Arkiv / Ripublikim

Gjon Neçaj: Kulla që ruajti mikpritjen, trimërinë, heroizmin dhe traditat

KULLA QË MBAJTI HEROIZMIN DHE TRADITAT

( Në nderim të Shpend Bali Bishevës, patriotit nga Malësia e Gjakovës )

8 Nëntor 2014 (ripublikim)

Komuna Margegaj shrtihet në veriperëndim të rrethit të Tropojës. Në veri kufizohet me Republikën e Malit të Zi, në jug me komunën Bujan dhe qytetin e Bajram Curr, në perëndim me rrethin e Shkodrës dhe në lindje me komunat Tropojë Fshat e Llugaj. Ky fshat në analet e historisë sonë kombëtare njihet dhe përmendet për trimëri, mikpritje, besë e bujari. Ndonse Tropoja është një histori më vete, Margegajt janë pëllëmbë e histori. Bash në Margegaj u zbraz koburja e parë e Revolucionit Demokratik të qershorit 1924. Ende sot qëndron si kështjellë e pamposhtur kulla ku u mblodhën trimat atdhetarë për fillimin e këtij revolucioni, duke dhënë shembull patriotik mbi tetëqind malësorë me prijësin e tyre idhull, Bajram Currin. Ndaj janë kuptimplote vargjet e këngës popullore që u ka rezistuar brezave dhe kohëve:

Muaji qershor për në Malësi,

Asht shenue në histori.

Pushka e parë thonë ku ka krisë,

Bash t’u gurët e Shpend Balisë.

 

Po kush ishte Shpend Balia, personazhi i shkrimit tonë?

Shpend Balia ishte i biri i Bali Arifit, të fshatit Margegaj, fisi Krasniqe. Por, për të portretizuar më qartë figurën e tij, duhet thënë dy fjalë për të atin, Bali Arifin. Balia, i lindur në vitin 1830, rridhte nga një familje e varfër, por e ndershme, bujare dhe atdhetare deri në vetmohim. Gjithë jetën shokun më të ngushtë, e që kurrë s’iu nda, e kishte grykëhollën, siç i thoshte ai. Balia mori pjesë në luftë kundër ekspeditës turke të Maxhar Pashës, 1862, kryengritjen e viteve 1864-1866, ku u dallua për trimëri, maturi dhe vendosmëri. Ai, mori pjesë pothuajse në të gjitha betejat kundër pushtuesve të kohës për mbrotjejen e trojeve shqiptare. Bali Arif Bisheva ishte pjesëmarrës aktiv në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe bashkëluftëtar me Haxhi Zekë Byberin. Pikërisht në oborrin e kullës së tij u shkrep pushka e parë e Revolucionit Demokratik të Qershorit, e ku ka mbetur në memorien historike, se fillimi i Revolucionit plasi te “Gurët e Bali Arifit”. Ai vdiq si atdhetar dhe patriot i madh në Vitin e Pavarësisë, më 1912, kur i biri i tij, Shpendi, tashmë ishte 47 vjeç. Shpendi kishte edhe dy vëllezër të tjerë: Tafën dhe Imerin. Shpendi i veçantë erdhi në jetë në vjeshtën e vitit 1865, duke u shoqëruar nga tre të shtëna pushke, duke ushtuar luginës së Valbonës, e jehuan deri lart Bjeshkëve të Nemuna. Duke u rritur e duke u burrëruar, Shpendi mori tiparet, karakterin, mençurinë, burrërinë dhe trimërinë e të atit. Një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Pejë, te shtëpia e Haxhi Zekës, mik i të atit. Duke u njohur me luftërat heroike dhe përpjekjet për çlirim kombëtar, u frymëzua dhe u brumos më shumë me ndjenjen e atdhedashurisë. Njëherazi shtëpia e tyre kishte lidhje të veçnta me familjen e Bajram Currit, e këto bënë që atdhedashuria të ngulitej thellë në bijtë e kësaj familjeje me zë dhe në themelet e kullës së tij. Gjatë viteve 1908-1910, Shpend Bali Bisheva mori pjesë në luftërat kundër forcave turke, greke e serbe, kurse në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, Shpend Balia ishte përfaqësues i Malësisë së Gjakovës (Tropojës). Pas dështimit të revolucionit të Qershorit, përkundër të tjerëve që u arratisen jashtë vendit, siç shkruan shkrimtari dhe studiuesi Bedri Tahiri, Bajram Curri kishte vendosur të tërhiqej në Malësi dhe të qëndronte maleve të vendlindjes së tij, derisa mbyll jetën e tij heroikisht më 29 mars 1925 te shpella e Dragobisë. Tashmë Shpend Balia kishte bërë emër edhe si bashkëluftëtari më i ngushtë i “Plakut të Maleve”, Bajram Currit. Ai përndiqet nga forcat serbe, duke premtuar edhe para për ata që zbulojnë se ku gjendet “Baba i Krasniqes”. Por, pasi e përndjekin, pas disa kohësh e arrestojnë dhe e mbajnë të burgosur në Krumë. Fatmirësisht edhe Shpendi jetoi gjatë, e ndonëse çlirimi i vendit e gjen në moshë të thyer, ai u përpoq të punonte dhe të ndihmonte vendin, duke dhënë mendime me vlerë, sugjerime e këshilla, por gjithnjë me zemrën të vrarë për çështjen e Kosovës nanë, siç i thoshte ai. Shpendi mbylli sytë me nder në vitin 1957, në moshën 92 vjeçare. Pasardhësit e kullës së Bali Arif Bishevës, kanë ruajtur dhe trashëguar në breza traditat e të parëve të tyre. Dini, ndjesë pastë, nipi i tij, i cili ka vdekur vitet e fundit, në nderim dhe krenari të të parëve, njërit nga djemtë i ka vënë emrin Shpend, pra Shpend Bisheva i ri, intelektual dhe veprimtar shoqëror. Gjurmët e lashtësisë ruhen nga familjarët ende sot e kësaj dite, te kulla e restauruar, në Margegaj. Ende në krahun e majtë të rrugës magjistrale, udhëtarin e përshendesin krenarisht “Gurët e Bali Arifit’’, e pak më tutje si kështjellë heroizmi Kulla e Shpend Bali Bishevës, apo i identifikuar tashmë në historinë tonë kombëtare edhe si Shpend Dragobia. E në mbyllje nuk mund të mos citoj thënien e një atdhetari, krijuesi dhe intelektuali nga Malisheva e Kosovës, Izet Shala, i cili në një mesazh të kohëve të fundit, më shkruan : ”E kemi amanet të ruajmë origjinën e shqiptarizmës, se kjo tokë për ndryshe nuk duron’’…