Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: Politika e pykave e dëmshme për çështjen shqiptare

POLITIKA E PYKAVE E DËMSHME PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE
Si punë hyrjeje
Çështja shqiptare në Iliri (Ballkan) mbetet e pazgjidhur edhe pas çlirimit të një pjese (Kosova në kufijtë krahinor) të tokave të pushtuara të Shqipërisë nga shteti që quhej Jugosllavi. Copëtimi dhe ricopëtimi i tokave të pushtuara të Shqipërisë midis Serbisë, Malit të Zi dhe Maqdedonisë, pas LDB, e kishte vënë në sprovë të vështirë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe perspektivën e zgjidhjes së plotë të çështjes shqiptare. Kjo perspektivë ishte dhe mbetet edhe më e zymtë në Shqipërinë e Poshtme (Çamëri), në Sanxhak, në Kosovën Lindore dhe në disa vise gati të shpopulluara nën Mal të Zi. Shtetet fqinje, – pushtuese të dy të tretave të tokave të Shqipërisë, – kanë ushtruar presion, dhunë, terror e gjenocid të organizuar shtetëror në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe gjatë gjithë shek. XX ndaj popullit të pushtuar shqiptar me qëllim të fundit: spastrimin, sllavizimin dhe greqizimin e krahinave të pushtuara shqiptare. Ka të dhëna dhe fakte të mjaftueshme se këto shtete pushtuese edhe gjatë shek. XXI nuk po heqin dhe nuk do të heqin dorë nga projektet dhe politikat e tyre antishqiptare…
Pasojë e këtij copëtimi dhe ricopëtimi të Shqipërisë dhe të tokave të saja të pushtuara është edhe politika e polarizuar dhe e përçarë shqiptare. Çlirimi i një pjese të Shqipërisë këndej Drinit, – Kosovës me kufijtë e imponuar nga Jugoserbia e Tito – Rankoviçit, – ishte fitorja e parë e madhe e kombit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar vetëm në një të tretën e Shqipërisë. Por, ndërhyrja e Fuqive të Mëdha pengoi zhvillimin e Luftës Çlirimtare edhe në viset e Kosovës (LPK – ja në programin e saj me Kosovë kuptonte të gjitha trojet e pushtuara të Shqipërisë nga Jugosllavia)! Kjo ndërhyrje dhe vendosja e pranisë ndërkombëtare pengoi dhe mohoi edhe të drejtën themelore të popullit shqiptar të Kosovës së çliruar për t’u bashkuar me shtetin e saj!! Natyrisht, pjesë e këtij “projekti” ndërkombëtar u bë edhe klasa e re politike, kurse klasa e vjetër politike, me konceptin autonomist dhe me kolaboracionizmin e saj, ishte vënë tërësisht në shërbim të politikave antishqiptare. Krah dhe mbështetje e projektit që “ndalonte” bashkimin e Kosovës së çliruar me shtetin e saj u bënë edhe mediat elektronike dhe të shkruara, që jetojnë e mbijetojnë me fonde të huaja. Partitë politike dhe mediat i dhanë krah dhe po i japin edhe polarizimit dhe përçarjes së shoqërisë shqiptare. Një segment tjetër që ndikoi në përkeqësimin e kohezionit kombëtar, politik, social e shpirtëror ishte edhe kleri fetar, sidomos ai mysliman, që u fuqizua me përkrahjen e Turqisë erdoganiste, të disa vendeve arabe dhe të Iranit. “Projekti” për islamizimin e shoqërisë shqiptare shihej me simpati edhe nga Serbia, Mali i Zi e Maqedonia, të cilat kishin hartuar “platforma” dhe kishin investuar dhe po investojnë shumë për myslimanizimin dhe boshnjakizimin e popullsisë së pushtuar shqiptare. Në këto rrethana të vështira për kombin shqiptar edhe inteligjencia herë hiqej si e “painteresuar” (s’çante kokën!), dhe herë dukej si e trembur dhe me mungesë guximi për t’u përballur me fushatën antishqiptare, që u zhvillua dhe po zhvillohet në Shqipërinë tonë (në gjithë hapësirën shqiptare) dhe rreth e rrotull saj! Një pjesë e vogël e kësaj inteligjencie kombëtare ka përqafuar projektet e huaja antishqiptare, duke u mercenarizuar!…
