KRISMË SHPIRTI
Zogëz e lirë ti vështron
Rri në heshtje e mendon
Zemra ritmin e shpejton
E gjaku në deje vlon
Je si yll në zemrën time
Këndon këngë në monolog
Kur ndizet zjarri me shikime
Me zë bilbili bëjmë dialog
Jashtë vetes gjumi s’më qas
Me afshin e zjarrtë si vërshim lumi
Mendimi i fryrë duke u përplas
Ballë për ballë e s’më zë gjumi
Nata grindet në rrezen e hënës
E ti mike mos u zgjo
Çdo stinë do të pastrohet
Sonte flas shumë mos u frikëso
Sytë e mollëve ndjekin mjegullën
E zemrat shkëlqejnë si lule pa frikë
Në lot e diell kemi një emër
Blerim i zemrës – yti çerpik
Djersët digjen te Kroi i bardhë
Ndjenja nuk zihet në kazan
Edhe bota le të avullohet
Kur zemra troket si llafazan
Me klithme të vdesim në luginën e diellit
Lindim e vdesim me gjëmim
Britma shkon deri në kup të qiellit
Dashuria nuk është mallkim
Nuk do e braktisim rrugën e blertë
Kur shtigjet e përrallës bëhen e vërtetë
Koncerti i natës nuk mbetet i shkretë
Shpirti pa ty nuk është i qetë
Ndër zjarre s’jemi pa dritë
Edhe pa vizë mbetën gjurmë
Këngës së shpresës i japim shpirt
Këndojmë perëndeshë edhe në gjumë
Violina ime do të dëgjohet
Me këngë djerse e dritë ndezur
Agimet pa gjumë i ëndërrojmë
Të shijojmë ndjenjën e mërdhezur
Pëllumb i artë me nxitim
Do vi pas teje në zemër
Krismë për ty bën shpirti im
Flakadan në tëndin emër
E ti vërtet je si det
Me të shpirtit porosi
Të më shkakton prore tërmet
Plagën të ma shërosh ti
Në fund të klithmave sa është ora
Kush do pyet për kohën tonë?
Burgu i Hajvalisë, 05.03. 2022
(në ditën e ditëlindjes sime)