DATËLINDJA E VAÇE ZELËS DHE DATA E PUSHTIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR
Prishtinë, 8 shkurt 2014 (ripublikim)
Ditën e pushtimit të shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze), më 7 prill 1939, një nënë shqiptare në Lushnje lindi YLLIN që do të ndriqonte i pashuar në qiellin shqiptar, lindi IKONËN e muzikës dhe të artit shqiptar, Vaçe Zelën. Lindja e saj paralajmëronte dritë, jetë, art, kulturë, emancipim dhe liri për shtetin shqiptar, që ishte më pak se një e treta e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Ditën që lindi Vaçja një atdhedashës i paepur, një oficer shqiptar po luftonte me armë në dorë kundër forcave fashiste italiane që po zbarkonin në Durrës për ta veshur në të zeza një popull të “rrethuar” nga bashkëkombësit e tij të pushtuar dhe të lodhur nga zgjedha e rëndë e agallarve dhe bejlerëve të Zogut. Shqiptari, Mujo Ulqinaku (Hero i Popullit), me një grup ushatrësh e oficerësh nuk i ishte “bindur” kapitullimit pa kushte para Italisë së Duçes që kishte përgatitur njeriu i vetëshpallur “mbret”, Ahmet Zogu, i cili iku duke vjedhur dhe plaçkitur edhe arin e shtetit shqiptar! Për kthimin e eshtrave të tij u kujdes një “pinjoll” i tij i denj dhe po aq zullumqar për atë shtet e për atë popull, Sali Berisha!
Në kohën që artistja e ardhshme, Vaçe Zela, kishte marrë këmbët dhe po ecte në rrugët dhe rrugicat e qytetit të Myzeqes, Lufta për çlirimin e shtetit shqiptar dhe të Shqipërisë kishte shpërthyer dhe me shpejtësi po zgjerohejë në çdo qytet e fshat të Shqipërisë Londineze. Nuk vonoi dhe kjo Luftë Antifashiste dhe Çlirimtare ishte përhapur edhe në krahinat e pushtuara të Shqipërisë. Megjithatë, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe traktatet e Fuqive të Mëdha fituese të Luftës, Shqipërinë dhe shqiptarët i lanë edhe njëherë të copëtuar… Shteti shqiptar u ringritë në kufijtë e “vizatuar” në vitin 1913 nga Evropa!
Në kohën që mbaroi Lufta me fitoren e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, të komanduar dhe drejtuar nga Komandanti i saj i Përgjithshëm, Enver Hoxha, Vaçe Zela, po mbushte pesë vjet të jetës së saj. Zëri, talenti dhe shpirti i saj prej një artisteje të madhe nuk i shpëtoi vëmendjes dhe veshit të familjes dhe mësuesve të saj, të cilët e angazhuan në koncertet që mbaheshin në atë kohë në shkollë e në qytet. Këngët e saj dëgjoheshin dhe përjetoheshin me emocion dhe admirim të veçantë nga nxënësit, mësuesit dhe qytetarët e Lushnjës. Zëri i saj i ëmbël nisi të dëgjohejë dhe admirohejë edhe jashtë qytetit të lindjes. Për këngëtaren e re nisi të interesohejë edhe Kryeqyteti i Republikës, Tirana. Me kërkesë të qarqeve dhe institucioneve muzikore dhe artistike të kohës, Vaçe Zela, shkoi në Tiranë, ku mori famën e një artisteje, e cila kaloi shpejtë kufijtë e Republikës së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Ajo u bë këngëtare e këngës së lehtë, e këngës popullore, e këngës së huaj, etj. Kënga e saj u bë edhe pjesë e shumë filmave shqiptar. Me një pasion dhe emocion të pashoq, Vaçja i këndoi dashurisë, lirisë, atdheut të saj të shtrenjtë, Arbërisë-Shqipërisë, popullit të saj, natyrës së bukur shqiptare, jetës dhe njeriut, zhvillimit dhe përparimit të vendit të saj. Me kitaren e saj në prehër dhe me zërin dhe fytyrën e saj të ëmbël e të dashur Ajo argëtoi shqiptarët kudo që shkoi dhe kudo që këndoi. Këngët e saj u bënë edhe burim i pashterrshëm dashurie për Atdheun e shqiptarëve, Shqipërinë.
Paraqitja dhe pjesëmarrja e saj në koncerte të ndryshme, që organizoheshin nëpër botë, ngjalli emocion, admirim dhe respekt për Vaçen dhe për shqiptarët edhe te të huajt. Ajo këndonte ndonjë këngë edhe të atyre popujve ku shkonte për koncert. Nuk kishte ndodhur që të ngrihej në këmbë dhe të këndonte i gjithë publiku për një këngëtare të huaj, siç ngriheshin në këmbë dhe këndonin bashkë me Vaçen tonë. Publiku shqiptar dhe i huaj magjepsej dhe mrekullohejë me zërin dhe këngën e Vaçe Zelës. Në dymbëdhjetë festivale të këngës së lehtë Vaçe Zela ishte shpërblyer me çmimin e parë. Në vitin 1973 asaj iu dha titulli “Artiste e Merituar”, ndërsa në vitin 1977 Vaçe Zela mori edhe titullin “Artiste e Popullit”. Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Alfred Mojsiu, e nderoi IKONËN e muzikës shqiptare me urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Kënga e saj frymëzonte, ndizte dhe mobilizonte rininë shqiptare edhe në krahinat e pushtuara të Shqipërisë nga Jugosllavia. Të rinjtë shqiptarë të këtyre krahinave i dinin dhe i këndonin me kënaqësi dhe mburrje këngët e lehta dhe ato popullore të Vaçes për atdheun, për Shqipërinë, për dashurinë, për jetën, etj. Njëri nga atdhetarët e shquar shqiptar, Ali Aliu, sa ishte gjallë kishte kërkuar që ceremonia e varrimit të tij të bëhej me flamurin kuqezi dhe me këngët e bukura e plotë dashuri të Vaçes për atdheun, për Shqipërinë. Kështu edhe u bë.
Lajmi për vdekjen e saj u përhap me shpejtësi dhe u prit me dhimbje e pikëllim nga mbarë kombi shqiptar dhe nga shqiptarët kudo në botë. Vdiq një vlerë e rrallë e muzikës dhe e artit shqiptar. Zëri dhe kënga e saj janë njëra prej trashëgimive të vyera dhe me vlera të jashtëzakonshme në fondin e muzikës dhe të artit shqiptar dhe botëror. Për të gjallë të saj, artistja e madhe, Vaçe Zela, nuk harroi të lente porosinë që arkivoli me trupin e saj të uleshin në aeroportin e Prishtinës, në kryeqytetin e shtetit të dytë shqiptar. Me këtë porosi artistja po tregonte dhe po kërkonte të përjetësonte dashurinë dhe përkushtimin e saj për çdo cepë të Shqipërisë dhe për kombin e saj, të cilin e dëshironte të bashkuar në një shtet dhe në një Shqipëri. Me vlerat e saj artistike, njerëzore dhe me dashurinë e saj për Arbërinë-Shqipërinë, Vaçe Zela, fitoi dashurinë dhe nderimin e një kombi të tërë. I qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore!
Xhevat BISLIMI
add a comment