Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Humori i zi dhe shkrimi tjetër

Njëherë më ka ra puna t’i mbroj (dhe shkruaj me amdirim) për humorin e “stupcave”. Kësaj, radhe, në vend të një reagimi, po e vë një shkrim timin për fenomenet e humorit të zi (të publikuar këtu para disa vitesh, disa herë).
==========
Prend BUZHALA:
HUMORI I ZI DHE SHKRIMI TJETËR
(Kundrime eseistike)
Serbët, tashmë me anë të HUMORIT TË ZI, për shkak të gjendjes së pandemisë, e krahasojnë Prishtinën me Nagasakin dhe Hiroshimën. Ose kur serbët humorin e përdorin si kërcënim:
“Çarë kanë të përbashkët Hiroshima, Nagasaki dhe Prishtina?
– Asgjë akoma.”
Ata janë të njohur edhe me përtalljet e tilla me Hitlerin e me hebrenjtë:
“Hitleri i kishte hedhur hebrenjtë në një gropë dhe u tha me një zë të ëmbël:
– Tash do t’ua hedh një pllakë (personifikim-asociacion për pllakat që Perëndia ia dha Mosiut).
Judenjtë të gjithë të lumtur e pyetën:
– Cilën, cilën?
– Të betonit, – iu thotë Hitleri (asociacion i mbytjes “së lumtur”). “
Asgjë mangut, edhe ndër ne ka depërtuar përtallja me gjithçka e me çdo gjë, sidomos në rrjetet sociale.
1.
Meqë merrem me shkrime letrare, më ka ra puna të shkruaj më se njëherë për HUMORIN E ZI. Ekziston edhe tipi i HUMORIT të ZI, si tip përqeshjeje, që tallet me pleqtë, të çalët, të marrët, nënat, hallexhinjtë… me të burgosurit e ndërgjegjesj… dhe a mos u dashka, pra, të bëjmë humor edhe me kategori që i ka dënuar natyra, t’i dënojmë edhe ne me përqeshjen tonë… Përtallja sartirike godet si me shpatë të plotfuqishmit që nuk përkujdeseshin për hallexhinjtë, apo që shfrytëzonin e vritnin për hesape të vetat…
Këtë tip humori e hasim sidomos te aforizmat dhe anekdotat humoristike.
Tipi i HUMMORIT të ZI, që përtall pleqtë, nënat, të çalët, hallexhinjtë, të burgosurit e ndërgjegjes, është karakteristikë e autorëve me imagjinatë të përçudnuar, antisociale e antihumaniste. Nocioni KOMEDI E ZEZË apo humor i zi, është formuar nga shkrimtari surrealist André Breton (1896 – 1966). Ai thekson që qeshja buron nga cinizmi dhe skepsa, e me tematikë nga vdekja, nga tallja me viktimën që varet në litar, nga përtallja me humor morbid… Kësisoj, rehabilitohen vrasësit, diktatorët, dhunuesit. Fillimisht, shkrimtarët e zhanrit të Komedisë së Zezë, u rrekën të merreshin me temat tabu, por ato u shndërruan në humor patologjik… ku mbizotëron tema e ofendimit njerëzor. Ofendimi njerëzor, i përdorur nga shkarravitësit e pacipë të rrjeteve sociale, ka marrë përmasa alarmante patologjike e morbide…
E ngjashme humorin e zi është edhe komedia e zezë, e cila përkufizohet si zhanër që thyen tabutë tematike me anë të farsës, cinizmit, groteskës, skepticizmit dhe humorit patologjik. Termi “humor i zi” (humour noir) është krijuar nga teoricieni surrealist francez Andre Breton (libri “Antologji e humorit të zi”). Breton përmend shembujt e talljes me vuajtjet e viktimave. Romansieri, skenaristi e aktori amerikan Bruce Jay Friedman (26 prill 1930 – 3 qershor 2020, vdiq këtë vit), ndër të tjera, ka botuiar poa shtu një antologji me titullin “Black Humor” (Humori i zi) më 1965, madje edhe vetë e ka përdorur shumë këtë stil, por ka ditur ta fisnikërojë, kur me anë të përtalljes së vetvetes ka paraqitur dukuri paradoksale sociale, politike apo raciste.
Përgjithësisht, leksikonët botërore japin shënime për autorë e vepra e ku tema të parapëlqyera të këtij zhanri janë vrasjet, vetëvrasjet, depresioni, abuzimi, lufta, religjioni, barbaria, sëmundjet, dhuna në familje, dhuna seksuale, marrëzitë, lakuriqësitë, makthet e sidomos njerëzit me aftësi të kufizuara. Temë e shpeshtë është edhe gjenocidi, siç e pamë nga shembulli i literaturës serbe. Me tematikë e tillë janë edhe disa filma komikë apo filmat triler të zi.
