MARRËVESHJA PËR “ZAJEDNICËN” NUK ËSHTË NDËRKOMBËTARE POR ANTISHQIPTARE
(“Pritat” për Kosovën e pavarur – shkëputur nga Serbia dhe prania e saj janë “prita” për çështjen shqiptare dhe zgjidhjen e saj të plotë – ribashkimin e Shqipërisë në një shtet)
Marrëveshja për “asociacionin serb” – zajednicën është paraqitur dhe është propaganduar me një spekulim, propagandë dhe zhurmë tmerrësisht shurdhuese për popullin shqiptar në Kosovë!! Propaganduesit dhe zhurmuesit më të mëdhenj ishin dhe mbetën nënshkruesit e saj dhe partizanët e tyre me të kaluar të njohur kolaboracioniste!
Spekulimet, propaganda dhe zhurma e tyre në mediat e mercenarizuara dhe në rrjetet sociale ka marrë edhe dimensionin e dhunës psikologjike ndaj popullit tonë shqiptar në Kosovë!!
Manipulimi me gjysmë të vërteta, për punën e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, dhe sidomos për MIQËSINË me Amerikën po përdoren për ta shitur “zajednicën” si “detyrim ndërkombëtar” dhe si domosdoshmëri, të cilës Republika e Kosovës nuk mund t’i shpëtojë!!
E vërteta është se marrëveshja për “zajednicën” nuk është as marrëveshje ndërshtetërore, sepse Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës (Kosovën shqiptare e konsideron pjesë të saj!!?). Kjo është edhe arsyeja pse marrëveshjet nuk janë nënshkruar si marrëveshje ndërshtetërore…
Mirëpo, edhe sikur të ishte marrëveshje ndërshtetërore (e ratifikuar nga dy parlamentet e dy shteteve dhe të ishte deponuar në sekretariatin e OKB-së) dhe ndërkombëtare, Republika e Kosovës ose cilido shtet tjetër, ka të drejtë të heq dorë nga marrëveshja në rastet kur marrëveshja është bërë me presion, me mashtrim, shantazhim, etj. Këto kushte për prishjen e një marrëveshjejem qoftë edhe ndërkombëtare, janë të parapara edhe me rregulla dhe norma ndërkombëtare…
Negociatat me Serbinë në Bruksel dhe marrëveshja për “zajednicën” (edhe bisedimet e Vjenës!) dihet mirëfilli se janë bërë në kushte të tmerrshme presioni, shantazhimi dhe mashtrimi ndaj Republikës së Kosovës!! Kjo mund të provohet fare lehtë faqe botës nga institucionet e Kosovës shqiptare…
Një pjesë e grupit negociator të Republikës së Kosovës ishte nga ata që dikur kishin qenë të afërt me Jugoserbinë pushtuese, eksponentë e bashkëpunëtorë të atij shteti pushtues!! Duke qenë nga ky soj dhe nga kjo origjinë, natyrisht që nuk përfaqësonin vullnetin e popullit shqiptar për pavarësi dhe shkëputje të plotë të Kosovës nga Serbia… Pjesa tjetër e grupit negociator, që do të duhej natyrshëm të përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe shkëputje të plotë nga Serbia, kishte qenë (siç u vërtetua nga Gjykata speciale) nën presion, e shantazhuar dhe e “kërcënuar”… Prandaj, marrëveshja e negociuar dhe nënshkruar prej tyre, në kushte e rrethana të tilla, është jolegjitime dhe e papranueshme për Republikën e Kosovës… Institucionet legale dhe legjitime kanë detyrim kombëtar, politik dhe kushtetues ta denoncojnë këtë marrëveshje (sidomos) dhe çdo marrëveshje tjetër që është negociuar dhe nënshkruar prej tyre në dëm të Kosovēs.
Në kushte presioni, shantazhimi dhe mashtrimi është krijuar edhe Gjykata speciale antishqiptare, që ka për qëllim mbulimin dhe ndryshimin e të vërtetës për shtypjen mizore, dhunën, terrorin, masakrat dhe gjenocidin, që ka kryer Jugoserbia ndaj popullit shqiptar në Kosovē dhe në viset e saj…
Si të tillë, institucionet shtetërore (shteti i Kosovës), pasi ta denoncojnë botërisht (siç bëri Kryeministri Rama) dhe në të gjitha instancat ndërkombëtare, duhet të ndërpresin bashkëpunimin me te, të mos e njohin dhe t’ia heqin të vetmin legalitet dhe “legjitimitet” që i ka dhënë Kuvendi i Republikës së Kosovës në kushte dhe rrethana të një presioni, shantazhimi dhe mashtrimi të jashtëzakonshēm.
Kështu do të vepronte çdo shtet i pavarur dhe sovran… Shtet të pavarur dhe sovran e kemi shpallur dhe e konsiderojmë edhe Kosovën… Krerët e Republikës së Kosovës e kanë plotë gojën për Kosovën e pavarur dhe sovrane… Le ta dëshmojnë se Kosova, që nuk u lejua të bashkohejë me shtetin e saj, është shtet i pavarur nga Serbia dhe sovran në gjithë territorin e saj të përgjysmuar e stërpërgjysmuar nga pushtuesit…
Republika e Kosovës, me “zajednicën” brenda, nuk ka si të jetë e pavarur dhe sovrane… Njohja “de fakto” nga Serbia, por jo de jure, është mashtrimi i ri, jo më i vogël se mashtrimi me planin e Ahtisarit, me marrëveshjet e Brukselit, me fusnotën…
Serbia, sapo ta fitojë “zajednicën” (zot mos e bënë!), me ndihmën e lajçakëve, eskobarëve hillëve…, do ta hap çështjen e statusit të Kishës “serbe” dhe të trashëgimisë së saj! Besoj që keni lexuar dhe dëgjuar në mediat serbe pretendimet e Serbisë që kisha “serbe” në Kosovë ta ketë një status të njëjtë me atë të Vatikanit!!?
Sigurisht që kjo puna e Kosovës shqiptare në një farë mase do të varet edhe nga gjeopolitika, por krijimi i “zajednicës” do t’i shtronte rrugën Serbisë dhe miqve të saj për gërryerjen nga brenda të lirisë së fituar me mundin, përpjekjen, luftën dhe sakrificën e shumë brezave, për gërryerjen dhe “suprimimin” e pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës, gjë që do të çonte në një luftë të re me pērmasa rajonale e më gjerë…
Në “favor” të kësaj teze ogurzezë janë edhe idetë, angazhimet, politikat dhe fushata e egër e klasës politike të ldkizuar dhe mediave “kosovocentriste” për një “Kosovë kosovare” (jo shqiptare!!), për një Kosovë të pavarur dhe të shkëputur nga shteti i saj, Republika e Shqipërisë, nga njëra anë, dhe për një Kosovë të “kosovarizuar” dhe të lidhur me një mijë e një fije me vrastaren e saj, Serbinë!!
Prandaj, populli shqiptar i Kosovës, viset e saj dhe Tirana zyrtare duhet të hapin sytë dhe të krijojnë një front kundër këtij projekti dhe këtyre ideve antishqiptare morbide, sepse “pritat” që po duan t’ia bëjnë Republikës së Kosovës janë “prita” për çështjen shqiptare dhe qëllim për shtyrjen e zgjidhjes së saj (ribashkimin e Shqipërisë në një shtet) edhe për 100 vite, nëse munden… Jam i sigurt që këtë objektiv-projekt mund ta arrijnë vetëm me “shqiptarët”!!…