Arkiv / Ripublikim

Xhevat Bislimi: Populli i Kosovës është me Flamurin dhe Betimin e UÇK – së

„Plani“ i Serbisë për Kosovën, përbën trupin dhe gjymtyrët e Planit të Ahtisaarit! POPULLI I KOSOVËS ËSHTË ME FLAMURIN DHE BETIMIN E UÇK-së, JO ME PLANIN DHE FLAMURIN E AHTISAARITShkruan:Xhevat BISLIMI, Prishtinë(www.pashtriku.org – 18.06.2007 / 19:00)

“PLANI” i Atisarit për Kosovën është vazhdimësi e perfeksionuar e planeve dhe programeve shekullore serbe për kolonizimin, shkombëtarizimin, zhbërjen dhe zhdukjen e qeniesë shqiptare në krahinat e pushtuara të Shqipërisë. Me këto plane dhe programe shoviniste e fashiste Serbia ia doli të spastrojë mijëra kilometra katrore të tokës shqiptare. “Duke ngrënë rritet oreksi”, thotë një fjalë e urtë. Serbisë, duke pushtuar, djegur, vrarë e masakruar shqiptarët dhe tokat e tyre po i rritej oreksi dhe në fillim të shek. XX pretendonte të pushtone edhe skelen e Durrësit! Përpjekjet dhe kryengritjet e njëpasnjëshme shqiptare e frenuan në masë të madhe “oreksin” e saj. Lufta Antipushtuese Çlirimtare e UÇK-së ia zuri në fyt kafshatën, që quhej Kosovë, pas “vizatimit” të kufijve të ri (pas LDB) në trojet e pushtuara shqiptare. Kjo ishte Lufta më e organizuar politike dhe ushtarake në krahinat e pushtuara të Shqipërisë. Serbia e mundur ushtarakisht dhe e thyer moralish sikur e humbi “oreksin”. “Fitorja” e bujshme e LDK-së në zgjedhjet e para pas Luftës ia riktheu oreksin, shpresën, dëshirën dhe forcën Serbisë për ta “rimarrë” Kosovën.Nga kjo fitore u ngazëllyen edhe kushërinjtë e largët të serbëve (nga është origjina e tyre), rusët. Serbia mori zemër edhe nga pasivizimi dhe pacifizimi pa kushte i “krahut”, që e bëri dhe e fitoi Luftën. Ky krah, i ndarë dhe i përçarë, në vend se të mbetej zëri dhe krahu unik i popullit dhe aspiratave të tij, nisi të bëhej pjesë e korit të qyqeve dhe krah i qyqarëve, dallkaukëve dhe nostalgjikëve të kohëve të “arta” të Jugosllavisë dhe Serbisë… Përfshirja e këtij “krahu” në grupin negociator dhe në bisedime me Serbinë është dëshmia më e mirë, se ky “krah” tashmë e kishte humbur jo vetëm fillin, por edhe krejt lëmshin. Nuk duhet të harrojmë edhe kontributin vendimtar që dha Tirana zyrtare, duke hequr dorë dhe duke qëndruar”asnjënëse” në çështjen e Kosovës. Ishte fat, por I vonuar, që erdhi Bushi dhe ia kujtoi se Kosova është e saj… Grupi negociator (pesëshja e famshme) pranoi pa asnjë kundërshtim “Planin” e Serbisë për Kosovën, të miratuar nga Kuvendi i Serbisë më 29 prill 2004. Ky plan përbën trupin dhe gjymtyrët e Planit të Atisarit. Udhëheqja e grupit negociator (uzurpator) nga logjika e “ofertës agresive” bëri që ky grup t’i shpenzojë “fishekët” që në takimet e para. Këta dallkaukë, të mësuar nga “miqtë” e tyre të huaj, besonin naivisht se do t’ia zenin frymën Serbisë ose, se do ta kënaqnin Serbinë me “ofertën e tyre agresive”.Në fakt, “oferta” e tyre ishte pranimi pa kushte i “planit të Serbisë për Kosovën”. Ky pranim kaq i kollajshëm, në kohën që bota kishte hall a do të mund t’i ulte shqiptarët në një tavolinë me serbët, ia rriti dukshëm oreksin Serbisë dhe kushërinjve të saj, rusëve. Kjo “zemërgjerësi” dhe kjo dorëlirësi e grupit negociator e ëmbëlsoi së tepërmi Serbinë. Grupi negociator u përpoq të shfrytëzojë edhe strategjinë tashmë të njohur të shumë udhëheqsëve dhe qeverive jodemokratike: Shkatimin e krizës, përkeqësimin ekstrem të gjendjes politike, ekonomike dhe sociale, etj., për të dalë pastaj si shpëtimtarë, duke e bërë masën (popullin) të kënaqet me ca të arritura të vockëla dhe me realizimin e ca kërkesave të parëndësishme në krahasim me ato që kishte dhe që i takojnë… Prandaj, Serbia dhe Rusia, të bindura, se ky grup lëshon edhe më shumë, po kërkojnë vazhdimin e bisedimeve për gjetjen e një kompromisi! E gjithë pjesa e planit që ka të bëjë me“decentralizimin” (autonominë territoriale dhe politike të pakicës serbe) dhe “trashëgiminë kulturore” (eksterritorialitetin) është projektuar dhe miratuar nga vetë Serbia. Por, pas sukseseve të arritura në bisedime, asaj, Serbisë, i është shtuar oreksi dhe kërkon që edhe pjesa tjetër e Kosovës të mbetet brenda kufijve të Serbisë dhe nën sovranitetin e saj. Sepse, ajo, vazhdon ta quaj Kosovën “pjesë të territorit të