Kulturë\Letërsi

Zekirja Idrizi: “Islami religjion agresiv (?!)” i autorit kritik dhe ekscentrist Ibrahim Kelmendi

“ISLAMI RELIGJION AGRESIV (?!) I AUTORIT KRITIK DHE EKSCENTRIST IBRAHIM KELMENDI
Është mirë të lexohet libri “Islami – religjion agresiv (?)”, i autorit Ibrahim Kelmendi – Miran Kelmendi, me një bibliografi mjaft të pasur që ka konsultuar ky autor. Libri është bombastik dhe njëkohësisht alarmues për qarqet teologjike. Ndërkohë për besimtarët ai është intrigues dhe shkas për një përsiatje e meditim të thellë, kurse për hoxhallarët shkas për një studim e hulumtim të thellë komparativ e analitik…
Ky libër gjatë do jetë në fokus të kritikave si negative ashtu edhe pozitive. Për më tepër, ai do shkund mirë nga letargjia dhe indolenca intelektualët, hoxhallarët dhe imamët shqiptarë.
Kurse, meqë është përkthyer edhe gjermanisht, te gjermanët do nxisë debat historiko-shkencor e psikologjiko-filozofik rreth mësimeve fundamentale të religjionit islamik…
Ky libër, njëherësh, konfirmon edhe faktin e mungesës së një qëndrimi kritik e analitik mbi këtë religjion, që i ka munguar auditorit lexues në shqiptari…
Pra, z. Kelmendi provon faktin që edhe në trojet shqiptare ka Volter, Niçe dhe Spinozë, që di të vë në thumb të kritikës dogmat më kruciale të religjionit…
Ibrahimi ka shkruar rreth islamit burimor, për mësimet fundamentale të Kur’anit dhe haditheve të profetit, përkatësisht për jetëshkrimin e tij dhe këto mësime i vë në thumb të kritikës. T’ju them të drejtën, shikuar nga këndvështrimi im teologjik, Ibrahimi në shumë pohime ka plotësisht të drejtë. Por, mos harro, ky njëlloj kritikon edhe krishterimin dhe hebreizmin dhe i cilëson që të gjitha si religjione agresive, dekadente dhe regresive…
Do ngelemi gjithmonë mbrapa nëse nuk kemi qëndrim kritik ndaj religjioneve, sepse degradimi i tyre gjatë historisë shpesh ka shpënë në përplasje kulturash, në konflikt e luftëra civilizimesh… Së këndejmi edhe libri kontrovers i studjuesit Samuel Huntington “Përplasja e qytetërimeve”, që shkaktoi polemika të thella në qarqet sociologjike, antropologjike, kulturologjike, teologjike dhe filozofike.
Mandej, gjitha këto reagime i ka pjellur një islam rigjid, steril, politik/fundamentalist, konservator dhe dekadent …
Në prolog të librit, autori pranon faktin se ka lindur në një familje tradicionale myslimane dhe se babai i tij ka qenë një hoxhë autodidakt. Do të thotë, religjionin islam e ka trashëguar verbërisht e dogmatikisht. Qysh si gjimnazist i shpërfaqen atij dyshimet dhe dilemat e para rreth dogmave konvencionale të islamit për t’i thelluar ato më pastaj gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, gjatë ndjekjes së studimeve në universitet.
Në fakt, Ibrahimi ndjek me përpikmëri rrugën e islamologëve, orientalistëve dhe kriticientëve të religjioneve, si p.sh. të orientalistit hungarez Ignac Goldziher, të studiuesit egjiptian Dr. Hamed Abdusamed, të shkrimtares bengalo-suedeze Taslime Nasrin, të publicistes shqiptaro-gjermane Zana Ramadani Till Lindemann etj.
Dorën në zemër, ky libër mua më ka intriguar thellë. Madje edhe më ka tronditur, duke shkaktuar te unë skepticizëm kundruall të vërtetave absolute islame. Shumë argumente ishin aq kokëforta dhe bindëse sa shkaktuan dozë dyshimi te unë. Rrjedhimisht edhe rebelimi im kundrejt disa interpretimeve religjioze, që vënë në dilemë dogmat kruciale të islamit dhe kritikat për profetin simbol të tij, Muhamedin dhe vetë Kur’anin e shenjtë si libër i tyre autoritativ.
Gjatë leximit hasa në paraqitjen e qindra verseteve (ajeteve) Kur’anore dhe haditheve (thënjeve) profetike, si dhe rrëfime nga “sira”/biografie e tij, që autori i vë në thumb të kritikës, duke i denigruar ato si të sajuara nga vetë profeti për të indoktrinuar ithtarët e muhamedanizmit. Mandej ai vë në diskutim të thellë dilematik edhe vetë personalitetin e profetit Muhamed, teksa thekson që “ai ishte i butë e pacifist sa ishte në Mekë, por egërsohet kur emigron në Medine të Arabisë Saudite, duke kaluar në person agresiv, luftarak e donzhuan!”
S’do mend që ky libër do të shkaktojë rrëmujë dhe përplasje e polemika në qarqet teologjike myslimane në vend dhe në botë, si dhe te shumë myslimanë dogmatikë do të shkaktojë tronditje dhe revoltë të thellë.
Ka afro katër vite që është botuar ky libër dhe akoma nuk ka një të vetmen kritikë nga teologë e studjues shqiptarë myslimanë. Ka dekada që krerët e klerit mysliman të bashkësive fetare islame gjenden në gjumë të thellë, në amulli e indolencë të pashoqe. Dyshoj që ka potencial te inteligjencia myslimane për t’ju përgjigjur në mënyrë të denjë e meritore autorit ekscentrik dhe kriticist Ibrahim Kelmendi!
Përfundimisht ky libër zgjon nga letargjia shekullore dekadente teologët dhe vetë myslimanët dhe i shkund ata mirë nga absolutizmi, mitologjia dhe obskurantizmi teisto-religjioz … Ndërkaq Ibrahim Kelmendi, siç thash më sipër, është një Volter dhe Spinozë shqiptar.
Kritika e tij do qëndroj gjatë në histori dhe do jetë objekt studimi në qarqe shkencore, filozofike dhe teologjike..
Zekerija Idrizi – Teolog
Berlin