Komenti

Xh. Gjini: Jo “shtet” për një fe (besim) por “shtet” për administrimin e feve (besimeve) që kanë shqiptarët

JO “SHTET” PËR NJË FE (BESIM) PO “SHTET” PËR ADMINISTRIMIN E FEVE (BESIMEVE) QË KANË SHQIPTARËT
Ideja e bër publike në OKB nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama, për një “shtet bektashi” në Tiranë ngjalli debat të madh midis atyre që janë “për” dhe atyre që janë “kundër”. Te shumica e shqiptarëve kjo ide shkaktoi habi, ishte e befasishme, kurse bota që e dëgjoi mu në OKB e harroi shpejt! Ka “ide” e ngjarje shumë më të rëndësishme bota!
Po të ishin të gjithë shqiptarët të një besimi, bektashinj, krijimi i një “shteti” brenda shtetit tonë kombëtar edhe mund të kishte kuptim… Por, kombi ynë, fatkeqësisht, ka disa fe, besime, që e dobësojnë kohezionin shpirtëror, kulturor e politik të kombit! Fetë që ka populli shqiptar janë imponuar ose përdoren nga qarqe dhe shtete të fuqishme për të ushtruar ndikim në gjuhën, kulturën, mënyrën e jetesës dhe traditën tonë kombëtare! Ky fenomen dhe këto tendenca e problematizojnë fenë, besimin te ne… Fetë ose besimet dhe të gjitha sektet e tyre te ne, që nga fundshekulli i XX dhe deri sot, kanë manifestuar dhe po manifestojnë hapur tendencën për ta kapur sistemin – shtetin dhe për ta dominuar jetën shpirtërore, kulturore, arsimore, politike e publike, duke kërcënuar seriozisht qenien kombëtare shqiptare!! Kjo tendencë më hapur dhe më fuqishëm manifestohet nga islami dhe rrymat, shkollat e tij të shumëta! E angazhuar dhe konsekuente në këtë rrugë është edhe Kisha Ortodokse, e ndikuar nga shovinizmi grek! Krahas feve, besimeve janë krijuar për qëllime “fetare” (antishqiptare) me dhjetëra shoqata, organizata, fondacione, agjenci… që financohen dhe “mirëmbahen” nga shtete dhe qarqe të disponuara armiqësisht ndaj nesh ose që kanë pretendime dhe interesa “speciale” në Shqipëri (jo vetëm në Republikën e Shqipërisë)!
Ekzistimi i disa feve (religjioneve) dhe nënfeve (shkollave, sekteve e rrymave të ndryshme) te shqiptarët dëmton, lëndon dhe cenon kohezionin shpirtëror, kulturor e politik në vendin tonë… Është demagogji e kulluar opinioni i përhapur nga politika për “tolerancën ndërfetare” dhe për “vlerën e madhe” që kemi si popull me shumë fe!!
Ekzistimi i shumë feve dhe shkollave fetare për ne dhe për secilin komb e për secilën shoqëri është problem që duhet administruar me mençuri, durim e përkushtim. Duhet të gjendet “formula” për menagjimin e tyre, sepse veprimtaria e tyre pa fre e pa norma do ta çojë vendin dhe kombin në anarki e kaos… Prandaj, kombit tonë, më shumë se tjerëve, i duhet një “shtet”, qendër apo këshill kombëtar për administrimin e feve, besimeve në vendin tonë (në gjithë hapësirën shqiptare) dhe jashtë Atdheut. Kjo qendër ose ky “shtet” do të merrej ekskluzivisht me administrimin e feve, të marrëdhënieve midis tyre, të marrëdhënieve me shoqërinë, të marrëdhënieve me vende e qarqe të huaja, etj. Ky “shtet” ose kjo qendër, ku do të përfaqësoheshin të gjitha fetë dhe rrymat (sektet) do të ishte mbështetje për zhvillimin normal të kombit tonë, për kufizimin dhe refuzimin e ndikimeve dhe ndërhyrjeve të huaja në jetën e kombit tonë, etj. Ky “shtet” do t’i vendoste ekuilibrat, bashkëpunimin, mirëkuptimin, solidaritetin dhe tolerancën ndërfetare dhe ndërvëllazërore, etj.
Fetë, besimet, sektet, fondacionet, organizatat, agjencitë…, që predikojnë dhe mbjellin shqiptarofobinë, duke mohuar gjuhën, traditën, kulturën, historinë dhe gjithë trashëgiminë tonë shpirtërore, materiale dhe historike nuk duhet të tolerohen, pikë! Predikimi dhe propagandimi i mosdurimit, urrejtjes, përçarjes dhe ekstremizmit në emër të feve, besimeve duhet të marrin fund në tokën e shqipeve! Ndryshe rrezikohet paqja sociale dhe kërcënohet qenia shqiptare! Veprimtaria e shfrenuar antishqiptare në emër të feve, besimeve dhe për llogari të qarqeve dhe vendeve shoviniste e armiqësore nuk duhet toleruar në truallin tonë! Krijimi i një “shteti”, qendre të këtillë përbën interes kombëtar dhe do të ishte mësim edhe për popujt tjerë…
Po ta kishte paraqitur kështu idenë e tij E. Rama në OKB, të jeni të sigurtë që do të mbahejë mend gjatë!… Kështu dhe vetëm kështu do të çohejë porosia se shqiptarët janë të vendosur që ta (ri)ndërtojnë kohezionin e tyre shpirtëror, kulturor, gjuhësor, politik e kombëtar dhe tolerancën ndërfetare…
Krijimi i një “shteti” për këtë qëllim është imperativ i kohës. Ky “shtet” do të ishte model i emancipimit, civilizimit dhe tolerancës për popujt dhe vendet tjera… Partitë politike, inteligjencia dhe forcat atdhetare duhet ta promovojnë dhe të angazhohen për një “shtet” të të gjitha feve dhe sekteve fetare në Shqipëri (jo vetëm në Republikën e Shqipërisë…), për administrimin dhe bashkërendimin e veprimtarive të tyre në përputhje me vlerat, traditat dhe konstitucionin tonë shpirtëror, kulturor, gjuhësor e kombëtar…