AMANETI IM I FUNDIT
Dëgjoni o njerëz shpirtmirë,
fjalët e mira fjalë-pakut, amanetin e fundit
Kur më të mos jem në këtë jetë,
Por të jem atje në fund të katundit.
Porosia ime familjes, fisit e plisave:
Të më varrosni aty diku, nën hijen e lisave,
të më mbuloni ngadalë, me dhe Dardanie
As me gurët e tjetrës nahije
Asnjë tjetër s’e dua mbi ballë,
Veçse flamurin tonë kombëtar!
Të më vendosni trupin në një arkivol të thjesht
Me një mbulesë të bardhë dua me më mbështjellë
Me këtë, dërgon porosi dhe botës i dëshmon;
Se ne jemi denbabaden, shqiptarë autokton!
Në ceremoninë e varrimit tim si amanet i radhës
lutjet të bëhen vetëm shqip, në gjuhën e nanës.
Do e s’do të ketë kurora, kjo fare nuk do të ketë rëndësi,
Kryesorja, aty asnjë fjalë të mos flitet në gjuhë të huaja, kurrsesi.
Me këtë do të më përmbushni amanetin
dhe dëshirën time të fundit,
njerëzit që i desha, e më deshën, atje në krye të katundit.