Komenti

Xh. Gjini: Nuk është kohë barrikadimesh partiake

NUK ËSHTË KOHË BARRIKADIMESH PARTIAKE!
Republika e Kosovës ndodhej midis dy alternativave: Ta themelonte asociacionin (“zajednicën”), sipas marrëveshjeve që ishin negociuar, nënshkruar e “ratifikuar” 10 vite mē parë nga përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel, apo të kërkonte mënyra dhe rrugë për të mos e jetësuar marrëveshjen për krijimin e “serbska zajednicës” në Kosovën shqiptare. Alternativë të tretë nuk i lanë “miqtë” tanë dhe argatët e tyre që hanë bukën e Atdheut të shqiponjave dhe bëjnë duan e Serbisë shoviniste (qoftë me vetëdije, qoftë pa të)!
Partia në pushtet zgjodhi alternativën e dytë: të mos krijonte një miniserbi, që do ta defunksionalizonte dhe degradonte pavarësinë e Kosovës nga Serbia, integritetin dhe sovranitetin e saj…
Në këtë çështje do të duhejë të kishte konsensus partiak dhe kombëtar, jo vetëm në Kosovën e vogël sepse, lufta në fushën e ideve është më e vështirë se në fushën e betejës… Nuk kanë thënë kot që dështimi i politikës shpie në luftë!
Shteti ynë, Republika e Shqipërisë, nuk ka qenë dashur të qëndronte indiferente kur negociohej për asociacionin/zajednicën (siç është në marrëveshjen e nëshkruar!) dhe nuk ka guxuar të hiqej si shtet mbi palët, sepse po negociohej pë një pjesë të tokave të tij…
Dje, Kryeministri shqiptar anuloi mbledhjen e dy qeverive tona shqiptare!! Sot, Serbia e trimëruar nga “sanksionet” e Edi Ramës, kidnapoi tre policë shqiptarë (kufitarë)!! Efekti i anulimit (bojkotimit) të mbledhjes së përbashkët erdhi pa kaluar 24 orë!! Gjendja shumë serioze në një mjedis të bastarduar nga gam – gamet e opinionistëve dhe politikanëve mercenarë!
Partitë opozitare në Prishtinë: PDK, LDK dhe AAK, pjesë e dialogut dhe allishverisheve dy dekadëshe me Serbinë (negociuese dhe nënshkruese e votuese edhe të asociacionit/zajednicës), kanë detyrim para popullit shqiptar të Kosovës dhe para kombit që të kërkojnē botërisht falje për këtë gur të rëndë në qafën e Kosovës dhe të angazhohen për unitet e kohezion politik, shtetëror e kombëtar. Kjo as nuk i zhburrëron dhe as nuk i zvogëlon. Përkundrazi, i burrëron, i rritë dhe i fuqizon në skenën politike e kombëtare dhe u hap rrugën e ardhjes në pushtetin e një Republike plotësisht të pavarur nga Serbia dhe prania e saj.
Me çështjen e shtetit dhe të kombit duhet të udhëhiqemi në çdo situatë nga arsyeja dhe dashuria për Atdheun, Popullin e për Flamurin tonë kuqezi. Barrikadimi në llogoret e partive kur kërkohet barrikadimi në llogoret e Atdheut nuk falet…
Mos bëni dhe mos përsëritni gabimet e njëri – tjetrit! A e mbani mend kur Kuvendi i Republikës së Kosovës priti 5 orë kthimin e grupit serbë të deputetëve, që kishin shkuar të merrnin pëlqimin e Vuçiçit (Beogradit) për ta votuar kandidaturën e Ramush Haradinajt për Kryeministër?!! Një vend normal nuk do ta kapërdinte këtë poshtërim me asnjē çmim!
Atë ditë, po ta kishte pjekurinë e duhur politike dhe kombëtare LVV – ja -Albin Kurti, do të ngrihejë e do të thoshte në Kuvend: “Ramush! Po duket që je i vendosur që të bëhesh Kryeministër qoftë edhe me votat e Listës Serbe, Beogradit! Por, unë, në emër të LVV – së, deklarojë solemnisht që ti do të bëhesh Kryeministër me votën tonë. S’kemi pse presim “po – në” e Beogradit. Kosova shqiptare nuk pranon të poshtërohet nga Beogradi!Votojmë tash! Sot jemi bashkë. Prej nesër na ke opozitë korrekte dhe të dinjitetshme”.
A mund ta imagjinoni, miqtë e mi, sa madhështor dhe i vlerësuar, përgjithmonë, do të ishte ky veprim i Albinit dhe partisë së tij në ato rrethana? Lista Serbe dhe Beogradi do të ngeleshin me gishta në gojë dhe nuk do t’i bënin tjetër herë hesapet pa hanxhin…
Këso gabimesh (pak më shumë se gabime) Albini ka bërë edhe me “ambicjen” e sëmurë për t’i bërë karshillëk Tiranës dhe për t’u bërë “udhëheqësi i madh” i shqiptarēve!!??
Veprime dhe sjellje të këtilla naive ka manifestuar edhe Vjosa Osmani (Kryetare me vota të LVV -së!) në marrëdhënie me Tiranën zyrtare, ku hiqej si “shqiponjë”, kurse në qendrat e huaja dhe me të huajt bëhet pulë!!
Megjithatë, Kryeministri shqiptar nuk ka të drejtë dhe nuk guxon me ua kthy me të njëjtën monedhë, sepse nuk është fjala për arat, vilat e pasuritë e Albinit a të Vjosës, por për një pjesë të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë…
Qeveritarët dhe të zgjedhurit nuk duhet të harrojnë për as një moment se mandatet që kanë janë të popullit e jo të tyret!
Kur t’u mbushet mendja të silleni sipas tekave personale dorëzoni mandatet dhe qafen e thefshi! Por, Kosova dhe çështja shqiptare nuk ua ka për borgj që të dëmtohet a thyejë qafën për tekat tuaja!!