Kosova shqiptare me një opozitë të shpenzuar nga qëndrimi i gjatë në pushtet dhe nga gabimet e dështimet e mëdha
Fillimi i fillimit të gabimeve ishte koha menjëherë pas Luftës Çlirimtare. Shkak i këtyre gabimeve e dështimeve u bë mungesa e një fronti mbarëkombëtar për çlirimin e tokave tona të pushtuara nga Jugosllavia, nga njëra anë, dhe mungesa e përkrahjes ndërkombëtare për Luftën Çlirimtare të kombit shqiptar, nga ana tjetër! Frymëzimi, përkrahja dhe mbështetja e vetme në botë për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe për Luftën tonë Çlirimtare ishte Shqipëria jonë shtetërore. Roli dhe ndikimi i saj ishte vendimtar për suksesin e LËVIZJES dhe të Luftës së UÇK – së, por i pamjaftueshëm për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë…
Forca më e madhe politike legale në Kosovë, e cila kishte fituar simpatinë dhe përkrahjen e shqiptarëve, duke “predikuar” unitetin politik e kombëtar dhe pavarësinë e Kosovës (pa vise) me dialog, durim, mirëkuptim e bashkëpunim me Serbinë pushtuese, nuk e kishte përkrahur Luftën Çlirimtare Antipushtuese të LPK – UÇK – së!! Udhëheqja e LDK – së me kryeneqësi vazhdoi kursin e saj kolaboracionist deri në mbarim të Luftës! Edhe pas çlirimit të Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO -s, kryetari i kësaj partie, me pjesën më besnike, qëndroi në pozita të njëjta…
Vendosja e trupave ushtarake dhe e administratës së OKB – së në Kosovë me një rezolutë të OKB – së krijoi rrethana të favorshme për pjesën që kishte kolaboruar me pushtuesit që nga ripushtimi i trojeve shqiptare në vitin 1945 e deri në vitin 1999, kur një pjesë e atyre trojeve u çlirua (Kosova në kufijtë e imponuar krahinor)! Administrata e OKB – së (UNMIK) dhe prania tjetër ndërkombëtare kishte për mision dhe projekt “pajtimin” e popullit shqiptar me Jugoserbinë (Serbi dhe Mali i Zi) me një gjysmëzgjidhje: “autonomi substanciale” për Kosovën, në kufijtë e krahinës autonome!!? Në përputhje me projektin dhe misionin e saj, prania ndërkombëtare rekrutoi gjithë elementin e “moderuar” dhe elementin kolaboracionist për jetësimin e projektit dhe përmbushjen e misionit të saj! Kurse elementin, ose më saktë, krahun çlirimtar e kombëtar shqiptar dhe familjet me traditë atdhetare i “mënjanonte” me marifet dhe i përjashtonte hapur nga mundësia e përfshirjes në administratë, në polici, në drejtësi, në qeverisje, në media, etj..
Forca politike, që kishte organizuar dhe drejtuar luftën e armatosur me shumë mençuri, përpjekje, mund e sakrificë ishte “komplotuar” dhe “spostuar” nga skena pak para mbarimit të Luftës! As në Konferencën e Rambujes nuk ishte përfaqësuar LPK – ja! Anëtarë dhe drejtues të saj kishte në delegacion por, ata ishin aty në emër të UÇK – së. Pati aty edhe “përfaqësues” të pavarur, edhe të LDK – së, etj., por nuk pati përfaqësues të forcës politike, që e kishte themeluar UÇK – në dhe e drejtonte atë!!?? “Mënjanimi” i LPK – së nuk bëhej për shkak të emërtimit që ajo kishte, por për shkak të konceptit dhe programit kombëtar që përfaqësonte ajo, dhe, sidomos për shkak të angazhimit të saj për zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare në Iliri. Për arsye të njëjta u “mënjanua” edhe LKÇK – ja dhe çdo grup a individ që mbronte dhe përfaqësonte konceptin dhe programin kombëtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare… Për “mënjanimin” e suksesshëm të krahut çlirimtar e kombëtar nga jeta politike dhe institucionale u përdor një grup i vogël i këtij krahu, që me naivitet ose për interesa të ngushta besoi dhe pranoi të kolaboronte në projektin dhe misionin e pranisë ndërkombëtare (UNMIK, etj..) në Kosovë.
