur veprime dhe ngjarje historike, bartëse e të cilave ishte LPK-ja organizatë politike dhe tri ushtritë çlirimtare që themeloi ajo: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), Ushtria Çlirimtare për Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc (UÇPMB) dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK), për Maqedoninë e Veriut.
Me rastin e mbajtjes të Akademisë për Komunën e Ferizajit, Shoqëria LËVIZJA, ka vendosur dhe zbuluar pllakën shënjëzuese në familjen XHEMAILI, në fshatin Komogllavë.
Manifestimi kryesor për 40-Vjetorin e themelimit të LPK-së, do të mbahet më 22 dhjetor 2022, në Prishtinë.
I angazhuar nga Shoqëria LËVIZJA, punimin që e paraqita më 16 gusht 2022, nuk e kam publikuar deri tash, sepse kam pritur vërejtjet e mundshme nga të pranishmit që të kemë mundësi ta plotësoj dhe ta publikoj. Vërejtjet që kam marrë nga pjesëmarrësit e shumtë në Akademi, kanë qenë përmbajtësore. Edhe pas këtij publikimi do të ketë mundësi që punimi të plotësohet, ose të shkruhet, veç e veç më shumë, për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Komunën e Ferizajit. Veçanërisht, kjo pritet të ndodhë nga historianët dhe bartësit e organizimeve politike dhe ushtarake atdhetare për çlirim kombëtar nga regjimi pushtues politiko-ushatrak i ish-Jugosllavisë dhe i ish-Serbisë në Komunën e Ferizajit, qoftë si temë e tillë e shtrirë në periudhën 1945-1999, qoftë në periudha më të ngushta historike.
Në vazhdim është shkrimi im që e kam lexuar në Akademinë e mbajtur për Komunën e Ferizajit, më 16 gusht 2022.
***
HYRJE PËR LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARE NË KOMUNËN E FERIZAJIT
(Nga viti 1945 e deri në themelimin e UCK-së)
Të nderuar e të respektuar të pranishëm në këtë Akademi Mirënjohjeje!
Është vështirë të përmblidhet, në pak faqe tekst, qoftë edhe si hyrje politike, zhvillimi i Lëvizjës Kombëtare Shqiptare në Ferizaj dhe rrethinat e saj për një periudhë kaq të gjatë veprimtaria atdhetare e çlirimtare në Komunën e Ferizajit.
Por, konstatohet shumë lehtë se, Ferizaji është përfshirë në çdo periudhë të kësaj lëvizjeve e cila në rrethana të rënda të pushtimit, megjithatë, ka lëvizuar përpara drejt qëllimit të saj kryesor – çlirimit kombëtar të trojeve shqiptare.
Menjëhere pas shkeljes së Rezolutës së Bujanit, ku ishte vendosur bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, dhe pas ripushtimit të Kosovës nga ushtria partizane e (UNC) e ish-Jugosllavisë, u riaktivizuan dhe u organizuan organizata të fuqishme me programe për çlirim të Kosovës dhe bashkim e saj me Shqipërinë. Të gjitha ato organizata u detyruan të përmirësojnë kursin e tyre politik e programor në përshtatje me rrethanat e krijuara pas shkeljes së vendimeve të Bujanit për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare.
Kundër këtyre organizatave politike shqiptare, filloi menjëherë ndjekja, burgosja dhe dënimet, edhe me vdekje, të pjesëtarëve të saj nga ana e okupatorit serbojugosllav, në krye me Titon.
Në vazhdim do të përmendim personalitete nga Ferizaji dhe rrethinat e saj, të shquara në themelimin dhe udhëheqjen e atyre organizatave politiko-ushtrarake (një pjesë e tyre ende të pandriçuar dhe, si të tillë, ende të panjohur).
Në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, (NDSH) , Komitetin Qendror, u gjykua dhe u dënua nga gjykata antipopullore në Prizren, si organ udhëheqës i NDSH-së në vitin 1945, e në udhëheqje të saj ishte Basri Boshnjaku, i lindur më 1907 në Ferizaj. Ai kishte për detyrë, të cilin e kishte realizuar: formimin e degëve të kësaj organizate në Ferizaj, Gjilan e Kaçanik (Komitete ilegale).
