Histori

Dhimitër Shtëmbari: Kongresi i Përmetit dhe dërdëllitjet kundër tij, 78-vjetori i një ndryshimi historik. Ndikimi që pati tek Monarkia

DHIMITËR SHTËMBARI*

Në kushtet e pushtimit të dyfishtë, së pari nga fashistët italianë dhe, më pas,  edhe nga nazistët gjermanë, popullit shqiptar i nevojitej një forcë politike sa  udhëheqëse, aq edhe frymëzuese e organizuese. Dhe kjo forcë politike, siç e dëshmon historia, qe Partia Komuniste Shqiptare, e vetmja si e tillë, pa një të dytë, në shkallë vendi.

Balli Kombëtar, i lindur si reaksion i Partisë Komuniste Shqiptare, mbeti thjeshtë një organizatë pa lidership, e shthurur, deri sa degjeneroi plotësisht, duke rënë më në fund në prehër të pushtuesve nazistë!

Partia Komuniste Shqiptare që në Rezolucionin e saj Themelues, si përparësi thelbësore në platformën e saj pati luftën e pandërprerë të popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj, deri në çlirimin e plotë të vendit.

Dhe nuk ishte pa domethënie edhe ajo që ndodhi ditën e themelimit të kësaj Partie: më 8 nëntor 1941, në Korçë, organizohej një demonstratë masive antifashiste dhe pikërisht aty binte në fushën e nderit Koci Bako – Hero i Popullit.

Që nga ky çast rruga e popullit do të ishte rruga e lavdisë.

Salla ku u mbajt Kongresi I Antifashist i Përmetit

Konferenca e Pezës i parapriu me vendime Kongresit të Përmetit

Gjatë katër viteve luftë të pandërprerë kundër pushtuesve, fashistëve më parë e pastaj nazistëve, Partia Komuniste Shqiptare, udhëheqëse e vetme e kësaj lufte, sipas një programi perspektivë eci bindshëm sipas hapave të paracaktuara historike.

Në Konferencën I Antifashiste të Pezës (16 shtator 1942) gjithmonë me vështrimin drejt së ardhshmes, qe miratuar krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku do të bënin pjesë antifashistë pa dallim feje, krahine, pasurie dhe ideje. Vetëm dy vjet më vonë, në Kongresin I Antifashist (në Kongresin e Përmetit) ky Front Antifashist do të bëhej edhe me Kryesi, deri  edhe me Komitet Antifashist, i cili do të kishte atributet e një qeverie provizore.

Mes shumë detyrave të tjera shumë të rëndësishme, që u diskutuan në Konferencën e Pezës qe edhe ajo, (që vetëm dy vjet më vonë do të konkretizohej në Kongresin e Përmetit), që kishte të bënte me “…krijimin e një Shtabi Madhor për drejtimin e luftës”. Rreth kësaj teme në Pezë pat pasur debate të shumta, deri edhe me tone të ngritura nga disa diskutantë.

Po në Konferencën e Pezës qe hedhur edhe mendimi tjetër, që të shumoheshin çetat antifashiste, si bërthamat e para të asaj Ushtrie, që më vonë, mbas Kongresit të Përmetit, do të ishte e madhe, e rregullt, deri dhe me grada ushtarake.

Konferenca I Antifashiste e Pezës orientoi ngritjen e këshillave nacionalçlirimtarë në të gjithë vendin, që do të përbënin bazamentin e asaj qeverie të përkohshme që do të miratohej në Kongresin e Përmetit.

Konferenca I Antifashiste, e Pezës, dy vjet para Kongresit të Përmetit, frymëzoi rreshtimin e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist anglo – sovjeto – amerikan.

Sigurisht, nuk mund të mos bënte fjalë kjo konferencë edhe për objektivin final: krijimin pas lufte të një Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike.

Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH, Gjeneral Enver Hoxha, duke u njohur në hartë me teatrin e luftimeve.

