Komenti

Xh. Gjini: Nuk është kohë manipulimesh për përfitime partiake (vota)

NUK ËSHTË KOHË MANIPULIMESH PËR PËRFITIME PARTIAKE (PËR VOTA)

Në kohën kur bota ka marrë gërshërët e mëdha në dorë dhe po bënë be e rrëfe se ka për t’ia prerë rrobat Kosovës shqiptare (kësaj pak Kosove që kambetur nga hanxharët e Evropës dhe Jugoserbisë) sipas dëshirës dhe shijeve të saj (duke marrë parasysh disa kërkesa të Serbisë), partitë politike imitojnë “pozitën” dhe “opozitën”, kurse mediat dhe shoqëria “civile” (bashkë me ndonjë parti vasaliste) shprehin përkushtimin dhe “vendosmërinë” e tyre ta “aprovojnë” “asociacionin” (zajednicën) qoftë edhe në kundërshtim me institucionet dhe interesat shtetërore e kombëtare!! E paparë! E padëgjuar në botën e civilizuar!

Ka të tjerë që një deklaratë “politike” (mund të thuhet edhe sharlataneske) të Kryeministrit të Republikës për O. Ivanoviçin përpiqen ta bëjnë “çështje” shtetërore, kombëtare dhe çështje gjaku, nderi e krenarie!! Non sens! Absurditet! Atyre që përpiqen të manipulojnë me gjakun e derdhur për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe me ndjenjat atdhetare e liridashëse të bashkëkombësve duhet t’ua sqarojë dikush (nëse kanë harruar…) se ky O. Ivanoviçi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit! Kjo edhe mund të kuptohet… Por, ai (O. I.) për disa deputete e deputetë dhe për disa zyrtarë të lartë ishte shumë i respektuar dhe i dashur! Për disa të tillë e të tilla takimi me të ishte kënaqësi  e veçantë! Madje, përshëndetjet me të (O. I.) nuk ishin një shtrëngim duarsh, por puthje e përqafime (kjo mund të dokumentohet edhe me incizimet – regjistrimet e kamerave të Kuvendit!! Kush nuk e dinte që O. I. ishte pjesë e “komandimit” dhe kryerjes së vrasjeve, terrorit dhe dëbimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre (sipas dëshmitarëve)?! Shkruhej e flitej edhe në media e raporte “konfidenciale” për veprimtarinë kriminale të tij… Them që i dinin këto “fakte” për O. I. edhe këta deputetë e deputete (edhe zyrtarë të lartë qeveritarë) që përqafoheshin e putheshin me të… E dinin dhe e njihnin edhe veprimtarinë e “rojave të urës” dhe strukturave tjera kriminale e, megjithatë, votuan ligjin me të cilin e amnistonin veprimtarinë e tyre!! Jo vetëm kaq, por edhe i bënë policë, doganierë, deputetë, ministra, etj.!!

Prandaj, të përpiqesh ta “kapitalizosh” një deklaratë “katarsisi”, si kjo e Kryeministrit, në kohën që Kosovës shqiptare po i bëhet presion dhe shantazh i jashtëzakonshëm për t’i bërë vend një “entiteti serb” dhe që të heq dorë nga një pjesë e sovranitetit dhe pavarësisë së saj, duke e bërë Serbinë (jo pakicën serbe) ortake në çështjet vitale të Republikës (shtetit) dhe të rregullimit të saj të brendshëm do të thotë, hiç më pak, se të jesh në anën e gabuar! Të shpikësh “tema” e “çështje” si kjo për O. Ivanoviçin do të thotë të biesh në pozitat e LVV – së që e bënte “çështje” Bregoviçin në Korçë, teatrin në Tiranë dhe Absurditet tjera që i shërbenin për t’i “ftohur” marrëdhëniet me shtetin tonë Amë, për hatrin e dy – tre “aktivistëve” në Tiranë dhe për hatrin e “guximtareve” dhe jugokosovarëve!! Dua të them që është koha të bashkohemi dhe t’i themi botës që Kosova shqiptare është e pavarur nga Serbia dhe sovrane, por edhe t’u bëjmë presion institucioneve shtetërore dhe partive parlamentare (krerëve të tyre) që të mos bëjnë asnjë lëshim që cenon lirinë, pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin kushtetues, juridik e politik të Republikës së Kosovës…

L. Abdixhikut, që pasaka pyetur se “a ka ku të shkojë më keq” dhe sërës së tij duhet t’u tregohet se për Kosovën tonë po përgatitet një e keqe më e madhe se deklarata “amnistuese” e Albinit për O. Ivanoviçin…