Në vitin 1946, po në Prizren, grup tjetër i NDSH, gjykohet dhe dënohet, një pjesë e madhe dhe rëndësishme e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Në ballë të saj ishte Marie Shllaku. Në mesin e organizatorëve dhe udhëheqëse ishte edhe Jak Krasniqi nga Ferizaji, i lindur më 1922, i cili sipas burimeve jo të plota, ka organizuar, ose vazhduar, rrugën për themelimin e Komiteteve ilegale në Ferizaj, Kaçanik, Gjilan e gjetiu.
Në vitin 1947, në Prishtinë, NDSH, gjykohet dhe dënohet pjesa qëndrore dhe më e rëndësishmja e kësaj organizate, e udhëhequr nga personalitete politike e ushtarake të mëdha shqiptare. Në mesin e udhëheqësve të lartë ishin edhe Gjon Sereçi (ideologu i shquar i NDSH-së), nga Ferizaji, i lindur më 1920); Abdullah Musliu, nga fshati Talinovc, i lindur më 1919; Selim Salihu nga fshati Caralevë, i lindur 1901 dhe Adedin Brahimi, (i njohur si Din Hoxha) nga Kaçaniku i Vjetër, i lindur më 1904.
Kështu, këtu mund të theksojmë, se, me të drejtë është konstatuar për Organizatën Nacional Demokratike (NDSH) se DOKTRINA LUFTARAKE është motoja e saj; SHTRIRJA e saj ishin hapësirat etnike të mbetura nën Jugosllavinë titiste, ndërsa ORIENTIMI DHE MBËSHTETJA POLITIKE ishte aleanca me anglo-amerikanët.-1).
Me një vemendje të kujdeshme, këto tri shtylla mund të shihen dhe të konkludohet se janë përcjellë dhe trashëguar pothuajse nga të gjitha organizatat politiko-ushtarke që përmblidhen në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të cilat janë themeluar nga vitit 1944-45 e deri te krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtria Çlirimtare për Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc dhe Ushtria Çlirimtare Komëtare.
Të vetedijshëm se aspiratat për liri dhe bashkim kombetar u tradhëtuan edhe nga fuqitë e mëdha, shqiptarët në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, poashtu edhe në rrethinën e Ferizajt, i ngjeshën armët krahut, u organizuan dhe rezistuan me forcë.
Në keto rrethana të rënda, rezistenca e armatosur e shqiptarëve në rrethin e Ferizajt ishte mjaft e fuqishme. Mjafton te theksojmë luftën e 2 dhe 3 dhjetorit 1944 për çlirimin e Ferizajt, që qeverisjet e derisotme në Ferizaj të pasçlirimit nuk kanë proceduar asnjëherë për ta shpallur përvjetor përkujtimi këtë ngjarje të rëndësishme historike të kohës për këtë rajon.
Shqiptarët nuk e ndalën pushkën nëpër male të prirë nga Riza Goga, Adem Gllavica, Ibrahim Cërnilla, Hysen Terpeza, Avdyl Dura, Rame Beka, Shaban Haliti, e atdhetarë të tjerë të shumtë që u dëshmuan me trimëri në disa nga betejat për çlirimin e Ferizajit, pastaj betejat në Malet e Pleshinës, Jezercit, Kashtanjevës, Budakovës, Zaskokut, betejat në Gadime, Kishna Pole e në fshatrat malore të Anamoravës dhe të Kaçanikut, në përballje të njësiteve vullnetare shqiptare kundër brigadave çetniko-partizane.
Beteja me e rëndesishme ka ndodhur me 31 mars 1946 në vendin e quajtur Gropa e Hajduqve në bjeshkët e Pleshinës, ditë kur forcat serbe humbën 37 ushtarë ndërsa nga radhe e shqiptareve ranë heroikisht vellezërit nga Gaçka, Isuf dhe Sinan Qerimi.
