Portreti/intervista

Neritan Ceka: Në nder të studiuesit të pashoq Zef Mirdita

NË NDER TË STUDIUESIT TË PASHOQ, ZEF MIRDITA.

SINE IRA ET STUDIO – PA IDHNATË DHE PRAPAMENDIM.

“EXEGI MONUMENTUM AERE PERENNIUS” (NGRITA NJË MONUMENT MË TË FORTË SE PREJ BRONZI) DUHET TË KISHTE SHKRUAR ZEF MIRDITA PËR VEPRËN E TIJ TË VËNË NË THEMELET E TË GJITHA STUDIMEVE AKTUALE DHE TË ARDHSHME DARDANE.

Sine ira et studio – Pa idh natë dhe prapamendim – e cilësonte një diskutim mbi Dardaninë me kolegun italian, Vittorio Pisani, në Kuvendin e Studimeve ilire në shtator të vitit 1972 në Tiranë, studiuesi ende i panjohur kosovar Zef Mirdita, duke iu kundërvënë me argumente, por edhe me mirësjellje në çështjen e identifikimit të qytetit dardan të Damastionit. Kjo ishte edhe motoja që do të ndiqte të gjithë karrierën e tij shkencore të sapofilluar pas një përgatitje solide universitare në Zagreb, ku vetëm dy muaj më vonë, më 3 nëntor 1972 do të mbronte tezën e doktoraturës “Dardanët dhe Dardania në Antikitet”.

Ditët e Kuvendit të Studimeve Ilire të mbajtur në Tiranë nga 15-20 shtator 1972 kanë shënuar takimin më të rëndësishëm ndërmjet studiuesve shqiptarë personaliteteve dhe shkollave europiane që merreshin me studimet ilire me Aleks Budën, Eqrem Çabejn, Hasan Cekën, Selim Islamin, Skënder Anamalin, apo Frano Prendin nga Tiranë, Nicolas Hammond nga Londra, Peter Franke nga Saarbrucken, Carlo de Simone nga Tubingen, Wlodzimierz Pajakowski nga Poznani, Vittorio Pisani nga Milano, Mate Suiç dhe Radoslav Katièiç nga Zagrebi, Alojz Benac nga Sarajevo, Milutin Garašanin nga Beogradi, Radu Vulpe, Emile Condurachi nga Bukureshti, Vladimir Georgiev nga Sofia etj. Ato ishin edhe ditët e prezantimit të shkolle së re kosovare të studimeve ilire, që u prezantua me Zef Mirditën si historian, Idriz Ajetin e Rexhep Ismajlin si gjuhëtarë, Edi Shukriun dhe Exhlale Dobrunën si arkeologe.

Zefi do të paraqiste vetëm dy fragmente të punës së tij doktorale, por që paralajmëronin hyrjen në skenën e ilirologjisë të një historiani serioz dhe bashkëkohor. I pari kishte të bënte me problemin e të ashtuquajturit “romanizim i dardanëve”, i formuluar që nga shkolla historiografike sllave me K. Jirièek e J. Radoniç në “Istorija serba” (Beograd, 1952). Në dukje thjesht epigrafike, e fokusuar tek emrat personalë të mbishkrimeve latine të territoreve dardane në shek. I-II m. Kr., teoria e romanizimit të plotë të dardanëve e formuluar nga shkolla e Beogradit, kishte një prapathënie politike, sepse synonte të mohonte çdo lidhje midis dardanëve të antikitetit dhe arbërve të mesjetës, për të mbështetur tezën se territoret dardane, pra kryesisht Kosova e sotme, u populluan ex novo nga sllavët, ndërsa shqiptarët janë aty ardhës të Mesjetës së vonë. Duke u mbështetur te të dhënat arkeologjike, Zef Mirdita paraqiti një dikotomi të gjendjes së vendbanimeve të periudhës romake në provincën dardane, ku qyteteve koloniale të Naissus, Ulpiana dhe Scupi, i përgjigjeshin një numër i konsiderueshëm vendbanimesh të tipit castella e oppida, të trashëguara nga periudha e Mbretërisë Dardane apo civitates të zhvilluara mbi bazën e autonomisë lokale.

