Shqipëria/Aktualitet

Në mbledhjen e dy qeverive shqiptare pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme për dy republikat e Shqipërisë

PRISHTINË, 17 qershor /ATSH/ Mbledhja e tetë sipas radhës mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, do të mbahet të hënën e javës së ardhshme në Prishtinë. Dy kabinetet qeveritare pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike. Ndërkohë, pavarësisht mospajtimeve me kryeministrin Edi Rama për disa çështje, në qeverinë e Kosovës thonë se mbledhja e përbashkët është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress se disa prej marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen të hënën janë afër finalizimit.

“Mbledhja e radhës e dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, mbahet të hënën e javës së ardhshme më 20 qershor. Kjo do të jetë mbledhja e tetë me radhë e dy qeverive. Presim të nënshkruhen një numër marrëveshjesh, disa prej tyre aktualisht janë duke u finalizuar. Këto marrëveshje do të përfshijnë fusha të ndryshme, si ajo e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike, por edhe fusha të tjera”, tha ai.

Nga ana tjetër, më skeptik për këto mbledhje të dy qeverive shqiptare është ish-kryediplomati nga Shqipëria, Besnik Mustafaj.

Ai thotë për KosovaPress se nëse s’ka diçka konkrete për zbatimin e çfarëdo marrëveshje, atëherë ato janë pjesë vetëm e propagandës politike.

“Në qoftë se marrëveshjet që mund të bëhen ndërmjet ministrave, kjo do duhet të shoqërohet me një program për çfarë do të bëhet gjatë vitit 2022, 2023, 2024, kush është përgjegjës për këtë etapë, ku në Tiranë, Prishtinë, Prizren, Shkodër. Pasi nëse nuk shoqërohet me këtë, mbeten vetëm copa letre për ti treguar shqiptarëve që ulen atje, përshëndesin njëri-tjetrin dhe mbaron puna. Nuk ka të keqe, por nuk prodhon (asgjë), janë pjesë e propagandës këto mbledhje nëse nuk prodhojnë rezultat konkret”, thekson ai.

Mirëpo, Kryeziu, përmend rezultatet konkrete të marrëveshjeve të nënshkruara në nëntor të vitit të kaluar.

“Deri më tani rezultate konkrete prej këtyre marrëveshjeve kemi lehtësimin e proçedurave për leje qëndrimi pesëvjeçar të qytetarëve të dy vendeve, hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë, lehtësimin e proçedurës për njohjen dhe njehësimin reciprok të diplomave, ndihmën e ndërsjelltë juridike në çështje civile dhe tregtare, krijimin e kalendarit të përbashkët kulturor, vjetor 2021-2022 Shqipëri-Kosovë, rritjen e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore, sikurse edhe atë të bujqësisë. Disa marrëveshje nga mbledhja e kaluar janë drejt finalizimit praktik të tyre, por  ka mbetur që të adresohen edhe disa çështje teknike, sikurse ajo e rregullimit të regjimit të trafikut lokal kufitar, lehtësimin e proçedurave kufitare në pikën Vërmicë-Morinë, studimin e fizibilitetit për segmentin hekurudhor Prishtinë-Durrës, Durrës-Prishtinë, si dhe njohja e ndërsjellë e sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve”, thotë Kryeziu.

Lidhur me mospajtimet me kryeministrin Edi Rama, rreth iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”, Kryeziu thotë se pavarësisht këtyre, mbledhja e përbashkët është dëshmia më e mirë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Fakti që kemi dy mbledhje të përbashkëta të dy qeverive në më pak se një vit, flet dhe është dëshmi për vullnetin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve tona. Në nëntor të vitit 2021 kemi pasur një mbledhje të përbashkët në Elbasan, në qershor të vitit 2022 po mbajmë një mbledhje në Prishtinë. Herën e kaluar kemi nënshkruar 13 marrëveshje, shumica e tyre kanë gjetur tashmë zbatim. Në këtë mbledhje synojmë të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje që kanë në qendër bashkëpunimin dhe lehtësimin e qytetarëve të dy vendeve. Kjo është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit, pavarësisht mospajtimeve për çështje të caktuara”, shton Kryeziu.

Deri më tani janë mbajtur shtatë mbledhje të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku janë nënshkruar mbi 100 marrëveshje mes dy shteteve.

/E.Zeqiri/