Pavarësisht vështirësive të shumta lëvizja atdhetare në rrethinën e Ferizajt ishte mjaft aktive edhe gjatë viteve të pesëdhjeta dhe gjashtdhjeta. Numri i të ndjekurve dhe të burgosurve të rinisë intelektuale ishte me qindra, mesues, punëtorë, bujqë, por edhe përfaqësues jo të pakët të klerit musliman dhe katolik.
Pra, konkludohet me lehtësi se, pavarësisht goditjeve të pandërprera dhe të rënda nga armiku pushtues, rezistenca e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Ferizaj me rrethinë, pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë mjaft e fuqishme dhe shembull përkushtimi për liri: ata me armë kundërshtuan ripushtimin e trojeve të veta nga serbosllavët, ndonëse, edhe pas kaq dekadash, ka pak studimet të mirëfillta nga historianët, përkitazi me këtë pjesë të rëndësishme të historisë sonë.
Nuk ka ndodhur lëvizje atdhetare sado e vogël në Kosovë dhe Maqedoni në të cilën nuk kanë marr pjesë aktivisht edhe atdhetarët ferizajasit.
Shembull për këtë ishte demostrata e 27 nëntorit e vitit 1968, ku pjesëmarrja e nxënësve, studentëve dhe rinisë përparimtare ka qenë masovike. Këtu dallohet grupi i organizimit të demostratës së 27 nëntorit, i koordinuar me Qendrën e Organizimit në Prishtinë, ndërsa në Ferizaj i udhëhequr nga Ismet Ramadani, i cili gjatë luftës së fundit në Kosovë, u masakrua nga fallangat e Millosheviqit. Organizatorët e kësaj demonstrate në Ferizaj u arrestuan dhe u dënuan me vite të shumta burgjesh të rënda.
Në Ferizaj, ndikimi i organizatave të ndryshme ka qenë i shpejtë dhe i pranueshëm, pothuajse në të gjitha fazat nga viti 1944-45 e këtej. Kjo ka ndodhur sepse Ferizaji si qytet i ri dhe në zhvillim të përhershëm, me popullatë të re dhe të hapur ndaj të tjerëve ardhës, qoftë për të jetuar, apo për t’u vendosur përkohësisht. Kështu edhe organizatat e ndryshme që themeloheshin në Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Pejë, Prizren, Shkup e gjetiu, gjithmonë kanë gjetur hapësirë dhe mirëkuptim dhe në to janë anëtarësua dhe kanë dhënë kontribute të jashtëzakoshme, qoftë si anëtarë të thjeshtë, qoftë si organizatorë dhe udhëheqës. Kështu ka ndodhur më NDSH; me organizatën Adem Demaçit Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH); Partia e Luftës e Kosovës (PLK), Partia Komuniste Marksiste-Lenisite e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ) dhe Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, e, në veçanti në Lëvizjen Popullore të Kosovës.
Gjatë vitit 1977-1979, në Ferizaj është formuar dhe ka vepruar “Organizata Patriotike e Rinisë së Kosovës” (OPeRK). Kjo organizatë e përbërë nga nxënës, është shtrirë në disa shkolla të mesme brenda qytetit të Ferizajit. Ajo ka kryer disa aksione për shkrurjen dhe shpërndarjen e parullave në dy qendra të shkollave të mesme dhe në gjithë qytetin. Veprimtaria e saj është zbuluar dhe udhëheqja e saj është arrestuar dhe dënuar.Për këtë organizatë nuk është shkruar dhe dihet pak veprimtaria e saj atdhetare.2).
Në qytetin e Ferizajt dhe në fshatin Komogllavë të kësaj komune, është për t’u theksuar se janë organizuar dhe themeluar edhe dy organizata politike, për të cilat deri sot është folur pak:
Organizata “Lëvizja Ilegale Atdhetare”(LIA), themeluar më 1975-1976, nga të rinjtë e Ferizajit dhe rrethinës dhe e shtrirë edhe në disa qytete e vendbanime të tjera të Kosovës me moton “Lëvizje për çlirim nacional e social të Kosovës”. Kjo organizatë ka vepruar deri në vitin 1979, kur udhëheqësit kryesorë të saj janë arrestuar dhe dënuar me burgime të rënda.-3).