Dy fakte të rëndësishme janë vënë në dukje nga Zef Mirdita në analizën e të dhënave epigrafike. Së pari, periudha relativisht e shkurtër e përdorimit të latinishtes, sepse mbishkrimet latine shfaqen në trevat dardane vetëm gjatë shek. II-III m. Kr. dhe mungojnë në shekujt pasardhës të sundimit romak e bizantin. Nga ana tjetër, përdorimi i dendur i emrave perandorakë Claudius, Aelius apo Ulpius ishte tipik për klasat e ulëta qytetare, që adoptoheshin pranë familjeve të mëdha latine. Së dyti, Zef Mirdita konstatonte që ndërsa në mbishkrimet e qyteteve koloniale Naissus, Ulpiana dhe Scupis, kishte një zotërim të onomastikës tipike latine, në mbishkrimet e qendrave rajonale, pra civitates, zotëronin emrat epikorikë, pra, dardanë. Në këtë paraqitje ai u mbështet edhe në analizën paralele që i ishte bërë problemit të romanizimit të trevave dalmate ilire nga studiuesit e njohur kroatë D. Rendiç-Mioèeviç dhe M. Suiç, që kishin provuar mbi bazën e studimeve onomastike dhe arkeologjike një qëndresë të qartë të elementit etnik ilir. Si rrjedhim Zef Mirdita nxirrte përfundimin se fenomeni i romanizimit në Dardani ka qenë sipërfaqësor në përmbajtje dhe i kufizuar në kohë, duke mos penguar zhvillimin normal të proceseve etnike nga ilirët e Antikitetit tek arbrit e Mesjetës së hershme.

Parashtrimi i shkurtër i tezave të mësipërme në një kongres ndërkombëtar ishte në fakt esenca e një studimi prej 307 faqesh, që do të botohej më 1981 në Prishtinë me titull “Antroponimia e Dardanisë në kohën romake” dhe që ishte frut i specializimeve të kryera në këtë fushë në vitet 1976-77 në Heidelberg dhe 1991-92 në Mynih. Metodologjia gjermanike pasqyrohet në një ndarje të katër rajoneve onomastikë të Dardanisë antike dhe kryesisht në dallimin e një fondi të veçantë të emrave dardanë në kuadrin e përgjithshëm të onomastikës ilire. Në të parin ai ka identifikuar emrat Ata, Desumena, Dida, Meskena, Sadragita etj. për femra dhe Delus, Getas, Hares, Ligrid , Trir, Turan, etj për meshkuj, krahas një fondi të përbashkët të emrave si Ama, Anna, Andia, Tata, Vaconia, etj për femra, apo Andin, Daizo, Epicadus, Genthianus, Sceruladeus, Rhedon etj. për meshkujt. Edhe në këtë rast, Zef Mirdita u tregua i kujdesshëm që të zhvleftësonte me argumente shkencore tezën e historianes serioze Fanula Papazoglu, që ishte përpjekur që t’i inkuadronte emrat specifikë dardanë në fondin trak të onomastikës, për të parashtruar tezën e trakizimit të Dardanisë në periudhën bizantine. Në një mënyrë tjetër, ajo tezë ishte kompatibël me atë të romanizimit të dardanëve, sepse mohonte në fakt lidhjen e drejtpërdrejtë historike dhe etnike midis dardanëve ilirë dhe arbërve të Mesjetës. Për këtë arsye, i mbështetur në një material të mirëfilltë autentik, siç janë emrat e personave, Zef Mirdita përforcoi edhe më tej tezën e tij të qëndrueshmërisë së popullsisë ilire dardane përkundrejt procesit globalist të romanizimit, apo infiltrimeve etnike trake e kelte nga rajonet kufitare.

Problemi i vazhdimësisë ilire-shqiptare në trevat kosovare ka përbërë edhe një nga fokusimet kryesore të temës tjetër të madhe të hulumtuar nga Zef Mirdita në monografinë monumentale “Krishtenizmi ndër shqiptarë”, botuar më 1998. Interesi për proceset e kristianizimit, që në dukje lidhej me formimin arsimor dhe intelektual katolik të tij, ka në thelbin shkencor rolin primar që luajti ai proces në zhvillimet etnike gjatë periudhave të sundimit romak e bizantin në Dardani. Duke e vendosur Ilirinë në përgjithësi dhe Dardaninë në veçanti në trevat e kristianizimit apostolik të shek. I-II m. Kr., Zef Mirdita ka theksuar faktin se ky religjion nuk u soll nga pushtuesit romake, siç pretendohej në literaturën historike jugosllave, por u përqafua nga dardanët si një ideologji kontestuese ndaj dhunës së pushtetit shtetëror. Si argument ai sjell traditën e Florit dhe Laurit, gurgdhendësve të Ulpianës në fillim të shek. II m. Kr., të martirizuar me varrosjen për së gjalli në një pus të qytetit nga sundimtari romak. Në trajtimin e kësaj historie, krishterimi Zef Mirdita është kthyer në rrolin e historianit kosovar, duke provuar se shenjtorët e parë dhe përhapësit e krishterimit në Dardaninë antike kishin qenë vetë dardanët dhe aspak besët trakë, siç i pretendonte historian i gjerman Gottfried Schramm në librin “Fillimet e krishterimit shqiptar”, Freiburg 1994). Mbi këtë bazë historike Zef Mirdita ishte i pari që tërhoqi vëmendjen mbi materialet arkeologjike të Mesjetës së Hershme të gjetura në nekropolin e Matiçanit pranë Prishtinës, duke i renditur ato në kuadrin e kulturës së hershme arbërore të njohur si Kultura e Komanit.

Përballimi i të dhënave historike me realitetin arkeologjik ka qenë një metodologji e përdorur nga Zef Mirdita edhe për të shpjeguar bazën sociale dhe kulturore të Mbretërisë Dardane. Së pari, ai argumentoi se mbretërit dardanë Longari, Bato, apo Monuni kishin qenë me të vërtetë mbretër dhe jo princër, duke iu kundërvënë mendimit të historianes autoritare jugosllave Fanula Papazoglou. Si fakte, ai solli rrolin e veçantë që luajti Mbretëria Dardane në shkatërrimin e ushtrisë së fuqishme kelte të vitit 279 p. Kr., që kishte fituar mbi ushtrinë maqedonase të mbretit Ptoleme Kerauni, si dhe në konfliktin maqedon-romak të fundit të shek. III p. Kr., apo në aleancën dardane-ilire të sanksionuar me martesën e mbretit Gent me Etlevën, vajzën e mbretit dardan Monun. Patën qenë në këtë kuadër, që u zhvilluan edhe hulumtimet e Zef Mirditës në identifikimin e qendrave qytetare pararomake dardane, i bindur se ato përbënin bazën sociale e politike, mbi të cilën u ngrit vetë Mbretëria Dardane. Qyteti misterioz Damastion, i provuar deri më tani vetëm nga emri i tij që shfaqet në monedhat prej argjendi që priteshin aty në shek.. IVIII p. Kr. dhe nga një lajm i shkurtër i Strabonit, ka qenë kryesori në përpjekjet identifikuese të Zef Mirditës. Në mungesë të të dhënave të sakta të gjeografisë historike ai përdori një metodologji thellësisht shkencore, duke e kërkuar Damastionin pikërisht atje ku ishin gjetur monedhat e atij qyteti, në trekëndëshin midis Novo Bërdës, Janjevës dhe Kishnicës. U takon tani arkeologëve kosovarë, që kanë marrë plotësisht në dorë kërkimet arkeologjike në atdheun e tyre, të vërtetojnë përmes gërmimeve arkeologjike hipotezën shkencore të Zef Mirditës.

Në përgatitjen e tij profesionale dhe në profilin e tij si studiues Zef Mirdita ishte historian dhe mund të konsiderohet padyshim si babai i historisë së antikitetit dardan. Por në këtë rrugë pasionante të studimit ai ishte njëkohësisht edhe arkeolog, atëherë kur trajtonte me kompetencë të plotë epigrafinë dardane apo historinë e religjionit. Do të përmend këtu monografinë prej 250 faqesh “Religjioni dhe kultet e dardanëve dhe Dardanisë në Antikë (Religion und Kulte der Dardaner und Dardaniens in der Antike, Zagreb, 2001), që është nga ato libra që shkruhen vetëm një herë në shekull, duke shterruar të gjithë informacionin bashkëkohor mbi temën në një vështrim integrues të epigrafistit latin, historianit të antikitetit dhe epigonit të shkollave klasiciste europiane. Është ky vizion poliedrik që ka prodhuar edhe dy monografitë unike mbi vllehët, “Vlasi u historiografiji”, 2004 dhe “Vlasi – starobalkanski narod”, 2009 (“Vllehët në historiografi”; “Vllehët-popullsi e lashtë ballkanike”), popullsinë e latinizuar dake, e cila u shpërnda në fund të Mesjetës së hershme në një hark gjigand të Ballkanit , duke ruajtur identitetin gjuhësor e kulturor deri në ditët e sotme në Greqi, Bullgari, Maqedoninë e Veriut , Shqipëri, apo Serbi. Ndonëse duket si një shkëputje nga tema e interesit të tij qendror për Dardaninë, besoj se Zef Mirdita e ka konsideruar ndjekjen e fatit të arumunëve si një paralele e atij të dardanëve, edhe për faktin se historiografia nacionaliste greke ka synuar vazhdimisht që të mohojë një lidhje të arumunëve me bërthamën e tyre kombëtare rumune. Ashtu si dhe në angazhimin studimor të tij në tema që dukeshin periferike ndaj fokusimit kryesor, Zef Mirdita jo vetëm pasqyronte interesat e tij të gjera intelektuale, por kërkonte edhe lartësi të reja për të kundruar më mirë e më qartë dardanët e tij të dashur. Do të ishin pikërisht ata që do të përbënin edhe testamentin e tij shpirtëror e shkencor në librin “Dardanci i Dardanija u antici” (Dardanët dhe Dardania në Antikitet), i botuar në Zagreb më 2015 dhe i promovuar pak kohë para shkuarjes së tij në amshim.

