Lëvizja\UÇK

Valon Murati: Në dy vjetorin e vdekjes së shokut e bashkëluftëtarit Sabit Krasniqi

Në kujtim të dyvjetorit të vdekjes së shokut tim të dashur, të bashkëluftëtarit, bashkëveprimtarit dhe bashkëpunëtorit Sabit Krasniqi, fitues i shumicës së betejave në jetë, përveç asaj me pandeminë e fundit.
Të nderuar familjarë të Sabitit,
Zonja Fehmije, Çlirim,
Shokë, miq,
Bashkëluftëtarë, bashkëveprimtarë e bashkëvuajtës të burgjeve serbe,
Sot jemi mbledhur këtu bashkërisht të gjithë të kujtojmë njeriun e mirë, familjarin shembullor, shokun e dashur, luftëtarin e lirisë, e bashkëpunëtorin tonë të ditëve të vështira e edhe të atyre të mirave, Sabitin tonë, apo siç e kemi thirr me dashni Balin Bit.
Sabiti ishte një njeri i dashur, por i vendosur. I urtë, por shkëmb i fortë. I qeshur, por edhe serioz. Fjalëpak, por me fjalët që i shkonin në vend.
Bali Bit ishte i dashur për të gjithë. Për familjarët, shokët e bashkëpunëtorët. Dinte në çdo situatë të krijonte atmosferë. Të shtensiononte situatën dhe t’ia jepte një ton relaksues. Sabiti ishte i vendosur; i vendosur në rrugën e vështirë po të pa alternativ të lirisë e drejtësisë, edhe kur të paktë i kishte shokët. Por ashtu siç ishte i vendosur në rrugën e tij drejt të mirës së përgjithshme, ashtu ishte i vendosur për t’i rritur edhe shokët e bashkudhëtarët në këtë rrugë.
Bali Bit ishte i urtë me fjalë, me veprime e me qasje ndaj atyre që e rrethonin. I respektonte shokët e miqtë dhe ia dinte vlerën miqësisë së vërtetë. Por ai ishte edhe shkëmb i fortë, sepse nuk pat furtunë jete që e rrëzoi, e sidomos jo ato furtuna që lidheshin me përpjekjet dhe luftën për liri.
Sabiti ishte i qeshur. Besoj të gjithë ia njohim atë buzëqeshje që ishte pjesë e karakterit të tij. Buzëqeshje që ishte me të e me ne në ditë të mira e të vështira. Dhe që realisht na jepte të gjithëve forcë, edhe nëse ndonjëherë ligështoheshim. Por ishte edhe serioz në punë, në veprimtari, në aksion, luftë e shtetndërtim. Ishte shembull në përkushtimin që kishte për punën. Shembull që duhej ndjekur.
Bali Bit ishte fjalëpak. Nuk ishte nga ata që imponohej në biseda dhe që merrej me të tjerët. Ishte shumë i kujdesshëm se çfarë fliste për të tjerët, qoftë edhe për njerëzit me të cilët kishte divergjenca politike. E respektonte dinjitetin e njeriut, dhe kujdesej të mos e rëndonte askënd me fjalë. Por Balit Bit i shkonte fjala në vend. Dinte ku dhe kur duhej thënë fjalën e duhur. Fjalën e kishte pasur armë në kohët më të vështira të robërisë, dhe përmes saj mobilizonte njerëzit në rrugën e lirisë. Me fjalë u jepte të tjerëve kurajo. Me fjalë të mira qetësonte edhe situatat më të tensionuara e me fjalë hapte edhe dyert më të kyçura në kohërat e vështira të organizimit e luftës.
Sabit Krasniqi, i yni Bali Bit një jetë të tërë ishte në shërbim të atdheut, lirisë së tij e idealit të bashkimit kombëtar. Që në moshë të re, me 22 vjet në vitin 1977 bëhet pjesë aktive e organizmave ilegal dhe si rrjedhim do të jetë pjesë aktive e demonstratave të vitit 1981. Si pasojë e kësaj veprimtarie burgoset për pesë vite në periudhën 1981-1986, duke qenë shembull qëndrese e solidariteti nëpër kazamatet jugosllave.
Burgu si një shkollë e madhe njerëzore, nuk e ligështoi, por e bëri më të fortë e më të vendosur në rrugën e madhe të lirisë. Ish i burgosuri politik i viteve 80’ të shekullit të kaluar, vazhdoi aktivitetin e tij politik, legalisht në lëvizjen paqësore, por po ashtu ilegalisht përmes Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me shokët e bashkëveprimtarët Isa Kastratin dëshmor i lirisë, Calin që nuk e kemi në mesin tonë, e shumë e shumë aktivistë e veprimtarë të tjerë të LKÇK-së e UÇK-së. Bali Bit ishte në krye të organizimit të radhëve të UÇK-së në rajonin e Prishtinës, duke dhënë një kontribut të paçmuar në luftën tonë për liri e duke mbetur edhe i plagosur në këtë luftë, por asnjëherë i rënë apo ligështuar.
Unë kam pasur fatin që ish të burgosurin politik e luftëtarin e lirisë në kohën më të lavdishme, ta kisha shok, mik e bashkudhëtar ideali në shumë procese.
E kisha bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë në LKÇK e UÇK. Në të gjitha aktivitetet e punët e njoha si njeri që ishte në ballë të detyrave e që organizimit e luftës sonë çlirimtare i jepte krah e forcë. Kisha nderin ta kisha këshilltar politik në Ministrinë e Diasporës, ku me natyrën e tij njerëzore dhe punën e tij të përkushtuar ka lënë gjurmë tek të gjithë bashkëpunëtorët tanë, qoftë të stafit politik po ashtu edhe tek ata të stafit civil. Unë e kisha ndër njerëzit më të afërt me të cilin i diskutonim problemet më të mprehta që kërkonin zgjidhje. E kisha po ashtu bashkudhëtar në Lëvizjen për Bashkim, në të cilën ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe si zakonisht një aktivist e anëtar i devotshëm. Sabiti ishte një besimtar i palëkundur në projektin e madh të kombit shqiptar prej Rilindjes e deri në ditët e sotme, atë të bashkimit kombëtar. Kjo ishte në të vërtetë ai filli na bashkoi prej që u njohëm dhe na bëri të afërt politikisht e njerëzisht.
E mbi të gjitha e kisha shok e mik. Do ta kujtoj përherë për përkushtimin e tij por edhe natyrën pajtuese e njerëzore. Nuk do ta harroj asnjëherë buzëqeshjen e tij që nuk i mungonte edhe në ditët më të vështira.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Sabitin tonë.

Postimet e fundit !