Vështrim/Analizë

Ylli Meçe: Leksion për të paditurit dhe për frikacakët e ditur

Nuk kisha aspak ndërmend që të merresha me këtë temë, por duke qenë se në kushtet aktuale, kur Kosova është e çliruar nga pushtimi serb, përveç pikëpamjeve të drejta mbi faktorët vendimtarë të luftës së saj deri në çlirim, hasim me shumicë edhe pikëpamje të gabuara e mendoj se është e nevojshme për t’u njohur nga ana e publikut. Të flasësh për Luftën e UÇK -së e të kombit shqiptar pë çlirimin e Kosovës, duhet që domosdoshmërisht, të lidhet nga njëra anë shtypja, represioni dhuna gjenocidi i shovinizmit serb në shekuj mbi këtë krahinë dhe nga ana tjetër me urrejtjen, shpirtin kryengritës dhe dashurinë për të qenë i lirë dhe i bashkuar i popullsisë së kësaj treve me trungun amë Shqipërinë. Pa bërë aspak histori më duhet të theksoj edhe pse me Titon në krye, i cili hiqej si një komunist dhe që pat deklaruar dhe premtuar se: ”Po, Kosova e dimë që është shqiptare dhe mbas çlirimit nga nazi – fashizmi do i jepet Shqipërisë”, kjo ishte djallëzia dhe hipokrizia e parë e Titos, për problemin e Kosovës, sepse po të ishte Tito një komunist i vërtetë, këtë gjë duhej ta kishte bërë qysh në vitet 1945 – 46 të shekullit të kaluar, madje pa e kërkuar këtë gjë E. Hoxha. Por, ja që ashtu sikurse për fatin e keq të popujve të kësaj Federate më keq e pësoi dhe Kosova. Kjo do të thoshte se ai ishte në rrugën e tradhtisë së idealeve internacionaliste, pa shkuar më tej, se Titos i kullonin jargët për të aneksuar dhe vet Shqipërinë.
Tradhtia e tyre bëri që ajo të përjashtohej ne vitin 1948 nga Internacionalja komuniste. Kështu, që Jugosllavia mbas denoncimit që iu bë asaj nga“Komiterni” për rrugën e tradhtisë, u përpoq të hiqej “një vend i paangazhuar”që do të thoshte se nuk puqej me B. Sovjetik të Stalinit, por dhe as me imperializmin. Veçse kur fliste kundër imperializmit, Beogradi e përdorte këtë term në përgjithësi dhe jo konkretisht, ndaj dhe mardhëniet e Titos me Britaninë e Madhe, Amerikën dhe disa vende të Evropës, ishin aq të mira të shtrira në të gjitha fushat deri te ato të shërbimeve sekrete.
   Amerika dhe vet Evropa deri në vdekjen e E. Hoxhës, madje edhe kur filluan kryengritjet dhe revoltat e rinisë shqiptare në Kosovë, në Pranverën e vitit 1981, nuk ishin për luftën e këtij populli dhe lirinë e tij. Strategjia e imperializmit Amerikan ndryshoi vetëm mbas viteve 1989, vit ky që shënon pikën kulmore, atë të deklarimit haptas të ish vendeve të kampit socialist në rrugën kapitaliste të zhvillimit. Këto vite e sidomos mbas viteve 1990 të shekullit të kaluar përkojnë dhe me ndryshimin e taktikave SHBA – ve, taktika këto të domosdoshme, sepse tashmë harta gjeografike e sistemeve politike dhe ekonomike kishte pësuar ndryshime të mëdha dhe te kjo hartë e re, ata projektonin interesat e tyre.
   Daljes së shumë ish republikave sovjetike nga “suaza e BRSS” dhe lufta e popujve për pavarësi kombëtare, tashmë me të drejtë doli në plan të parë. Përkrah vendeve të tilla si Polonia,Hungaria R.D Gjermanisë, Çekosllovakia, Bullgaria, Rumania, Republikat Priballtike, si Lituani, Letoni, Estoni, të shoqëruara këto me lëvizjet kryengritëse, iu shtua dhe ajo e popujve të Federatës Jugosllave. Këto e të tjera, do prishnin balancat e pas luftës së dytë botërore dhe në këtë kuadër kërkohej një” ndarje e re” e heshtur madje jo kërcënuese, por mikluese dhe “dashamirëse” me ofrim të “miqësisë” dhe ndihmash për “rimëkëmbjen e demokracisë”. Evropa vrapoi që shumë vende ish socialiste t’i antarësonte në NATO. Dhe ja erdhi çasti, Republika Federative jugosllave u shpërbë jo paqësisht, por me luftë dhe teksa lufta e dominuar prej ushtrisë së pushtuesve serbë u përballë me veprime vendimtare të popujve të kësaj federate, e cila solli pavarsinë e tyre, për çudi Kosova e cila ishte në mospajtim me Serbinë qysh prej vitit 1945 (madje dhe shekuj më parë), ende qëndronte e pushtuar.
