Shkencë/Teknologji

Albulenë Halili: Gjenocidi i ftohtë mbi shqiptarët: koncepte dhe teori (Kumtesë shkencore)

Gjenocidi i ftohtë mbi shqiptarët: koncepte dhe teori

Kumtesë e lexuar në Konferencën shkencore “Gjenocidi serb kundër shqiptarëve gjatë shek. XIX-XX”, organizuar nga Instituti i Historisë Prishtinë, Instituti i Historisë Tiranë dhe Instituti Albanologjik Prishtinë, 7-8 prill 2022 në Prishtinë.

 

Termin “gjenocid i ftohtë” e pata hasur për herë të parë në vitin 2010 te sprova letrare e Kadaresë “Mosmarrëveshja: mbi raportet e Shqipërisë me vetveten.” Te kreu Pantomima e frikshme e bronzit tek ai flet për shtatoret e kryeheroit Gjergj Kastrioti kudo nëpër botë e në veçanti për atë në sheshin shqiptar të Shkupit, për shqiptarët në Maqedoni, fetarizmin atipik shqiptar të tyre, për kontributin e prijësve fetarë myslimanë në tretjen e kombit shqiptar në ish-Jugosllavi, për veprën makabre të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, në një nga fusnotat e këtij kreu ai përdor konceptin “gjenocid i ftohtë”.

 

 

Përkufizimet tradicionale mbi gjenocidin

Duke qenë se politikat gjenocidale kanë veprimtari shumëdimensionale, është e nevojshme që të bëhet një hulumtim i kujdesshëm për të dekonstruktuar thelbin e këtyre politikave dhe varianteve të implementimit.

Për herë të parë termin gjenocid e përkufizoi juristi polako-hebrej Rafael Lemkin, në vitin 1944, në librin e tij “Axis Rule in Occupied Europe: Laws of Occupation – Analysis of Government – Proposals for Redress”, Washington, D.C.:  Carnegie Endowment for International Peace, 1944, sipas të cilit, “Gjenocid është shkatërrimi i një grupi etnik. Gjenocidi nuk do të thotë patjetër shkatërrim i menjëhershëm i një kombi, përveç se kur kryhet përmes vrasjeve masive të të gjithë pjesëtarëve të një kombi. Gjenocidi mund të nënkuptojë një plan të koordinuar të veprimeve të ndryshme që kanë për qëllim shkatërrimin themeleve thelbësore të jetës së grupeve kombëtare, me qëllim të asgjësimit të vetë grupeve. Qëllimet e një plani të tillë janë ç’integrimi nga institucionet politike dhe shoqërore, nga kultura, gjuha, ndjenjat kombëtare, religjioni dhe qenia ekonomike e grupeve kombëtare, si dhe shkatërrimi i sigurisë personale, lirisë, shëndetit, dinjitetit, madje edhe jetët e individëve që u përkasin grupeve të tilla. Gjenocidi drejtohet kundër grupit kombëtar si tërësi dhe veprimet ndërmerren kundrejt individëve, jo në cilësinë e tyre individuale, por në cilësinë e pjesëtarit të grupit kombëtar.”

Megjithëse termi gjenocid është konceptuar që në fillim për të përkufizuar dy procese të njëjta për nga qëllimi përfundimtar, të ndryshme vetëm nga kohëzgjatja dhe mënyra e realizimit, termi gjenocid në të drejtën ndërkombëtare s’është përdorur kurrë për të pasqyruar të dy kuptimet e tij. Gjenocidi në diskursin politik, por edhe atë shkencor ka përfaqësuar vetëm veprimet sipas kuptimit të parë.

Në studimet e gjenocidit akoma mbizotëron kuptimi konvencional i gjenocidit, i cili i ka rrënjët në modelin e Holokaustit: vrasje masive intensive me qëllim të shkatërrimit fizik e të menjëhershëm të grupit.

 

 

Tendencat për teorinë gjenocidit të ftohtë si një koncept i avancuar i gjenocidit

Teoria e gjenocidit të ftohtë është ende një koncept i ri që mbetet i hapur dhe i papërcaktuar.

