Shqipëria/Aktualitet

Xhevat Bislimi: Halli i sindikatës nuk i ngjan hallit të vendit

HALLI HALLIT NUK I NGJAN
(Halli i sindikatës (SBASHK) dhe halli i kombit – vendit)
Sot, dëgjova me vëmendje hallin – shqetësimin e “madh” të sindikatës së arsimit: “shkollat do të na mbeten pa arsimtarë, tha nënkryetarja e SBASHK – ut. Janë 300 arsimtarë që kanë kërkuar pushim pa pagesë”. Sipas saj arsimtarët po kërkojnë pushim pa pagesë me qëllim që të shkojnë në Gjermani e vende tjera për të punuar për rroga më të mira, etj.
Puna është se shkollat po na mbeten pa nxënës! Ky do të duhejë të ishte shqetësim i institucioneve përkatëse, i shoqërisë shqiptare, i sindikatës dhe i secilit shqiptar. Numri i nxënësve po bie nga viti në vit. Kosova dhe përgjithësisht Shqipëria (me të gjitha trojet shqiptare) ka 50 % më pak nxënës se 25 vite më parë!! Në shumë shkolla të Republikës së Kosovës numri i nxënësve në klasë është 7 – 8 nxënës. Kurse numri i arsimtarëve është po ai që ka qenë ose edhe më shumë se aq! Pra, jo 300 arsimtarë po edhe 3 000 e më shumë ndoshta janë tepricë në shkallë republike. Natyrisht që për këtë duhen të dhënat e sakta, por është shumë e saktë që numri i nxënësve dhe i popullsisë është përgjysmuar dhe për këtë do të duhejë të binin këmbanat në krejt hapësirën arbërore! Ka shumë shkolla që tashmë janë pa nxënës dhe po mbyllen e do të mbyllen edhe tjera për mungesë nxënësish, por nuk ka asnjë shkollë të mbyllur (dhe s’do të ketë) për mungesë arsimtarësh…