Komenti

Xhevat Gjini: Ditë Çlirimi, Ditë Lirie apo Ditë Paqeje?

Data e 12 qershorit ka njëzetedy vite që shënohet në Kosovën e çliruar (Kosova pa viset e saj) me përpjekjet, gjakun dhe flijimet e panumërta të bijve dhe bijave më të mira të kombit shqiptar dhe me ndihmën e SHBA – ve e të NATO – s. Këtë Datë dikush e quan Ditë të Çlirimit, dikush Ditë të Lirisë e dikush Ditë të Paqes. Të gjithë kanë nga pak të drejtë. Por, më shumë kanë të drejtë këta që e quajnë Ditë Paqeje, sepse kjo ishte data kur në Kosovë kishin hyrë forcat e NATO -s me mandat të OKB – së (Rezoluta 1244), me akronimin (shkurtesën): KFOR, dhe kishin ndërprerë luftimet midis forcave pushtuese serbe dhe forcave çlirimtare shqiptare (UÇK). Mirëpo, kjo nuk ishte Dita e Çlirimit, sepse në tokën shqiptare të Kosovës kishte forca ushtarake e policore serbe, që po tërhiqeshin, edhe për disa ditë… Prandaj, Ditë e Çlirimit, do të duhej të ishte Dita kur nga territori i Kosovës (me kufijtë e atëhershëm krahinor – administrativ) është dëbuar ushtari e polici i fundit (i uniformuar).

Se 12 qershori s’ka si të jetë Ditë Çlirimi provohet edhe me ditët e çlirimit të qyteteve pas 12 qershorit… Nuk mund të jetë Dita e Çlirimit të Kosovës 12 qershori, kur shumë qytete janë çliruar pas kësaj dite. Kjo datë, 12 qershori, nuk do të duhej të quhej as Ditë Lirie, sepse në shumë qytete e rajone ishte e pranishme ushtria dhe policia pushtuese serbe… Bile, liria nuk është fituar as sot për të shkuar, lëvizur e jetuar në një pjesë të Kosovës, në Veri!! Shqiptarët që jetonin në Mitrovicën e tyre andej Ibrit dhe në tokat e tyre në Veri të vendit janë përzën me terror e vrasje dhe nuk kanë mundur të kthehen deri më sot!! Si përfundim, mund të thuhet se liria ende nuk e ka “pushtuar” gjithë Kosovën! Për habinë e shqiptarëve kjo çështje nuk u bë temë në “dialogun” me Serbinë e lëre më të ngritet e të flitet për Kosovën Lindore dhe popullin shqiptar atje!!

Ka edhe arsye tjera politike, kulturale, sociale dhe ekonomike pse 12 qershori nuk mund të jetë Ditë Lirie… Një arsye e madhe është hetimi, persekutimi, arrestimi dhe dënimi masiv (plus linçimi mediatik e psikologjik) i luftëtarëve të Lirisë me paramendim dhe paragjykim qysh pas Luftës e deri tash!! Ky persekutim, arrestim dhe proces gjyqësor SPECIAL (vetëm për shqiptarët!!) po vazhdon edhe sot dhe, siç po paralajmërohet, do të vazhdojë edhe për shumë vjet!! Prandaj, kjo datë nuk mund të jetë Ditë e Lirisë derisa të fitohet liria për të gjithë… Mbase edhe Ditë e Çlirimit nuk mund të jetë derisa Kosova të çlirohet nga ndikimi dhe prania serbe dhe nga “tregtarët politikë” të Kosovës, që po bëjnë pazarllëqe me lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Shqiptare të Kosovës…

Kjo nuk do të thotë që të mos pranojmë dhe pohojmë se 12 qershori ishte fitorja më e madhe e LPK – UÇK -së, e popullit shqiptar në Kosovë, e kombit shqiptar dhe e shqiptarëve kudo në botë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (pra edhe për Kosovën… “deri aty ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë”) dhe pas Çlirimit të Shqipërisë Politike nga nazifashizmi dhe rreziku i ricopëtimit nga shtete shoviniste fqinje). Prandaj, kjo FITORE E MADHE kërkon edhe përgjegjshmëri, përkushtim, mençuri dhe angazhim të madh për ta ruajtur dhe mbrojtur, sepse “uji fle, por armiku nuk fle”, porositë mençuria e popullit tonë.

Armët agresive moderne që po i blenë përditë Serbia nuk janë për të luftuar me Rusinë, Amerikën, Gjermaninë a Kinën dhe as për t’u mbrojtur nga Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia apo Kosova… Janë armë për ta provuar ripushtimin e Kosovës në një moment të përshtatshëm!! Nuk ishte pa mesazh deklarata e kryetarit të Serbisë, Vuçiçit, për punën e 100 milionë eurove që do të dedikojë Republika e Kosovës për ushtrinë e saj… “Ne, tha Vuçiçi, shpenzojmë 2 miliardë në vit për ushtri e armatim”. Porosi dhe kërcënim direkt për lirinë e Kosovës. Prandaj, Kosovës i duhet ushtria dhe armatimi adekuat për ta mbrojtur lirinë dhe tokën e saj të mbetur nga copëtimet, ricopëtimet dhe kafshimet e shpeshta… Mbrojtja e lirisë dhe tërsisë tokësore është kusht i domosdoshëm për paqen, sigurinë dhe zhvillimin tonë të mëtejshëm dhe për rajonin!…

Postimet e fundit !