S’TA KA FAJIN IDEOLOGJIA SHOKU/ZOTI RAMA
Ideologjia është sistem idesh, bindjesh – botëkuptim… Nuk ka njeri me pak shkollë e dije që të mos ketë një ideologji-botëkuptim (sistem idesh…).
Kryeministri shqiptar, E. Rama, kur foli për marrëdhëniet e tendosura midis Kosovës shqiptare dhe Serbisë tha se “fajin e ka komunizmi që është në kokat e drejtuesve në Prishtinë e në Beograd” (parafrazim)!!?? Kjo do të thotë ta reduktosh çështjen shqiptare dhe marrêdhënien shqiptaro – serbe në një çështje ideologjike!? Absurditet! I takon Edi Ramës, si Kryeministër, të thotë botërisht se në kokën e Aleksandër Vuçiçit dhe të vuçiçve tjerë (Serbisë) është ideologjia nacionaliste e shoviniste, se në kokën e Vuçiçit është urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve dhe ideologjia fashiste e jo të dërdëllisë… Kjo është e vërteta.
Duhet t’i kujtojmë Edi Ramës se “komunizmin në kokë” e kishte edhe Enver Hoxha dhe brezi i Tij, por e fitoi Luftën, e ndërtoi shtetin, e zhvilloi ekonominë, i dha jetë e dritë Shqipërisë politike në të gjitha fushat dhe e bëri shtet të respektuar në botë. Po të ishte për “ideologjinë” e kryeballistit Mithat Frashëri dhe ballistëve që tash i ke për zemër apo për “ideologjinë” e legalistëve dhe të qiftit “mbretëror” Zogollian, Shqipërinë tonë të vogël do ta kishte marrê lumi…
Edhe ju që kishit “lakra në kokë” dhe që krekoseshit si gjelat majë plehu (kujtoje Salon dhe bandat e tij vandaliste!) e rrënuat shtetin dhe kollufitët çdo pasuri të vendit…
“Komunizmin në kokë” e kishte edhe Stalini, por e përballoi suksesshëm bishën naziste dhe e mundi… Prandaj, Kryetari amerikan, Ruzvelti, në të gjitha letrat që i dërgonte i drejtohej me: “I dashur Stalin”…
“Komunizmin në kokë” e kishte edhe babai ytë, por realizoi vepra arti që do t’u qëndrojnë shekujve… Pra, ai që kishte “komunizmin në kokë” ta bëri kokën ty. Ata të rritën, të shkolluan e të edukuan (të bënë njeri) dhe të bënë personalitet të jetës politike e shtetërore…
Dua të them që ideologjia në vetëvete nuk është shkaku, përcaktori i zhvillimit apo moszhvillimit, i luftës apo i paqesë… Ajo është produkt i një realiteti të caktuar ekonomik, shoqëror e historik. Ideologjia (një sistem i caktuar i ideve) në kushte dhe rrethana të caktuara mund të jetë e suksesshme, e dobishme dhe përparimtare për shoqërinë… Le që “komunizmi” as nuk përbënte dhe as nuk përbën kërcënim për shoqërinë njerëzore… Ai që përbën kërcënim të përherëshêm per sigurine, paqen, mjedisin dhe per vete jeten ne toke është kapitalizmi dhe ideologjia borgjeze, shoku/zoti Edi…
Nuk ta kërkon kush ta thuash këtë për kapitalizmin, sepse e kuptojmë “takatin” që ka sot shteti shqiptar (Republika e Shqipërisë) dhe kombi shqiptar, por nuk na vjen mirë kur ia fut si kau pelës me këto deklarata, fjalime e intervista të mbushura me paragjykime e halucinacione për ideologjinë komuniste dhe “komunizmin” që nuk është askund në horizontin shqiptar e as botëror… Nuk na vjen mirë, sepse shteti ynë AMË dhe çështja shqiptare nuk shpjegohen me ideologji të caktuara, nuk janë çështje ideologjike…
Nuk kemi si të duartrokasim as për ato deklaratat koti (fëmijënore) që jep për Kosovën (pa vise) e Shqipërisē, për lirinë dhe ekzistencën e saj që, sipas jush, i detyrohen NATO – s!!?? Kosova shqiptare dhe populli shqiptar në Siujdhesën Ilirike ka ekzistuar me mijëra vjet përpara, kurse NATO-ja është themeluar në vitin 1949!… Kosova shqiptare dhe trojet e pushtuara të Shqipërisë i detyrohen në jetë të jetëve shtetit të Enver Hoxhës që ishte mbështetja dhe shpresa e vetme e tyre…
E kuptojmë dhe vlerësojmë shqetësimin dhe të drejtën tuaj nga pozita e kreut të Qeverisë, por s’kemi si t’i kuptojmë broçkullat për çështjen e pazgjidhur shqiptare… Nga ju kërkohet në radhë të parë dhe para së gjithash ta zhvilloni shtetin shqiptar, t’i vendosni dhe ruani ekuilibrat demografikë, politikë e socialë, ta modernizoni dhe armatosni me armët dhe mjetet e nevojshme Ushtrinë Shqiptare, të cilën Berisha dhe partia e tij e rrënuan, e jo të na bëni moral – propagandë për “komunizmin” dhe, mbi të gjitha, të angazhoheni për ndërtimin dhe zhvillimin e unitetin politik e shpirtëror të kombit në rajon e jashtë Atdheut tonë të përbashkët…
add a comment