Vështrim/Analizë

Xhemajl Pllana: Për kolaboracionistët dhe disfatistët që po propagandojnë e po kërkojnë t’i japim edhe diçka Serbisë

“Prej këtu ku jam po ju them edhe një herë se, nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë  ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund, do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq.” Adem DEMAÇI

Ata, që dikur na thoshin: “kush jeni ju që doni ta rrëzoni regjimin e Titos, shtetin më demokratik në botë, që na i ka dhënë liritë dhe të drejtat e barabarta me popujt sllavë”, ata që na thonin se “Tito e Jugosllavia janë të pamposhtur”, ata që ishin kundër dhe i dënonin demonstratat studentore dhe kërkesat e tyre të drejta, ata që i gëzoheshin burgosjeve e vrasjeve të rinisë tonë heroike, ata që na “këshillonin” se “me Serbinë e me Milosheviçin nuk mund të luftonim”, ata që na bënin thirrje: “mos shkoni për armatim e mos luftoni, se do të vriteni e do t’ua shohim sherrin”…, janë po ata sabotatorë e disfatistë që edhe sot kanë marrë guximin e po thërrasin zëshëm: “Serbisë duhet me i dhënë edhe diçka për të na njohur si shtet”?!  Këta janë shtresa që kanë sabotuar, kanë ikur ose kanë dezertuar… Janë shtresa që i kanë bishtëruar çfardolloj sakrifice për vendin dhe popullin e tyre! Ndërsa tani, që janë rehatuar e sistemuar mirë, janë trimëruar e po e ngrisin zërin e tyre disfatist, sepse si “atdhetarë” që janë, po duan që të na shpëtojnë, si gjithnjë, nga Serbia “përbindëshe”!?

Ore, ju të mjerë, nuk e merrni me mend se djemtë dhe vajzat sypatrembura si: Zijah Shemsiu, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri e Bahri Fazliu, Hasan Ramadani, Tahir e Nebih Meha, Adem e Hamzë Jashari me familje, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, Bekim Berisha e Bedri Shala, Fehmi e Gjevë Lladroci, Fatime Hetemi e Antigona Fazliu, Hyrë Emini e Fetnete Ramosaj me shokë e me shoqe, ia kishin kthyer pushkën armikut, kishin luftuar si njësite guerile, e në kuadër të UÇK-së kanë bërë edhe luftë frontale me armikun, e se uniformë për uniformë, viktimat më të shumta i kanë pësuar uniformat armike.

Dhe për çudi, kur Kosova dhe populli shqiptar u çlirua, kur shtetin e kemi shpallur të Pavarur, kur Pavarësinë e shtetit na e ka njohur bota demokratike dhe shtetet më të fuqishme të globit, kur Kosova ka Policinë dhe Ushtrinë e saj, e me armatimin më modern të kohës, na dalin këta “shpëtimtarë” të atdheut dhe pa u skuqur fare, kërkojnë t’i bëhen lëshime tjera Serbisë, e cila sa e sa herë i lau në gjak trojet tona stërgjyshore. Pra, tani që kemi shtetin e njohur ndërkombëtarisht, i cili do të zhvillohet e do të forcohet dita – ditës, që kemi FSK-në, e cila gjithashtu do të rritet dhe do të forcohet dita – ditës u dashka “t’i japim edhe diçka Serbisë, që ka pushtuar e spastruar (sllavizuar) gjithë ato qytete e fshatra shqiptare?! Sot, që nuk do të bartim ose blejmë armë të pakta e të vjetra e me kalibra të vegjël, por do të blejmë armë të mjaftueshme e më moderne të kohës do të kemi vullnetin dhe motivin për të luftuar e për ta mbrojtur edhe më me vendosmëri popullin, Shtetin e Lirinë që e kemi fituar me aq gjak e sakrifica mbinjerëzore.

“E kush je ti”?!… pyesin ata dhe viktimat e kësaj shtrese parazite të shoqërisë tonë! Në fakt, ata i drejtohen popullit dhe Republikës së Kosovës se: “Serbia është fuqi, ajo t’merr për tre-katër orë, ajo të fshinë nga faqja e dheut…, andaj për me na njoftë shtetin, ne duhet me ia dhënë veriun (me një zë autoritar e hiq pa u skuqur, për të bindur të pranishmit)”! Po kush vallë ju ka autorizuar apo çfarë halli keni o të mjerë (të paguar ose jo qofshi) që ia bëni argatin ,kaq me zell, armikut tonë të zi?!