Evropa heshtte, teksa Amerika as që mendonte për luftën e këtij populli, madje dhe kur pushka e Adem Jasharit paralajmëroi se ky popull nuk mund t’i duronte më vargonjtë e skllavërisë, ata na këshillonin që ne duhej të “rrinim urtë”, të mos bëheshim “faktor destabilizues për Ballkanin”, të luftonim brenda nesh konceptet e “ separatizmit dhe irredentizmit” dhe lloj – lloj “këshillash” të cilat kishin për qëllim uljen e frymës liridashëse, por nga ana tjetër, indirekt linin të kuptohej, se Shqipëria sikurse dhe Kosova e saj, duhej të rrinin urtë dhe t’i gëzoheshin statusit territorial të tyre, sipas vendimeve te dikurshme të zuskës dhe zuzarëve të Evropës plakë, pra të ngelej përsëri një koloni e Serbisë. Sigurisht që dhe Amerika heshtte dhe pse brenda saj ka një komunitet të madh shqiptarësh atdhetarë të vërtetë, të cilët dolën në mbështetje jo vetëm të ideve për çlirim, por dhe për luftën e armatosur si i vetmi faktor vendimtar që të çon deri në fitoren përfundimtare, ide këto të drejta,të hedhura dhe dikur nga E. Hoxha, të cilat grisën petkun pacifist të disa “udhëheqësve” në Kosovë, që thonin se “vërtetë duhet të jemi të lirë, por ama të vetëpërmbahemi, t’i kundërvihemi shovinizmit të egër serb paqësisht e me dialog… teori kjo e cila në pamje duket sikur e kërkon lirinë, por “rruga paqësore”, do të thotë të presim që lirinë të na e dhurojë vet dhunuesit, pra pushtuesi shovinist!
Çfarë vërejmë në këtë periudhë? Duke analizuar fenomenin dua të them se kjo urrejtje, e cila çoi në luftën e armatosur, është një akumulim i llavës së brendshme patriotike e atdhedashurie të shqiptarëve të kësaj treve, llavë kjo, që do shpërthente me siguri e që do të thotë se një popull, mund ta mbash të pushtuar për ca kohë, por kurrë pafundësisht. Një popull që i nënshtrohet përjetësisht sundimit, ai e humbet indetitetin e tij, asimilohet, shkombëtarizohet dhe gradualisht shuhet dhe brenda tokës së tij, ose nuk është gjë tjetër, veçse një kufomë e vdekur.
Populli ynë i Dardanisë shqiptare, i mbështetur nga shteti AMË, e kreu me nder e dinjitet misionin e vet historik nëpërmjet bijve të tij të lavdishëm, të cilët krijuan bërthamat e para luftarake, duke u përballur direkt ballë për ballë me pushtuesin. Këto embrione të para të UÇK-së, vërtet fillimisht ishin të vogla në numër por gradualisht fryma e tyre luftarake përfshiu gjithë tokën e pushtuar të Shqipërisë nga Jugoserbia dhe ato erdhën e u zgjeruan.
Por, ç’po ndodhte ndër kohë dhe çka po mendonin kancelaritë evropiane dhe vet Amerika? Çuditërisht, ata nga këshillues të mos fillimit të luftës kundër pushtuesve shekullorë dolën befasisht mbështetës të saj, madje mobilizuan dhe vet NATO- n për veprime luftarake kundër Serbisë shoviniste. Po pse si qe puna mos vallë Amerika dhe Evropa ndërruan mendje se na duan aq shumë? Jo aspak ! Ata as na kanë dashur e as nuk na duan, por djallëzia e tyre qëndron te fakti se gjithë luftën për çlirim të popullit tonë shqiptar në Dardani dhe bijve të tij luftëtarë, kërkonin tashmë që t’ia atribuonin vetes së tyre dhe rezultatet e fitores t’i përkushtoheshin ndihmës së tyre, se gjoja ajo ndihmë na qenkish ”jetike”, se gjoja pa ndërhyrjen e NATO- s dhe USA- s mbase dhe sot Kosova nuk do të ishte e çliruar. Madje për ta njollosur dhe deningruar këtë luftë, shumë komandantë e luftëtarë të tyre i persekutuan dhe i dënuan e shumë po i çojnë në Hagë si “terroristë”!! (Sa e përputhshme kjo me tezat e Serbisë, Rusisë e Dick Marty-it, që UÇK e konsideronin “bandë terroristesh” e “ndërmarrje kriminale”). Të ishte e vërtetë kjo? Jo kjo nuk është aspak e vërtetë dhe është tezë reaksionare, e cila ose përqafohet nga njerzit e paditur, (të cilët mund të jenë të mirë, por nuk njohin rolin historik të popujve në zhvillim dhe artin e luftimit) ose nga ata që janë të ditur por frikacakër, (këta janë disfatistë dhe të dëmshëm në situata luftarake), të cilët sa dëgjojnë një plasje arme, me brekë të mbushura plot vrapojnë ku të futin kokën.
