Komenti

Xh. Gjini: Një foto sa 10 000 fjalë

NJË FOTO SA 10 000 FJALË!
Megjithatë, po i them dy – tri fjalë (sqarime) për lexuesin që nuk e di kush janë këta “aminxhinj”!! Ky në mes është Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Veriore, Afrim Gashi! Emër e mbiemër i ka shqip e të shqiptarit, por shqiptarët nuk i përfaqëson! Paraqitjet dhe sjelljet e tij, si kjo që po shihni në foto, veç shqiptare nuk janë… “Amini” në institucionin e një shteti laik, është dhunim i institucionit dhe i votës së shqiptarëve, që besonin se po votonin kandidatë e parti shqiptare për t’i përfaqësuar! Soji i këtij dhe i atyre që i ka përkrah e çojnë ujin në mullirin e sllavëve në Maqedoninë tonë. Veshja e popullit shqiptar me kostum “islamik” (turko-arab!) dhe rrënimi i identitetit (qenies) shqiptar është projekt sllav (serb, “maqedonë”, malazez…) dhe sponzorizohet nga qarqe dhe vende me qëllime dhe interesa shoviniste dhe imperialiste ndaj shqiptarëve…
VMRO – ja dhe qarqe tjera shoviniste në Maqedoninë tonë i “tolerojnë” dhe i nxisin këta bashibuzukë “modernë” që t’i promovojnë shqiptarët si “myslimanë”, si “boshnjakë”, si “turq”, madje edhe si “arabë”!! E rëndësishme për shovinistët “maqedonasë” (sllavë) është që vetëm shqiptarë të mos mbeten! Kleri “myslimanë”, që manipulon me fenë kundër identitetit kombëtar shqiptar, ka dekada që është i rekrutuar dhe mercenarizuar për hesap të nacionalizmit dhe shovinizmit “maqedon”!! Kapja dhe mercenarizimi edhe i disa “krerëve” politikë “shqiptarë” thellon dhe zgjeron kërcënimin dhe rrezikun për gjuhën, kulturën, traditën, mënyrën e jetesës dhe përgjithësisht për identitetin kombëtar shqiptar.
Religjioni, kleri dhe “paria” e kapur dhe e mercenarizuar janë përdorur suksesshëm edhe nga Serbia dhe Mali i Zi… Shikoni Sanxhakun, Plavën e Gusinë dhe krahina tjera të deshqiptarizuara!!
“Lexojeni” dhe kuptojeni pak projektin dhe qëllimin e Serbisë për “islamizimin” e Kosovës Lindore! Ky projekt dhe këto qëllime shoviniste të Serbisë dhe të aleatëve të saj nuk janë pa rezultate edhe në Kosovën e kufijve krahinor të imponuar nga Beogradi! I njëjti projekt dhe e njëjta “metodologji” është përdorur nga Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia sllave edhe për asimilimin dhe tjetërsimin e shqiptarëve ortodoksë dhe katolikë (ndaj shqiptarëve të besimit katolikë, sidomos në Mal të Zi). Të mos flasim për miliona shqiptarë të tjetërsuar në Turqi!
Prandaj, jo se nuk besoj në qëndrueshmërinë e kombit tim dhe të identitetit shqiptar, por tendencat në rritje kundër qenies shqiptare (shqiptarofobia) nuk duhet nënçmuar. Për mua shqetësim përbën mungesa e projekteve dhe programeve kombëtare për t’u përballur me projektet dhe tendencat shoviniste në rritje të disa vendeve dhe qarqeve, me të cilat kombi ynë është në marrëdhënie fqinjësie, në marrëdhënie religjioze, kulturore, ekonomike, etj.! Shqetësim tjetër, jo më i vogël, është indiferenca (moskokëçarja) e inteligjencies, e armatës së mësuesve dhe arsimtarëve, e studentëve dhe e krijuesve (njerëzve tê kulturës dhe të artit)!
Kjo mendësi dhe kulturë moskokëçarëse është “përvetësuar” edhe nga masa e gjerë e njerëzve të zakonshëm! Ngrihet një copë injoranti (zakonisht analfabet), pa zbardhë drita, por edhe në çdo kohë që t’ia do qejfi dhe thërret në gjuhë arabe (sic!) me sa fuqi kanë altoparlantët, në katund e në lagje të qytetit, duke dhunuar e terrorizuar të drejtën dhe liritë e qytetarit për jetë të qetë e të dinjitetshme në shtëpinë, lagjen a katundin e tij dhe, të gjithë heshtin si mumjet!! Jemi popull me histori, kulturë e civilizim të lashtë apo “popull” që sapo ka lënë shpellat?!!
Ushtrimi i besimit (religjionit) me kaq agresivitet dhe dhunë nuk bëhet për arsye shpirtërore dhe as për t’i shërbyer perëndisë! Tjetër kund e ka hallin ky lloj “religjioni”! Them që kombi ynë, si shumë herë në histori, do t’ia gjejë ilaqin kësaj sëmundjeje që po kërcënon shëndetin mendor e trupor të njeriut tonë, shqiptarit tonë…