Botë

FOKUS – Mbi 9 500 viktima në Turqi dhe Siri pas tërmetit të 6 shkurtit

PARIS, 8 shkurt /ATSH-AFP-AA/ – Sipas raporteve zyrtare të publikuara sot, numri i përkohshëm i viktimave të tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën tani tejkalon 9 500 persona.

Në Turqi, 6 957 trupa janë nxjerrë nga rrënojat sipas AFAD-it, një organizatë turke  ndihmash, dhe 2 547 të vdekur janë në Siri, sipas autoriteteve dhe mjekëve.

Zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, nga ana e tij, njoftoi se 380 500 persona të prekur u strehuan në konviktet e Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve.

Oktay tha se një personel prej 3 294 personash të kërkim-shpëtimit arritën në Turqi nga Azerbajxhani dhe Rusia.

”Ne po dërgojmë në Hatay mbi 1 600 ekipe shtesë të kërkim-shpëtimit, si nga jashtë ashtu edhe nga vendi”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i tërmeteve dhe reduktimit të rrezikut në AFAD, Orhan Tatar, tha se rreth 5 775 ndërtesa u shembën nga tërmetet.

Ai po ashtu theksoi se zona e ndikimit të tërmeteve mbulon afër 110 000 kilometra katrorë.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha se rreth 13,5 milionë qytetarë janë të prekur drejtpërdrejt nga tërmeti./ a.jor.