Komenti

Xh. Gjini: Kosova shqiptare ka humbur shumë

KOSOVA SHQIPTARE KA HUMBUR SHUMË

Refreni i kolaboracionistëve dhe kuislingëve të tipit: K. Salihu, A. Vllasi, S. Pupovci e të tjerëve, para e pas tyre: “Kosova nuk humb asgjë” është i vjetër sa vet pushtimi i tokave të Shqipërisë dhe në vete tragjik për Kosovën dhe trojet e pushtuara shqiptare! Ky refren u përdor që nga mbarimi i Luftës dhe po përdoret dendur edhe sot nga politikanë, “specialistë, opinionistë e media kuislinge (marioneta) dhe mercenare.

Refreni “Kosova nuk humb asgjë” u përdor dendur dhe paturpësisht edhe kur po i merrej autonomia… U përdor naivisht e poshtërsisht edhe pas Luftës Çlirimtare, kur UNMIK-u dhe “celulat” kuislinge të Serbisë krijuan (shpikën) “enklavat serbe”!! Ky refren vazhdoi të përdorej edhe kur këto “enklavat serbe” po bëheshin “komuna, kisha dhe zona të mbrojtura serbe”!! Në Kosovën shqiptare (mbi 90 % shqiptarë), në emër të një “decentralizimi special” u krijuan 10 komuna “serbe”!! Për t’i gënjyer dhe mashtruar bashkëkombësit e tyre, politikanët kuislingë, sharlatanë e të kapur mbllaçitnin pa fijen e turpit refrenin: “Kosova nuk humb asgjë”!! Me të njëjtin refren i bënë rrushekumbulla pasuritë e Kosovës së çliruar me përpjekjet, mundin, luftën, sakrificën dhe gjakun e shumë brezave!!

Me refrenin tragjik “Kosova nuk humb asgjë” shkonin e vinin nga Brukseli, ku negocionin dhe firmosën marrëveshjen vetëposhtëruese e vetëshkatërruese për bashkimin e komunave “serbe” në një entitet (asociacion/bashkësi-zajednicë!)!! Ky ishte refreni që u përdor dendur edhe për votimin (ratifikimin) e marrëveshjes së “zajednicës” në Kuvendin e Republikës së Kosovës!!

Populli shqiptar edhe këto ditë po bie e po zgjohet me refrenin antishqiptar: “Kosova nuk humb asgjë”!! “Krijimi i asociacionit/bashkësisë së komunave me shumicë serbe nuk e cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës”!! “Asociacioni/bashkësia do të formohet në përputhje me kushtetutēn e Kosovës” e plotë “margaritarë” si këta!!

Propaganda agresive, lufta speciale, dhuna mediatike dhe presioni e shantazhimi brutal (edhe linçimi) i atyre që mendojnë se Kosova humb shumë nëse e themelon “asociacionin serb” dhe shantazhimi i popullit shqiptar të Kosovës është gati në shkallën fashistoide!! Një dhunë dhe terror i këtillë represiv, politik, mediatik, propagandistik e psikologjik mbi një vend dhe popull kaq të vogël është prova më e mirë dhe më e qartë për karakterin antishqiptar, antidemokratik e anticivilizues të “asociacionit serb”, që do të ishte “bazë” e përherëshme e Serbisë dhe burim i përhershëm tensionesh, destabiliteti dhe konfliktesh!!

Kosova jonë shqiptare, tokë e Shqipërisë denbanaden, ka humbur shumë. Ajo ishte një nga katër krahinat (vilajetet) e Shqipërisë. Territori i saj ishte mbi 30 000 km². Sot ka më pak se 11000 km²! Me refrenin “Kosova nuk humb asgjë”, ajo u copëtua edhe njëherë nga Jugoserbia pas LDB dhe mbeti me këta kufij të imponuar dhunshëm!

Kosova dhe pozita e kombit shqiptar do të humbte shumë nëse themelohet “bashkësia e komunave me shumicë serbe”. Nuk është e vërtetë se “Kosova nuk humb asgjë “, siç propagandojnë politikanët kuislingë dhe mediat e “specialistët” e mercenarizuar. Po të jetë se një asociacion si ky nuk po cenoka sovranitetin, atëherë pse s’po i bëhet pak presion Serbisë që ta krijojë një asociacion/bashkësi komunash e territoresh për popullin shqiptar në Kosovën Lindore ?!! Kush nuk e di që shqiptarët e Kosovës Lindore, në shtëpitë dhe tokën e tyre, nuk gëzojnë asnjë të drejtë Kombëtare e demokratike. Po shqiptarët e Sanxhakut?! Atyre u mohohen dhe shkilen brutalisht liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore, kombëtare, politike e demokratike, ndërsa pakica serbe nuk di të ketë ndonjë të drejtë që s’e ka në Kosovë!

Po thonë se “asociacioni/bashkësia nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, duke fshehur thelbin e të vërtetës pse po kërkohet themelimi i “asociacionit” nga Serbia, e cila për momentin edhe mund të mjaftohet vetëm me bashkimin formal të komunave serbe në një entitet-zajednicë!! Në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme “zajednicën” e saj pak e nga pak (në varësi të rrethanave) do ta mbush me “përmbajtje”!! Një ditë të bukur me diell ky “asociacioni” i Serbisë mund të kërkojë të shkëputet e t’i bashkohet Serbisë ose do të jetë burim i përhershëm tensionesh e konfliktesh! Pra, klasa politike kuislinge dhe “specialistët” e mediat e tyre duhet t’i thonë popullit se “asociacioni” po bëhet për Serbinë e jo për pakicën serbe në Kosovë… dhe ky është problem i madh… dhe kjo është kafshatë që nuk duhet ta kapërdinj shqiptarët për asnjë miqësi!! Liria dhe pavarësia – shkëputja e plotë e Kosovës nga Serbia është më me vlerë se çdo miqësi… Burrëri do të ishte sikur ata që e kanë negociuar dhe firmosur “asociacionin” serb të thonin: “Ne, paskemi gabuar, popull i dashur. Kosova humb shumë nëse e themelon asociacionin serb” dhe t’i bënin presion qeverisë që të mos lëshojë pe në asnjë mënyrë. Kjo quhet burrëri dhe ky quhet patriotizëm…

Shteti ynë Amë, i vetmi pronar legjitim i çdo pëllëmbe të tokës shqiptare duhet të “zgjohet” nga gjumi dimror e t’i tregojë botës se Kosova është shqiptare dhe se Serbia nuk mund të themelojë “asociacion serb” në tokēn e saj…