Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: Mendje të korruptuara, të çoroditura apo të paditura e të shitura

MENDJE TË KORRUPTUARA APO TË PADITURA

Klasa politike dhe kalemxhinjtë e tyre, që ishin bashkëpunëtorë të zellshëm të pushtuesve jugoserbë, autonominë kulturore të Kosovës dhe Kushtetutën e vitit 1974 i propagandonin si një të arritur kulmore për pozitën e popullit të pushtuar shqiptar! Ky status i Kosovës dhe i popullit të saj të robërua paraqitej dhe propagandohej si shprehje e zemërgjerësisë së sistemit jugokomunist dhe “bashkim – vëllazërimit” pushtues e diktatorial! Kësaj “melodie” tugitëse po i bien edhe sot e kësaj dite disa politikanë, gazetarë, opinionistët e pedagogë universitarë nostalgjikë të jugotitizmit diktatorial pushtues!! Duket si e pabesueshme, por vetëm para 4 – 5 ditësh po dëgjoje në televizion një profesor universitar duke thënë se “Kosova me kushtetutën e vitit 1974 ka qenë 98 % republikë, i mungonte vetëm emri”!! Të këtillë “profesorë” nuk do të duhej të kishin mundësinë dhe të drejtën ta edukonin e formonin rininë tonë shkollore e universitare… Nuk do të duhejë të kishte vend për këtë mbetje jugonostalgjikësh as në politikë e media. Si ka mundësi të kenë “harruar” këta jugotitistë se shteti pushtues i Tito – Rankoviçit kishte shqiptuar 666 shekuj burg politik për shqiptarët e pushtuar dhe kishte vrarë, masakruar dhe ekzekutuar dhjetra mijëra shqiptarë gjatë viteve 1945 – 1990?! Ky shtet, i Tito – Rankoviçit, që ishte kaq “zemërgjerë” me popullin e robëruar shqiptar kishte shpërngulur me projekt, presion e dhunë të organizuar shtetërore qindra mijëra shqiptarë nga trojet e pushtuara të Shqipërisë! Ky shtet barbar e diktatorial i Tito – Rankoviçit e ka copëtuar Kosovën e pushtuar shqiptare në tri republika: Serbi, Mal i Zi dhe Maqedoni, kurse një pjesë e vogël e këtij territori (rreth 11 000 km katrore) ishte lënë si krahinë e Serbisë me një autonomi të kufizuar!! Me kushtetutën e vitit 1974 kjo krahinë-Kosova pa viset e saj- fitoi status të dyfishtë: njësi konstituive e Serbisë dhe e federatës jugosllave!! Dhe këtë status të Kosovës mbetjet jugokomuniste e propagandojnë si “98 % republikë e Kosovës, i mungonte vetëm emri! Kurse copëtimin e Kosovës së pushtuar shqiptare në tri republika as nuk e përmendin që ishte padrejtësia dhe tragjedia e madhe e Shqipërisë këndej Drinit! O tempora, o mores!