Ndarja e veriut të Kosovës drejt legalizimit!
Zvicër, 12 shkurt 2017 (Ripublikim)
Farsa e gjithë asaj zhurme në veri të Mitrovicës, kishte vetëm një qëllim: sensibilizimi i opinionit për të jetësuar asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Më pastaj, në një kohë më të përshtatshme, enklavat serbe do të kërkonin ndarjen e Kosovës për t’ju bashkangjitur Serbisë- ky ishte qëllimi dhe kaq! Për kaq vite hulumtohej shkasi për të krijuar një shkak si ngritjen e një muri, kjo në marrëveshje të plotë mes (elitës politike serbo dhe kosovare në të dy rrafshet), e tëra kjo arriti efektin e vet si baraspeshë se serbët do heqin murin që kishin ngritur në oborrin tonë dhe shqiptarët do legjitimojnë Asociacionin, si pushtet të tretë vendimmarrës në Kosovë, që i bie shtet brenda shtetit. Me këtë qasje dhe njëmendësi të parisë sonë politike kjo do të ndodhë herët a vonë!
Tani, janë dokrra të pakripë këto (varët kush i ha), se u hoq muri, se u hoq guri, në fakt u pre “ushkuri” për inaugurimin e parkut të ri në veri të Kosovës! Me këtë rreth rrotullim me kunja që ulën e ngritën sipas nevojës!, përfundimisht u bllokua qasja në veri dhe u legalizua ndarja e veriut të Kosovës . U bllokua rruga kryesore mes për mes qytetit të Mitrovicës në drejtim të veriut që shkonte nga ura e Ibrit tek “Poleti”, të Burgu dhe Gjyqi i Qarkut, tek ish Mensa e studentëve e në vazhdim drejt Zveqanit dhe Leposaviqit!
Jo, andej nuk kalohet më, nuk lejohet, nuk lejon rrethrrotullimi dhe “kunjat kujdestar!”. Në fakt mund të kalohet edhe andej, por kjo varët se kur i ulin kunjat serbet?, nëse kunjat janë ngritur, nuk kalohet, ose duhet pritur deri sa kunjat të ulën dhe nëse kanë vullnet për t’i ulur ata që i kanë ngritur! O tempora! O mores!- thoshin dikur latinët e vjetër. Tani e tutje, ky është realiteti i hidhur; lejohet kalim vetëm djathtas apo majtas, buzë lumit Iber në drejtim të trerrokaqiejve nga rruga e Kolashinit, dhe djathtas po ashtu buzë lumit Iber drejt “Shkëmbit të Dudës” – “Dudi Kershit”, andej nga ishte edhe tregu i dikurshëm. E vetëkuptueshme, ky ishte tagri i elitës sonë politik dritëshkurtër realizuar me “mund të madh” në të dy rrafshet.
Thënia se: një i marrë hedh gurin në pus- dhe nuk e nxjerrin dot as 100 të mençur!, sikur ka humbur kuptimin. Tani mund të themi se: një i mençur ngreh një mur, dhe nuk e heqin dot as 100 të marrë!… kokëshkretët tanë politik, dalin e rrahun gjokse se kanë lëvizur murin për 2,20 centimetra, madhështi e padëgjuar ndonjëherë, Kosovës ia liruan edhe 2.20 cm!
Nuk e di si shpjegohet kjo veç mjerimit politik, madje nuk iu besoja syve; ishte vet Ministri Shala, duke i bërë lajka se e tëra kjo ishte meritë e Kryeministrit. Qoftë e thënë kjo edhe me ironi, ishte e pakripë!, ishte ky z. Shala, apo nuk ishte!?, në vazhdim ai belbëzoi si shumica e ministrave në Qeverinë e Kosovës që nuk e kanë përvetësuar ende mirë të folurit shqipe por të shpresojmë se koha i pret për të mësuar gjuhën amtare! z. Shala, në vazhdim përpëlitej për të sqaruar se: muri i ri, në çdo “detal”- nuk thuhet detal ministër, por detaj, detale ka vetëm në makineri, nuk thuhet “sod” ministër, por sot, nesër etj. nuk thuhet: “nuk i deklaroi deklaratat” e të tjerëve zoti ministër, por nuk i komentoj deklaratat etj.