Teksa vendoseshin gradat, UNÇSH merrte fytyrën e një ushtrie evropiane

Para se të shkohej në Kongresin e Përmetit, kongres me atributet e një kuvendi që miratonte jo thjesht parime politike, por ligje dhe vendime me karakter kushtetues, më 10 korrik të vitit 1943 në Labinot të Elbasanit qe  krijuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare (UNÇSH).

Është me interes për lexuesin të dijë, se cilët do të ishin drejtuesit dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, sepse kjo, pastaj, ka lidhje edhe me çka do të vendosej në Kongresin e Përmetit, që do të mbahej një vit më vonë:

Me propozim të Enver Hoxhës si Sekretar i Përgjithshëm i PKSH, anëtarë të këtij Shtabi do të zgjidheshin Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malëshova dhe Bedri Spahiu.

Në mbledhjen e tij të parë ky Shtab zgjodhi komandant të tij Spiro Moisiun, ndërsa komisar Enver Hoxhën.

Po në mbledhjen e tij të parë të 10 Korrikut 1943 ky Shtab zgjodhi edhe një numër sektorësh e komisionesh. Zgjodhi Shtabin Operativ, ku veç Spiros dhe Enverit bënte pjesë edhe Dali Ndreu, si oficer karriere.

Zgjodhi Komisariatin politik, në të cilin bënte pjesë veç vet Enverit, edhe Ramadan Çitaku.

Zgjodhi Seksionin e brendshëm, në të cilin bënin pjesë Mustafa Gjinishi dhe Haxhi Lleshi.

Zgjodhi edhe Seksionin e Shëndetësisë me drejtues Ymer Dishnicën.

Gjithë këto “ingranazhe” do të mund të vinin në lëvizje tërë UNÇSH, që tashmë ishte në një fazë të re, shumë të rëndësishme.

Një vit më vonë Kongresi i Përmetit i dha Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare autoritetin e plotë të një ushtrie të rregullt.

 

Ballistët synonin ta rrëmbenin LANÇ me krahëmarrje!

Vetëm njëzet ditë më vonë se 10 Korriku i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, “nisiativën politike” u orvatën ta merrnin krerët e Ballit Kombëtar. Kur po e shihnin, se nacionalçlirimtarja vazhdonte të fitonte terren politik e ushtarak në popull, u përpoqën të realizonin një “krahëmarrje” politike: pranuan të organizohej një tip “konferencë Peze”, por tashmë jo në Pezë, por në Tapizë e në Mukje, fshatra në ish rrethin e Krujës.

Nisur nga dëshira e mirë që t’i shërbehej çështjes së çlirimit të Atdheut, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (i përkohshëm) dëshiroi të bënte bisedime me krerët ballistë. Synimi ishte që t’i ftonte të futeshin në luftë kundër pushtuesve të huaj.

Dhe nacionalçlirimtarja shkoi në fshatin Tapizë, (ku u zhvillua seanca e parë e bisedimeve ) me delegacionin e vet me kryetar Ymer Dishnicën. Nga pala tjetër, e Ballit, u paraqitën Mitat Frashri – kryetar, Hasan Dosti, Faik Quku, si dhe të tjerë.

Anëtarët e delegacionit të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (i përkohshëm) shkonin në bisedime të nisur nga frontet e luftës kundër fashistëve, ndërsa ata të Ballit vinin nga sallonet, ku flirtonin me autoritete  fashiste!

Dihet tanimë qëndrimi i Ballit Kombëtar në Mbledhjen e Mukjes: u vinte kryq gjithçkaje që ishte bërë nga ana e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (i përkohshëm), i vinte vizë luftës që ishte bërë deri në këtë kohë nga partizanët dhe gjakut të derdhur nga qindra dëshmorë, shpërndante çetat që ishin krijuar deri në atë kohë dhe shpërbënte këshillat nacionalçlirimtare që ishin ngritur! Shkurt, krerët e Ballit kërkonin të fillohej nga e para, duke propozuar një të ashtuquajtur Komitet për Shpëtimin Kombëtar! Dhe në këtë të ashtuquajtur Komitet kërkonin që të përfaqësoheshin të barabartë me nacionalçlirimtaren!

Kryetari i delegacionit partizan ra në kurthin e ballistëve! U desh që të ndërhynte personalisht Enver Hoxha, që t’u grisej maska dallaverexhinjve të Ballit, që jo shumë vonë shkuan dhe u ulën në prehër të nazistëve gjermanë! Ballisti Skënder Muço e shikonte më të udhës të bashkohej me nazistin gjerman, se sa me komunistin shqiptar, paçka se antikomunisti i tërbuar Çurçill i kishte shtrirë dorën e bashkëpunimit për luftë kundër Hitlerit kreut të komunizmit botëror, Stalinit.

Ja, kështu, shumë më të qartë dhe me objektivë të rinj për LANÇ dhe Shqipërinë u shkua në Kongresin e Përmetit.

Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Ramadan Çitaku dhe Dali Ndreu së bashku me oficerë të Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri.

Në qytetin e Përmetit, aty ku jehonte lavdia e vëllezërve Frashëri

Me propozim të PKSH, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (i përkohshëm) vendosi që Kongresi I Antifashist të mbahej në qytetin e lirë (por të shkrumbuar nga fashistët) të Përmetit. Dhe nuk u zgjodh fare rastësisht ky qytet për t’u mbajtur Kongresi. U zgjodh, sepse në këtë rreth gjendej shtëpia e vëllezërve Frashri, emri dhe vepra e të cilëve patën frymëzuar mbarë një popull në luftën e tij patriotike për Pavarësinë e Shqipërisë dhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në Kongres morën pjesë 168 delegatë të zgjedhur nga zonat e lira, nga zonat e pushtuara prej armikut, nga Brigadat Sulmuese dhe batalionet partizane e vullnetare, nga Bashkimi i Rinisë Antifashiste dhe Bashkimi i Gruas Antifashiste etj.

Në zonat e çliruara dhe në formacionet e ushtrisë delegatët qenë zgjedhur në mënyrë demokratike, me votim të hapur, ndërsa në zonat e paçliruara qenë zgjedhur nga këshillat e qarqeve apo nga ato të qyteteve.

Kongresin e çeli me një fjalim të shkurtër Dr. Omer Nishani, kurse raportin “Zhvillimi i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare” e mbajti Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKSH, udhëheqësi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Enver Hoxha.

 

Kongres atdhetar për nga pjesëmarrësit, historik për nga vendimet

Kongresi I Antifashist i Përmetit analizoi dhe miratoi punën e bërë nga ana e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (i përkohshëm) dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH.

Ai miratoi veprimtarinë e përgjithshme të udhëheqjes së Luftës, si dhe udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.

Ndërkohë, Kongresi zgjodhi organet më të larta të organizmit shtetëror: Këshillin e Përgjithshëm Antifashist, si përfaqësuesi i vetëm i sovranitetit të shtetit dhe i popullit shqiptar. Ky Këshill i përbërë prej 121 anëtarësh   përfaqësonte gjithë vendin dhe të gjitha shtresat shoqërore, pjesëmarrëse në luftë.

Këshilli i Përgjithshëm zgjodhi Kryesinë e tij prej 21 anëtarësh me kryetar Dr. Omer Nishanin. Kjo Kryesi do të ushtronte detyrën e saj në periudhat midis seancave të Këshillit. Në përbërje të kësaj Kryesie ishin Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Baba Faja Martaneshi, Hasan Pulo, Koçi Xoxe, Ramadan Çitaku, Sejfulla Malëshova, Dr.Ymer Dishnica, Liri Gega, Islam Radovicka, Nako Spiru, Tuk Jakova, Mustafa Gjinishi, Haxhi Lleshi, Gogo Nushi, Siri Shapllo, Spiro Koleka, Qiriako Harito, Gjergj Kokoshi, Ollga Plumbi, Gaqo Tashko, Koço Tashko e Sami Baholli.

Ndërkohë, u zgjodh edhe  Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie të përkohshme, i kryesuar ky nga Enver Hoxha, në këtë kohë Sekretar i Përgjithshëm i PKSH.

