Histori

Organizata Dëshmorëve: Ngjarjet e rëndësishme historike dhe vlerësimi atdhetar për edukimin e brezave

NGJAJRET E RËNDËSISHME HISTORIKE DHE VLERËSIMI ATDHETAR
PËR EDUKIMIN E BREZAVE
Shqipëria e pas luftës, ishte e shkatërruar pothuajse krejtësisht. Rindërtimi dhe ringritja e institucioneve, ishte themeli i punës për vazhdimësinë. Kështu, më 11 janar 1946, Asambleja Kushtetuese, shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, duke e shkëputur përfundimisht nga ngurtësimi i drejtimit monarkik, ndërkohë që, vendoste në vend një nga vendimet bazë të Kongresit të Lushnjës 1920, për vazhdimësinë e parlamentarizmit të republikës.
Rëndësia dhe detaje të shumta dimë dhe kemi dokumente për shpalljen e Shqipërisë Republikë parlamentare, por, në këtë ngjarje, ka qenë pjesë edhe një nga figurat emblematike të Elbasanit, dr. Petraq Popa.
Cili ishte deputeti Petraq Popa, që në emër të Asamblesë Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, hapi seancën më 11 Janar 1946 për shpalljen e Shqipërisë Republikë Popullore?!
Doktor Petraq ka lindur në Elbasan në lagjen Kala në vitin 1878, në një familje me tradita të hershme atdhetare.
Arsimin fillor e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme e kreu në Selanik. Të lartën e kreu në Universitetin e Stambollit, në Fakultetin e Mjekësisë. U diplomua mjek në 1906. Deri në vitin 1919 punoi si mjek patolog në vende të ndryshme të Turqisë. U kthye në Shqipëri më 1920, ku punoi si mjek gjatë gjithë jetës. Në Shqipëri njihej me emrin: “Doktori i vegjëlisë” Me t’u kthyer në atdhe, organizoi e drejtoi ekipin e parë sanitar shqiptar, në ndihmë të luftëtarëve në Luftën e Vlorës që nga 11 qershori deri me 2 gusht 1920, kohë që shënon dhe mbarimin e Luftës së Vlorës. Ekipi sanitar ishte me qendër në Llakatund dhe përbëhej: 1. Dr. Petraq Popa, (kryetar) 2. Mir Popa (i vëllai). 3. Mir Caku 4. Zekie Krasta infermiere. 5. Qazim Kumona 6. Ymer Lala (Bishashi) 7. Myrteza Krasta, 19 vjeç, i biri Zekies. 8. Xhaferr Gica.
Më 27 shtator 1944 në konferencën e organizuar në Gjinar të Shpatit Elbasan, Dr. Petraq Popa zgjidhet anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar për qarkun e Elbasanit, me Kryetar Hafez Musa Bashën, dhe sekretar Sulë Spahiun….
Pushtimin e vendit, e gjithë familja Popa e priti me urrejtje, dhe kjo familje është njëra nga ato, që nuk ka kursyer asgjë në shërbim të ardhjes së lirisë.
Shtëpia e tyre u kthye në një bazë të rëndësishme e LANÇ Dr. Petraqi, në zgjedhjet e 12 majit 1943, zgjidhet anëtar i Këshillit të parë krahinor Nacionalçlirimtar për Elbasanin, me kryetar Dr. Xhaferr Kongolin dhe sekretar Dhimitër Shuteriqin.
Më 17 korrik 1943 në shtëpinë e Dr. Petraqit formohet Organizata e Rinisë Antifashiste për Elbasanin me sekretar organizativ Bardhul Popën, djalin e madh të Dr. Petraqit, sot Dëshmor i LANÇ, vrarë më 19 dhjetor 1943 në Zdrajsh të Çermenikës, në një llogore me Shejnaze Jukën e Fehmi Kotheren.
Në konferencën e Rinisë antifashiste më 19 shtatorit 1943 të mbajtur në Funar ndërmjet mbi 500 të rinjve nga i gjithë qarku i Elbasanit marrin pjesë dhe dy vëllezërit Bardhuli dhe Agim Popa. Më pas me formimin e Brigadës XXIV Agimi radhitet partizan në këtë Brigadë.
Dr. Petraqi në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944, zgjidhet anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar nga Elbasani, bashkë me Baba Faja Martaneshin, Frederik Nosin, Ramadan Çitakun, Sami Bahollin, Isuf Deliun, Esat Dishnicën, Kol Paparistën, Ali Shtëpanin dhe Mahmud Bedallin.
Dy vajzat e Dr. Petraqit, Margarita dhe Juljeta ishin veprimtare aktive të Organizatës së Gruas Antifashiste Nacionalçlirimtare Margarita ishte edhe delegate e Kongresit të I të gruas në Berat. Me 27 shtator 1944 në Gjinarin e Shpatit organizohet mbledhja për zgjedhjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar për Qarkun e Elbasanit. Dr. Petraqi zgjidhet sërish anëtar i këtij Këshilli…
Mbas çlirimit Asambleja Kushtetuese e zgjedhjeve më 2 dhjetor 1945, e zgjedh anëtar dhe pas miratimit të Statutit të RPSH Asambleja kthehet në Kuvend Popullor. Zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor, dhe në zgjedhjet e 28 majit 1950- 1954. Mbas çlirimit punon mjek në Elbasan e Tiranë. Ndahet nga jeta në vitin 1957.
76 vite pas Shpalljes së Shqipërisë, Republikë, figura të tilla janë krenari kombëtare, të cilat historia duhet t’i vendosë në vendin e duhur, si vlera shembull, për edukimin atdhetar të brezave.