Shqipëria/Aktualitet

Rama publikon pyetjen e 6-të të Këshillimit Kombëtar: Të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot pyetjen e 6 të Këshillimit Kombëtar.

“Për të ecur më shpejt e për t’u ngjitur lart, kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin! Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike, duke klikuar si vijon 👉 https://keshillimikombetar.al/”, u shpreh kryeministri Rama.

Pyetja e 6-të e Këshillimit Kombëtar ka të bëjë me lejimin e kultivimit, përpunimit dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit mjekësor.

“Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetësor.

Në shpjegimin e pyetjes theksohet se, “kanabisi mjekësor, i cili është i ndryshëm nga kanabisi për përdorim vetjak, provohet gjerësisht nga shkenca se ka efekte kurative. Megjithatë, siç rezulton nga eksperienca e vendeve të ndryshme të rajonit, apo botës, shfrytëzimi i kontrolluar i kanabisit nga shteti ka impakt shumë pozitiv, jo vetëm në shëndetësi, por edhe në rritjen ekonomike dhe në luftën kundër shfrytëzimit të paligjshëm të kësaj bime”.

Alternativat e qytetarëve për t’u përgjigjur janë tre;

Shqipëria duhet të lejojë, kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit mjekësor;

Nuk kemi nevojë për këtë nismë;

Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje.