Shqipëria për herë të parë mikpret një finale europiane, 1100 të ftuar VIP, 600 gazetarë transmetojnë për 155 vende
TIRANË, 25 maj /ATSH/ – Shqipëria pret për herë të parë në historinë e vet një finale të kompeticioneve europiane, siç është kjo UEFA Conference League ku “Roma” – “Feyenoord” do të përballen sonte në stadiumin “Air Albania”.
Stadiumi “Air Albania” ka një kapacitet 21.690 vendesh dhe është përcaktuar për të organizuar këtë finale nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që më 3 dhjetor 2020. Përveçse është finalja e parë e këtij kompeticioni, kjo do të jetë finalja e parë e një kupe të UEFA-s që do të luhet në Shqipëri.
Zhvillimi i kësaj finaleje në Tiranë ka pasur një jehonë të madhe në mediet ndërkombëtare, teksa pritet të transmetohet në mbi 155 vende të botës.
Në sitin zyrtar të UEFA-s thuhet se finalja e UEFA Conference League është e disponueshme për t’u parë në të gjithë Evropën, në Azi, Amerikën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në Afrikë dhe deri në Australi, përmes televizioneve të shumta që janë partnerë zyrtarë të transmetimit të UEFA-s.
Ndërkohë në Tiranë janë të pranishëm rreth 600 gazetarë, prej të cilëve 300 janë të akredituar për të parë ndeshjen në stadiumin “Air Albania” dhe 300 të tjerë janë në qytetin e Tiranës dhe të Durrësit. Gjithashtu për të ndjekur këtë sfidë janë edhe 88 fotografë.
Për këtë event madhor është bërë edhe një modifikim i tribunës së medias që është 3-fishuar duke arritur në 210 vende.
Vetëm gjatë ditës së sotme Shqipëria mirëpret mbi 20 mijë vizitorë, ndërsa në dy ditët e fundit në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit janë ulur 326 avionë.
Këtë event madhor në vendin tonë do e ndjekin tifozë nga 20 shtete.
Po ashtu, për këtë sfidë janë 1100 të ftuar VIP. Në Tiranë ndodhet presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin dhe disa prej legjendave të futbollit, si Francesco Totti, ish-kapiten i “Romës”, legjenda e Kroacisë, Zvonimir Boban, apo ish-lojtari i “Feyenoord” dhe “Liverpool”, Dirk Kuyt.
Ndërkohë sa i përket biletave, ato kanë qenë në menaxhim të UEFA-s, që është organizatore e kompeticionit, dhe 8500 prej tyre janë nxjerrë në shitje në faqen zyrtare të UEFA-s për publikun e gjerë, ku 89 % janë blerë nga tifozë shqiptarë. Klubet finaliste kanë marrë nga 4 mijë bileta secili.
/r.e/