Xhevat Gjini: Ditëlindja e atdhetarit dhe veprimtarit të palodhur të Lëvizjes Bacë Ibushit
Ibush Bytyqi ose, siç e thërrasim të gjithë, Baca Ibush, sot ka mbushur 82 vite jetë. Ai ishte një nga anëtarët dhe veprimtarët e dalluar të Lëvizjes Popullore të Kosovës në Francë dhe në Evropë. Baca Ibush është prej atyre veprimtarëve që nuk e njohën kurrë lodhjen. Nuk besoj të jetë mbajtur një demonstratë në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Francë… e të mos ketë marrë pjesë Baca Ibush. Për dallim nga shumë shokë, Baca Ibush nuk ishte kurrë vetëm. Me të ishte gjithmonë shoqja e jetës dhe e Lëvizjes, Sadija. Më vonë, kur u rritën, edhe djemtë Eroli me nusen, Sekveten, Korabi… dhe vajza Teuta nuk i ndaheshin Bacës Ibush e Lëvizjes në të gjitha veprimtaritë liridashëse. Bashkë me Bacën Ibush ishin të organizuar edhe Baca Haki (Sela), Baca Qamil (Kermeni) dhe të tjerë, që për ne, që ishim më të rinj në moshë, u bënë shembuj motivimi dhe inkurajimi për të vepruar… Kur shihnim angazhimin dhe energjitë e tyre ne “harronim” të lodheshim. Me Bacën Ibush dhe me shumë bashkëmoshatarë të tij, ne më të rinjtë u organizuamë dhe u bashkuamë në Këshilla Popullorë të LPK – së dhe në Nëndegën e saj në Francë. Me ta zgjeruamë dhe fuqizuamë Lëvizjen, duke themeluar edhe shoqëri (shoqata), që bashkonin shqiptarët e mërguar (Shoqëria “Fan Noli” – Lion, Shoqata “Arbëria” – Provans, Shoqata “Avni Rrustemi” – Paris (më herët), etj. Me Bacën Ibush dhe shokët tjerë botuamë edhe të përkohshmen “Rruga Jonë” (30 numra) dhe gjithë veprimtaritë tjera deri te fondet dhe vullnetarët për Luftën Çlirimtare të UÇK – së. Shtëpia e Bacës Ibush ishte vatër e Lëvizjes për rreth tri dekada…Për atdhetarë dhe veprimtarë të Lëvizjes si Baca Ibush dhe familja e tij edhe një libër sikur të shkruhet nuk mund të thuhen të gjitha…Urime Baca Ibush 82 – vjetorin e lindjes! Të paqim me shëndet edhe shumë e shumë vite! Gëzuar!