“Exegi monumentum aere perennius” (Ngrita një monument më të fortë se prej bronzi) duhet të kishte shkruar Zef Mirdita për veprën e tij të vënë në themelet e të gjitha studimeve aktuale dhe të ardhshme dardane. Me modestinë e një punëtori të palodhur të shkencës ai adoptoi dy thënie që përcaktonin gjithë metodologjinë e tij shkencore: “Sine ira et studio”- pa zemërim dhe prapamendim, në debatet shkencore ndaj kolegëve që nuk ishin në një mendje me të dhe që përcakton lirinë e mendimit shkencor, si dhe “Prima est historiae lex, ne quid falsi dicere audeat, deinde ne quid veri non audeat”- Ligji i parë i historisë është, që mos të guxohet të thuhen gënjeshtra, pastaj mos të guxohet të heshtet mbi të vërtetën”.

Këto thënie do t’i kujtoj sot duke sjellë ndër mend rrugën që ndoqi për 80 vjet të jetës së tij Zef Mirdita, vite që kanë qenë kohë e punës këmbëngulëse, përkushtimit si studiues, si intelektual dhe qytetar. Ato kanë qenë vite të rendjes pa ndalesë drejt dijes dhe lirisë dhe mund të themi se në odisenë e tij shkencore ishte Kosova që e lindi dhe e arsimoi, po aq sa ishte edhe Zagrebi që e formoi dhe e promovoi si studiues të shkallës europiane. Vëllimi jubilar “Poeta nascitur, historicus fit – ad honorem Zef Mirdita” (“Poeti lind, historiani formohet- në nder të Zef Mirditës”) nën redaktimin e Albert Ramaj botuar në Zagreb më 2013 është edhe një akt adaptimi i tij në qytetin, ku gjeti lirinë, paqen dhe vlerësimin e merituar. Në përmasat e veprave të tij, Zef Mirdita është rreshtuar krahas emrave të mëdhenj të ilirologjisë dhe albanologjisë kroate, me Milan Šuflai, Mate Suiç, Duje Rendiç-Mioèeviç, Radoslav Katièiç, Aleksandar Stipèeviç etj. Në këtë kuadër dëshiroj ta mbyll ligjëratën time me atë që shkruante për një meritë themelore të Zef Mirditës kolegja e tij Marija Karbiç: “Dëshira e Zef Mirditës ishte që marrëdhëniet mes popullit kroat dhe shqiptarëve – edhe pse të mira – të vazhdojnë të përmirësohen, për çka edhe ai dha një kontribut të madh. Le të shpresojmë që brezat e ardhshëm të ndjekin këtë rrugë dhe të punojnë për ndërtimin e urave mes këtyre popujve, në të cilat Zef Mirdita mund dhe duhet të shërbejë si shembull i mirë”. Duke mbyllur këtë ligjërate dëshiroj të falënderoj nga zemra kryetarin e Lidhjes së Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, z. Esad Collaku dhe dr. Albert Ramaj, drejtues i Institutit Shqiptar në St. Gallen të Zvicrës, të cilët më ftuan të marr pjesë në këtë veprimtari kushtuar Zef Mirditës dhe për të qenë pjesë e traditës së bashkëpunimit shkencor shqiptar-kroat, ku ai ishte nga promovuesit kryesorë.

*Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Ligjëratë e mbajtur në Tryezën e Rumbullaktë organizuar në Zagreb më 16 shkurt 2023 nga “Shoqata e Shqiptarëve të Kroacisë”dhe Instituti Shqiptar” i St. Gallien të Zvicrës.