Organizata tjetër “Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”-LÇKK) është themeluar në Komogllavë në shtator të vitit 1980. Janë emëruar në kushte ilegaliteti të thellë Organi Udhëheqës Politik prej tre anëtarëve dhe Kryetari i Organizatës; është zgjedhur Organi Udhëheqës Organizativ-Operativ dhe Kryetari i këtij organi për organizim dhe operativë. Është përpiluar Platformën, Programin, Statutit dhe Planin aksional. Në këtë organizatë janë përfshirë pothujase të gjithë anëtarët të mbetur pas burgosjes të udhëqjes kryesore të organizatës “Lëvizja Ilegale Atdhetare”. 4-5).
Organizata ”Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”, me shpejtësi shumë të madhe është shtrirë pothuajse në tërë Kosovë, si dhe në Maqedoni, në Preshevë dhe Bujanoc. Kjo organizatë politike ka rënë në kontakt me Grupin Marksist-Leninist të Kosovë (GMLK) i cili në këtë kohë u shndërrua në OMLK.
Udhëheqja politike dhe ajo organizative e LÇKK, ka bërë përpjekje të vazhdueshme së bashku më udhëheqësit e OMLK-së, për t’u bashkuar sa më shpejt me të gjitha organizatat e tjera siç ishin PKMLSHJ-së e LNÇKVJSH-së dhe, pak më vonë, edhe me Partinë e Luftës së Kosovës (PLK). Ndërsa LÇKK, veç kishte bërë bashkimishkrirjen me grupin politiko-atdhetar, shumë të njohur për atë kohë ALBANIKOS.-6-7).
Ndërsa demonstratat revolucionare të Pranverës së vitit 1981, (edhe në Ferizaj me jehonë të fuqishme në gjithë Kosovë e me gjerë), ishin të organizuara dhe të udhëhequra nga organizatat politike të kohës, të cilat dihen tashmë, kanë arritur të kenë një dokumentim, i cili, megjithatë duhet të plotësohet, si nga ana e interpretimit të panshëm profesional dhe historik, si për nga faktimi i lëndës dokumentare.
Themelimi, i para 40 vjetëve i Lëvizjes për Republikën e Kosovës, më 17 janar 1982, nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi, por efekte organizimi, efikasiteti si dhe shtrirje, filloi të ketë vetëm pas 17 shkurtit dhe 15 majit të po atij viti. Kjo organizatë, që me lindjen e saj të përgjakur-8), e cila bazë e kishte aktin sublim në altarin e lirisë të Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, u bë organizata, e cila pas 12 vjetë veprimtari intensive politike, në vitin 1994, themeloi Ushtrinë për Çlirimin e Kosovës, e cila u njoh botërisht me akronim UÇK!
Në këtë plan, kuadro të shumtë profesional në fushën e politikës, në fushën ushtarake e diplomatike nga Ferizaji dhe rrethina e tij, si brenda në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit në Evropë, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin, ristrukturimin, e strukturimin në drejtimin e duhur politik, ushtarak, diplomatik, strategjik e propagandistik të LPK-së, për të ndodhur ajo që ndodhi: përgatitja dhe fitorja e lirisë së Kosovës me luftë të armatosur.
Si përfundim: frymëzimeve nga një traditë e tillë në kontinuitet i organizatave politike dhe ushatarake, nga Lëvizja Komëtare Shqiptare, edhe në Ferizaj, vitet e daljes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenën politike dhe ushtarake, forca e dalzotësve të Kosovës -9), e mposhti Serbinë pushtuese. Ata ishin të bindur se, me që Kosova ishte e pushtuar me armë nga Serbia, vetëm me armë, duhej, patjetër, të çlirohet. Rrugë tjetër nuk kishte! Dhe ashtu ndodhi. Pushka e UÇK-së, e zbrazur fort e vazhdimisht për liri, u përkrah nga fuqitë e mëdha politike dhe ushtarake, nga NATO-ja e cila udhëhiqej dje dhe udhëhiqet sot, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta finalizuar, strukturuar dhe përmbyllur, sëbashku, lirinë e Kosovës dhe shtendërtimin e shtetit tonë.