Agjenci dhe filiala të specializuara të pranisë ndërkombëtare fillimisht i dhanë rëndësi “pajtimit” të krahut të Luftës (grupit që kishte marrë flamurin e përfaqësimit) me krahun pacifist (me grupin kolaboracionist, që e përfaqësonte këtë krah). “Pajtimi” i këtyre dy grupeve i hapi rrugë bisedimeve, fillimisht të fshehta, me Serbinë. Për t’u siguruar mirë e mirë, që Kosova të mos këmbëngulte për t’iu bashkuar shtetit të saj, prania ndërkombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me Serbinë, krijoi Veriun dhe enklavat serbe, si bërthama të komunave të ardhshme serbe!! Ky projekt ogurzi dhe thellësisht antishqiptar për bosnizimin e Kosovës u finalizua me planin e Ahtisarit (pas bisedimeve të gjata në Vjenë), i cili, çuditërsiht ngjante, siç ngjajnë dy pika uji, me planin e Serbisë për Kosovën (i miratuar nga Kuvendi i Serbisë në prill të vitit 2004)!! Pjesë e bisedimeve (miratimit – aminit) të këtij plani ishte grupi i “unitetit”: LDK – PDK – AAK dhe bishtat e tij. Ky kombinim, çlirimtarë e kolaboracionistë, i realizuar nga prania ndërkombëtare dhe qendrat e vendosjes, rezultoi të ishte shumë i dëmshëm për Kosovën e çliruar me lumenj gjaku nga pushtimi shekullor serb. Kjo klasë e kombinuar politike tashmë ishte kapur dhe nuk mund të kthehejë nga rruga pa e përfunduar misionin dhe projektin pjesë e të cilit ishte bërë me dëshirë a me naivitet.
Plani i Ahtisarit i siguroi Kosovës një “pavarësi të kushtëzuar” dhe mohimin e të drejtës themelore – jetike për t’iu bashkuar shtetit të saj, Republikës së Shqipërisë! Ata, që kishin hartuar projektin dhe që kishin për mision zbatimin e tij nuk u kënaqën as me planin e Ahtisarit. Siç u pa më vonë, ky plan ishte miratuar sa për t’i kënaqur shqiptarët me “pavarësi” e me shtet të “pavarur”. Faza e re për jetësimin e bosnizimit nisi të përgatitejë menjëherë pas firmosjes dhe votimit të planit të Ahtisarit në Kuvendin e Kosovës. Qendrat e vendosjes ishin të vendosura që t’i vazhdonin bisedimet deri sa të kënaqejë Serbia nga lëshimet që do t’i bëheshin!? Vazhdimi i bisedimeve pa fillim e pa mbarim me Sebinë u zhvendos në Bruksel, ku u bënë marrëveshje të reja në dëm të pavarësisë dhe sovranitetit (edhe ashtu të dëmtuar) të Republikës së Kosovës…
Koalicioni i bisedimeve me Serbinë: LDK – PDK – AAK, që edhe kishte (keq)qeverisur e (bashkë)qeverisur Kosovën me UNMIK – un, me EULEX – in dhe me praninë tjetër ndërkombëtare, mori mbi vete përgjegjësinë dhe fajsinë e krijimit të 10 komunave “serbe” në Kosovën shqiptare dhe të dhjetra monumenteve dhe zonave të mbrojtura “serbe”!! Me miratimin – aminin dhe nënshkrimin e tyre (përfaqësuesve të këtyre partive) u pranua krijimi i asociacionit/bashkësisë së komunave “serbe”, që do të përfshinte 30 % të territorit të Kosovës shqiptare!! Në fakt ky entitet “serb”, nëse krijohet, do të defunksionalizonte Republikën e Kosovës, sovranitetin dhe pavarësinë e saj dhe do të favorizonte edhe cenimin e integritetit territorial. Sikur të mos mjaftonin të gjitha lëshimet tjera, koalicioni LDK – PDK – AAK, Republikën e Kosovës e bëri edhe me fusnotë, e bëri çështje të hapur dhe çështje për diskutim të mëtejshëm! Kjo kastë politike e shtetërore e LDK – PDK – AAK – së negocioi, miratoi dhe votoi (ratifikoi) faljen e 8 200 hektarëve tokë Malit të Zi! Po të përmenden edhe dëmet e mëdha që iu shkaktuan Republikës së Kosovës me procesin e “privatizimit”, e që në fakt ishte trafikim dhe kontrabandim i ekonomisë dhe i pasurive të Kosovës, kuptohet edhe më mirë përgjegjësia e koalicionit që për 20 vite (bashkë)qeverisi dhe (keq)qeverisi Kosovën shqiptare. Ky koalicion është përgjegjës dhe fajtor edhe për degradimin e arsimit, shëndetësisë, kulturës, artit dhe shkencës. Të mos flasim për dështimet në administrimin e tokës, ujit dhe mjedisit përgjithësisht, që janë ndotur dhe degraduar si kurrë më parë!