Ky tip dramaturgjie e e letërsie përdoret edhe ndër ne në Kosovë (SIDOMOS TE DISA AUTORË TË MOSHËS SË MESME, nuk po ua përmendi emrat kësaj radhe… vepra, të cilat, sado që kanë vlera artistike, shqiptojnë edhe formula të tipit “Kosova është një mut”, “Liria është një mut” etj, apo “m.. Kosova, m… Shqipnia!”, duke dashur të demaskojë politikën ditore a veprimtaritë e shëmtuara të disa grupeve me drogë, helmimet e tokës e të ngjashme, e ku invektiva letrare është e skajshme, por skajshmëria prek edhe njerëzit e ndershëm. Dihet: humori i zi nuk njeh moralin si kategori etike-njerëzore, po ashtu njësoj, si vepron edhe një politikë skajshmërisht joetike në kë[të drejtim.
2.
Franc Nopça, duke përshkruar karakterin kombëtar të shqiptarit, si çdo karakter tjetër kombëtar, thekson se edhe karakteri i tillë ka faqet e mira dhe të dobëta. Përmend shpirtin e shqiptarit për humor, për ta kaluar kohën, në mënyrë inteligjente… “Talljet pa të keq, lojë me fjalë që nuk therin, shqiptari i ka qejf. Ai që nuk kupton shaka, merret për budalla. Në mbarim të gostive të mëdha, improvizohen këngë ku vihen në dukje anët e dobëta të pjesëmarrësve….”(fq.42). Në Shqipëri, të huajve, thekson Nopça, u bie në sy lakmia për të holla. (Të mos harrojmë, Nopça i botoi këto shkrime mbi shqiptarët në dekadat e para të shekullit XX). Ndërkaq, ai, si tipar, përmend ambicien personale:
“Nuk njoh shqiptar që të quhet modest. Më duket se dëshira intensive e çdo shqiptari, është të dallohet në një mënyrë nga të tjerët, qoftë edhe për armët e mira, veshjet e bukura, t’i përmendet emri, t’ua shkojë shokëve të fisit. Malësori lakmon të nderohet ose t’ia kenë frikën, duke u mbajtur pas zakoneve të fisit të tij… Frika se mos përbuzet, e nxit atë si malësor të zbatojë kodin e nderit në mënyrë të përpiktë. Shqiptarët me kulturë më të lartë, lakmojnë të kenë të holla, për të fituar ndikim më të madh; politikani shqiptar lakmon së paku të luajë rolin e një shefi partie etj.” (në faqet 31-35 të këtij libri).
3.
Nëpër rrjetet sociale, jemi dëshmitarë se si shumë njerëz i gëzohen fatkeqësisë së tjetrit (a burgosjes së tjetrit): kur vdes nga pandemia, shprehin kënaqësi si vdiq njeriu që nuk e kemi dashur. Dhe këtë gëzim patologjik e shprehin hapur nëpër rrjete sociale, profile, portale, medie të çoroditura. Kur tjetrin e godet koronavirusi, po ashtu ndodh një patologji histerike pothuajse kolektive e një tabori kundërshtar, nëpërmes një talljeje histerike (thënë butë, pra, përmes humorit të zi, i dënueshëm si sakrilegj moral. Apo kur ngrihen akuza të Gjyqit Special, të mbështetura te Dick Marti, te rusët e te Serbia kundër figurave më të larta shtetërore, dashakëqijtë i fërkojnë duart nga gëzimi. Janë jo të pakta sulmet ndaj gruas që ka emër, siç ndodhi në Parlamentin e Kosovës, dhe turmat histerike jo vetëm që e lëvdojnë këtë sulm patologjik, por edhe shprehen me fjalorin më të sëmurë për këtë “vepër patriotike”, natyrisht, për këtë vepër të qyqarllëkut e mjerimit shpirtëror.
4.
Është Sokratin, i cili e shpjegon edhe më mirë këtë fenomen… e njohur si ironia sokratiane. Por përqeshësit kanë qenë edhe në kohën antike… deri te Don Kishoti i Servantesit. Madje tipi i Nastradinit oriental, është i dashur për krejt botën, e sidomos për shqiptarët…
Përqeshja krijon HAPËSIRA TË LIRISË, por HUMORI I ZI me pleqtë krijon nazifashizëm!
Edhe destrukcionistët (që merren me tekstin) shpesh bien në[ këto ujëra, për shkak se ata janë në gjendje që edhe nënën e vet ta “dekosntruktojnë”, si “mit të rrejshëm” (siç u përpoqën me Skënderbeun të bëjnë në emër të zhveshjes së mitit), dmth si mit hyjnor…madje edhe fëmijën e vet e dekonstruktojnë si mit “të poshtër”!!!
Sepse, për “dekonstrukcionistët” e tillë, patologjikë, edhe NËNA edhe FËMIJA na janë mite që duhen të dekonstruktohen!!! Sepse janë mite, të cilat duhet zhveshur nga hyjnia e dashurisë që ka fëmija ndaj nënës apo nëna ndaj fëmijës.
Dekonstruksionistët patologjikë kanë imagjinatë të prishtë… antinjerëzore!
Po flasim, pra, me gjuhën satirke të përqeshjes dhe të dekontsrukcionit kundër dekonstrukcionit! Një metadekonstrukcion!!!
5.
Por, ndryshe nga humori i zi, satiristët e humoristët e vërtetë, krijojnë situata qesharake për ta demaskuar kalbëzimin moral e shoqëror.
Lexuesi do ta bëjë dallimin, pra, midis përtalljes, sarkazmës, ironisë e satirës së mirëfilltë dhe komedisë së zezë, satirës së zezë, sarkazmës morbide dhe humorit të zi… Të parat përbëjnë vlerat më të larta të karakterit të njeriut, të dytat, ato më të ulëtat…
HAPESIRA e E LIRISË SË PËRQESHJES ende nuk është zgjeruar në krejt planetin. Sidomos në shumë shtete e hapësira të kontinenteve tjera me regjime autokratike e klerikalo-diktatoriale…
Meqë humori i zi përdoret te aforizmat (tashmë edhe te ekrani televiziv e ai dixhital), të mos harrojmë: vështirësive jetësore, politike a shoqërore, njerëzit e urtë, anonimë, i kundërviheshin me anë të qeshjes, humorit, përtalljes, si trajta kritikës së tillë shoqërore. Nëse aforizmi sot konsiderohet si trajtë e kritikës ndaj çdo gjëje që ekziston, ndaj marrëzisë njerëzore, çmendurisë, theqafjeve pakrye të një shoqërie, atëherë ç’është e vërteta, kishte përpjekje gjatë historisë, ashtu sikundër ka edhe sot, që aforizmi të bartej në fushën e filozofisë, si kishte vepruar filozofi Bekon me veprën “Novum organum”, apo Blez Paskal, apo Georg Kristof Lihtenberg, porse në botën e sotme ajo po merr kuptimin gjithnjë e më tepër të një replike thumbuese, satirike, ndryshe nga aforizmi i humorit të zi që nuk heq kufijtë midis kritikës se të keqes dhe përmbysjes së vlerave njerëzore.
Në Kosovë do të na kujtohen jo pak emra që e kanë kultivuar nëpër dekada aforizmën satirike, si Ramiz Kelmendi, Rifat Kukaj etj.
Do ta ketë ndjerë lexuesi i asaj kohe atë humorin karakteristik, që di ta japë vetëm Rifat Kukaj, me thumba e batuta, me groteskun dashamirës, tek do t’i dënojë veset a dobësitë, do ta shquajë atë goditjen tërthorazi të gabimeve etj. Shumë nga krijimet e tij përshkruajnë situata që krijojnë atmosferë gazmore e komike me përjetime të bukura e jashtëzakonisht të këndshme. Ramiz Kelmendi, përpos krijimit të shkrimit humoristiko-starik, ka edhe një studim monografik me titullin “Tregimi ynë humoristiko-satirik (1944-1974)” (“Rilindja”, Prishtinë, 1975), si dhe një vepër tjetër me këso trajtesash “Fytyra dhe turinj- polemika në letrat shqipe” ( Rilindja, Prishtinë 1990). Në këtë drejtim, spikaten edhe fenomenet që shfaqen në trajtimet e kësaj problematike, siç janë moralizimet, reduktimi i satirës vetëm në planin ideologjik e politik dhe për fenomenin e humorit të zi, si forma më e dehumanizuar e humorit, i privuar nga koncepti human, i reduktuar në të keqen, të zezën, Vetë Ramiz Kelmendi shprehet: “Në shoqërinë e konsumit në kohërat dinamike moderne, në mjedise gjithnjë e më të dehumanizuara, humori i zi i zë vendin gjithnjë e më shumë humorit të mirëfilltë…”
Edhe Ismail Kadare merret me përtalljen e protagonistëve të luftës (nga tabori armik) te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”; studiuesit e vlerësojnë se “Ismail Kadare ka taktin, maturinë, mjeshtërinë e një romansieri të madh… nën maskën e përqeshjes dhe të humorit…”.
(Prend N. Buzhala, rishkrime, 29 korrik 2020)