Në vitin 2012 në një nga revistat më të njohura shkencore mbi gjenocidin Genocide Studies and Prevention: An International Journal (GSP) Sheri P. Rosenberg, boton artikullin Genocide Is a Process, Not an Event në të cilin bën thirrje për një vëmendje të shtuar të studiuesve lidhur me natyrën e gjenocidit si proces dhe implikimet që rrjedhin nga partikularizimi i të kuptuarit të tij, duke sjellë një koncept të ri “gjenocidi me gërryerje”.

Në vitin 2015 Kjell Anderson boton artikullin Colonialism and Cold Genocide: The Case of West Papua. Sipas tij gjenocidi i ftohtë mund të ndodhë përmes formave delikate të dhunës strukturore që shkatërrojnë grupin përmes masave graduale. Shembuj janë minimi i qasjes në nevojat e jetës së përditshme si puna, strehimi, shkollimi, ushqimi dhe shërbimet shëndetësore, apo zhdukjet graduale.

Në vitin 2018 në po të njëjtën revistëbotohet artikulli me titull Cold Genocide: Falun Gong in China. Ky artikull përveç se inkurajon një kërkim kritik të fushave të reja të margjinalizuara dhe të papërfaqësuara në studimet e gjenocidit, përmes këtij artikulli bën edhe një thirrje për luftimin e gjenocidit të ftohtë, luftë kjo e cila kërkon identifikimin, kuptimin dhe transcendencën e kulturës së armiqësisë që shoqëron shkatërrimin fizik.

Në të tre këta artikuj shkencorë argumentohet se një rivlerësim i konceptit të gjenocidit duke i pranuar kufizimet që dalin nga shkolla klasike e studimeve të gjenocidit që burimin e ka te Lemkin është i domosdoshëm.   

Gjenocidi i ftohtë pra, një gjenocid në formë eksodi, një proces i ngadalshëm shkatërrimi që karakterizon vrasjen e masive të një grupi të mbrojtur në mënyrë të maskuar – publiku nuk i sheh zbulimet e menjëhershme të vdekjes së dhunshme.

Për dallim nga gjenocidi i nxehtë që nënkupton aktet shkatërruese me intensitet të lartë që shkatërrojnë grupin e viktimave në një periudhë të shkurtër kohore, gjenocidi i ftohtë nuk ka të bëjë me shkatërrimin fizik të grupit, por ka të bëjë gjithashtu me shkatërrimin psikologjik dhe social. Pra, gjenocidi i ftohtë është një shkatërrim shumëdimensional, i ngadalshëm dhe shpesh i pavërejtshëm i një grupi gjatë një periudhe të gjatë kohore. Gjenocidi i ftohtë është shumë i ngadaltë që të vërehet se në fakt është një vrasje sistematike me një qëllim të qartë. Por, ai megjithatë është një gjenocid meqenëse faktori thelbësor që e bën një gjenocid është qëllimi,  e jo shkalla e vrasjes. Pra, është qëllimi për të zhdukur një grup.

Koncepti gjenocidi i ftohtë ka mbetur jashtë përfaqësimit në teoritë dhe praktikat konvencionale të studimeve mbi gjenocidin, për shkak se veprimet që karakterizojnë këtë lloj gjenocidi: 1. nuk përmbajnë elemente fizike të çrrënjosjes, 2. janë multidimensionale, pra janë përveç tjerash edhe sociale dhe psikologjike, 3. janë vështirë të dukshme, 4. perceptohen si veprime normale nga shoqëria ku këto ndodhin.

Kështu, veprimet që karakterizojnë gjenocidin e ftohtë janë përfshirë padrejtësisht në kornizat ligjore brenda kuadrit të të drejtave të njeriut, qofshin kombëtare apo ndërkombëtare, por kurrë s’kanë arritur të pasqyrojnë faktorët kyçë që dallojnë dhunimin e të drejtave të njeriut nga gjenocidi i ftohtë, e që janë shkaqet dhe qëllimi i fundëm. Në të gjitha rastet e gjenocidit të ftohtë shkaku është përkatësia në një grup, ndërkaq qëllimi i fundit – asgjësimi i tërë grupit.

 

 

Nevoja e përkufizimit juridik të gjenocidit të ftohtë ndaj shqiptarëve

Në vitin 2016, në një artikull me titull “Gjenocidi i ftohtë” të botuar në PanAlbanica pata shtruar nevojën e përkufizimit juridik të këtij koncepti, i cili haset edhe si “gjenocidi i ngadaltë” apo “gjenocidi i fshehur”.

Përveç gjenocidit të nxehtë të cilin Serbia dhe entitetet paraardhëse të saj, gjatë dy shekujve të kaluar, sidomos nga viti 1876 e deri në vitin 1999, e kanë kryer gjashtë herë, gjenocidi i ftohtë ka qenë proces dhe është kryer ndaj shqiptarëve pa përjashtim, në kohë të ndryshme, me intensitet të ndryshëm, dhe madje në bashkëpunim me aleatë të tjerë. Themelin filozofik e doktrinar të gjenocidit të ftohtë e gjejmë në dokumentet historike të ideologjisë serbe të spastrimit etnik, doktrinave dhe projekteve zyrtare nacionaliste serbe, të hartuara nga Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera shkencore e shtetërore, të cilat qëllim të fundëm kishin shkatërrimin themeleve thelbësore të jetës së shqiptarëve, me qëllim të asgjësimit të vetë shqiptarëve si grup etnik në ish-Jugosllavi.

Jashtë Shqipërisë viabël, shqiptarët kanë jetuar vazhdimisht në një gjendje emergjente e të jashtëzakonshme. Jo gjithmonë vetëm qëllimi i shkatërrimit apo asgjësimit, mund të përkufizohet si gjenocid. Sipas Lemkin, edhe planet e koordinuara me qëllimin e shkatërrimit të themeleve thelbësore të jetës së grupeve kombëtare merren për gjenocid. Dhe ky është një gjenocid i ftohtë,  i rrënjosur thellë në doktrinat dhe ideologjitë tradicionale antishqiptare që jetojnë paradoksalisht edhe sot.

Antishqiptarizmi ka qenë mënyrë e përshtrirjes së tyre, mënyrë e sundimit, mënyrë e krijimit të shtetit të tyre në trojet tona stërgjyshore, mënyrë e jetesës dhe mbijetesës. Antishqiptarizmi i tyre është patologjik dhe është justifikimi i vetë ekzistencës së tyre. Andaj çështja kyçe ka qenë dhe mbetet jo çlirimi i shqiptarëve nga sllavët, por çlirimi i sllavëve nga fantazma e vetësajuar shqiptare. Ky gjenocid është mbështetur mbi një motiv – atë të inferioritetit të shqiptarëve në çdo fushë të jetës. Akulturimi i shqiptarit përmes deinstitucionalizimit të tij, neo-otomanizimi i shqiptarit, kultivimi i shqiptarit të tolerueshëm në sistem, transkodimi i tij në trajtë, sasi dhe cilësi që të tolerohet si pjesë e sistemit të tyre dhe në raste kur kjo nuk ka qenë e mundur, shpërngulja e tij, spastrimi etnik dhe gjenocidi klasik. Kështu koncepti dhe programi koherent e ambicioz territorial serb i spastrimit etnik ka ecur në histori paralelisht me gjenocidin klasik të realizuar në Luftën e Kosovës dhe gjenocidin e ftohtë të kryer në mënyrë sistematike me qëllim shkatërrimin themeleve thelbësore të jetës së shqiptarëve, me qëllim të asgjësimit të vetë shqiptarëve si grup etnik në ish-Jugosllavi.

Nevoja e studimit dhe interpretimit të përkufizimit juridik të gjenocidit, sidomos nga studiues shqiptarë është e menjëhershme. Po aq e menjëhershme shfaqet edhe domosdoshmëria e shpjegimit të gjenocidit sipas kuptimit të dytë të dhënë nga Lemkin, gjegjësisht koncepti që është objekt i këtij studimi- gjenocidi i ftohtë.

Ndonëse një ndërmarrje e tillë, duket e vështirë apo edhe e largët, në këtë kohë, përpjekjet dhe dijet shkencore përveç se rreth krimit të gjenocidit në kuptimin klasik, duhet të orientohen në punën për të hedhur më shumë dritë mbi motivet, veprimet dhe pasojat që karakterizojnë procesin e gjenocidit të ftohtë mbi shqiptarët. Ndaj edhe gjykoj se ky koncept duhet të zërë një vend të merituar në kërkimet shkencore mbi gjenocidin nëpër universitetet dhe institutet tona shkencore.