Portreti/intervista

Dervish Çadraku: Përpjekja, angazhimi dhe veprimtaria atdhetare e Rizah Vatajt

Shoqëria “Lëvizja”, në kuadër të 40 – vjetorit të themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, i dha mirënjohje veprimtarit dhe luftëtarit Rizah Vataj: “Me motivacionin e përkushtimit, përpjekjes dhe veprimtarisë jetësore për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara  të Shqipërisë”.

Angazhimi atdhetar i Rizah Vatajt

Rizah Vataj, u lind me 02.11.1952 në Sallagrazhdë të komunës së Therandës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në Mushtisht, kurse të  mesmen në gjimnazin, „Jeta e Re“ në Therandë. Studimet do t’i fillojë në Univerzitetin e Zagrebit, në Fakultetin Filozofik – dega Filozofi. Në Zagreb ai, përveq përkushtimit në studime për ngritjen e tij intelektuale dhe profesionale, do të merret edhe me punët e atdheut, sepse si shumë të rinj edhe atë e mundonte robëria dhe varfëria ekstreme e Kosovës, sidomos kur e krahasonte me vendndodhjen e tij atje edhe me pjesët e tjera të Jugosllavisë së atyre viteve.

Në Zagreb Rizahi takoi shumë shokë, të cilët kishin vizionin dhe përkushtimin e njëjtë për lirinë e Kosovës dhe të ardhmes së saj. Klubi kulturor “Shkëndija” do të jetë pikëtakimi i tij i shpeshtë me atdhetarët si Fehmi Lladrovci, Ramush Tahiri, Isuf Buzhala, Xhelal Canziba, Rexhep Zhuri,  Hazer Tara, Enver Bilalli etj., të cilët po studionin në Universitetin e Zagebit. Ata shpesh në bisedat e tyre po shpërfaqnin ëndrrat e tyre për të ardhmen e Kosovës, të ndritur dhe të bashkuar me shtetin amë, Shqipërinë. Por, për të realizuar këtë ëndërr ishin të vetëdijshëm se duhej shumë mund e sakrificë, madje edhe luftë, për ç’gjë ata edhe ishin të gatshem.

Ata e themelojnë atje edhe revistën “Vatra”, ku Riza do të zgjidhet redaktor i kësaj reviste. Mirëpo, në fillim të vitit 1977 Rizah Vatës i shfaqen probleme në njërën nga veshkët dhe sëmuret rëndë. Detyrohet t’i nënshtrohet një operacioni dhe do të qëndrojë mbi një muaj e gjysmë në spitalin e Zagrebit për shërim.

Pas një vizite në Shqipëri, në vitin 1979 me studentët shqiptarë në Zagreb, ku do të impresionohet dhe do të frymëzohet shumë, Riza do të vazhdojë aktivitetin e tij patriotik edhe në Gjermani e Zvicër. Në Gjermani takohet me bashkëvendasin e tij, atdhetarin e palodhur Hysen Gegën, me të cilin koordinuan veprime dhe aktivitete të caktuara atdhetare, ku qëllimi kryesor ishte zgjerimi i rrjetit të bashkëmendimtarëve dhe dhënia e detyrave për aktivitete atdhetare. Edhe pse po punonin me shumë kujdes për t’i ikur vëzhgimit të bashkëpunëtorëve të UDB-së, të cilët ishin të shumtë edhe në mërgatë, do të hetohen dhe me 29 dhjetor të vitit 1980, pasi kthehen nga Gjermania, milicia serbo-jugosllave e  rrethojnë shtëpinë e Rizës dhe të Hysen Gegës. Do të burgosen në burgun e Prizrenit  dhe nga Gjykata e Prizrenit, dënohen “për veprimtari armiqësore”: Riza me 4 vite  burg të rëndë kurse Hyseni me 8 vite.

Familja Vataj, si familje atdhetare që ishte, tani edhe më shumë po vëzhgohej dhe po përcjellej çdo lëvizje e tyre  nga spiunët. Prandaj UDB-së nuk i kishte shpëtuar as aktiviteti atdhetar i një djali të ri, trim e ambicioz i kësaj familjeje, Fadilit, i cili më vonë do të luaj një rol shumë të rëndësishëm në lëvizjen për çlirim, në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ai, gjatë shërbimit ushtarak, me 2 maj 1981 do të burgoset, pas demostratave në Kosovë të mars-prillit të këtij viti, së bashku me vendasin dhe shokun e tij Murat Bytyçin. Gjykata Ushtarake e Beogradit Fadilin e denoi me 6 vite burg të rëndë për veprimtari atdhetare.

