Komenti

Xh. Gjini: Sulm terrorist apo agresion i Serbisë

SULM TERRORIST APO AGRESION I SERBISË
Burim tensionesh në Kosovën shqiptare dhe në rajon nuk janë pakicat serbe, por shteti serb me ideologjinë, propagandën dhe politikën e tij nacionalshoviniste dhe ekspansioniste…
Akti terrorist ndaj kanalit të ujit në Zubinpotok dhe sulmet tjera tregojnë dhe manifestojnë qartë përcaktimin e Beogradit për tensionim dhe destabilizim kudo ku ka “kushte” në rajon. Vrapi i Serbisë për ta dënuar sulmin terrorist ndaj kanalit të ujit në Zubinpotok është edhe një dëshmi se pas sulmit është vetë Serbia, shërbimet e saj të specializuara…
Këmbëngulja e Serbisë për të mos e njohur Pavarësinë-shkëputjen e Kosovës prej saj dhe propaganda e përditëshme nacionalshoviniste dhe ekspansioniste përbën argument të qendrueshëm për të besuar se prapa këtyre sulmeve, siç ishte edhe rasti i Banjës, qëndron shteti serb, Beogradi zyrtar. Argument tjetër i besueshëm është edhe marrja në mbrojtje e terroristit Radojçiç dhe përkrahja që Vuçiçi dhe institucionet tjera shtetërore i japin për ta vazhduar veprimtarinë e tij kriminale kundër Republikës së Kosovës…
Presioni dhe agresioni që po bënë Serbia kundër Kosovës shqiptare që nga mbarimi i Luftës, e mbështetur hapur edhe nga Rusia, Kina…, por edhe nga “përmbajtja” e disa Fuqive tjera, qëllim të fundit kishte praninë dhe ruajtjen e kontrollit në Veri të Kosovës dhe, një “ditë të bukur”, shkëputjen e këtij territori nga Kosova… Për këtë qëllim Serbia fitoi dhe siguroi disa koncesione të majme në tavolinat e bisedimeve në Vjenë e Bruksel… Marrëveshjet e arritura në ato bisedime e çuan Serbinë afër qëllimit dhe e trimëruan që të vazhdonte presionin dhe agresionin, në të gjitha drejtimet, ndaj Kosovës…
Ndërhyrjet brutale të Beogradit në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku kishte fituar, me ndihmën e “ndërkombëtarëve”, Republikën Serbe (49% të territorit të BeH !!) dhe ndërhyrjet në Mal të ZI i ndërgjegjësuan “ndërkombëtarët”, sidomos “bllokun” amerikan, për kërcënimin që paraqet Serbia për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon… Këtij ndërgjegjësimi i erdhi në ndihmë edhe lufta në Ukrainë, qëndrimi i Serbisë në krah të Rusisë, zhvillimet dhe efektet që prodhoi kjo luftë në “rendin botëror”…
Kjo situatë e re në botë dhe ndryshimet që sollën zgjedhjet në qeverisjen e vendit frenuan zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, të cilat ishin arritur dhe nënshkruar e ratifikuar, në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe, më e rëndësishmja, në kundërshtim me interesat afatshkurtëra dhe afatgjata të Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar… Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, ashtu siç ishin nënshkruar, përbënte kërcënim imediat për sigurinë, stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës… Pikën e marrëveshjes së arritur në Ohër për njohjen e shtetit të Kosovës dhe anëtarsimin e tij në OKB Vuçiçi e refuzoi sapo u kthye në Beograd… Refuzimi i Serbisë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit i dha dorë, arsye të fortë Kosovës të mos zbatonte marrëveshjen njanshëm, të mos krijonte asociacionin (bashkësinë e komunave “serbe”!!), të cilën Serbia e kërkonte dhe e kërkon me insistim…
“Dështimi” i dialogut, në formatin që e donte Serbia, dorëheqja e policisë “en bloc” në Veri të Kosovës (rreth 700 policë të pakicës serbe!!), dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore në katër komunat e Kosovës Veriore e vun Serbinë në pozita inferiore dhe ia hoqën nga dora mekanizmat dhe strukturat me të cilat, përveç agjencive sekrete, e kontrollonte Kosovën Veriore legalisht…
Këto dhe shumë tjera janë arsyet që Serbia po përpiqet përmes grupeve dhe sulmeve të organizuara terroriste e kriminale t’i rikthejë pozitat e humbura ose, të paktën ta rifitojë vëmendjen e botës Perëndimore duke e “shantazhuar” dhe “trembur” me përshkallëzim të tensioneve, konflikteve dhe me destabilizim të Kosovës e rajonit në një kohë, kur Perëndimi është i angazhuar dhe i zënë me luftën e madhe në Ukrainë, me luftën në Lindjen e Mesme, me Kinën që kërcënon Tajvanin, me Korenë Veriore, etj.
Republika e Kosovës dhe kombi shqiptar, sidomos Republika e Shqipërisë, kërcënimin e Serbisë duhet ta kishin marrë më seriozisht… BE-ja dhe Fuqitë e Mëdha, sigurisht që presionin më të madh e kanë bërë dhe po e bëjnë mbi më të “voglin”, mbi Kosovën shqiptare dhe kjo është e padrejtë… Bota Perëndimore do të duhejë të kishte kuptuar se për Kosovën nuk paraqet asnjë problem pakica serbe, të cilën e trajton jashtëzakinisht mirë Republika e Kosovës dhe do ta trajtonte edhe më me dinjitet po të mos ishin ndërhyrjet e Serbisë… Problem dhe kërcënim për Kosovën dhe sigurinë e saj paraqet Serbia me pretendimet ekspansioniste, territoriale… Prandaj, që të uleshin tensionet sanksione të ashpra duheshin vendosur Serbisë e jo Kosovës…
Me apo pa dashje po e çojnë ujin në mullirin e Serbisë edhe ata politikanë dhe ato medie të Prishtinës e të Tiranës që fajtore për marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë e bëjnë Republikën e tyre, Kosovën!!? Gabim, shumë gabim ! Për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit nuk ka parti politike, nuk duhet të ketë dallime opozitë-pozitë… Liria, siguria dhe mbrojtja e vendit janë çështje-detyrim edhe për secilin qytetar, kurse Kosova dhe liria e saj është çështje dhe interes jetikë kombëtar, çështje e çdo shqiptari në botë…
Fajtore është klasa politike dhe shtetërore e Kosovës për koncesionet e mëdha dhe të rrezikshme që i ka bërë Serbisë që nga pas Lufta dhe që nuk e kushtëzoi Serbinë me pozitën e popullit shqiptar në Kosovën Lindore…
Fajtore janë qeveritë dhe institucionet që nuk patën politika të zgjuara dhe të suksesshme në fushën e ndërtimit të sistemit politik, në fushën energjetike, në fushën ekonomike, të arsimit, shëndetësië dhe, sidomos në fushën e mbrojtjes së vendit dhe të një bashkëpunimi e bashkërendimi efektiv me shtetin tonë AMË…
Kosova jonë edhe 25 vjet pas Luftës nuk ka ngritur ende Mbrojtjen Civile !! Gjëja më themelore për situata të fatkeqësive natyrore dhe për situata lufte… Nxënësit dhe studentët tanë nuk i kanë njohuritë dhe zotësitë elementare në këtë fushë, sepse as në shkollë nuk i mësojnë ose nuk i marrin këto njohuri… I madh e i vogël do të duhejë të kishin një shkallë të caktuar të aftësive dhe shkathtësive mbrojtëse e luftarake…
Bota është e mbarsur me rreziqe, konflikte e luftëra si asnjë herë pas LDB, që mund të çojnë në një luftë të përgjithshme… Rendi botëror i krijuar pas LDB veç hijen e ka… Fuqitë e Mëdha po angazhohen, edhe po luftojnë, për një rend të ri botëror. Shqiptarët duhet të dinë të “sigurojnë” vendin e tyre në “sofrën e botës” dhe, parasëgjithash, duhet të mendojnë e të përgatiten për t’u mbrojtur dhe për të siguruar integritetin e tyre territorial e kombëtar në situata luftërash…
Klasa politike dhe shtetërore duhet ta kuptojë që Serbia do të heq dorë nga pretendimet territoriale dhe destabilizuese, madje edhe do të “pajtohet” me Kosovën e pavarur, vetëm ditën që do të bindet se shqiptarët kanë zotësi, kapacitete dhe potenciale të mjaftueshme për mbrojtjen e Kosovës…
Një populli të vogël nuk i mjaftojnë jo 20 000, po as 100 000 njerëz të përgatitur për mbrojtjen e vendit… Mos na raftë me përjetu por, qytetari i Kosovës nuk di si të sillet, ku të shkojë, kujt t’i paraqitet, etj. në rast rreziku… Të mos flasim për strehimore ushtarake, por s’ka menduar kush as për strehimore civile, s’ka pallat as qytet që ka strehimore për banorët e tij !!
Njësoj me ujin; vjen puna sulmohet dhe nxirret jashtë funksionit kanali i Ujëmanit, dalin jashtë funksionit termoelektranat dhe Kosova “vdes”!! 25 vite nuk mendoi kush për të ndërtuar një digë e për të siguruar ujë rezervë, kanal rezervë për furnizimin me ujë të termoelektranave?!! E sa e sa çështje e punë tjera që mund të bëheshin fare lehtë po të kishte mendë dhe vullnet klasa politike e shtetërore…