Mburrja e vetme e tyre janë rrugët e asfaltuara (edhe ato larg kritereve dhe standardeve të kërkuara)… Popullsia, që është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër për një vend, është përgjysmuar dhe po zvogëlohet ditaditës… Ky koalicion, në dukje i panatyrshëm, por në thelb i ldkizuar, është përgjegjës (bashkë me praninë ndërkombëtare) edhe për sistemin zgjedhor që favorizon mediokritetin, elementin e “moderuar” – kolaboracionist dhe fundrrinën e shoqërisë për t’u zgjedhur në qeverisjen vendore dhe qendrore. Sistemi zgjedhor u ka lënë dorë të lirë dhe përcaktuese “shefave” të partive për kandidimin dhe zgjedhjen e deputetve, kryetarëve, etj. “Shefat” e partive janë të pavarur edhe për emrime e shkarkime në parti, qeveri (kur janë në pushtet), etj..
Viteve dhe veprimtarive të mbrapshta ky koalicion ua vuri kapakun me krijimin dhe votimin e Gjykatës Speciale! Mbështetje e fuqishme për krijimin e Gjykatës Speciale, siç ishte edhe për “zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi, u bë edhe Lista Serbe me deputetët e saj, që përfaqësojnë Serbinë. Thanë që Gjykata Speciale po krijohet për ta “pastruar” UÇK – në dhe Luftën e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës!!?? “Ne, thoshin, do ta mbrojmë e do ta pastrojmë luftën e drejtë të UÇK – së”. Kjo i binte që Lufta e UÇK – së dhe e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës paska qenë e padrejtë, për më keq, e papastërt!! Nga ajo që po shohim e po dëgjojmë, para kësaj gjykate të pashembullt, dikush nuk po e mbron UÇK – në, por po mbrohet prej saj, duke heshtur ose duke thënë e duke “dëshmuar” se UÇK – ja nuk ishte formacion i organizuar, nuk kishte hierarki, etj.. Pra, sipas disave, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një “formacion” bashibozukësh, ku nuk dihejë kush drejtonte, kush komandonte, kush planifikonte, kush urdhëronte e kush përfaqësonte atë Luftë, që e bëri krenar dhe e mbushi me lavdi kombin shqiptar!? Sipas kësaj logjike UÇK – ja ishte një “ndërmarrje e përbashkët bashibozukësh”!? E vërteta është se UÇK – ja ishte ndërmarrje çlirimtare e kombit shqiptar, që përfaqësohejë në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila me shumë mençuri, përpjekje, mund e sakrificë e projektoi, e përgatiti dhe organizoi për shumë vite Luftën Antipushtuese Çlirimtare në trojet e pushtuara të Shqipërisë. Idetë, programi, përpjekjet dhe Lufta Çlirimtare e Lëvizjes sonë Kombëtare pati përkrahjen e përherëshme të shtetit tonë, Republikës së Shqipërisë, pa të cilën vështirë se mund të kishte Kosovë të lirë dhe liri të pakta për viset e saj ende në robëri.
Këto gabime, faje e dështime gjatë (bashkë)qeverisjes 20 vjeçare i bëjnë të pabesueshme këto parti, sot opozitare. Këmbëngulja e tyre për t’i mbrojtur gabimet, fajet dhe dështimet e tyre gjatë qeverisjes i bënë ato edhe më të pabesueshme për zgjedhësit dhe më të pafuqishme për t’u reformuar dhe për t’u shkëputur nga e kaluara e tyre e mbrapshtë. Një opozitë e këtillë, pa ide, pa projekte, pa kauza dhe pa alternativë ia zgjatë jetën partisë në pushtet…
LVV – ja opozitare dhe LVV – ja pushtetare
Lëvizja Vetëvendosje ishte pjellë (produkt) kryesisht e keqqeverisjes dhe e gabimeve – dështimeve të koalicionit të ldkizuar: PDK – LDK – AAK. PDK – ja (edhe AAAK – ja), që prezantohej dhe mburrej si “parti e krahut të luftës”, hoqi dorë nga flamuri kombëtar kuqezi i Kosovës dhe i çdo shqiptari, hoqi dorë nga kërkesa e drejtë dhe themelore e popullit shqiptar të Kosovës për t’u bashkuar me shtetin e tij, siç ishte edhe BETIMI dhe flamuri me të cilin u bë lufta dhe u derdh gjaku, jo vetëm në luftën e fundit. Jo vetëm kaq! PDK – ja përqafoi konceptin e LDK – së dhe të disa Fuqive të Mëdha për një Kosovë “të hapur ndaj Serbisë e ndaj Shqipërisë”, për një “Kosovë multietnike” (shqiptaro – serbe), ku pakica serbe me 5 % do të bëhejë popull shtetformues dhe i barabartë me popullin shqiptar (93 %)! Dialogu pa fillim e pa fund me Serbinë, korrupcioni, “privatizimi”, keqqeverisja, nepotizmi, etj.. u bënë tokë e plleshme për mbjelljen dhe kultivimin e një lëvizjeje qytetare – politike që bëri kauzë të sajën kundërshtimin e dialogut me Serbinë, kundërshtimin e krijimit të komunave dhe zonave të mbrojtura “serbe”, kundërshtimin e asociacionit/bashkësisë së komunave serbe, kundërshtimin e “privatizimit”, korrupcionit, nepotizmit dhe të dukurive tjera që po gërryenin lirinë dhe pavarësinë – shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
Kartë e fuqishme në duart e LVV – së u bë edhe çështja e bashkimit të Kosovës me shtetin e saj, flamuri kombëtar, kufiri me Malin e Zi, etj. Me këto kauza të kapura fort dhe të propaganduara bindshëm, LVV – ja u rritë, u fuqizua dhe fitoi besimin, përkrahjen dhe votën e shumicës së popullit shqiptar në Kosovë, si asnjë parti tjetër pas çlirimit, sepse këto ishin kauza të popullit tonë. Në zgjedhjet e fundit partia LVV fitoi shumicën e mjaftueshme për të qeverisur me Republikën e Kosovës…
Mirëpo, përfshirja e grupit të Vjosa Osmanit, përfshirja e grupit të islamikëve dhe përfshirja e Mimoza Kusarit në listën e LVV – së paralajmëronte “pranverën” e një LVV – je të ndryshme nga ajo që e njihnim sa ishte në opozitë. Edhe koalicioni me LDK – në e Isa Mustafës më herët, për ata që i kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet në këtë parti, ishte sinjifikativ dhe paralajmërues se LVV – ja – Albin Kurti në pozitë nuk do të ishte Albin Kurti – LVV – ja e opozitës. Përfshirja e LVV – së në një pakënaqësi studentore në Tiranë dhe paralajmërimi prej saj i një “pranvere shqiptare” po paralajmëronte hyrjen e LVV – së në “garë” për marrjen e pushtetit në Tiranë, gjë që u provua me krijimin e LVV – së atje dhe me pjesëmarrjen në garën zgjedhore!!
Kandidimi dhe zgjedhja e Vjosa Osmanit në krye të Republikës, emrimi i Donika Gërvallës Ministre e Jashtme dhe emrimi i Mimoza Kusarit në krye të grupit kuvendar të LVV – së e bindën edhe anëtarin më naiv të kësaj partie se Albin Kurti po hapte kapitullin e një ndryshimi rrënjësor në LVV dhe në kursin e saj. LVV – ja në pushtet hoqi dorë nga kauzat me të cilat kishte “luftuar” dhe kishte ardhur suksesshëm në pushtet. Acarimi dhe ngrirja e marrëdhënieve me Tiranën (shtetin tonë) si asnjëherë më parë tregoi se “kauza” e Teatrit, e Astirit dhe e një këngëtari serb në festën e birrës ishin vetëm “pretekste” për prishjen dhe ngrirjen e marrëdhënieve me shtetin e vetëm në botë që kishin shqiptarët dhe që i mbron e përfaqëson në ditë të mira e të këqija! Projekti politik (i përkohëshëm) i një “Ballkani të hapur” u shpërdorua poshtërsisht për propagandë, nxitje dhe krijim të hendekut ndërshqiptar nga LVV – ja dhe militantët e saj naivë ose me prejardhje të “dyshimtë”, që nuk janë të pakët edhe në këtë parti. Albini, që takohej shpesh me Vuçiçin e Serbisë, nuk pranonte të shkonte në takimet e përbashkëta të shteteve të Ballkanit (Ilirisë), sepse aty ishte edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ky do të mbetej, siç edhe është, nën hijen e tij!? Se është kështu u pa edhe kur në Tiranë u organizua takimi i vendeve ballkanike me përfaqësuesin e BE – së, në kuadër të procesit të Berlinit!! Albin Kurti, duke mos e kuptuar se mandati i Kryeministrit nuk është personal, as privat e partiak, nuk shkoi në takimin e Tiranës, por shkoi në Greqi, ku u takua me Miroslavin (Lajçakun), vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës!! Këtij do të duhejë t’i tregonte dikush se Kryeministri shqiptar (pavarësisht emrit e mbiemrit që ka) është edhe Kryeministër i tij dhe i çdo shqiptari në botë… Kauza e tij e drejtë, sa ishte në opozitë, për bashkim kombëtar e për flamur kuqezi u shndërrua në të kundërtën e saj, u shndërrua në kauzë për pavarësi e shkëputje nga shteti ynë AMË!!??
