Shkencë/Teknologji

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi: Popujt nuk duan luftë, duan paqen, miqësinë vëllazërinë, bashkëpunim e solidaritet

Popujt nuk duan luftë, duan paqen, miqësinë vëllazërinë, bashkëpunim e solidaritet

Fjala e Prof. Dr. Ksenofon Krisafit mbajtur në Konferencën shkencore ndërkombëtare në Forli-Itali

Të nderuar organizatorë dhe miqtë tanë mikpritës të ANPI-t!
Nga organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar – “Nderi i Kombit”, nga Shqipëria jonë përballë brigjeve tuaja të Adriatikut, ju sjellim përshëndetjet dhe urimet më vëllazërore.
Jemi shumë të gëzuar, që kemi rastin të jemi së bashku në këtë takim të rëndësishëm, i cili na jep rastin të diskutojmë për historinë, të kaluarën, eksperiencat e popujve, pjesë e të cilëve jemi, për aktualitetin dhe për të ardhmen në përballjen me fashizmin dhe neofashizmin, për t’iu garantuar brezave, që do vijnë një jetë pa luftra dhe pa konflikte, një botë ku mund të jetojnë në bashkpunmim e në miqësi. Konferenca rikthen në vëmendjen e brezave fakte, të dhëna, dëshmi mbi egërsinë, dëmet dhe shkatërrimet e fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo shërben gjithashtu për të ritheksuar domosdoshmërinë e vigjilencës dhe solidaritetit mes popujve dhe shteteve të tyre, për të prandaluar dhe kundërshtuar rrezikun e ardhjes në pushtet të ekstremizmit të djathtë apo rrezikut neofashist. Misioni ynë është që, me aq sa mundemi, të mos tolerojmë dhe të mos pajtomei me ideologji, qendrime e praktika agresive e regressive, fashiste e neofashiste.
Vendi ynë u përball ndër të parët me pushtimin fashist Italian, qysh në prillin e 1939, pa u shpallur ende zyrtarisht fillimi i Luftës së Dytë Botërore.
Agresioni ndaj Shqipërisë ishte përgatitur gradualisht, që nga vendimi i Konferencës së Ambasadorëve, të Parisit, të 9 nëntorit 1921, paktet ekspansioniste të Tiranës, të viteve 1926 dhe 1927 dhe sidomos nga ekspansioni i gjithanshëm politik, ekonomik, tregtar, finananciar, kulturor.
Shqiptarët, megjithëse të tradhëtuar, të çarmatosur, të sabotuar gjetën forca dhe u orientuan në kahun e duhur të historisë. Organizuan rezistencën dhe i pritën okupatorët me armë në dorë.
Ditën e zbarkimit ushtarak Italian, në 7 prill 1939, në Durrës, ranë 12 dëshmorët e parë të luftës kundër pushtimit fashist Italian. Më pas njerëzit e thjeshtë të popullit, patriotët e devotshëm, formuan ushtrinë çlirimtare, e cila u hodh në luftë pa kompromis, fillimisht kundër ushtrive fashiste italiane dhe, pas kapitullimit të tyre, kundër ushtrive naziste gjermane.
Organizimin dhe drejtimin e Luftës, e cila çliroi vendin dhe i solli popullit lirinë, e mori pësipër Partia Komuniste Shqiptare. Ajo tentoi disa herë të tërhiqte në bashkëpunim edhe forca të tjera politike, si Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Përpjekjet dështuan sepse, për fat të keq, ata bashkëpunonin me fashistët, me të cilët ishin bërë ortakë dhe kishin ndarë postet qeveritare.
Sukseset në aksionet luftarake rritën pjesëmarrjen e të gjithë popullit në luftë. Jehona e sukseseve të saj u përhap brenda dhe jashtë vendit, çka çoi në njohjen zyrtare nga faktori ndërkombëtar, nëpërmjet deklaratave të dhjetorit 1942, të Fuqive drejtuese të Koalicionit Antifashist të Popujve, për fitoren e të cilit shqiptaret kontribuan realisht. Një popull me rreth 800 mijë banorë, ngriti në këmbë një ushtri, e cila në prag të përfundimit të luftës, arriti në rreth 70.000 vetë. 6.000 ishin vajza dhe gra, një numër impresionuies për një vend të vogël si Shqipëria.
Ushtria Nacional-çlirimtare shqiptare gozhdoi në territorin e vet rreth 100 mijë trupa pushtuese italiane e 70.000 gjermane. Nxori jashtë luftimi rreth 70.000 prej tyre. Gjatë luftës u vranë 26 594 forca pushtuese, u plagosën 21.245 vetë, u zunë rob 20 800 të tjerë, u shkatërruan pjesë të konsiderueshme të arsenalit luftarak të armikut, si tanke, autoblinda dhe armatime të tjera.
