Xhevat Gjini: Kryetari Bajden do të bënte mirë po ta anulonte vendimin e Trampit për Jerusalemin kryeqytet
Jerusalemi është molla shekullore e sherrit, e konflikteve dhe e luftrave të përgjakshme ndërmjet arabëve dhe izraelitëve edhe gjatë këtyre shtatë – tetë dekadave. Ky qytet konsiderohet i shenjtë edhe nga çifutët (muri i vajtimit, tempulli i Solomonit), edhe nga krishterimi (varri i Jezu Krishtit) por, edhe nga islami, si qytet i tretë i shenjtë (xhamia El Aksa). Palestina e konsideron Jerusalemin Lindor për kryeqytet të sajin. Mirëpo, në vitin 1967 Izraeli e kishte pushtuar edhe Jerusalemin Lindor. Bota nuk ia ka njohur këtë pushtim. OKB – ja dhe Këshilli i Sigurimit kanë miratuar shumë rezoluta me të cilat kërkojnë tërheqjen e Izraelit nga Jerusalemi Lindor. Vendet e krishtera (kryesisht katolike) kanë kërkuar që Jerusalemi të shpallet qytet ndërkombëtar dhe të mos i lihet Izraelit. Pushtimi i Jerusalemit është bërë në kundërshtim me vendimet dhe rezolutat e OKB-së. Është një histori e ngatërruar dhe ende e pazgjidhur. Jerusalemi ishte territor i Palestinës, por Izraeli, pas pushtimit, në vitin 1980 e shpalli kryeqytet të vetin.
Kryetari amerikan, Trampi, mori vendim dhe e njohu Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit! Me vendimin e tij ai zhvendosi edhe Ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem. Ky vendim ngjalli reagime e kundërshtime në shumicën e shteteve të botës. Edhe Bashkimi Evropian ishte dhe mbetet unik në kundërshtimin e këtij vendimi të SHBA-ve. Në kërkim të vendeve që do ta njihnin Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit, Kryetari Tramp, në fund të mandatit të tij, ia doli që të impononte njëfarë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë… Njëra nga pikat e kësaj marrëveshjeje sui generis ishte edhe njohja e Jerusalemit për kryeqytet dhe vendosja e Ambasadës së Kosovës në qytetin e shenjtë për tri fetë, të lakmuar nga të gjitha palët, që i takon Palestinës, por i pushtuar nga Izraeli.
Përfaqësuesit e Kosovës nuk mund t’i thonin “jo” Kryetarit të Amerikës… Ishte edhe joshja me njohjen e Kosovës nga ana e Izraelit, etj. Nuk vonoi dhe njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi. Kështu që Kosova, sipas zotimit dhe si vend “mysliman” (marrja e zotit !) duhet ta njihte Izraelin me kryeqytet Jerusalemin. Pas kësaj duhet të ngrihet edhe Ambasada e Kosovës në Jerusalem. Ky vendim i Kosovës ngjalli reagime dhe kundërshtime të rrepta nga BE-ja, nga Turqia, nga vendet arabe, etj. Pakënaqësia e Serbisë ishte e një natyre tjetër. Ajo u revoltua dhe protestoi ashpër pse Izraeli e njohu Kosovën!
Njohja që fitoi Kosova nga Izraeli ishte shumë e dëshiruar dhe në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj po bënin fushatë të ashpër diplomatike, propagandistike e politike (shtetërore) kundër Pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga shtetet e ndryshme në botë. Në këtë kuptim njohja e Kosovës nga Izraeli shënonte një fitore të madhe diplomatike e politike në planin ndërkombëtar. Mirëpo, kjo fitore ka një kosto që Kosova e vogël (e pakoordinuar as me shtetin e saj AMË!!) e ka vështirë ta menaxhojë… Republika e Kosovës nuk e ka as trupin dhe as fuqinë që t’i përballojë shqelmat e të mëdhenjve. Me Amerikën gjithmonë mirë për të mirën e Kosovës dhe të kombit shqiptar në Iliri por, të mirën tonë duhet ta kërkojmë dhe ta gjejmë edhe në Evropë dhe me BE – në, sepse jemi evropianë dhe banorë të vjetër të këtij kontinenti e s’e kemi ndërmend të lëvizim nga këtu…
Halli është se ne s’e kemi ndikimin dhe as fuqinë që të shtyhemi me këta të mëdhenjtë. Ajo që do të mund të bënim është të kishim konsensus dhe politika të studjuara e të menduara mirë me miqtë tanë. Qeveria dhe diplomacia jonë (edhe mërgata jonë në Amerikë me njerëzit e saj të fuqishëm) do të bënin mirë ta “lutnin” Kryetarin e tashëm amerikan, Bajdenin, që si shumë vendime të papeshuara të paraardhësit të tij, ta anulojë edhe vendimin e Trampit për njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit. Kjo do të ishte zgjidhja që do të na “shpëtonte” nga kurthi i Trampit, që Kosovën tonë shqiptare e konsideronte “vend mysliman”! Një përpjekje njerëzore e miqësore do të mund të bëhej edhe me qeverinë izraelite… T’i shpjegohej asaj me durim e sinqeritet pozita e vështirë e Kosovës dhe të na mirëkuptonte në kërkesën tonë që Ambasada e Kosovës të hapet në Tel Aviv, ku janë të gjitha ambasadatë e BE-së dhe të shumicës së vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin.