Lëvizja\UÇK

Zenel Kelmendi: HEROI I KOMBIT QERIM (“SHPIRTMADHI”) KELMENDI KTHEHET NË VUTHAJ, NË VENDLINDJEN E GJYSHËRVE TË TIJ, EDHE SI HERO I TREVAVE SHQIPTARE NËNË MAL TË ZI

HEROI YNE KOMBETAR QERIM (SHPIRTMADH) KELMENDI KTHEHET NE FSHATIN VUTHAJ, NE VENDLINDJEN E GJYSHERVE TE VET, EDHE SI HERO I TREVAVE SHQIPTARE NE MAL TE ZI
NË VEND TË FALËNDERIMIT PUBLIK
Më 31 korrik 2023, në Shtëpinë e Kulturës në VUTHAJ, u mbajt Manifestimi letrar e shkencor – Vuthaj 2023.
I.
Në këtë manifestim, ku morën pjesë veprimtarë nga shumë vise të Atdheut tonë, u shënua 50-vjetori i formimit të Grupit Revolucionar të Kosovës, për të cilin foli shoku Hydajet Hyseni, anëtar i GRK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pastaj për Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare – paraprijëse e UÇK-së, referues ishte shoku Xhevat Gjini, kryetar i shoqërisë ‘’ Lëvizja’’.
Në kuadër të Takimeve vjetore letrare e shkencore, edhe në Vuthaj, u përurua libri dypjesësh i autorit Berat Luzha, “Shtegtime nëpër Atdhe”. Për vlerat dhe rëndësinë e librit foli shoku Bejtullah Tahiri.
Po ashtu, në pjesën e dytë të këtij manifestimi u zbuluan:
1. Portreti i luftëtarit të dalluar të UÇK-së dhe Heroit të Kombit, QERIM KELMENDI dhe
2. Fotoja e pjesëtarëve të Batalionit Atlantiku, që janë nga treva e Plavës e Gucisë, pjesëmarrës në luftën e UÇK-së.
Për Heroin Qerim Kelmendi dhe për pjesëtarët e Batalionit Atlantiku, foli shoku Binak Ulaj, veprimtar dhe atdhetar i mirënjohur në trevat e Plavës dhe Gucisë, në Kosovë dhe më gjerë.
Në pjesën e tretë të këtij manifestimi nga shoqëria “Levizja”, u ndanë mirënjohje veprimtarëve të dalluar të kësaj ane, REXHEP BALIDEMAJT dhe AJSHE GJONBALAJT. Për sakrificën dhe kontributin e tyre në Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare folën shoku Shban Hasangjekaj dhe shoku Fadil Ulaj.
II.
Shfrytëzoj rastin që në emër të familjes Kelmendi (Vuthjanët e Llabjanit) dhe në emrin tim personal t’i falënderoj:
– Organizatorët dhe panelin e këtij manifestimi;
– të gjithë pjesëmarrësit e këtij manifestimi;
– vajzën, bashkëshorten dhe vëllain e HEROIT TË KOMBIT REXHEP MALAJ;
– të gjithë veprimtarët dhe atdhetarët e mirënjohur nga disa komuna të Republikës së Kosovës, si: Hydajet Hysnin, Ilmi Ramadanin, Njazi Korçën, Xhevat Gjinin, Xhemajl Pllanën dhe dhjetëra veprimtarë nga të jitha viset shqiptare;
– të gjithë bashkatdhetarët nga diaspora dhe të gjithë bashkatdhetarët tjerë që nuk po kemi mundësi t’i përmendim veç e veç.
III.
Një falënderim të veçantë e kam edhe për tre shokët dhe kushërinjtë e mi:
BINAK, FADIL DHE JUSUF ULAJN, të cilët, tamam, si vuthjanët e dikurshëm, bënë të pamundurën që çdo pjesëmarrës dhe mysafir i këtij manifestimi të ndihet, tamam si në shtëpinë e vet. Ata, pos angazhimeve të shumta intelektuale dhe fizike dhe pos shpenzimeve material, u dalluan si mikpritës të rrallë dhe, lirisht mund të themi se bujaria, respekti dhe pritja e tyre dhe e disa vuthjanëve tjerë i befasoj për të mirë me qindra pjesëmarrës dhe, neve, vuthjanëve të Llabjanit, na bëri që të ndihemi edhe më shumë krenar që i takojmë kësaj treve shqiptare, e cila, vërtetë është një perlë e rrallë shqiptare.