Dhanë jetën për liri dhe kauzën antifashiste mbi 28.000 dëshmorë ose 2,62% e popullsisë së kohës, nga të cilët 251 ishin vajza e gra. Fashizmi dënoi me varje në litar 5 prej tyre, nga 6 denime të tilla që janë dhënë në gjithë botën. Njërën prej tyre, Liri Geron, e dogjën të gjallë. Dëmet materiale ishin të pallogaritshme.
Me luftën që bënë shqiptarët e çliruan vendin me forcat e tyre, ndryshe nga disa popuj të tjerë.
Kapitullimi i Italise fashiste dëshmoi se ishin fashizmi, hierarkët fashiste, Duçja dhe bashkepunëtorët e tij, ata që vunë në rrjesht djemtë e familjeve italiane, i mobilizuan dhe i sollën në Shqipëri të na vrisnin, të na merrnin pasuritë, të na shkatërronin, të na pushtonin dhe të na linin pa atdhe. Kur fashizmi ra, disa mijëra prej tyre, mbetën në mes të katër rrugëve në malet, fushat, qytetet e fshatrat shqiptare, pa strehë, pa ndihmë, deri edhe pa bukë. Familjet shqiptare i morën në shtëpi, i strehuan dhe i mbajtën pranë, duke shpërfillur faktin që ishin pjesë e ushtrisë pushtuese, e cila deri dje i kishte vrarë, plagosur, fyer, poshtëruar, iu kishin djegur shtëpitë e ju kishin shkatërruar gjithëçka.
Ishte kjo një ndjenjë e lartë, unikale humanizmi, emancipimi, qytetarie, solidariteti.
Një pjesë e disa mijëra të tjerëve, që u dorëzuan te nazistët që pushtuan Shqipërinë, u akuzuan si tradhëtarë dhe përfunduan keq.
Nga rreth 15.000 italianët e dorëzuar tek formacionet partizane, 2.150 hynë në përbërje të njësive të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar. Një pjesë, sipas dëshirës së vet, u organizua në një batalion, me emrin e Antonio Gramshit, antifashist dhe personalitet i shquar italian, me prejardhje arbëreshe. Në nëntor 1944 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare shqiptare, vendosi që partizanët italianë të krijonin brigadën “Antonio Gramshi”. Në mbarim të Luftës ajo u shndërrua në divizion. Së bashku me partizanët shqiptarë, luftuan kundër nazistëve deri në çlirimin e Shqipërisë. Erdhën në Shqipëri si pushtues dhe u bënë luftëtarë të lirisë. Për çlirimin e Shqipërisë ranë dëshmorë 114 ish-luftëtarë italianë.
Për atë që bënë Shqipëria i vlerësoi shumë, i nderoi të gjithë me medalje dhe urdhëra dhe, kur u larguan për në atdheun e vet, i përcolli me nderime e respekt në portin e Durrësit.
Dëshiroj të ndaj me ju edhe një hollësi kurioze. Batalioni Antonio Gramshi, për të cilin fola pak më lartë, kishte himnin e vet. Tekstin e kishte shkruar italiani Mario Dacci, kurse muzikën e kompozoi Tish Dajia, nje djalosh shqiptar 17 vjeçar, nga qyteti i Shkodrës, i cili më pas u bë një nga kompozitorët me të shquar të vendit.*
Lufta e italianëve të rreshtuar në formacionet e UNÇSH, së bashku me prindërit tanë partizanë, është vlerësuar edhe si një gjest simbolik, i dëshmuar jo vetëm nga ata, por nga gjithë populli antifashist Italian, me të cilin na bashkojnë lidhje miqësie.
Shqiptarët strehuan dhe mbrojtën edhe izraelitët dhe nuk lejuan që të mos i rrezikohej jeta asnjë hebreu. Ishin këto shprehje të ndjenjave të fuqishme të humanizmit, civilizimit dhe solidaritetit të shqiptarëve.
Pas çlirimit të vendit dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore shqiptarët mbetën sërish në anën e duhur të historisë. Megjithë vështirësitë dhe pengesat e shumta që u krijuan nga disa prej fqinjëve dhe ndonjë nga protektorët e tyre, që iu mohonin pjesëmarrjen dhe kontributet në luftë dhe që kërkonin rishikimin e kufijve të tyre, arritën të pranoheshin në Konferencën e Paqes, Paris, korrik-tetor 1946 për t’u dëgjuar për kërkesat e tyre ndaj Italisë dhe u zyrtarizuan si Fuqi Shoqe për zbatimin e Traktatit te Paqes me Italinë, pas aderimit, në 1947. Në vitin 1949 u lidhën marrëdhëniet diplomatike me Italinë dhe në vitin 1957 u nënshkrua marrëveshja për zbatimin e Traktatit të Paqes me Italinë. U hap kështu një faqe e re në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në bazë të të cilave qëndron trajtimi i Italisë si partner i rëndësishëm i Shqipërisë.