saj” dhe “tokë të Serbisë”! Ndërsa, asnjëri nga “kryepolitikanët” dhe “kryeinstitucionalistët” (grupi negociator) nuk është në gjendje dhe nuk guxon të deklaroj as në takime me të huajtë dhe as publikisht se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë tokë shqiptare, e Shqipërisë. Si ta thonë një gjë të tillë, kur kanë pranuar botërisht dhe janë angzhuar që Kosova të bëhet “shumetnike”. Kështu është “zyrtarizuar” edhe në Planin e Atisarit, duke harruar se Kosova është e patjetërsueshme, është dhe do të jetë shqiptare.Populli i Kosovës nuk do ta pranojë kurrë Planin e Atisarit, pavarësisht se ky Plan u “votua” edhe nga ata (deputetët), që nuk kishin mandat ta “votonin”, sepse vota që kanë ata nuk është e tyre, por e popullit të Kosovës. Me miratimin e këtij Plani, Kuvendi i Kosovës u delegjitemua përfundimisht. Mesazhi që ky Kuvend i dha “miqëve” dhe armiqëve ishte i qartë: “Ju bëni çfarë të doni me Kosovën dhe interesat e popullit shqiptar. Ne jemi këtu dhe do të duartrokasim saherë të dëshironi dhe për çfarëdo plani që na ofroni”! Nuk mund të kishte mesazh më të dëmshëm për Kosovën në këtë kohë. Mirëpo, populli i Kosovës do t’i mbetet besnik betimit të UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar: “Si pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm, që në çdo kohë, pa kursyer jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. Betohem!” Me këtë betim në gojë e në zemër u përpoqën, luftuan dhe ranë në fushat e betejave qindra e mijëra dëshmorë të kombit. Me këtë betim po bien dhe do të bien saherë të kërkojë Atdheu edhe bijë e bija tjerë të kombit… Shtyrja e miratimit të Planit të Atisarit në Këshillin e Sigurimit e futi në sikletë të madh grupin negociator.Mashtrimi dhe gënjeshtrat e tyre nisën të dalin për fushe. Se kush ishin ata dhe çfarë përfaqësonin e mësuan edhe fëmijët… Për ta zgjatur “iluzionin” e njerëzëve për krijimin e “shtetit të pavarur dhe sovran”, grupi negociator, grupi i çarjes dhe përçarjes së madhe ndërshqiptare, nisi “prrallën” e tij për “simbolet dhe kushtetutën e Kosovës”. Pas shumë muajsh dhe pasi mori dritën jeshile nga “miqtë” e tij, ky grup bëri PUÇIN e radhës: Shpalli konkursin për “flamurin” e Kosovës. Për dallim nga herat tjera, kësaj radhe, disa anëtarë të Kryesisë së Kuvendit dhe disa deputetë dolën para mediave dhe bënë deklarata të “nxehta” kundër “grupit negociator”, i cili, sipas tyre, “paska tejkaluar kompetencat dhe mandatin e tij”. Të mjerët deputetë dhe anëtarë të Kryesisë, që po kërkojnë t’i venë “shulin derës”, por tashmë është vonë… Miratimi i Planit të Atisarit detyrimisht nënkupton edhe simbolet “multietnike” ose “kosovare” (joshqiptare). Për ata, që deri tash nuk e kanë “ditur” se ç’është flamuri për një popull (komb) po sjell një sintezë të bërë nga Faik Konica për FLAMURIN: “Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë? Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh: janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta që kanë lënë gjurmë në letërsinë e gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit e botës, është dhe një nga më të drejtët». Nëse është kështu, dhe, kështu është edhe për popujt e tjerë të qytetëruar, atëherë çfarë kujtimesh do të përmbledh “flamuri” i Atisarit për popullin e Kosovës? Kujtimet për “bashkim-vëllazërimin” e kohës së Titos, kujtimet për “kumbaritë” e kohës së Kralit, kujtimet për “bashkëjetesën”, “mirëkuptimin”, “solidaritetin” dhe “dashurinë” me serbët dhe Serbinë, kujtimet për “vitet e lumtura me “vozhdën”, Milosheviçin”… Pra, nuk do të jenë kujtime “goditjesh kundëra fqinjëve” (zot mos e bënë!), por nuk do të jenë as “kujtime vetëmbrojtjeje” (larg qoftë), sepse fqinjët tanë kurrë nuk na sulmuan dhe as nuk na goditën. Ata, sipas këtij “flamuri”, kësaj lecke, ishin mbrojtësit dhe shpëtimtarët tanë… Nga kjo pikëpamje Atisari dhe grupi negociator (puçist) do të mburren se “flamuri” i tyre do jetë njëri nga më të rinjtë dhe nga më të padrejtit e botës. Ndërsa populli i Kosovës, meqë nuk ka sy që ta “lexojë” dhe zemër që ta ndjejë leckën e Atisarit, do të mburret gjithmonë me FLAMURIN e kombit shqiptar, me flamurin e UÇK-së…

* Autori është deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës