Kulturë\Letërsi

Xh. Gjini: RESTAURIMI I VONUAR I MULLIRIT DHE DËRSTILËS

Mulliri i Vishit, siç njihet në gjithë Anamoravën, do të restaurohet nga Ministria për kulturë, rini e sport. E veçanta e këtij mulliri është dërstila (valavica), e cila ishte dhe është e rrallë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Mulliri dhe dërstila janë nën një çati. Ky objekt me vlera të jashtëzakonshme kulturore dhe historike është në fshatin Binçë (komuna e Vitisë). Mulliri kishte dy gurë që bluanin drithin: njëri grurin dhe tjetri misrin. Kurse dërstila ishte si një “fabrikë” e kohës për shkaljen e zhgunit që shërbente për rrobat (veshjen) e njerëzve të asaj kohe. Kjo “fabrikë” tekstili ka qenë në përdorim deri në vitet e ’70-ta të shek. XX, kurse bluarja e dridhit ka vazhduar deri nga fundi i shekullit XX.
Mulliri dhe dërstila ishin blerë në kohën e Turqisë nga stërgjyshërit tanë (Azem Vishi me dy vëllezërit e tij: Demën dhe Salihun) me lira (300 lira ari). Prej atëherë mori emrin e lagjes tonë dhe u quajt “Mulliri i Vishit”. Me këtë emër njihet edhe sot e gjithë ditën…
Para tri vitesh Mulliri i Vishit, si vlerë e rrallë, u shpallë monument i mbrojtur nga shteti. Mirëpo, nevoja për restaurimin e tij ishte urgjente. Mulliri dhe dërstila, duke qenë larg lagjes sonë dhe pa përkujdesje, u dëmtuan shumë. (Dikur aty rrinte, përkujdesej e punonte Ahmet Vishi, plotë 30 vite)… Para dy vitesh kishte rënë edhe një pjesë e çatisë dhe ishin dëmtuar muret…
Gjatë këtyre viteve (pas çlirimit të Kosovës), nga njerëz të papërgjegjshëm, janë marrë, janë vjedhur e janë përvetësuar mjaft objekte të mullirit dhe dërstilës!!
Ka disa vite që po kërkonim nga Ministria përkatëse ndërhyrjen për restaurimin dhe ruajtjen e këtij Mulliri me vlera të mëdha dhe të papërsëritshme për brezat që vijnë. Mullinj në Anamoravë e kudo në Shqipëri ka mjaft dhe njeriu i kohës sonë e di se ç’janë, si janë dhe përse duhen? Por, dërstila është e rrallë (vetëm një në Opojë është e regjistruar dhe restauruar) dhe e panjohur për shumicën absolute të njerëzve të kohës sonë. Prandaj, restaurimi, ruajtja dhe mbrojtja e këtij monumenti të trashëgimisë sonë kulturore ishte e domosdoshme. Për restaurimin e këtyre objekteve duhen specialistë dhe ndërmarrje të specializuara. Po besojmë që Ministria përgjegjëse i ka parasyshë specifikat e këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore dhe profesionalizmin që kërkohet për restaurimin e tyre.