Komenti

Dritan Hila: Shqipëria ky vend i bekuar që po e bëjnë të padurueshëm histerikët të cilët nuk dinë të bëjnë punë tjetër veçse të pështyjnë.

Koment kuptimplotë dhe me porosi të qarta për bashkëkombësit tanë që po ikin nga shtëpitë dhe Atdheu në kërkim të “jetës dhe të lumturisë” në dhera të huaja, andej ku humbet jeta dhe familja, andej ku përgjithmonë je i huaj, i përbuzur dhe i zezuar. Me të drejtë ka thënë poeti ynë që “si Shqipëria vend nuk ka” dhe vërtet nuk ka. Janë zhgënjyer dhe kanë mbyllur jetën në dëshprim të thellë të gjithë ata që ikën nga Shqipëria në kërkim të një vendi më të mirë… Kur themi Shqipëria kemi parasysh çdo pëllëmbë të tokës shqiptare e jo vetëm Republikën e Shqipërisë. Ai që nuk iu gëzua vatrës dhe tokës së tij nuk do të ketë kurrë gëzim e lumturi në dhera të huaja… Mbajeni mend: Gëzimin, dashurinë, lumturinë dhe krenarinë i keni vetëm në Vatrën dhe Atdheun tuaj, në Shqipërinë tonë ZONJË! (GL)

 

Më rezulton që në gjithë Shqipërinë kanë çelur trëndafilat. Pra kemi një klimë që pak kush e ka në bote. Mbase ne, Greqia, jugu i Italisë, një pjese e Turqisë dhe Spanjës. Si rrallë ndonjë vend nga këto që thashë (hiq disa pjesë të Greqisë) ke vetëm disa km larg detin nga mali.

Tani, boll me britmat histerike të tipit gjinkalle e zalisur në mes të korrikut për korrupsionin shtetëror (se ky është në gjithë botën), administratën e paaftë (në shumicën e perëndimit administrata i thotë kembës dorë), tatimet që të bien në qafë (në Itali e Greqi ti heqin breket nga koka), krimin (këtë e kanë shpikur ustallarët ku ne ëndërrojmë të shkojmë), pandjeshmërinë e qeverisë (ca qeveri të tjera të çojnë të humbasësh kockat në Afganistan, Irak dhe Afrikë), gjyqësorin e korruptuar (në botë gjyqësori të heq skalpin), shtypin që qenka shitur (në perëndim kjo është e deklaruar dhe vetëm torollaket shqiptarë mendojnë që gazetari duhet të jetë steril ideologjikisht) etj etj, se më të neveritshëm sesa fenomenet që thashë, këtë vend po e bëjnë të padurueshëm histerikët që punë tjetër nuk dinë të bëjnë veçse të pështyjnë.

Ky vend ka probleme me të gjitha sa thashë dhe ca më shumë me të pasurit e rinj shqiptarë që janë ca brekgrisur që ju ka zënë kacidhja lesh dhe kane filluar të privatizojnë edhe mizat. Por këta që ankohen gjithë ditës, nëse nuk rrini dot këtu e ta bëni këtë vend, udha e mbarë e të shohim sa do ecni përpara në atë botën tjetër. Nëse nuk na jepni dot një dore këtu, provojeni një herë andej se deri ku do shkoni.