Në fakt NATO dhe Amerika ndërhynë vërtetë, por ndërhynë atëherë kur e panë se në rrugën e nisur ishim të vendosur dhe që kurrë nuk do ktheheshim mbas. Ata, duke e parë situatën, që nuk kishin se si ta ndalonin (me gjithë përpjekjet që bënë) menduan tashmë të merrnin në duart e tyre “flamurin e shpëtimtarit” dhe nga “këshillues për paqen në Ballkan” u bënë përkrahësit më aktiv të luftës… Kjo në rrafshin gjeostrategjik u interesonte, sepse sigurojnë bazat e qëndrimit në rajonin e Ballkanit. Shtrohet pyetja : Nëse nuk do të kishte ndërhyrë NATO dhe Amerika, a do të triumfonte lufta e UÇK-së dhe e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës? Në mënyrë absolute që do të fitonim dhe triumfonim mbi armikun. Kuptohet, do kishim më shumë viktima, më shumë dëshmorë, më shumë djegie, shkatërrime e përdhunime, por dhe këtyre egërsive të armikut i përgjigjet një hov akoma dhe më i madh dhe një llavë vullkani aq e zjarrtë e luftarake sa që do digjte e përvëlonte çdo agresor. Këtë e tregon historia boterore e luftrave agresive dhe lirisë së popujve.
Amerika dhe Evropa ndihmuan dhe kjo nuk duhet të mohoet. Ata vetëm përshpejtuan në kohë fitoren. A nuk ndodhi i njëjti fenomen dhe me hapjen e “frontit të dytë” nga anglo-amerikanët në qershor të 1944, që përshpejtoi fitoren e Ushtrisë së Kuqe të Stalinit, e cila e mbajti frymën në Berlin? Po nëse Anglo-amerikanet nuk e hapnin frontin e dyte mos vallë Ushtria e kuqe nuk do kishte hyrë në Berlin? Sigurisht, që Ushtria e Kuqe do ta ngrinte flamurin e fitores në Raishtang të Gjermanisë, mbase jo më 9 Maj 1945… ndofta pak më vonë. U kujtoj të paditurve dhe frikacakëve se një popull, i cili është i pushtuar dhe ngrihet për liri nuk ka forcë në botë, që ta ndalë nëse ai lufton deri në ushtarin e fundit. Pyes të paditurit dhe frikacakët: Si mundi që Skënderbeu fitoi kundër ushtrisë dhe hordhive të një Perandorie (superfuqi e kohës), duke qenë shumë herë më pak në raporte ushtarake, por dhe në tekniken luftarake me osmanllinjtë? Si mundi që populli shqiptar dhe bijtë e tij partizanë fituan në luftë kundër hordhive nazi – fashiste disa herë më shumë në numër dhe në paisjet e tyre tekniko- luftarake?
A nuk ishin ata të parët tanë një shembull i madh frymëzimi dhe ne të jemi krenarë për jetën dhe veprën e tyre? Historia nuk është e s’duhet të jetë kurrë një luks diturish, por mbi të gjitha një mjet i fuqishëm edukimi me vlera atdhetare, sidomos për brezin e sotëm, për të ditur mësuar e kurrë për të mos i harruar, se ç’është dhe sa vlerë ka për një popull e një komb, trimëria dhe çfarë dëme sjell tradhtia në luftë…
Është për të ardhur keq që asnjë pushtetar nuk foli për heroizmin e Gjergj Kastriotit dhe rrugën e lavdishme të popullit shqiptar në shekuj për liri, pavarësi dhe indetitet kombëtar….. por u ndalën te “vëllai Erdogan”. Mirë bënë se shqiptari mikun e pret si mik, por ndodh që një ditë ai dhe mund të harrohet ose të na harrojë, teksa Heronjtë e Dëshmoret tanë janë të përjetshëm dhe janë Ata që përherë duhet të kujtohen e nderohen.