Episodi i strehimit dhe trajtimit njerëzor të ushtarëve italianë të mbetur në Shqipëri pas kapitullimit, për të cilin u bë fjalë pak më sipër, është dëshmia më elokuente se popujt nuk duan luftë, nuk duan gjak, duan jetën, paqen, miqësinë, vëllazërinë, bashkëpunimin, solidaritetin. Le t’i forcojmë më shumë këto ndjesi, të kultivojmë antifashizmin, të asfikësojmë çdo përpjekje për ringjalljen e fashizmit, zhvillime tepër të rrezikshme, që vërehen në disa vende të botës. Ato po e fusin njerëzimin në një spirale të rrezikshme lufte dhe fatkeqësish.
Sot jemi dëshmitarë të mjaft ndryshimeve politike në botë. Ekuilibrat politikë e gjeostrategjikë po ndryshojnë, për çka dëshmojnë zhvillimet problematike në Suedi, Francë, Itali, Hungari, në ish-Jugosllavi. Flet gjithashtu shumë qartë tragjedia e dhimbshme e popullit të Ukrainës, që u sulmua dhe u pushtua nga Rusia. Të gjithë e dënuan sulmin agresiv të Rusisë ndaj Ukrainës. Edhe Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar miratoi një Deklaratë, e cila iu dërgua edhe FIR. Në të thuhet ndër të tjera se si pasardhës të luftëtarëve të lirisë, paqes, antifashizmit, të rreshtuar në krahun e të drejtave të popujve për paqe, liri, për zgjedhje të qeverisjes së vet, ne jemi në krahun e popullit të Ukrainës që mbron lirinë, pavarësinë e vet, mbron shtetin dhe pasuritë e veta.
Siç e dini, të nderuar pjjesëmarrës, ne jemi mbledhur sot në Forli. Në disa institucione akademike, mediatike etj të ndodhura përreth këtij qyteti ka, jetuar dhe punuar Umberto Eco, një antifashist i vendosur. Në prill të vitit 1995, në një auditor të Universitetit të Harvardit, ai foli për fashizmin në botën bashkëkohore. Me sa duket merrte shkas nga fakti që një vit më parë, në 1994, një parti me siglën MSI-Alleanza Nazionale, e vetëdeklaruar si pasuese e Benito Mussolini-t, e damkosur si neofashiste, kishte hyrë në koalicionin e qendrës së djathtë, të Silvio Berlusconit.
Jehona e fashizmit për të cilin fliste Umberto Eco, nuk mbeti e lokalizuar vetëm në Itali, ku sot shenja të dukshme shfaqen te partia e Giorgia Melonit, Fratelli d’Italia. Siç shprehet një studiues i ri shqiptar, Edon Qesari, pas disa vjetësh ajo u shtri edhe te Agimi i Artë në Greqi, integralizmi katolik i Partisë për Ligj dhe Drejtësi në Poloni, tek qeverisja e hekurt e Victor Orbán-it në Hungari, tek antievropianizmi i Nigel Farage-it në Britaninë e Madhe, tek ngadhënjimi elektoral i Donald Trump-it në Amerikë, ai i Jair Bolsonaro-s në Brazil, tek mbështetja në rritje e Marine Le Pen në Francë, tek zhargoni ekstrem i Matteo Salvini-t në Itali, tek AFD-ja gjermane, tek Vox-i në Spanjë etj.
Prandaj kjo veprimtari përkujtimore e ardhjes në fuqi të fashizmit, shërben edhe si një vështrim retrospektiv dhe njëkohësisht si alarm, për të mos neglizhuar shënjat e rikthimit të fashizmit, sepse ai mbart rrezikun e përsëritjes së katastrofave të luftrave botërore.
Te dashur motra e vellezer, shoke e shoqe,
Duhet te pohojme me keqardhje se shfaqje të neofashizmit vijnë edhe nga qarqe ekstremiste serbe, duke kërcënuar kohë pas kohe edhe vëllezërit tanë paqedashës në Kosovë. Edhe në vendin tonë dëgjohen ndonjëherë thirrje revanshiste për të t’ua mohuar partizanëve dhe popullit, meritën e kontributit themelor për fitoren në luftën Nacional-Çlirimtare. Rivendikuesit e ringjallur kërkojnë jo vetëm vlera imagjinare, fictive, por edhe pushte dhe privilegje.Këto zhvillime imponojnë domosdoshmërinë e rritjes së vigjilencës, vlerësmit me seriozitet të çdo shfaqjeje sa do të vogël në dukje dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i luftuar ato me forcë dhe ashpërsi. Në këtë mënyrë, brezave aktualë dhe atyre që do të vijnë t’iu lemë një mjedis social të pastruar nga monstrat fashiste.
* Partitura e muzikës së himnit, si dhe lista e dëshmorëve të partizanëve italianë të rënë për çlirimin e Shqipërisë iu dorëzuan organizatorëve të konferencës nga nënkryetaret e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar – “Nderi i Kombit”, Elidiana Canaj dhe Vjollca Trebicka.