Pas ardhjes në pozitë (pushtet) Albin Kurti përvetësoi kauzën antishqiptare të LDK – së dhe të grupit të Vjosa Osmanit për një Kosovë të shkëputur nga kombi i saj, për një Kosovë të “kosovarizuar” (asgjë më shumë nuk do të donin Serbia dhe aleatët e saj), e cila, po të kishte takatin, do të bëhej kryeqendra e një kombi të copëtuar dhe të deshqiptarizuar!!?? Tundja e flamurit të partisë – LDK – së në krye të Republikës së Kosovës është provë e mjaftueshme se Albin Kurti ka hequr dorë edhe nga flamuri kombëtar dhe është pajtuar jo më vetëm me flamurin e Ahtisarit, por edhe me flamurin e LDK – së, që është në gjenezën e mohimit të flamurit tonë kuqezi dhe të shqiptarizmës!
Interferimi dhe angazhimi i Albin Kurtit në punët e partive dhe politikave shqiptare në Maqedoninë tonë, për t’u treguar si njëfarë “lideri” edhe në këto troje shqiptare dhe për t’i dhënë krah atyre që janë krijuar dhe mbahen gjallë me bukën e botës, është edhe një tregues tjetër se ky njeri nuk ka arritur të kuptojë se Albin Kurti është Kryeministër, por Kryeministri i Republikës nuk është dhe s’duhet të jetë Albin Kurt! Shkuarja e tij në Tetovë e në Shkup për t’i inauguruar do rrugë dhe emërtime rrugësh me kryetarë bashkish (komunash), pa agjend takimesh me Qeverinë dhe qeveritarët e Shkupit, ishte degradim dhe dhunim i funksionit dhe mandatit të Kryeministrit, nga ana protokollare e shtetërore. Ndërsa, në planin kombëtar ishte nxitje e dallimeve, polarizimeve dhe përçarjeve brenda shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e tyre, por të dominuar nga elementi sllav. I pafalshëm dhe i dënueshëm është edhe (sh)përdorimi i emrit të Bacë Adem Demaçit, simbolit të qëndresës dhe përpjekjes shqiptare, për t’i përçarë shqiptarët e Shkupit dhe për ta politizuar një emër si ai i Adem Demaçit, krejt panevojshëm. Po ky “lider” i madh dhe i pakontestueshëm të nesërmen dërgoi Ministrin e tij për ta takuar Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë dhe Kryetarin e BDI – së për t’i ndrequr sadopak marrëdhëniet dhe për ta diskutuar çështjen e tunelit Prizren – Tetovë, që nuk paska mundësi të bëhet me kryetarë komunash! Sjellje dhe veprim fëminor, në kuptimin formal, kurse në kuptimin përmbajtësor shumë i dëmshëm!
Gabime janë bërë e po bëhen edhe në marrëdhënie me shtetet tjera, sidomos me ato Fuqi që na ndihmuan dhe po na ndihmojnë në mënyrën e tyre. Diplomacia e vendeve dhe e popujve të vegjël duhet të ec, siç i thonë fjalës, për teh shpate: e ekuilibruar, e shkathët dhe kreative… Qeveritë dhe diplomatët tanë do të duhejë të mësoheshin t’i lexonin dhe t’i kuptonin mirë, saktë dhe drejtë, në kohë dhe në proces interesat dhe marrëdhëniet e shteteve të caktuara me ne, sepse ato nuk janë statike a të përjetëshme, siç i kuptojnë dhe shpjegojnë (dëshirojnë) nganjëherë politikanët tanë të mbyllur në botën e tyre partiake e provinciale… Kusht për një politikë të jashtme të suksesshme dhe dinjitoze është politika e brendshme e suksesshme, e qëndrueshme, e ndërtuar dhe harmonizuar mirë me interesat që ka vendi dhe kombi në kohë, hapësirë dhe rrethana të caktuara. Prirjet snobiste, mungesa e një tregu unik shqiptar, mungesa e kohezionit dhe unitetit politik e social ndërshqiptar reflektojnë shumë dhe keq në marrëdhëniet tona me vendet fqinje, me BE – në dhe me shtete e Fuqi tjera në botë. Zotësi dhe diplomaci është edhe kapaciteti i politikës dhe i diplomacisë sonë për t’i paraqitur interesat, nevojat dhe kërkesat tona arsyeshëm dhe bindshëm në tavolinat e miqve tanë (edhe në tavolinat e kundërshtarëve tanë), duke marrë parasysh dhe duke respektuar edhe interesat e tyre, për aq sa nuk cenojnë interesat jetike të kombit tonë në rajon e më gjerë…
Edhe vetërrethimi me ministra, zyrtarë, këshilltarë e funksionarë me prejardhje, me bindje dhe me formim kryesisht (me ndonjë përjashtim të parëndësishëm) kosovocentrist (jugosllavist e jugokomunist), siç bënin dikur partitë e “krahut të luftës”, është tregues i mjaftueshëm për rrugën që ka marrë LVV – ja – Albin Kurti dhe mohim i kauzës për qeverisje me njerëz të brumit kombëtar dhe me pjekuri e përvojë politike e profesionale. Kjo përbërje – përzierje multiideologjike e multikonceptuale dhe mediokre ka prodhuar dhe po prodhon dështime dhe skandale të shumëta të kësaj qeverisjeje. Arrestimet e disa zyrtarëve të lartë për shpërdorim detyre dhe për korrupcion po rrënojnë edhe kauzën tjetër, me të cilën u fituan zgjedhjet, për luftimin dhe zhdukjen e korrupcionit! Thirrjet e protestave dhe grafitet: “Hajnat në burg”, u harruan!! Nuk ka pikë dyshimi që sistemi i drejtësisë është ndërtuar mbrapsht dhe me elementë kryesisht jugokosovarë-kolaboracionistë dhe është i kapur fort nga qarqe dhe grupe politike e parapolitike, por sistemi i drejtësisë nuk reformohet dhe korrektohet me propagandë politike – partiake e mediatike, duke harruar që LVV – ja nuk është më në opozitë!
