Arkiv / Ripublikim

Ismail Gashi: Dita kur NATO nisi bombardimin e forcave pushtuese serbe

    NATO filloi veprimet ushtarake në Kosove
 
 Kur Bota mendoi, foli e veproi shqip

                                                                 DITË QË NRYSHUAN SHEKUJT

Më 23 mars 1999 / e martë / ,- Ngjarjet e mëdha që po zhvillohen këto ditë. Si edhe sot, është pamundur të skicohen në një shënim dite, siç është ky ditar i vockël, i cili nuk ka zënë as një të mijtën e atyre që kanë ndodhur, kur këto ditë, si edhe ditën e sotme, ka hapësirë fortë më vogël. Sot Hollbruk u kthye nga Beogradi, pa sukses të arritur për të ndërruar qëndrimin e Miloshit. Hollbruk shkoi në Bruksel, në seli të NATOS-së nga pritet të ndërmerren veprimet ushtarake, tash brenda orëve, e jo ditëve. Analog me këtë, qeveria serbe, sonte shpall gjendje lufte, e cila hyjnë në fuqi menjëherë. Me këso veprime, jo normale, mund të ngjajnë veprime të skajshme më të pakuptimta se edhe deri tash. Kishte sot arrestime, marrje e kufizime lëvizjesh, gjëja konform me situatën. Rusi Primakov, ndërpreu vizitën e lypsarit në SHBA, ku kishte qëllim paratë. Kuvendi serb refuzoi ardhjen e NATO-së në Jugosllavi. Gjendja në Shqipëri  është në gatishmëri lufte, ushtarët janë në kufi. Klinton, Shrëder, Anan e shumë burra të elitës politike botërore, sot ishin të angazhuar rreth çështjes së Kosovës. Këto ditë bota mendon, flet dhe vepron shqip. Më pak angazhim për situatën treguan liderët politik shqiptarë në Kosovë, Hiq Qosjen, nuk degjohen nga populli fare. Sidoqoftë, në Kosovë është luftë, vijnë trupa serbe pareshtur, është mbuluar çdo hapësirë e Kosovës, si edhe ajo e Lypjanit, me ushtarë e armatim serbe. Ka shumë konfrontime luftarake, ka shumë të vrarë, 11 në Skenderaj, 7 në Suharekë, 3 në Prishtinë e nuk dihet për të vrarë në luftime në Zonën e Llapit, Shalës e trevat e Vushtrrisë, ku dihet për dy fëmijë të vrarë. Zona e Drenicë djegie fshatrash, si  Likoci, Prekazi, Klina e Epërme e Ultë, Llausha e shumë të tjera që po digjen për të tretën e të katërtën  herë. Luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në Zonën e Pashtrikur, Grykë të Llaposhnikut, Shtime e Zonën e Nerodimes, Petrovë, Reçak e Mollopolc, UÇK-ja ka treguar qëndrueshmëri dhe kudo ka arritur të zmbraps forcat serbe, duke ju shkaktuar dëme të konsiderueshme në njerëz e armatim. Gjendje e rendë është edhe në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe qendrat qytetare në Dukagjin, Prizren, Gjakovë e Pejë. Asnjë trevë kosovare, nuk ka jetë të qetë. Kudo është kërcënim e rrezikim dhe vepron dhuna e barbarisë serbe. Popullata shqiptare po largohet, sot Maqedonia ka mbyllur kufirin për kalimin e shqiptarëve, ka dhjetëra mija shqiptarë nën qiellin e hapur të kësaj pranvere të dimëruar e të acartë, pa ushqim veshmbathje e strehim e përkujdesje mjekësore. Edhe në Lypjan sot në Zyrën tone qëndruam duke përcjellur ngjarjet që po ndodhin në ne e rreth nesh. Nuk kishim asnjë informacion nga politika, çka të veprohet, si të veprohet. Të ngelim në shtëpitë e trojet tona. Të rezistojmë ndaj dhunës, të pranojmë atë si të pa rezistencë, apo të dalim në rezistencë ku thërret UÇK-ja e cila është e vetmaj nga subjektet mbrojtese që qendron në mbrojtje të popullit. Të gjitha opsionet nga veprimi politikë ishin të pakonsoliduara, të mjegullta, të padefinuara e të pa kuptimta për pjekurinë tonë politike që trumbetoi dhjetë vjet “durim”. Ky pozicion nuk zbuste situatën e rendë, “furtunën para stuhisë”. Pritet luftë, që do të jep udhë definimit të çështjes sonë kombëtare në Kosovë.