Në vazhdim, i gjithë ky investim për ngritjen dhe pastaj rrënimin e këtij murit, për nguljen e kunjave në rrethrrotullim, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar hiq më pak se ngritja e një godine të tërë ku do strehoheshin rreth 30 familje të pastreha! E gjithë kjo që është ngritur natën dhe që është rrënuar ditën nga Kompanitë shqiptare, si gjithmonë Kompani këto ne garë, për të zhgërryer e zhvatur në fatkeqësi të tilla kombëtare për përfitime materiale pa kritere nga buxheti i Kosovës.
Nëse kjo Qeveri aktuale ishte ajo që nuk lejon mure ilegale, ose ndërtime pa leje; shtrohet pyetja: ku ishte kjo Qeveria e Kosovës atëbotë?, as edhe një zhurmë, madje nuk u dëgjua as një zë, kur para ca kohe në veri të Mitrovicës u ngritën komplekse të tëra banimi disakatëshe me emrin: “Lugina e Diellit!”.
Në vazhdim, në veri të Mitrovicës nuk gjene asnjë shenjë të Institucioneve dhe shtetit të Kosovës, atje valojnë vetëm flamujt me simbole Serbe, pllakate serbe me plot urrejtje kundër shqiptarëve, kudo shkruan Kosova është Serbi etj. Serbët në veri të Mitrovicës, që 17 vite nuk i përgjigjen obligimeve që kanë ndaj shtetit të Kosovës, nuk paguajnë tatim, nuk paguajnë rrymë, nuk paguaj as taksa tjera. Serbet në veri të Mitrovicës, nuk përfillin Institucionet tona, madje korporata energjetike e Kosovës KEDS- i, e bërë “teslim” tek Turqit, rrymën e shpenzuar nga serbet e veriut për 17 vite me radhë, ua kanë faturuar shqiptarëve në tërë Kosovën në mënyrë paushall!, serbet në veri të Mitrovicës, kanë djegur institucionet tona dhe as kush deri me sot atje, as ka guxuar të hetohet, as burgoset e akuzohet për terrorizëm- ngjashëm siç po akuzohen ta zëmë disa të rinj në Prishtinë se na gjoja paskan sulmuar- po njëjtë, Institucionet tona! Por kësaj radhe ndryshon çështja: sulmi është bërë në jug dhe jo në veri të vendit!
Pushtetarë, Ministra, qeveritar, njëherë e përgjithmonë duhet të thuhet: në veri të Mitrovicës dhe jo në Mitrovicën veriore, kjo terminologji dinake që ka zë vend në retorikën e përditshme, sikur ka mësuar veshët e naivëve me termin e ri të ndarjes morfologjike, se vërtetë qenkan dy Mitrovica: ajo e veriut dhe ajo e jugut!- jo, ka një Mitrovicë e cila ka polin e saj verior edhe jugor, ashtu si çdo vendbanim tjetër siç ka edhe globi ynë polet veriore dhe jugore. Edhe një herë; nuk ishte muri ai që ka ndarë Mitrovicën, jo, ishte dhe është edhe sot e gjithë ditën politika jonë në nivelet më të larta shtetërore, që po hiqet zvarrë për kaq vite! Ishte mos gatishmëria jonë kolektive e Institucionale për të integruar vendin në të gjitha sferat e jetës. Mungonte guximi ynë qytetarë dhe institucionale për t’i siguruar qytetarët tanë që të jetojnë të lirë e të sigurt- si edhe të tjerët në tokat dhe shtëpitë e veta, pra edhe në veri si në jug të qytetit! Përderisa kjo nuk ndodhë, Kosova dhe Mitrovica nuk është e lirë, qytetarët tanë nuk po ndihen të lirë, përfaqësuesit e Institucioneve këtë duhet ta shohin, nëse jo, këtë shpejt duhet tua tregojë populli ynë me përcaktimin e vet të votës së lirë- ndryshe me këtë stërkeqej të elitës sonë politike, ndarja e veriut të Kosovës po legalizohet!
Zvicër, 11.02.2017
add a comment