E si i bëhet hallit tonë, u them unë, gjithë këto përpjekje, protesta, demonstrata, burgje e sakrifica shekullore, e bëmë luftën, e kemi derdhur gjakun lumë për ta çliruar popullin e për ta shkëputur – pavarësuar Kosovën nga Serbia, kurse ju kërkoni “t’i falim edhe diçka Serbisë”?! Pastaj, neve, UÇK-së, na e kanë ndihmuar luftën, na kanë njohur edhe shtetin, SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme të botës. Edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë na e ka njohur si të ligjshëm krijimin e Shtetit të Kosovës…                                                                                                                                            Pak ju duket juve se na ka marrë Serbia neve: Nishin, Kurshumlinë, Toplicën, Sanxhakun, Kosovën Lindore…?! Ore, e dini ju se çfarë po flisni kundër kombit dhe atdheut tonë të lirë ?! “Eeee në dash të shpëtosh”, shprehet viktima, e cila jeton vetëm sa për të mbushur barkun…                                                                                                                                            Dmth, sipas jush po i bie se Ne (Kosova) jemi qengji, dhe për të bërë paqe me ujkun (Serbinë) duhet t’i themi: “O ujk të lutem më ha dhe një pjesë nga trupi im, e pastaj t’i bëhesh dhe më i fortë, ndërsa unë bëhem edhe më i lig dhe një ditë mund të më hash të tërin”!? Sepse, sipas logjikës tuaj të sëmurë e disfatiste, Ne, edhe pse jemi bërë shtet, nuk kemi gjasa që të forcohemi e të bëhemi të fortë si“ujku”?!

Si kujtoni ju, soji juaj servil e disfatistë, kot kanë rezistuar, luftuar, janë burgosur e janë vrarë vëllezërit e motrat tona shqiptare nëpër dekada e me shekuj!? E dini ju ore të mjerë se vëllezërit e motrat tona janë mbajtur me dekada nëpër burgjet mizore serbosllave, kanë përjetuar torturat më ç’njerëzore, kanë dalur para gjykatave armike dhe kanë deklaruar hapur dhe pa frikë se “nuk pendohemi dhe nuk tërhiqemi asnjëher nga kërkesat tona të drejta për Liri, Barazi, për Republikë e për Bashkim Kombëtar”? Dhe, ata, vëllezërit e motrat tona, nuk kanë kërkuar e nuk kanë pritur që Liria do të na vinte në pjatë e nga miqtë tanë, të cilët as i kishim,e as që do të na ndihmonin dot pa u sakrifikuar Ne, pa i përvjelur duartë Ne, pa u flijuar vet Ne. Edhe më keq do të jetë, edhe sot në paqe, me servilizmin dhe qyqarllëkun e sojit tuaj të mjerë e disfatist! Apo, nuk jeni të vetdijshëm se ju po i bëni argatin interesave armike? Ndryshe nuk di si shpjegohet ky qëndrim e ky shërbim i juaji kaq i zellshëm e kaq antikombëtar.

Adem Demaçi, për herë të parë burgoset më 19 nëntor të vitit 1958. Arsyeja e arrestimit, ishte: ”Veprimtari armiqësore kundër rregullimit shtetëror të RFPJ-së, si angazhim i drejtpërdrejtë për shkëputjen e territorit të Kosovës nga shteti Jugosllav dhe njësimin e saj me Shqipërinë”. Ndërsa, para se të nisej gjykimi, më 19 shkurt 1959, Momçilo Canoviç, e  “këshillonte”: ”Nëse i  mohon deklaratat që i ke bër e pendohesh s’do ta besosh as vetë se sa lehtë do të kalosh ”. Ndërsa, Demaçi ia kishte kthyer: “Deri këtu e keni pasur ju, kurse tash e tutje e kam unë në dorë. Këto akuza s’janë veçse një pjesë krejt e vogël dhe bile më e buta e atyre që i kam thënë. Unë kam thënë edhe se, që nga vetë formimi i shtetit serb më 1878, politika serbe ka qenë gjithmonë politikë armiqësore ndaj shqiptarëve dhe cenuese ndaj tokave të tyre. Pavarësisht se kryengritësit shqiptarë, në tetor të vitit 1912, i çliruan e i bashkuan tokat shqiptare, shteti serb, nga tetori i të njëjtit vit, bashkë me Malin e Zi, sulmoi dhe pushtoi më shumë se gjysmën e këtyre tokave. Kam thënë edhe se, në mbledhjen e Kuvendit Antifashist të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, të mbajtur në verë të vitit 1945, në Prizren, regjimi serb padrejtësisht i likuidoi e i burgosi ata deputetë që kërkuan respektimin e Rezolutës së Bujanit për vetëvendosje dhe që e kundërshtuan vendimin për bashkëngjitje të Kosovës me Serbinë. Kam thënë edhe se terrori policor mbi fshatarët në dimrin e vitit 1955/56 dhe burgosja e dënimi i grupeve të të rinjve shqiptarë në Prishtinë e Shkup, kishte për qëllim t’i shtonte e t’i përshpejtonte flukset e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi…”.

