“Qytetet pluskuese të qëndrueshme janë pjesë e strategjive ndaj ndryshimeve klimaterike. Në vend që të luftojmë detin, le të jetojmë në harmoni me të”, deklaruan përgjegjësit e Kombeve të Bashkuara.
Një nga këto projekte, ndoshta më konkreti, vjen nga Koreja e Jugut, pikërisht nga ujërat përballë metropolit të Busan-it, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe porti i pestë më i rëndësishëm në botë.
Në nëntor, autoritetet bashkiake, organizata me qendër në Nju-Jork Oceanix dhe Kombet e Bashkuara kanë firmosur një marrëveshje të cilësuar si historike, ku u miratua projekti për një qytet të ri pluskues që do të ndërtohet përballë qytetit.
Sipas projektit të ideuar nga arkitekti i njohur, Bjarke Ingelsi, qyteti i veçantë do të jetë shtëpi për rreth 10 mijë persona, ndërkohë që shtëpitë e ndërtuara sipas një sistemi të ri modular, në formë gjashtëkëndëshe, do të ndahet në disa fshatra që kanë specifikat e tyre, që sipas projektuesve mund t’i rezistojnë edhe fenomeneve natyrore më ekstreme, duke vetëprodhuar energjinë dhe ujin e nevojshëm.
Kostoja fillestare e parashikuar për modulet e para shkon në 200 milionë dollarë, por shifra mund të zmadhohet së tepërmi në varësi të suksesit dhe të partnerëve ndërkombëtarë të interesuar për projektin, që mund të përfundojë “fazën” e parë brenda vitit 2025, ndërkohë që punimet mund të fillojnë në verën e ardhshme.
Sipas kompanisë Oceanix, projekti i tyre po vlerësohet edhe nga 10 qeveri të ndryshme në botë, në veçanti nga ato që po goditen më shumë nga ngritja e nivelit të ujit.
“Qytetet pluskuese të qëndrueshme janë pjesë e strategjive ndaj ndryshimeve klimaterike. Në vend që të luftojmë detin, le të jetojmë në harmoni me të”, deklaruan përgjegjësit e Kombeve të Bashkuara.