Për një shoqëri demokratike dhe për një shtet funksional sistemi i drejtësisë është çelësi i baraspeshës dhe stabilitetit politik e social. Kosova e rilindur pas një pushtimi shekullor e kishte të domosdoshme – jetike instalimin dhe zbatimin e drejtësisë tranzicionale për t’u siguruar që vendi dhe liria e tij nuk do rrezikoheshin më, duke rënë në duart e atyre që me përkushtim, me bindje dhe me jetë i kishin shërbyer pushtuesit (edhe i shërbejnë), gjë që nuk lejuan dhe nuk po lejojnë të bëhet ata që lirinë dhe pavarësinë e Kosovës shqiptare i donin të kushtëzuara nga Serbia shoviniste dhe nga dialogu e marrëveshjet me te!!
Partia në pushtet duhet të jetë e ndërgjegjshme se sistemi i drejtësisë reformohet me procedura dhe ligje të inicuara nga Qeveria dhe të votuara në Kuvend. Për këtë reformë nuk mjafton vetëm vota e partisë apo partive në pushtet. Për reformimin e sistemit të drejtësisë ose pushtetit të gjyqësorit është i domosdoshëm konsensusi me të gjitha partitë kuvendare, madje edhe me OJQ – të dhe me grupe të interesit. Konsensusi me partitë opozitare kërkohet, udhëhiqet, ndërtohet dhe arrihet nga partitë në pushtet. Kjo është rruga, kudo në vendet normale, rrugë që nuk ishte ndjekur as nga partitë që, sot janë në opozitë. Ndryshe nuk bëhet. Ky konsensus është i nevojshëm edhe për ndryshimin e sistemit dhe të ligjit zgjedhor. Konsensusi me partitë opozitare dhe me shoqërinë e gjerë është i domosdoshëm edhe për çështje kapitale si ajo e Veriut të Kosovës, e “statusit” të pakicës serbe dhe e marrëdhënieve me Serbinë. I domosdoshëm për këtë çështje dhe për shumë të tjera (politika e jashtme, e mbrojtjes, programet dhe tekstet shkollore, etj.) është bashkëpunimi 24 orë, bashkërendimi dhe mirëkuptimi pa teke e kushte me shtetin tonë, Republikën e Shqipërisë, si dhe me Shkupin shqiptar. Këtu nuk bëjnë punë interesat meskine të grupeve dhe forcave të caktuara politike. Interesat kombëtare janë dhe duhet të jenë në çdo kohë dhe rrethanë mbi interesat e partive, besimeve (religjioneve) apo tregtarëve të mëdhenj a të vegjël.
Pushtetarët, sidomos këta që erdhën me kauzën e madhe të bashkimit kombëtar, duhet të mos e harrojnë kurrë se shteti i Kosovës (kaq sa është!) nuk ishte kërkesë dhe as vullnet i popullit shqiptar, që u përpoq, luftoi e sakrifikoi shumë për t’u bashkuar me shtetin e tij, por rezultat i pafuqisë sonë për ta zgjidhur deri në fund çështjen tonë, rezultat i kundërshtimit që vinte dhe vjen nga Fuqitë e Mëdha dhe nga raporti i forcave në botë, rezultat i pazareve dhe kompromiseve të “dhimbshme” e të pista nga një klasë politike pjesërisht e paaftë e naive, por edhe me hipoteka të rënda kolaboracioniste…
Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “miqtë” tanë nuk pranonin të jepnin as një fishek e lëre më tanke “Leopard”, sisteme raketash, fluturake (dronë), avionë F16 dhe armë tjera e ndihma financiare miliardëshe… Po të kishim vetëm pak përkrahje të kësaj natyre, UÇK – ja dhe kombi shqiptar do ta kishin çliruar vetë Kosovën dhe trojet tjera të pushtuara. Në atë kohë, fatkeqësisht, edhe shteti ynë, që na ndihmonte me sa e lejonin kushtet, ishte në një pozitë të vështirë dhe i kontrolluar nga fuqi të huaja…
Se Albin Kurti dhe grupi i Vjosa Osmanit janë të vendosur për ta thelluar hendekun e krijuar prej tyre (jo pa qëllim!) me shtetin tonë u pa edhe nga takimi joformal i vendeve të Ilirisë (Ballkanit) në Athinë. Në këtë takim nuk ishte ftuar Kryeministri shqiptar nga Athina zyrtare – Kryeministri grek me pretekstin se Republika e Shqipërisë (drejtësia shqiptare) ka arrestuar dhe po e mban në burg një mercenar të megali idesë e të shtetit grek (hajdut dhe trafikant votash), që ishte kandidat për kryetar bashkie në Himarë dhe kishte premtuar botërish “helenizimin e atyre zonave shqiptare” për llogari të Greqisë shoviniste! Pretendimet e hapura territoriale të Greqisë ndaj krahinave shqiptare të Jugut nuk i bënë përshtypje fare Albin Kurtit, i cili shkoi në takimin e Athinës, u takua edhe me Kryeministrin e Greqisë dhe dukej i kënaqur me pozitën e tij përulëse dhe vetëposhtëruese, sikur vetëmjaftohej dhe vetëkënaqej që nuk ishte Kryeministri shqiptar i pranishëm!! Deri këtu ka shkuar puna?!! Deri këtu ka shkuar shpërdorimi i besimit dhe i mandatit që ka marrë nga populli shqiptar i Kosovës për ta mirëqeverisur dhe, sidomos për ta afruar dhe bashkuar politikisht, ekonomikisht, shpirtërisht, kulturalisht dhe në çdo fushë tjetër me pjesën e kombit të tij e jo për ta larguar e për ta ndarë, siç po angazhohet tash e sa vite, duke harruar që sa më shumë që po angazhohet për ta larguar e për ta ndarë, aq më shumë po afrohet populli i Kosovës me shtetin dhe pjesën e kombit që i përket tash e sa mijë vjet…
Rrugëtimi i kombit shqiptar mund të pengohet e të vonohet për një kohë nga parti, grupe, qarqe e vende, që i frikësohen ribashkimit të Shqipërisë në një shtet të vetëm, por nuk mund të pengohet e vonohet përgjithmonë. Ribashkimi i Shqipërisë në një shtet dhe me një flamur kuqezi është interes jetikë i popullit shqiptar, por edhe i popujve fqinj që kanë pushtuar krahina të Shqipërisë. Me ribashkimin e Shqipërisë në Iliri përfundon epoka e urrejtjes, e përplasjeve, e konflikteve, e luftërave dhe e gjakderdhjes dhe fillon epoka e marrëveshjes, mirëkuptimit, bashkëpunimit, harmonisë, zhvillimit e përparimit midis popujve të siujdhesës ilirike – ballkanike. Ky do të ishte kontribut i madh dhe, për shumëçka vendimtar, edhe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Evropën tonë. Prandaj, shqiptarët pa dallim ideje, krahine e feje duhet të zotohen dhe përkushtohen për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare e jo të kënaqen me flamujt e partive, me flamujt e kishave e të xhamive të huaja dhe t’u luten e t’u nënshtrohen zotave të huaj dhe ca “liderëve” që vetëmjaftohen e vetëkënaqen, duke qenë të parët në një bashki a krahinë, si të ishin princër e bajraktarë të mesjetës! Politikat e pykave dhe të ndërskamcave, ngado dhe nga kushdo që të vijnë, duhet të bojkotohen dhe refuzohen… Shqiptari nderon vetëm flamurin e tij kuqezi dhe udhëheqësin – partinë a fenë që i shërben idesë dhe programit të bashkimit të kombit në një shtet, zhvillimit dhe përparimit krahpërkrah me popujt e zhvilluar të Evropës. Ky ishte programi i Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky ishte dhe është programi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ky ishte BETIMI i luftëtarit të LPK – UÇK – së, kjo ishte dhe mbetet POROSIA e shenjtë e Dëshmorëve të Atdheut dhe e gjithë luftëtarëve të penës e të pushkës. Ndryshe do të ishim bijë sorrash a qyqesh e jo bijë SHQIPONJASH…
Prishtinë, më 27 gusht 2023                                                                        Xhevat Bislimi