Gjatë procesit gjyqësor, kishte ndërhyrë prokurori Rakoçeviq, i cili nuk e kishte lejuar Demaçin të vazhdonte më tutje.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, gjykatësi Kallugjeroviq, i kishte ofruar të akuzuarit, Adem Demaçi, ta thotë fjalën e vet, si shans i fundit për t’u distancuar nga qëndrimet që i mbronte me ngulm, ndërsa ai, kishte deklaruar: “Prej këtu ku jam po ju them edhe një herë se, nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë  ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund, do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq.”

Kjo ishte deklarata profetike e Bacë Adem Demaçit para trupit gjykues serbojugosllav! Ai i dinte pasojat e deklaratës së tij, mirëpo ai gjithashtu e dinte se pa përpjekje, qëndresë, luftë e pa sakrifica nuk fitohet e drejta e nuk fitohet as Liria. Ai nuk priste që të vinin “miqtë” e të luftonin e të sakrifikohen për Ne! Kështu kanë vepruar, kanë deklaruar, kanë qëndruar e kanë luftuar të gjithë militantët e Lëvizjes tonë kombëtare si: Metush Krasniqi, Xheladin e Hyrije Hana, Ali Aliu, Fazli Grajqevci, Kadri Zeka, vëllezërit Gërvalla, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Zijah Shemsiu, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Ahmet Haxhiu, Afrim Zhitia, Xhemajli Berisha, Hasan Ramadani, Bahri e Fahri Fazliu, Fehmi e Xhevë Lladrovci e mijëra bashkëvuajtës tanë nëpër burgjet serbojugosllave. Dhe, Kosova nuk mbeti e nuk u asimilua, ashtu siç trumbetonit ju dhe soji juaj. Por Kosova u çlirua dhe u bë shtet e do të bashkohet (edhe trojrt tjera shqiptare) me Trungun e saj, ashtu siq mendonin, ashtu siq punonin e luftonin atdhetarët e çlirimtarët e vërtetë. Dhe, kështu do të vazhdoj e do të jetë për jetë të jetëve.

Ishte porosia e paraardhësve tanë, ishte përvoja e bashkëvuajtësve tanë se me pushtuesit serbosllavë nuk mund të mirreshim vesh ndryshe përveçse me luftën e armatosur dhe me sakrificat tona sublime. Prandaj Lëvizja Popullore e Kosovës vendosi që të formohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prandaj u desh lufta e armatosur dhe sakrificat mbinjerëzore të familjes emblematike dhe komandantit legjendar Adem Jashari,e mijëra dëshmorëve të kombit tonë. Prandaj, edhe miqtë u binden se ne kishim të drejtë dhe na ndihmuan deri në çlirimin dhe në shpalljen e Republikës së Kosovës, të cilën duhet ta duam, e duhet ta mbrojmë me të gjitha potencialet tona materiale e njerëzore. Sepse e drejta është me ne. Sepse Ne duam tokën dhe të drejtat tona të shenjta. Sepse, Ne nuk po i biem në qafë askujt.

Prandaj, disfatistëve e kolaboracionistëve çfardoqofshin e të kujdoqofshin, ne u themi se: Liria dhe Pavarësia e popullit shqiptar është e ngritur mbi themele të forta e të çelikta gjaku e sakrifice, mbi të cilat nuk mund të qëndroj asnjë armik sado i fortë që të jetë, sepse Kosova dhe kombi shqiptar ka patur, ka dhe do të ketë gjithnjë e gjithmonë bijë dhe bija që do t’i dalin zot Atdheut të tyre të shenjtë.