Vështrim/Analizë

Arban Bislimi: Gjenealogjia dhe fenomenologjia e frikës nga Tirana dhe fshisa e pamëshirshme e historisë dhe zhvillimit njerëzor

GJENEALOGJIA DHE FENOMENOLOGJIA E FRIKËS NGA TIRANA DHE FSHISA E PAMËSHIRSHME E HISTORISË DHE ZHVILLIMIT NJERËZOR

Vitet shkojnë e vijnē, regjimet ngriten, zëvendësohen e shuhen; vetëm jugokosovori i pandryshueshëm mbetet!

Për jugokosovarin rreziku i përjetshëm mbetet Shqipëria administrative!!

U ngritën i madh e i vogël në këmb në krye me gazetën jugokosovore “Bota Sot” për të dënuar takimet e liderëve shqiptarë në kuadër të bisedimeve për implementimin (jetësimin) e planit për “tregun rajonal CEFTA 2021-2024”, që udhëheqësit e Ballkanit Perëndimore – për ta përvetësuar atë projekt e instrument tē sprovuar Evropian (dikur nga Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria, etj)- ia lanë një emër simpatik “Open Ballkan”, atyre bisedimëve.

Kur bisedohej për tërheqjen e trustit një zyrtari të lartë iu dhimbseshin ato para t’ua jepte qytetarëve, sepse, thoshte ai “krejtë në Durrës i lënë” (te armiku shekullor i jugokosovarëve!). Nuk i shkonte mendja se shqiptarët tanë me miliona i lënë çdo ditë në kafene, duke konsumuar pije Coca Cola, Fanta, Sprite, etj, ekslusivisht të importuara nga Serbia, ashtu siç e konfirmoi këtë monopol përfaqësie Gjykata e apelit në Prishtinë. Nuk i shkoi mendja as për ato 500 miliona euro që importon Kosova duke ia mundësuar Serbisë bilancin tregtar pozitiv! Por, gjuha shkon aty ku dhëmbi dhemb, apo jo?

Për t’i mbrojtur ato përfaqësi monopolistike qindra milionëshe të ca tregtarëve të paskrupullt të mallrave serbe, ata qenë në gjendje t’i zhvarrosnin edhe viktimat e këtyre ortakëve të tregtarëve (tuxharëve tanë) që kishin vu dikur në funksion çdo shkrintore e çdo furrë të fabrikave të tyre për të asgjësuar trupat e shqiptarëve tanë. Por, prapë fajë ka armiku shekullor i tyre, Shqipëria administrative dhe i zgjedhuri i Shqipërisë administrative, përfaqësuesi i Shqiptarëve në Maqedoni e Kryeministri Shqiptar i Malit të Zi, që shkojnë e bisedojnë interesat dhe masat me interes për popullin dhe ekonominë e tyre në kuadër të Planit për tregun rejonal CEFTA 2021-2024.

Edhe vizitat e Kryeministrit Shqiptar në Kosovë ditën e djeshme paskan ndezur një fushatë revolte e përbuzje të re të “Bota Sot” & Co që nuk arrijnë të ndahen nga kultura e mbjellur në viset shqiptare nën Jugosllavi për 86 vjet pushtim te shtyllat e regjimit jugosllav që kontribuan në zhgedhën barbare dhe gjenocidare të paparë në ndonjë vend tjetër Evropian.

Lum ne që për këto çështje me interes kombëtar dhe shtetëror vendos tjetër kush, se po të ishte për ne, për ca përfaqësi të produkteve serbe do t’i kishim mbajtur kufinjtë të mbyllur përgjithmonë me shqiptarët tanë nga viset tjera të okupuara dikur (Luginë e Maqedoni; që kanë kontribuar më shumë për Kosovën e Pavarur se kjo kategori zyrtarësh jugosllavë) dhe do kishim nisur edhe konflikte vëllazërore me vëllezërit tanë andej kufirit që ndanë Lumjanin nga Lumjani, Hasjanin me Hasjanin, Malësorin e Gjakovës me Malësorin e Gjakovës andej kufirit, Kelmendasin me Kelmendasin, etj, etj. Për t’i siguruar njē treg kaptiv vetit dhe një vend pune ku “veç rrin e send me dorë nuk prek” në komunë e Qeveri, idiotësia jonë nuk njeh kufinj! Mos të na prishin terezin shqiptarët nga trevat tjera e të na bëjnë konkurrencë!

Çdo pëllëmbë e tokës shqiptare i takon me të drejtën e kombit dhe me të drejtën e zotit çdo shqiptari që të vij, të pushojë, të punojë, të tregtojë, të shkollohet, të krijojë familje, të zgjerojë truallin, po ta doj dhe ku ta dojë. Së shpejti në kuadër të CEFT-as dhe integrimit evropian që përfaqëson ky mekanizëm ky do jetë një realitet… Kufinjtë fizik dhe kufinjtë mendor të provincializmit dhe jugokosovarizmit që e sheh Kosovën si të rrethuar nga armiku i quajtur Shqipëri do të bie.

Ata që kapen pas kësaj ideologjie antishqiptare dhe frymëzojnë këtë ideologji të trashëguar nga e kaluara kolonialiste jugosllave, patjetër se do përfundojnë në koshërat e plehrave të historisë.

Jo se duam ne, por sepse ashtu e don marshi i pandalshëm i historisë.

Rinia shqiptare e viseve të ndryshme veçse ka thyer ata kufinjë dhe i then ata çdo ditë e më shumë.. Edhe në Prishtinë kompanitë më të sukseshme në ekonominë e re grumbullojnë talentet nga gjitha viset tona dhe konkurojnë në nivel botëror bashkarisht të rinjtë tanë.

Është koha që i gjithë kombi të bëhet gati për të pranuar konkurrencën në një nivel kombëtar, të përqafojmë vlerën e punës, konkurrencës, bashkëpunimit, inovacionit, etj, vlera që na kanë bërë “Emër”në botë e jo të kthehemi shekuj mbrapa me përfaqësi monopoliste, me marrëveshje për përcaktimin e çmimeve ndaj një konsumatori kaptiv (zënë peng) e në identitete të shpikura që do duhej sipas jugokosovarëve të përputhen me hartën administrative që na i la trashëgimi kolonizatori jugoserb.