Burgosja dhe denimi i Fadilit do t’ia rëndojë edhe më shumë jetën në qeli Rizahit edhe pse ai kurrë nuk u dha para të tjerëve. Edhe familja, përkundër dhembjes që kishin për djemt e tyre të burgosur e të torturuar nga makineria vrastare serbo-jugosllave, por edhe me probleme ekonomike, qëndruan stoik, kryelartë dhe të paepur. Këtë mund ta dëshmojë edhe me atë se në këto situata kaq të vështira dhe të rrezikshme për këtë familje, unë kam gjetur strehim si ilegal i plagosur, për t’i ikur arrestimit të UDB-së të cilët më ndiqnin për pjesëmarrje në demostratat e mars-prillit të vitit ‘81.

Pas shumë vuajtjeve në Burgun Qendror të Beogradit dhe të Pozharevcit Rizahi do të dalë nga burgu me shumë probleme shëndetetësore. Megjithatë, këto peripeci Rizën nuk e ndalën, as e larguan nga përcaktimi i tij atdhetar: nga lufta për lirinë e trojeve shqiptare nën Jugosllavinë e diktatorit Tito.

Pas rehabilitimit shëndetësor, në vitin 1987, ai me bashkëveprimtarin Ruzhdi Saramata, nga Dobrushta (Mirëza) e Prizrenit, në Nashec do të mbajnë mbledhjen themeluese të “Komitetit të Bashkimit të Trojeve Shqiptare” me qendër në Prizren. Ky komitet… siç rrëfen Rizahi kishte anëtarë edhe nga Krojmiri, si Elez Durmishi, Sanije Geci, Bashkim Hoxha etj. Ky gup përfaqësues të tyre në mbledhjen themeluese e kishin autorizuar Adem Jasharin. Për të kryer punë të ndryshme si armatosje, biseda, marrje dhe dhënie të detyrave, Riza, Ruzhdiu dhe të tjerë disa herë e kishin kaluar kufirin për në Republikën e Shqipërisë. Ata ishin takuar dhe bashkëpunonin me veprimtarë të ndryshëm të Lëvizjes dhe me përsonalitete të politikës shqiptare.

Me themelimin e  partisë UNIKOMB-i, Rizah Vataj dhe Ruzhdi Saramati, si pjesë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, do të inkorporohen në këtë organizim me Komitetin që e kishin themeluar më herët, nga i cili do të operojë njësiti gueril “Shqipet e Lirisë”. Poashtu në Tiranë, si bërthamë politiko-ushtarake u themelua edhe Shtabi operativ UNIKOMB-i përfaqësues politik i të cilit ishte profesori, Halil Alidema. Hartues i platformës politiko-ushtarake të kësaj partie ishte  Mr. Ukshin.

Me angazhimin në këtë parti ishin shtuar edhe aktivitetet, prandaj edhe nevoja për të komunikuar me shtabin operativ në Tiranë, ata i obligonte të kalonin kufirin edhe më shpesh. Madje, siç rrëfen Rizahi, në një rast kur është rrezikuar që të burgoset kryetari i UNIKOMB-it, Halil Alidema, së bashku me Ruzhdiun, duke e kaluar kufirin, e kanë transferuar në Shqiperi. Atje, me Alidemën, kanë vënë kontakt me Ramiz Alinë dhe me kërkesën e Alidemës, në vitin 1992 është hapur në Zall-Herr kampi për ushtrime ushtarake për vullnetarët nga Kosova e Shqipërisë.

Poashtu, në vitin 1993, për t’i ikur burgosjes, Azem Syla detyrohet të lëshojë Kosovën ilegalisht për në Shqipërinë andej Drinit me ndihmen e Rizah Vatës dhe të Ruzhdi Saramatit.

Aktiviteti atdhetar i Rizah Vatajt përkundër problemeve të shumta që kishte me shëndetin, ishte i  pandalshem, duke kontribuar për lirinë e Kosovës, ku ishte nevoja dhe sa herë kërkohej prej tij, deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare, në të cilën ai u angazhua në mënyrë aktive, duke marrur përgjegjësitë që i takonin, së bashku me familjen e tij.

17.04.2022