Nga viti 1945 e deri në vitin 1999, për lirinë e Kosovës, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që kulmoi me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe Ferizaji ka dhënë bijtë e shkelqyeshëm të tij, të cilët për të ndërtuar këtë kohë, për të ndërtuar këtë shtet të njohur ndërkombëtarisht, dhanë më të shtrenjtën nga vetja e tyre – JETËN!
Duke reflektuar në këtë Akademi Mirënjohjeje që e ka organizuar Shoqëria LËVIZJA, përkujtojmë me pietet heronjët dhe dëshmorët e kombit të të gjithë Lëvizjes Kombëtare: te legjendari Adem Jashari, dhe krejt natyrshëm edhe të kësaj Epopeje, të dal nga Komuna e Ferizajt nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës:
Rexhep Bislimi, Nazmi Ukësmajli, Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Enver Topalli, Sejdi Sejdiu, Cen Dugolli,Ramadan Rexhepi, Ahmet Kaçiku, Ahmet Hoxha, Hyra Emini, Zejnullah Zejna, Vezir Jashari, Naim Beka,Astrit Bytyçi, Besim Rexhepi, Kemajl Hetemi, Sali Baliu, Bekim Osmani, Bilal Shala, Ramiz Ukësmajli, Arsim Zeqiri, Besim Rexhepi, Sadik Bega, Gëzim Sahiti, Lulzim Guta, Salih Baliu, Besim Qarri, Abdylselam Ahmeti, Zahir Neziri, Gezim Sahiti, Hajriz Muhadini, Nazim Bakiu, Qamil Osmani, Faton Vebiu, Hasan Cerkini, Rexhep Demiri, Uran Tinova, Lutfi Haxhidema, Ramadan Salihu, Fatmir Kërçeli, Fatmir Ratkoceri, Ibrahim Ademi, Afrim Kalanica, Agim Matoshi,Hysni Kajtazi, Ali Ivaja, Medi Xhaferri, Driton Islami, Ramush Shatrolli, Arsim Zeqiri, Elhami Hasani, Muhamet Kabashi, Njazi Bajrami ,Besim Fazliu, Salih Berisha, Bekim Osmani, Zahir Neziri, Imri Halili, Florin Maliqi, Liman Rekaj, Arsim Rexhepi.
HERONJËVE DHE DËSHMORËVE TË KOMBIT PËRJETËSISHT – LAVDI!
***
FUSNOTAT:
-1)- Burimi: Ethem Çeku “Shekulli i Ilegales”- Proceset gjyqësore kundër ilegales në Kosovë (Dokumente), Prishtinë, 2004.
-2)-Sqarime: Ibrahim Xhemajli, ish anëtar i OPeRK-ut, shtator, 2022
-3)- Burimi: Xhabir Morina “Për ty Atdhe” – Lëvizja ilegale atdhetare e nxënësve dhe studentëve të Ferizajit 1975-1979), botoi me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, “Shoqata e të Burgosurve Politike-Dega Ferizaj, 2012.
-4)- Burimi: Mustafë Xhemaili: “Monografi e lirisë” (punim në dorëshkrim), Komogllavë, 2001.
-5)- Burimi: Bajrush Xhemaili “ Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës” (punim në dorëshkrim), Prishtinë, 2003.
-6)-)Burimi: Berat Luzha “Përpjekjet e OMLK-së për bashkimin e grupeve ilegale në vitin 1981”, botuar në përmbledhjen e kumtesave nga simpoziumi shkencor “Themelimi i Lëvizjes (LPK) dhe heronjtë e janarit 1982”, botuar në Prishtinë më 2017.
-7)-Burimi: Bajrush Xhemaili “Përpjekjet e LÇKK-së për t’u bashkuar me organizatat tjera ilegale”, botuar në përmbledhjen e kumtesave nga simpoziumi shkencor “Themelimi i Lëvizjes (LPK) dhe heronjtë e janarit 1982”, botuar në Prishtinë më 2017.
-8)-Thënie e njohur e Bedri Islamit.
-9)-Thënie e njohur e Ismail Kadaresë.