NATO PER KOSOVEN DHE SHQIPTARET

Më 24 mars 1999 / e mërkurë /,- Datë kjo, që ndryshon kahen e ngjarjeve, ndoshta ndryshon edhe fatin historik të kësaj hapësire shqiptare e cila duhet të shpëtojë nga fanitja. Datë që ndryshon shekujt, ndryshon jetën, largon robërinë, dhunën dhe barbarinë serbe nga trojet dhe kurrizi i shqiptarëve të ndjekur në këtë tokë të djegur. Kjo do të jetë dita e fillimit të pavarësisë së Kosovës, shtet i pavarur e demokratik. Kjo ditë do të korigjojë lëshimet e padrejtrësitë e kaluara ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Do të korigjojë Shen Stefanin e Berlinin si dhe Londrën e 1912 dhe Parisin e Vërsajin. Kjo datë do te ndal fatkeqesinë shqipëtare të Lindjes ortodokse sllave dhe ate të Lindjes osmane islame. Sot, nese Miloshi nuk pranon kushtet e Holbrulut, Sollana, Sekretari i NATO-s, do të urdherojë sulmet kundër Sëbisë.Ky do të jetë intervenimi i veçantë i NATO-s për shpetimin e fatkeqësisë njerëzore,  Sot tërë dita ishte në ankth e frikë nga eksponomi i dhunës serbe mbi shqiptarët. Askush nuk qarkullonte pa ndonjë arsye të madhe. Rrugët ishin thuaja të palëvizshme. Popullata shqiptare largohej nga Lypjani dhe kërkonte strehim të ngutshëm diku në fshatrat e afërta si Banullë, Gllogoc apo edhe në lagjet periferike të qytetit që ishte me shumicë shqiptare. Sot, siç u informuam dhe njoftuam QIK-un, aty kah ora 15-të në rrugën Prishtinë-Lypjan u vra Ismet Asllani, komandant i Logjistikës në Zonën e Llapit, përkrahës i UÇK-së e bisnismen nga Hallaqi i Vogël. Ismeti, mu pse ishte veprimtarë i UÇK-së me inskenim u vra nga forcat serbe.

            Derisa gjatë ditës, kishte shqetësime të popullatës kudo në Kosovë, ishin të theksuara edhe sulmet e forcave serbe në shumë mjedise të Kosovës. Dalloheshin Zona e Shalës, Vushtrrisë, Zona e Dukagjinit dhe brezi kufitar. Ndërsa kufiri Kosovë-Maqedoni ende qëndron i mbyllur nga pushtuesi serbë. Gjatë ditës isha në Zyrë me z. Xhervat Ollurin, Fehmi Ibrahimin dhe Aziz Hysenin, pritej mbrëmja dhe fillimi i bombardimeve nga forcat e NATO-së. Shqetësime kishte si ndër shqiptarët e frikësuar nga dhuna serbe që i kërcënonte, ashtu frikësohej edhe popullata serbe nga sulmet e NATO-së dhe improvizonte rrezikim të popullatës civile, duke akuzuar kështu veprimin e NATO-së, për veprim mbi popullatën civile serbe. Shqiptarët realisht ishin të rrezikuar nga dhuna policore e ushtarake serbe e përqendruar para 3-4 ditësh nëpër shumë mjedise e pika të vendbanimeve shqiptare. Kurse veprimet e UÇK-së ishin shpresa e vetme e mbrojtjes së shqiptarëve në tokë, meqë sulmet e NATO-së parashihen vetëm nga ajri. Pika vendosjeje të forcave serbe ishin edhe në mjedise të Lypjanit. Në mbrëmje u ktheva në banesë i vetmuar në një qytet thuaja tërësisht i boshatisur nga shqiptarët. U muarrëm vesh me Abdyrrahman Konjufcën të jemi bash gjatë natës dhe ashtu vepruam, ishim në banesën e Manit. Miloshi kishte afatin e fundit deri në orën 20-të, të deklarojë për nënshkrimin ose jo nënshkrimin e marrëveshjes, ai para orës 20-të në ekran u deklarua kundër nënshkrimit të marrëveshjes, u kuptua se do të fillojnë sulmet e NATO-së. 10 minuta para orës 20-të u ndal rryma, filluan sulmet e NATO-së, shkrepi flaka, themeli i pavarësisë së Kosovës ne Aeroportin e Kosovës në Sllatinë të Lypjanit, qyteti u boshatisë për pak minuta, serbët ishin vendosur në disa kafene, policia ishte larguar nga stacioni policor dhe ishte vendosur në disa shtëpi private në lagje shqiptare, për ti ikur sulmit, e njëherit, nëse vazhdon bombardimin NATO, të rrezikon vet shqiptarët. Ishin strehuar madje edhe vet ushtarët dhe policët serb që gjatë mbrëmjes ushtria serbe pat vendosur artileri dhe antiajror edhe nëpër hyrje të pallateve të banimit. Që nga ora 20-të ndihej erë kërcënimi për shqiptarët nga dhuna serbe, dhunë e cila eksponohej me gjuajtje dhe kallje të lokaleve shqiptare me thirrje për vrasje dhe strukje nga frika e sulmeve të NATO-së. Ky fillim ishte, jo vetëm kërcnim për vdekje, por edhe shpresë për shpëtim. U dëgjuan detonime të shumta, shihej flake në Sllatinë, Ajvali e shumë mjedise tjera të Kosovës dhe Serbisë, kështu lajmëronin radiostacionet që mund të dëgjoheshin. U dhanë informatë se asaj nate janë sulmuar 40 objekte e sisteme të ushtrisë serbe. Dita gëdhiu me shqetësime e zbrazje të hapësirës e largime masive të popullatës shqiptare. Natën e kaluam të zgjuar, të ngazëllyer e ndjenjë lirie-çlirimi, dhe të frikësuar, paralelisht. Pata kontakte telefoni me disa veprimtarë nga terreni dhe familjen time. Tentova të dëgjohem edhe me QIK-në por nuk pata sukses. Gjatë natës te Mani erdhën edhe pjesa e mbetur e familjes së Nazmi Matoshit, Nëna, gruaja dhe një djalë i tij, si dhe Sanija, bashkëshortja e Ibishit të ndjer, me nusen e djalit me fëmijtë e saj. Kaluam disa orë bashkë të Mani, Pastaj ato familje shkuan në banesën e Matoshve, ne dy ngelëm në banesë të Manit tërë natën, deri në orën 7-të të mëngjesit, kur unë shkova në banesën time e Mani ngeli në të vetën, me qëllim që pastaj të shkon në Prishtinë.