Ky Komitet, që ishte me atributet e një qeverie provizore, përbëhej nga 11 anëtarë: Enver Hoxha – President dhe Myslym Peza – nënpresident. Pastaj vinin me radhë: Haxhi Lleshi, i ngarkuar me Punët e Brendshme, Dr.Omer Nishani i ngarkuar me Punët e Jashtme, Manol Konomi, i ngarkuar me Drejtësinë, Dr. Medar Shtylla, i ngarkuar me Ekonominë, Ramadan Çitaku, i ngarkuar me Financën, Spiro Koleka, i ngarkuar me punët botore, Dr. Ymer Dishnica, i ngarkuar me Shëndetësinë, Sejfulla Malëshova, i ngarkuar me Kulturën e Arsimin dhe Bedri Spahiu, i ngarkuar me Rindërtimin ekonomik.

 

Kongresi miratoi ligje dhe vendime me karakter të mirëfilltë kushtetues

Gjatë atyre katër ditëve që vazhdoi Kongresi I Antifashist, që në histori ka hyrë me togfjalëshin “Kongresi i Përmetit”, u miratuan edhe shumë ligje të tjera shumë të rëndësishme.

Dhe konkretisht:

Të ndërtohej Shqipëria e re demokratike e popullore, sipas vullnetit të lirë të popullit, që shprehej solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL.

T’i ndalohej ish – mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihej asnjë qeveri që mund të formohej brenda, ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit.

Të vazhdohej më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik – popullor në të gjithë vendin.

Ndërkohë, u morën edhe disa vendime të tjera historike: Të rishikoheshin dhe të prisheshin të gjitha marrëveshjet politike dhe ekonomike me të huajt, që binin në kundërshtim me interesat e popullit dhe të kombit shqiptar.

Me vota unanimi u mor vendimi për shndërrimin e Ushtrisë NÇL në ushtri të rregullt, me një udhëheqje të njësuar dhe me një komandë të përgjithshme. Komandant i Përgjithshëm i UNÇSH u caktua Gjeneral- kolonel Enver Hoxha. Ndërkohë, Kongresi dha orientime edhe për krijimin e divizioneve e të korparmatave, si njësi ushtarake të domosdoshme për arritjen e sigurt të çlirimit të atdheut.

Mes shumë vendimeve të tjera me karakter kushtetues, ishte edhe ai që kishte të bënte me vendosjen e gradave në Ushtri, si dhe ai për kalimin e UNÇSH në Mësymje të Përgjithshme për çlirimin e plotë të trojeve shqiptare.

Kongresi vendosi edhe rekrutimin e detyrueshëm të të rinjve shqiptarë në radhët e UNÇSH.

Gjithashtu, Kongresi zgjodhi një Komision për zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të pushtuesve e të bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe për zbulimin dhe vërtetimin e emrave të kriminelëve të luftës.

Sakaq, Kongresi u drejtoi përshëndetje popullit dhe ushtrisë sovjetike,  Marshallit Stalin, Presidentit amerikan Rusvelt dhe Kryeministrit anglez, Uilson Çurçill.

 

*     *     *

Kundër Kongresit I Antifashist, atij të Përmetit, janë lëshuar me tërsëllëmë dhe vazhdojnë të dërdëllisin deri edhe historianë me emër. E kritikojnë, e mallkojnë dhe e injorojnë! Ishte Kongres “komunistësh”, thonë. Ishte Kongres pa kurrfarë rëndësie historike!

Mirëpo e vërteta është krejt ndryshe: Kongresi i Përmetit i dha një grusht  asgjësues monarkisë. Ahmet Zogut, që tradhtoi Shqipërinë në çastin më të vështirë të saj, nuk e la më t’i shkelë këmba në atdhe.

Kongresi i Përmetit ishte kuvend shqiptarësh të vërtetë, që frymëzoi UNÇSH dhe mbarë popullin shqiptar për çlirimin e plotë të Atdheut.

* Nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i kombit”

Postimet e fundit !